Tag: rasteve

  • Pse po rritet shkalla e rasteve të fëmijëve me autizëm?

    Pse po rritet shkalla e rasteve të fëmijëve me autizëm?

    Reuters
    Qeveria e Shteteve të Bashkuara i bëri të ditura të dhëna e reja këtë javë për autizmin, të cilat tregojnë se shkalla e diagnostikimeve me autizëm te fëmijët amerikanë shënoi rritje rekorde në vitin 2022.

    Autizmi është çrregullim neurologjik dhe zhvillimor, i karakterizuar nga ndërprerje në sinjalizimin e trurit, të cilat shkaktojnë sjellje, komunikim, ndërveprim dhe të mësuar të mënyra të pazakonshme.
    Numri i fëmijëve të diagnostikuar me autizëm në SHBA është rritur ndjeshëm që nga viti 2000. Kjo ka shtuar shqetësimin publik se çfarë po e shkakton përhapjen e tij.
    Si diagnostikohet autizmi?
    Nuk ka mjete objektive për diagnostikimin e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit (ASD), siç njihet autizmi me emër mjekësor, siç janë analizat gjaku apo skanimi i trurit në rëntgen. Në vend të tyre, diagnozat bëhen bazuar në vëzhgime dhe intervista.
    Termi “spektër” pasqyron gamën e gjerë të manifestimeve të mundshme. Disa persona me ASD mund të kenë aftësi të mira për bisedë, ndërsa të tjerë mund të jenë jokomunikues. Disa mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj zërave, prekjes apo stimujve të tjerë. Të tjerë mund të kenë sjellje ose interesa të kufizuara apo të përsëritura. Disa mund të kenë nevojë për ndihmë në jetën e përditshme, ndërsa të tjerë shumë pak ose fare.
    Akademia Amerikane e Pediatrisë këshillon që të gjithë fëmijët të kontrollohen për autizëm në muajt 18 dhe 24, kur shumica e tyre fillojnë të shfaqin simptoma. Megjithatë, mosha mesatare e diagnozës mbetet afër 4 vjeç në SHBA dhe 5 vjeç globalisht.
    Sa i zakonshëm është autizmi?
    Në vitin 2022, shkalla e diagnostikimit me autizëm te 8-vjeçarët në SHBA ishte 1 në 31, ose 3.2 për qind, nga 2.77 për qind në vitin 2020, 2.27 për qind në vitin 2018 dhe 0.66 për qind në vitin 2000, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
    Një studim në Angli në vitin 2021 gjeti se shkalla e autizmit te fëmijët atje u rrit në 1.76 për qind, nga 1.57 për qind në vitin 2009.
    Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se përhapja globale te fëmijët është 1 për qind, nga 0.62 për qind në 2012, me vërejtjen se shumë vende nuk kanë burime për t’i identifikuar dhe raportuar rastet.
    Çka e shkakton autizmin?
    Shkaqet e autizmit nuk janë të qarta.
    Shkencëtarët mendojnë se karakteristikat neurologjike mund të zhvillohen gjatë shtatzënisë, kur truri i fetusit është duke u formësuar. Studimet e lidhin autizmin me faktorë gjatë shtatzënisë, dhe disa kërkime sugjerojnë një lidhje me komplikimet gjatë lindjes dhe kohën e lindjes.
    Faktorët gjenetikë përbëjnë rreth 80 për qind të rrezikut për zhvillimin e autizmit, sipas studimeve.
    Një fushë kërkimi në rritje është epigjenetika – ndërveprimi midis faktorëve gjenetikë dhe atyre mjedisorë. Një teori sugjeron se ekspozimi i një gruaje ndaj ndotjes së ajrit ose substancave të dëmshme para ose gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë një mutacion gjenetik që çon në autizëm te fëmija.
    Variacionet gjenetike te disa persona me autizëm forcojnë provat për një komponent gjenetik. Disa çrregullime gjenetike të lidhura me rrezik më të lartë për autizëm përfshijnë sindromën Fragile X, kompleksin sklerozë tuberoz, sindromën Phelan-McDermid dhe sindromën Prader-Willi.
    Faktorë të tjerë të mundshëm përfshijnë peshën shumë të ulët në lindje, verdhëzën te të porsalindurit, komplikimet gjatë shtatzënisë ose lindjes, probleme me florën bakteriale të zorrëve, çrregullime të sistemit imunitar, të pasurit një vëlla ose motër me autizëm, dhe faktorë prindërorë si mosha, obeziteti dhe diabeti.
    Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy, Jr. dhe figura të tjera publike kanë promovuar një teori – në kundërshtim me provat shkencore – se vaksinat e fëmijërisë shkaktojnë autizëm.
    Ideja rrjedh nga një studim i rrëzuar më parë i studiuesit britanik, Andrew Wakefield, në fund të viteve ‘90 që e lidhi rritjen rasteve me autizëm me përdorimin e madh të vaksinës së fruthit.
    Asnjë studim serioz nuk ka gjetur lidhje midis autizmit dhe vaksinave apo përbërësve të tyre si timerosali apo formaldehidi. Shkalla e vaksinimit ka rënë ndërkohë që rastet me autizëm janë rritur.
    Pse po rriten rastet me autizëm?
    Studiuesit ia atribuojnë kryesisht rritjen e rasteve me autizëm skanimit më të madh dhe përfshirjes së një game më të gjerë sjelljesh në përkufizimin e çrregullimit. Historikisht, përkufizimi i autizmit përfshinte vetëm aftësi të kufizuara intelektuale të moderuara, deri në të rënda. Sot, mjekët njohin se format më të rënda përbëjnë vetëm rreth 25 për qind të rasteve.
    Në vitin 2013, ekspertët e shëndetit mendor kombinuan tri diagnoza të ndara – çrregullimi autistik, çrregullimi i Aspergerit dhe çrregullimi zhvillimor gjithëpërfshirës – nën ombrellën e çrregullimit të spektrit të autizmit.
    Një studim i tetorit 2024 mbi të dhënat e sigurimeve shëndetësore në SHBA gjeti rritjet më të mëdha të diagnozave në grupe që më parë kishin norma të ulëta zbulimi, përfshirë të rinjtë, gratë dhe fëmijët nga disa grupe racore ose etnike.
    Studiuesit kanë vërejtur gjithashtu se disa faktorë rreziku janë bërë më të zakonshëm, si lindja e parakohshme apo lindja nga prindër të moshuar.
    Diagnozat e formave më të rënda të çrregullimit, të njohura si autizëm i thellë, nuk janë rritur ndjeshëm sa format më të lehta të autizmit, raportoi CDC.
    Kennedy ka deklaruar, pa prova shkencore, se faktorët mjedisorë janë përgjegjës për rritjen e madhe të rasteve të autizmit dhe se ai planifikon të financojë hulumtime për t’i identifikuar ato.
    A ka tretman?
    Nuk ka tretman apo shërbim për autizmin. Megjithatë, ekspertët pajtohen se diagnoza e hershme është thelbësore. Ndërhyrjet mbështetëse – idealisht para moshës trevjeçare – janë vendimtare për përmirësimin e aftësive kognitive, sociale dhe të komunikimit.
    Këto masa mund të përfshijnë terapi për të folurit, terapi profesionale, trajnime për t’u shoqëruar, terapi për integrimin ndijor, ndihma vizuale, rutina të strukturuara, plane arsimore individuale, terapi familjare dhe ofrim të një mjedisi të qetë dhe të parashikueshëm.
    Përgatiti: Ekrem Idrizi

