Tag: ranuccit

  • ‘Atentati ndaj Ranuccit’/ Pistat e hetimi zgjerohen jashtë Italisë! Artur Shehu në fokus të mediave ndërkombëtare

    ‘Atentati ndaj Ranuccit’/ Pistat e hetimi zgjerohen jashtë Italisë! Artur Shehu në fokus të mediave ndërkombëtare

    Nga Alba Kepi

    Atentati ndaj drejtuesit të “Report”, Sigfrido Ranucci, ka ndezur sot vëmendjen e të gjitha mediave kryesore italiane. Pista shqiptare e përmendur fillimisht si një mundësi e largët po trajtohet tashmë si një drejtim i rëndësishëm hetimor, ndërsa analiza e fakteve, kontakteve dhe lidhjeve ndërkufitare po merr dimensione të reja.

    Hetimi po analizon jo vetëm fazën e përgatitjes së sulmit, por edhe lëvizjet paraprake, vëzhgimet, mënyrën e largimit dhe çdo element që mund të tregojë një autor fizik apo një organizim më të gjerë.

    Burime të Drejtorisë Antimafia në Romë kanë konfirmuar se një segment i hetimit lidhet me emrin e Artur Shehut, sipërmarrës shqiptar prej vitesh në SHBA, i përmendur në disa dosje ndërkombëtare për lidhjet e supozuara me rrjete kriminale në Shqipëri e Itali. Emri i tij u trajtua nga “Report” më 21 prill, në puntatën “(Hot) Spot Albanese”, që analizonte projektin e hotspoteve të migrantëve sipas marrëveshjes Itali–Shqipëri.

    Në atë emision, Shehu paraqitej si figurë me peshë në bizneset ndërkufitare dhe me kontakte të ndjeshme në sektorë ku përplasen interesa të mëdha ekonomike, politike dhe kriminale. Gjithashtu, Report publikoi dokumente mbi një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë tokë pranë Vlorës, dhuruar një fondacioni italian, e ish-gjeneralit të Guardia di Finanzës përmes ndërmjetësimit të personave të lidhur me qarqe qeveritare shqiptare.

    Hetuesit po verifikojnë nëse ekspozimi publik i këtyre raporteve, marrëdhënieve dhe interesave mund të ketë shkaktuar reagime të ashpra nga individë të prekur, duke përfshirë rrjete jashtë Italisë. Disa procese të mëparshme kanë treguar se grupet kriminale ndërkombëtare reagojnë ashpër ndaj ekspozimit mediatik, ndaj po analizohet çdo mundësi: hakmarrje, presion, ose sinjal paralajmërues.

    Elementet teknike të hetimit

    Po shqyrtohet profili i personit që vendosi lëndën plasëse, kamerat e zonës dhe lëvizjet para dhe pas shpërthimit; po kontrollohen kontaktet telefonike dhe trafiku i komunikimeve në ditët rreth atentatit; po hetohet nëse atentatorët kanë pasur mbështetje nga jashtë Italisë; po verifikohen udhëtimet drejt e nga Shqipëria në periudhën para atentatit.

    Vera e kaluar, është tentuar hyrja në një nga pronat e dyta të Ranuccit. Në atë kohë nuk u gjet asnjë provë e qartë, por sot ky episod po rishikohet si i mundshëm “sintezues” i një strategjie presioni.

    Rreth Ranuccit është ngritur një mur i gjerë mbështetjeje nga institucionet, drejtoria e RAI-t, sindikatat e gazetarëve dhe shoqëria civile. Nivelin e vëmendjes hetimore, burime nga karabinierët e përshkruajnë si “jashtëzakonisht të lartë”, një term që përdoret vetëm në rastet kur ekziston rrezik real për jetën e një gazetari.

    Pritshmëritë në orët dhe ditët e ardhshme

    Hetuesit do të saktësojnë nëse pista shqiptare është vetëm një hipotezë e ndërlidhur me tematika të prekura nga Report, apo nëse ekzistojnë elemente konkrete që e lidhin drejtpërdrejt me autorësinë e atentatit.

    Në këtë fazë, asnjë pistë nuk është përjashtuar. Nga hetimet ligjore e deri te marrëdhëniet ndërkombëtare, gjithçka po analizohet me kujdes ekstrem.

    Rasti Ranucci është shndërruar në një provë serioze për sigurinë e gazetarëve investigativë në Itali dhe për ndikimin që mund të kenë raportimet e tyre në rrjete kriminale që operojnë në disa shtete.

