Adrien Rabiot mbërriti nga Marseille në minutat e fundit të merkatos verore, i kërkuar fort nga Massimiliano Allegri, i cili e kishte pasur më parë te Juventusi. Francezi ka marrë menjëherë rolin e titullarit në mesfushën kuqezi, duke sjellë fizik dhe lidership, aftësi që po mundohet t’i tregojë edhe me fjalë:
“Të luaj te Milani pas 5 viteve me Juventusin nuk është e thjeshtë, por kam shumë pasion dhe ambicie. I kemi cilësitë të luftojmë për titull, Allegri më donte sepse e di se mund ta transmetoj eksperiencën time te të rinjtë, duke dhënë maksimumin në stërvitje e ndeshje”.
Rabiot foli gjithashtu për Rafael Leao, i cili ka marrë kritika për performancat ndaj Napolit dhe Juventusit: “Ka potencial të madh, por në moshën 26-vjeçare nuk është më i ri, nuk ka kohë për të humbur. Duhet të pyesë veten se ku dëshiron të arrijë, do të ishte e dëmshme për ne po të kënaqet me pak”.
Ndërsa për Luka Modric, francezi shtoi: “Ai është një frymëzim për mua, ka pasion të madh, çka e shtyn për gjithçka. Stërvitet maksimalisht dhe luan me kënaqësi. Nuk do të ishte në këto nivele në moshën 40-vjeçare, nëse nuk do të bënte gjëra të jashtëzakonshme”.
Tag: rabiot
-

Rabiot “qorton” Leaon: Pyete veten çfarë dëshiron, sepse në moshën 26-vjeçare nuk je më i ri
-

Shpërthen Rabiot: Mijëra kilometra rrugë, absurde që një ndeshje e Serie A të luhet në Australi
8 Tetor 2025
9:57
Telesport
Një vendim që pothuajse askujt nuk i pëlqen. Ndeshja e Seria A mes Milan dhe Como, përveç ndonjë surprize të madhe, do të luhet në Australi. Kjo është rruga që Lega Calcio ka zgjedhur për të liruar stadiumin “San Siro” për Lojërat Olimpike Dimërore të planifikuara midis Milanos dhe Cortinës, nga 6 deri më 22 shkurt 2026.
Një vendim që duhej të miratohej nga UEFA, e cila dha dritën jeshile për të luajtur ndeshjen e Serie A në Perth. Një nga senatorët Milan, Adrien Rabiot, foli për këtë çështje, duke përdorur tone të ashpra.
“Milan kundër Como në Australi? Është krejtësisht absurde. Pastaj ka marrëveshje financiare për të siguruar që Liga të ketë një dukshmëri të caktuar, gjëra që janë përtej nesh”, tha Rabiot.
“Ka shumë diskutime për oraret dhe shëndetin e lojtarëve, por e gjithë kjo duket vërtet absurde. Është çmenduri të udhëtosh kaq shumë kilometra për një ndeshje midis dy ekipeve italiane. Duhet të përshtatemi. Si gjithmonë”, shtoi francezi. -

Juventusi e pagëzoi “kali i çmendur”; tani Rabiot është gati t’i bëjë gjëmën si kuqezi
Nga Ivan Zazzaroni*Para se të shkruaj për Rabiot, ndryshe nga Allegri unë informohem, rishikova një intervistë mjaft të freskët të mesfushorit të Milanit, bërë nga Alessandro Matri në versionin e tij “Jimmy Fallon”, në Dazn. Asgjë tronditëse, të jemi të qartë. Të dy ishin ulur në tryezë në ‘Continassa’, të interesuar mjaftueshëm edhe për një rizoto me kërpudha, por gjithsesi ishte bisedë e këndshme. Rabiot nuk është tipi që flet lehtë.
Pas gjysmës së intervistës, 26 minuta gjithsej, Rabiot kishte theksuar kryesisht një temë: mentalitetin fitues të Allegrit. “Më pëlqen të kem një trajner të tillë, – thoshte francezi. – Max është ai që ta përsërit gjithmonë se edhe stërvitja është e rëndësishme për t’u rritur… Pikërisht me të u rrita, ai më dha vazhdimësinë”. Allegri e ka një prirje të dukshme për Rabiot; e deshi edhe 6 vite më parë te Juve “sepse ka nivel dhe është solid”.
E deshi, por më 2019, kur Adrien mbërriti realisht në Torino, Max nuk ishte më aty. Ishte shkarkuar. “Ishte Allegri që u takua me mua disa muaj më parë dhe më bindi, – kujton Rabiot, – vetëm se në fund të atij sezoni ai e la Juven dhe unë u gjenda me një trajner tjetër”. Ishte Maurizio Sarri “i cili në fillim nuk më aktivizonte, ndaj pyesja veten pse më kishin dashur kaq shumë për të më ulur më pas në stol…”Dhe ja ku jemi, para Juve-Milan. Pas një viti me Marseille dhe De Zerbin trajner, Rabiot duket se është rritur edhe më shumë; ka më shumë personalitet dhe kontroll më të madh mbi lojën. Pikërisht soliditeti i francezit dhe pesha tekniko-taktike e Modric janë elementët kryesorë që e dallojnë këtë Milan nga i mëparshmi, ku Theo dhe Leao ishin liderë teknikë, por jo domosdoshmërisht të dhomës së zhveshjes.
Rabiot është, bashkë me Modric, lojtari të cilit Allegri i jep më shumë liri shprehjeje, sipas parimit aq të dashur për Dan Peterson: “Mos bëni atë që shkruaj, bëni atë që shihni”. Pastaj, le ta themi hapur, dikush që juventinët e quanin “kalë i çmendur”, si mund të mos kuptojë nga hipizmi? Këtë do ta shpjegoj herën tjetër për ata që nuk janë juventinë dhe për të painformuarit mbi “corto muso”.
* Drejtor i “Corriere dello Sport”
-

