Tag: qytet

  • Nëse keni pyetur ndonjëherë/ Këto janë 10 qytetet më të vjetra të botës

    Nëse keni pyetur ndonjëherë/ Këto janë 10 qytetet më të vjetra të botës

    Shkencëtarët kanë qenë vazhdimisht duke debatuar dhe duke kërkuar për një përgjigje të vetme, mbi pyetjen se cili qytet është më i vjetri në botë.

    Një zgjidhje unike është e vështirë për t’u gjetur, ndër të tjera, për shkak të humbjes së dëshmive arkeologjike dhe kalimit të kohës.

    Edhe pse nuk është vendosur se cili qytet është më i vjetri, janë disa që po shqyrtohen dhe më shumë triumfon Jericho në Palestinë.

    Suza, Iran

    Qyteti antik i Suzës filloi si një vendbanim i vogël në 7000 p.e.s dhe u shndërrua në një zonë urbane në 4200 p.e.s.

    Në vitin 324 para Krishtit, ishte vendi ku Aleksandri i Madh organizoi martesën e më shumë se 10,000 maqedonasve dhe persëve në një përpjekje për të bashkuar kulturat.

    Argos, Greqi

    Argos mendohet se ka qenë i banuar vazhdimisht që nga viti 5000 para Krishtit.

    Thuhet se Argos ishte një qendër kulturore në Greqinë e lashtë dhe gërmimet moderne kanë çuar në zbulimin e tempujve, teatrove dhe qeramikës antike.

    Fayum, Egjipt

    Në kohët e lashta, Fayum ishte një oaz i madh në Egjipt, i njohur për tokat pjellore dhe afërsinë me lumin Nil.

    Njerëzit ishin të pranishëm në rajon diku para vitit 7200 para Krishtit, dhe komuniteti i parë bujqësor u krijua rreth vitit 5200 para Krishtit.

    Sidon, Liban

    Sidon, është një qytet port rreth 40 kilometra larg Bejrutit. Ai ishte i banuar rreth vitit 4000 para Krishtit.

    Thuhet se Sidoni ishte një nga vendet e para që prodhoi ngjyrën vjollcë, e cila ishte aq e shtrenjtë dhe unike sa u bë një simbol i familjes mbretërore.

    Plovdiv, Bullgari

    Mbetjet e vendbanimeve njerëzore në Plovdiv datojnë në vitet 7000 para Krishtit. Romakët aneksuan Plovdivin në vitin 46 pas Krishtit dhe ndërtuan rrugë, kulla dhe ujësjellës në qytet.

    Shumë nga rrënojat e lashta që qëndrojnë ende në qytet datojnë në atë periudhë.

    Athinë, Greqi

    Dëshmitë e banimit njerëzor në Athinë datojnë deri në 5000 vjet para Krishtit.

    Gjatë Epokës së Artë të Athinës, qyteti ishte shtëpia e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj, duke përfshirë Sokratin dhe Hipokratin.

    Byblos, Liban

    Byblos, një qytet port në bregdetin e Detit Mesdhe, ka qenë i banuar vazhdimisht që të paktën 5000 para Krishtit.

    Papirusi ishte një nga artikujt kryesorë të tregtisë së qytetit në kohët e lashta, kështu që grekët e morën emrin e qytetit si fjalë për libër.

    Jericho, Bregu Perëndimor

    Jericho, një qytet në Territorin Palestinez, është një pretendent i fortë për vendbanimin më të vjetër në botë.

    Ai daton afërsisht në vitin 9000 para Krishtit. Është gjithashtu shtëpia e murit mbrojtës më të vjetër të njohur në botë – Muri i Jerikos – i cili ishte rreth 3.6 metra i lartë.

    Bejrut, Liban

    Gërmimet në vitet 1990 zbuluan prova të qytetërimit 5000 vjeçar, që datojnë qytetin, tani kryeqyteti i Libanit, rreth vitit 3000 para Krishtit.

    Bejruti ishte shtëpia e shkollës juridike më të shquar në Perandorinë Romake përpara se të shkatërrohej nga një tërmet në vitin 551 pas Krishtit.

    Aleppo, Siri

    Megjithëse mosha e saktë e Alepos nuk dihet, një tempull antik i zbuluar në qytet daton rreth vitit 3000 para Krishtit.

    Sipas vlerësimeve, Alepo daton në vitet 5000 para Krishtit. Sot, qyteti është shkatërruar nga një luftë e zgjatur. Të paktën 30 përqind e qendrës historike është shkatërruar.

    Po në Shqipëri?

    Qytetet më të vjetra të Shqipërisë janë Butrinti, Apolonia, Dyrrahu (Durrësi) dhe Orikumi. Këto qytetet janë themeluar që në shekujt VII-VI p.e.s. në tokat ilire.

