Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbajtur një takim me presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa në Shtëpinë e Bardhë.
Duke i uruar mirëseardhjen Ramaphosës në Shtëpinë e Bardhë, Trump fillimisht tha se ishte një “nder i madh” të ishte me presidentin e Afrikës së Jugut, i cili është “i respektuar në disa rrethe”.
Presidenti, Donald Trump, tha se shpresonte të merrte një “shpjegim” nga presidenti i Afrikës së Jugut mbi qasjen e vendit të tij ndaj ligjeve të barazisë racore, të cilat Trump i ka quajtur si “gjenocid” ndaj të bardhëve.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale, Presidenti Donald Trump, i bëri ‘pritë’ homologut, Ramaphosa, me një video që ai tha se mbështet pretendimet për “gjenocid” në Afrikën e Jugut, duke i zbehur dritat në Zyrën Ovale dhe duke e shfaqur atë në ekrane gjatë takimit dypalësh.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, kundërshtoi pretendimin e Presidentit Donald Trump se afrikanojugorët e bardhë po vuajnë nga “gjenocidi” në vend.
“Nëse do të kishte pasur gjenocid ndaj fermerëve të bardhë, mund të vë bast se këta tre zotërinj nuk do të ishin këtu, përfshirë ministrin tim të Bujqësisë, ai nuk do të ishte me mua”, tha Ramaphosa, duke iu referuar anëtarëve të bardhë të delegacionit të tij, ku përfshiheshin lojtarët e golfit nga Afrika e Jugut, Retief Goosen, dhe Ernie Els dhe ministrin e Bujqësisë të vendit të tij, John Henry Steenhuisen.
Ndër të tjera Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, mbrojti politikën e vendit të tij për shpronësimin e tokës pas kritikave nga Presidenti, Donald Trump, gjatë takimit të tyre në Zyrën Ovale.
“Kushtetuta jonë garanton dhe mbron shenjtërinë e zotërimit të tokës dhe kjo kushtetutë mbron të gjithë afrikanojugorët në lidhje me pronësinë e tokës”, tha Ramaphosa.