  • Një fëmijë i dytë vdes nga fruthi në Teksas, rriten rastet e sëmundjes infektive

    Një fëmijë i dytë vdes nga fruthi në Teksas, rriten rastet e sëmundjes infektive

    Një fëmijë i dytë ka ndërruar jetë në Teksas pas diagnostikimit me fruth, konfirmoi një zëdhënës i spitalit lokal të dielën, ndërsa rastet e fruthit vazhdojnë të rriten në shtetin amerikan. Sipas një njoftimi nga Sistemi Shëndetësor UMC në Lubbock, fëmija, i cili po merrte trajtim për komplikimet e fruthit, ishte i pavaksinuar dhe nuk kishte asnjë gjendje të njohur shëndetësore.

    Viktima e fundit është një vajzë 8-vjeçare, e cila vdiq nga “dështimi pulmonar i fruthit”, duke bërë këtë vdekjen e dytë të konfirmuar nga fruthi në SHBA në dekadën e fundit. Ky incident ka nxitur një vizitë të planifikuar nga Sekretari i Shëndetësisë të SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr., i cili kishte deklaruar se shpërthimet e fruthit janë të zakonshme, për shkak të skepticizmit ndaj vaksinave.

    Ndërkohë, rritja e rasteve të fruthit është bërë një shqetësim serioz për autoritetet shëndetësore, me 59 raste të reja të raportuara në Teksas vetëm brenda tri ditëve, duke e çuar numrin total të rasteve në 481 që nga fundi i janarit. Raste të tjera janë regjistruar gjithashtu në shtete të tjera, përfshirë New Mexico, Oklahoma dhe Kolorado. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportuan një rritje të rasteve të fruthit në mbarë vendin, duke e çuar totalin në 607 për vitin 2025 deri tani.

    Ekspertët shëndetësorë po paralajmërojnë se hezitimi ndaj vaksinave dhe përhapja e informacionit të pasaktë kanë krijuar një terren pjellor për shpërthime të tilla infektive, dhe se vaksina mbetet mbrojtja më e sigurt kundër fruthit.