  • Atentati ndaj Ranuccit, në lojë një klan shqiptar – ish-prokuror: “I njoh urdhëruesit e bombës!”

    Atentati ndaj Ranuccit, në lojë një klan shqiptar – ish-prokuror: “I njoh urdhëruesit e bombës!”

    Një sinjalizim anonim drejton gishtin ndaj një klani shqiptar: një ish-prokuror thotë se njeh emrat e urdhëruesit dhe të dy personave që vendosën bombën
    Një nga pistat e hetimeve për atentatin ndaj Sigfrido Ranucci-t, drejtuesi i emisionit investigativ Report që transmetohet çdo të diel në Rai3, të çon në qytetin e Pratos.
    Më 16 tetor, dikush vendosi një bombë poshtë makinës së gazetarit në Campo Ascolano, një lagje e Pomezias, dhe mjeti shpërtheu pak minuta pasi pranë tij kaloi vajza e Ranuccit.
    Por ç’lidhje ka Prato me këtë ngjarje? Një nga pistat që po ndiqen nga hetuesit lidhet me një email anonime të dërguar një ditë pas atentatit në Prokurorinë Antimafia të Romës nga një person që prezantohej si ish-prokuror shqiptar. Ai pretendon se njeh emrat e urdhëruesit dhe të dy autorëve të vendosjes së bombës.
    Në letrën anonime përmendet emri i Artur Shehut, një biznesmen i pasur shqiptar që jeton në Miami, i dyshuar si drejtues i një klani të fuqishëm të përfshirë në trafikun e drogës, të njohur si klani Osmani. Sipas sinjalizimit anonim, dy personat që vendosën bombën poshtë makinës së Ranuccit janë pjesë e rrethit të tij, një klan që ka rrënjë në Toskanë, veçanërisht në Prato.
    Për këtë pistë hetimore ka shkruar ditët e fundit gazetari Giovanni Tizian në gazetën Domani, duke shpjeguar se në letrën anonime përmenden edhe emrat e dy autorëve të dyshuar të atentatit. Më herët, Repubblica kishte zbuluar se nga Shqipëria kishin mbërritur informacione në Prokurorinë Antimafia të Romës.
    Megjithatë, kjo mbetet vetëm një hipotezë që duhet verifikuar. Mund të jetë një pistë e besueshme, por edhe vepër e një personi që kërkon vëmendje apo një përpjekje për të devijuar hetimet. Ajo që duket e sigurt është se autori i letrës ka njohuri të thella për botën kriminale shqiptare.
    Dy personat e përmendur në letër ekzistojnë realisht, por emrat e tyre nuk janë përmendur kurrë më parë në media apo faqe italiane. Personi që ka dërguar emailin thotë se është një ish-prokuror shqiptar që në të kaluarën ka marrë kërcënime me mjete shpërthyese të ngjashme me atë të përdorur në Pomezia, por për këtë nuk ka asnjë konfirmim.
    Emri i Artur Shehut është përmendur në Prato në një operacion të zhvilluar nga Drejtoria Antimafia dhe Karabinierët në shkurt të vitit 2022, kur u kontrollua një hotel në Viale Montegrappa, pasi dyshohej se menaxheri i tij shërbente si ndërmjetës i Shehut për pastrimin në Itali të fitimeve nga trafiku i drogës.
    Në atë hetim u arrestuan 45 persona, me pjesëmarrjen e policive të shtatë vendeve europiane. Klani i lidhur me Shehun njihet edhe si ‘Karteli i Sinaloas, dega e Vlorës’, që nuk ka lidhje me kartelin meksikan me të njëjtin emër.
    Por ç’lidhje kanë Report dhe Sigfrido Ranucci me krimin shqiptar? Emisioni investigativ i RaiTre është marrë më parë me interesat e ‘Kartelit të Sinaloas’ në ngritjen e Qendrave të qëndrimit për riatdhesim (CPR) që janë hapur në Shqipëri pas marrëveshjes mes Italisë dhe Tiranës.
    A mjafton kjo për t’i vënë bombë makinës së një gazetari në Itali? Këtë po përpiqen të zbulojnë hetuesit e Antimafias së Romës. Ndërkohë, personi që ka dërguar sinjalizimin anonim është i bindur:
    ‘Atentati ndaj Ranuccit është edhe një mesazh për të gjithë gazetarët investigativë italianë që kanë hetuar mbi Artur Shehun.’/Il Tirreno-SYRI.net