Rabiot: Ky Milan ka shpirt të fortë, e tregojnë 4 fitoret dhe vetëm një gol i pësuar
29 Shtator 2025
8:01
Alfred Lleshi
Adrien Rabiot foli pas suksesit të Milanit ndaj Napolit: “Është e vërtetë që e njoh mirë trajnerin dhe stafin, mënyrën e tyre të punës, ndaj ishte më e lehtë. Njoh edhe shumë shokë skuadre. Erdha me përulësi, duke punuar çdo ditë për të dhënë shembullin tim, për ta tërhequr skuadrën. Jam i lumtur për debutimin, kemi 4 fitore dhe vetëm një gol të pësuar. Ky Milan ka një shpirt të fortë, luajmë me mentalitet pozitiv. Sonte ishte e vështirë, por me këtë shpirt e morëm fitoren në shtëpi”.
Për Modric: “Kur je 10 kundër 11 duhet të japësh më shumë. Me Luka është e lehtë, di ta menaxhojë ndeshjen, vrapon 90 minuta edhe në moshën 40-vjeçare. I pëlqen futbolli, të mbrojë e të sulmojë. Kemi shumë cilësi, edhe me të rinjtë. Sonte ishim të gjithë të shkëlqyer, edhe në inferioritet treguam se mund të bëjmë shumë”.
Mbi ndeshjen e radhës: “Jam i lumtur që kthehem në ‘Allianz Stadium’ kundër Juventusit. Do të jetë emocionuese, por tani jam te Milani dhe shpresoj të fitojmë”. -

Rabiot minimizon përballjet me Napolin dhe Juven: Nuk janë ende ndeshje për titull
26 Shtator 2025
8:50
Alfred Lleshi
Adrien Rabiot, i transferuar te Milani me kërkesë të Massimiliano Allegrit, po shfaq që në fillim ndikimin e tij te kuqezinjtë. Francezi është optimist: “Shpresoj të jetë një sezon i madh. Jam i lumtur, sepse të gjithë më kanë pritur mirë. Po luaj, po bëj mirë, gjithçka është pozitive. Trajneri di të krijojë grupin dhe t’i përfshijë të gjithë, kjo është e rëndësishme për një skuadër që do të fitojë. Ka të rinj me mentalitetin e duhur, shpresoj të jetë fillimi i diçkaje të madhe”.
Sfida të mëdha e presin Milanin kundër Napolit e Juventusit: “Nuk janë ende ndeshje për titull, kampionati është i gjatë. Po, këto përballje tregojnë se ku jemi si skuadër. Kam kujtime të mira nga 5 vitet te Juventusi, por tani jam te Milani dhe dua të fitoj çdo ndeshje, edhe kundër tyre. Uroj më të mirën për bardhezinjtë, por tani jam i përqendruar këtu”.
Ndaj Napolit, Rabiot do të luajë si “mezzala” e majtë, përkrah Modric dhe Fofana: “E njoh mirë mentalitetin e Allegrit, po e mësojnë edhe shokët. Është vetëm fillimi, duhet qetësi dhe punë”. -

Pulisic “mbretëresha”, Modric e Rabiot “kuajt”. Allegri “mbreti”, Milani si metaforë shahu…
22 Shtator 2025
9:56
Alfred Lleshi
Pas fitores 3-0 të Milanit ndaj Udineses, Hernanes, i ftuar në DAZN, bëri një krahasim origjinal mes lojtarëve kuqezinj dhe figurave të shahut: “Në skakierën e Milanit, për mua Pulisic është mbretëresha, lojtari më i plotë. Ai krijon lojë, ka statistika të forta në finalizim dhe është vendimtar në fazën mbrojtëse. Madje, goli i dytë lindi nga një top që ai e rrëmbeu përgjysmë”.
Braziliani vazhdoi: “Tani Pulisic mbështetet nga dy kuaj, që nuk kanë vetëm forcë, por edhe lëvizje të paparashikueshme. Ata thyejnë ekuilibrat dhe ndihmojnë ekipin të ngjitet lart. Mbreti në këtë moment është Allegri, ndërsa kuajt janë Modric e Rabiot. Me teknikën dhe menaxhimin e topit, ata gjejnë gjithmonë hapësira mes linjave për ta çuar skuadrën përpara”. -

