Adriatik BALLA
Skuadrat e kampionatit shqiptar mësuan rivalët e tyre në turet e para të kompeticioneve të UEFA-s për klube. Natyrisht, vëmendjen kryesore e mori shorti i UEFA Champions League, pasi aty luan edhe kampionia jonë, Egmatia, e cila e nis nga turi i parë paraeliminator. Shorti për turin e parë në Champions dhe kompeticionet e tjera u hodh të martën, kurse dje u hodh shorti për turin e dytë paraeliminator. Sidomos me interes ishte shorti dje pasi aty u mësua edhe rivali i Dinamo Sitit të Shqipërisë, skuadër që ka fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë dhe që këtë edicion, sipas një vendimi të vetë UEFA-s, e nis garën nga turi i dytë, pra ka një shans më shumë. Ndoshta Ilir Daja mund të përsërisë me dinamon atë ë ka bërë me Skënderbeun dhe me Ballkanin e Kosovës, duke e dërguar “nëndetësen” shqiptare në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Egnatia me rivalë të fortë
Kampionia e Shqipërisë, Egnatia e Rrogozhinës, ka mësuar kundërshtarin e mundshëm për raundin e dytë të Champions League, nëse kalon me sukses Breidablikun në raundin e parë. Në shortin e hedhur sot në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, goglat e vendosën përballë skuadrës polake, KKS Lech Poznan. Skuadra rrogozhinase do të nisë aventurën në raundin e parë kualifikues ndaj Breidablik më 8 ose 9 korrik në “Egnatia Arena”, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 15 ose 16 korrik. Sakaq, Egnatia, në rast se eliminohet nga Breidablik në raundin e parë të Champions League, do të vazhdojë aventurën europiane në raundin e dytë të Conference League, ku mund të përballet me humbësin e çiftit PFC Ludogorets 1945 (BUL) – FC Dinamo-Minsk (BLR).
Dinamo direkt e në raundin e dytë të Conference League
Ndërkohë që vëmendjen kryesore e mori Egnatia, pasi luan në Champions e me rivalë të fortë, duket se nuk mbeti jashtë vëmendjes as Dinamo, e cila dje njohu rivalin e saj në Europë. Në fakt, Dinamo Siti do të përballet me fituesin e çiftit Atletic Club d’Escaldes (AND) – F91 Didelanzh (LUX) në turin e dytë kualifikues të UEFA Conference League. Blutë, pas vendimit të UEFA-s, kaluan direkt në këtë raund. Ndeshjen e parë Dinamo Siti do ta zhvillojë në transfertë më 24 korrik, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në shtëpi më 31 korrik. Ndërkohë, Vllaznia dhe Partizani kanë mësuar kundërshtarët e mundshëm në raundin e dytë të Conference League, nëse arrijnë të kalojnë me sukses fazën e parë kualifikuese.
Nëse Vllaznia eliminon BFC Daugavpils, atëherë në raundin e dytë do të përballet me fituesin e çiftit FC Malisheva (KOS) – Víkingur Reikjavik (ISL). Partizani, që ishte në vazon e favoritëve për raundin e dytë, në rast të kalimit të Nõmme Kalju FC, do të luajë më tej ndaj fituesit të çiftit St. Patrick’s Athletic (IRL) – FC Hegelman (LTU). Mbetet të shihet se si do të paraqiten skuadrat tona në kompeticionet e UEFA-s, por pritshmëritë janë të mëdha për më tepër që klubet kanë nisur të studiojnë fort tregun për lojtarë cilësorë. Në këtë drejtim diferencën e bëjnë klubet që paguajnë më shumë.