Për juristin Jordan Daci, ‘përplasja’ mes ekzekutivit dhe Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve që do të shqyrtohet nga trupa e Gjykatës Kushtetuese, nuk ka një konflikt siç po përpiqet të serviret në publik.
I ftuar në një emision televiziv, Daci thotë se më shumë se sa reagimi i Ramës për një kërkesë të togave të zeza për rritje page, ajo që të bën përshtypje është reagimi i vetë Kushtetueses, e cila sipas juristit, ka një sfidë me vetveten për të qenë e pandikuar.
Sipas Dacit, kërkesa e gjyqtarëve është në kundërshtim me vetë pavarësinë e gjyqësorit, duke bërë që ajo të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, për shkak se nuk ka përkeqësim në sistem.
Por ajo për të cilën tërheq vëmendjen juristi Jordan Daci në ‘përplasjen’ Rama-Kushtetuese, është fakti se kryeministri po e tërheq Gjykatën Kushtetuese drejt një ‘kurthi’ për ta ekspozuar ndaj presionit publik.
S’jemi në nivelin e një konflikti. Retorika duket e tillë, por në të vërtete s’jemi në të tillë. Është ë domain-in e Ramës kjo, më bëri përshtypje reagimi i GJK. Vendimmarrja e GJK për çështje të nxehta si Gjadri, që për mua ishte në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe parimin e kombit, apo vendime të tjera ku qeveria ka dalë fituese. Gjykata e ka sfidën me vetveten, është detyrë e kësaj gjykatë qe të na bindë ne dhe kritikëve që vendimet që japin janë të drejta.
Duke pasur parasysh këtë fakt, Rama i jep të drejtë vetës ta tejkalojë masën. Gjyqësori, s’mund t’i përcaktojë pagat vetvetes. Hera e parë ka qenë e gabuar dhe jo në përputhje me Kushtetutën. Kurrsesi s’mund të përcaktonte kushtet për përcaktimin e pagës. Kërkesa aktuale nuk gjen mbështetje në Kushtetutë, sepse s’ka përkeqësim. Kërkesa e gjyqtarëve, në kundërshtim me pavarësinë e gjyqësorit. Më para referenca bëhej te paga e kryetarit të Gjykatës së Lartë, tani bëhet nga kryetari i shtetit. Praktikisht s’mund të kemi varësi të gjyqësorit nga ekzekutivi në rritjen e pagës, pasi cenonte pavarësinë e tyre.
Asnjë nga skenarët që ne hamendësojnë s’janë normale në një vend demokratik. GJK s’duhet të kishte dalë fare me deklaratë. Nëse duan të jenë të pavarur e kanë garancinë për pavarësinë. Reagimi dukej sikur ishte ndikuar, duke shkuar çështja në këtë pikë, paragjykohet edhe kërkesa e gjyqtarëve. Duke dalë me deklaratë, ata janë pre e një ‘kurthi’ të Ramës, duke i ekspozuar ndaj një presioni që do të tejkalonte kryeministrin. S’duhet të shohim vetëm ndikimin, rëndësia është subjekti i ndikimit.