Allegri nuk pret! Rabiot e nis menjëherë titullar! Formacioni i mundshëm me Bologna
14 Shtator 2025
12:08
Telesport
Allegri ka një lojtar të preferuar dhe nuk e fsheh kurrë. Ai është Rabiot.
Me t’u prezantuar në Milano, trajneri i “Djallit” ka vendosur që francezi ta nisë menjëherë si titullar. Bologna do të jetë ndeshja e tij e parë me fanellën kuqezi.
Mesfushori pritet të luajë me Fofana dhe Modric, kurse Loftus-Cheek do të spostohet përpara në rolin që zakonisht e luan Christian Pulisic, pas shpatullave të Santiago Gimenez.
Formacioni i mundshëm: Maignan – Tomori, Gabbia, Pavlovic – Saelemaekers, Fofana, Modric, Rabiot, Estupinan – Loftus-Cheek – Gimenez -

Rabiot e bën Milanin të ëndërrojë: Jam gati, dua të shënoj të paktën 10 gola në sezon
12 Shtator 2025
14:16
Alfred Lleshi
Adrien Rabiot është prezantuar si lojtar i ri i Milanit, ku do të ribashkohet me Allegrin pas përvojës së përbashkët te Juventusi. Francezi shpjegoi arsyet e zgjedhjes së tij: “Kam pasur gjithmonë një lidhje të veçantë me Allegrin. Më telefonoi sapo firmosi me Milanin. Projekti i tij më bindi, prandaj zgjodha Milanin, edhe pse kisha mundësi të luaja Champions me ekipe të tjera. Dua të shënoj të paktën 10 gola”.
Rabiot tha se është gati të debutojë ndaj Bologna: “Jam stërvitur mirë dhe, nëse trajneri vendos, jam gati ta ndihmoj skuadrën”. Për takimin me Jonathan Rowe, pas sherrit në Francë, shtoi: “Do të jetë bukur ta takoj. Çdo gjë ndodhi në dhomat e zhveshjes dhe nuk i ndryshon marrëdhëniet tona”.
Mesfushori pranoi se nuk do të luajë në Champions këtë sezon, por synon ta ndihmojë Milanin të rikthehet aty si pretendent: “Ky është një klub i madh, me lojtarë si Modric dhe Maignan. Dua të sjell eksperiencë, karakter dhe gola për ta ndihmuar Milanin të luftojë për trofe”. -

Modric, Jashari, Rabiot, Ricci…; a ka tashmë Milani mesfushën më të fortë në Serie A?
2 Shtator 2025
12:35
Alfred Lleshi
Në mesfushën e Milanit spikat Luka Modric, fitues i “Topit të Artë”, legjendë me 34 trofe, përfshirë 6 Champions League. Së bashku me Adrien Rabiot, i cili ka 21 trofe mes PSG dhe Juventusit, dhe Ardon Jasharit, i dëmtuar aktualisht, mesfusha e kuqezi duket e pasur me eksperiencë dhe liderë. Samuele Ricci është gjithashtu alternativë luksi.
Me Modric dhe Rabiot si bosht, mesfusha kuqezi ka përvojë ndërkombëtare dhe shumë opsione taktike. Modric, gati 40 vjeç, e ka nisur titullar, ndërsa të rinjtë Ricci dhe Jashari mund të përdoren për të menaxhuar forcat, ose ndryshuar rolet.
Allegri ka gjithashtu Loftus-Cheek dhe Fofana, të ndryshëm, por të adaptueshëm, që mund të sjellin gola dhe përforcim të mbrojtjes. Me këtë përbërje, mesfusha e Milanit është një nga më të kompletuarat në Serie A, duke kombinuar cilësi, eksperiencë dhe freski fizike të rinjsh. -

Zyrtare: Adrien Rabiot i bashkohet Milanit
1 Shtator 2025
21:55
Telesport
Milani ka përfunduar merkaton e kësaj vere duke zyrtarizuar transferimin e mesfushorit Adrien Rabiot.
Mesfushori lë kështu Olympique Marseille për t’u rikthyer në bashkëpunim me trajnerin Massimiliano Allegri, me të cilin di sesi fitohet.
Ky operacion u mbyll për 10 milionë euro plus bonuse. Rabiot ka firmosur kontratë katërvjeçare, pra deri në 2029. Mesfusha e Milanit duket super e kompletuar me emra si Ricci, Jashari, Modric dhe tashmë edhe Rabiot.