    Durrësi është mbi 3 mijë vjet qytet, kurse Berati afro 2 500 vjeçar.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    KY ËSHTË QYTETI MË I VJETËR I BANUAR NË BOTË

    Qyteti më i vjetër i banuar në botë është Damasku, kryeqyteti i Sirisë. Ai është një qytet me një histori të gjatë. Daton në epokën aramaike. Rreth 5000 vjet më parë.

    Damasku ishte një nga qendrat më të rëndësishme të botës antike. Ishte si kryeqyteti i Mbretërisë së Aramaias. Dhe më pas i shtetit romak.

    Pavarësisht historisë së tij të lashtë, Damasku është ende një qytet i gjallë. Me një kulturë dhe traditë të pasur.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • “Metro”: Britanikët zgjedhin Tiranën për pushime në qytet

    “Metro”: Britanikët zgjedhin Tiranën për pushime në qytet

    Kur mendojmë për pushime në qytet, Nju Jorku, Parisi apo Roma zakonisht janë në krye të listës, por kohët e fundit Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është bërë qyteti më i preferuar evropian për britanikët, shkruan Courtney Pochin në të përditshmen britanike “Metro”.
    Tirana, kryeqyteti i gjallë i Shqipërisë – dikur një zonë gri komuniste deri në vitet 1990 – ka pësuar një rigjallërim të madh vitet e fundit, duke tërhequr një numër në rritje turistësh të huaj.

    Falë transformimit të saj, kulturës interesante, ushqimit të lirë dhe të shijshëm, si dhe atmosferës së gjallë, ekspertët e udhëtimit e kanë quajtur Tiranën “qytetin më të ri turistik në Evropë”.

    Duke filluar nga viti i ardhshëm, turistët britanikë mund të rezervojnë një udhëtim drejt kryeqytetit shqiptar për vetëm 65 paund, pasi kompania ajrore “Ryanair” ka rritur numrin e fluturimeve nga Liverpuli në Tiranë.

    Nga vera e vitit 2026, turistët britanikë do të jenë në gjendje të fluturojnë për në Tiranë nga aeroporti “John Lennon” i Liverpulit.
    Kjo për shkak se linja ajrore me kosto të ulët, “Ryanair” po shton një avion të gjashtë – si pjesë e një investimi amerikan prej 600 milionë dollarësh (rreth 449 milionë paund), në veriperëndim të vendit.
    Fluturimi me “Ryanair” për një udhëtim vajtje në Tiranë kushton 65 paund.
    Tirana është shtëpia e shumë ndërtesave të pikturuara me ngjyra, shumë rrugëve për këmbësorë dhe shesheve publike, të cilat, sipas “Lonely Planet”, e bëjnë atë “një vend kënaqësie për të shëtitur”.
    Turistët që duan të mësojnë rreth historisë së vendit, mund të vizitojnë disa nga muzetë duke përfshirë Muzeun Historik Kombëtar, si dhe Bunk’Art, i cili është një ish-bunker i Luftës së Ftohtë, në periferi të qytetit – i transformuar në një muze historie dhe arti bashkëkohor.
    Adhuruesit e natyrës, mund të eksplorojnë Parkun Kombëtar të Malit Dajti, i cili është shtëpia e malit më të arritshëm në Shqipëri.
    Ai ndodhet 25 kilometra në lindje të Tiranës, dhe mund të shijoni një udhëtim piktoresk 15-minutësh me teleferik deri në lartësinë 1611 metra.
    Asnjë vizitë në Tiranë nuk është e plotë pa eksploruar Sheshin Skënderbej, sheshin kryesor të qytetit.
    Këtu do të gjeni muzeun e historisë, Pallatin e Kulturës, Operën Kombëtare, Bibliotekën Kombëtare, Bankën Kombëtare, Xhaminë e Ethem Beut, Kullën e Sahatit, Bashkinë, Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Energjisë.
    Ekspertët e udhëtimit, gjithashtu rekomandojnë të vizitoni “Sky Bar” për një pamje 360 ​​gradë të qytetit; të ngjiteni në Piramidën e Tiranës – një ish-muze dhe një pikë referimi në qytet; të vizitoni disa nga kishat dhe xhamitë mahnitëse; Parkun Rinia dhe Kalanë e Tiranës.
    Vende të tjera që duhen vizituar me patjetër përfshijnë Parkun e Liqenit të Tiranës, në pjesën jugore të qytetit.
    Nëse dëshironi të udhëtoni pak më shumë, vetëm një orë larg ndodhet Liqeni i Bovillës, në pjesën verilindore të Tiranës, i vendosur midis dy maleve. Shumë kompani ofrojnë ture në këmbë dhe ecje në zonën piktoreske.
    Gjithashtu, shijoni gatimet tradicionale shqiptare, duke përfshirë tavën e kosit, fërgesën, si dhe byrekun.

  • Ky është qyteti ku njerëzit jetojnë nëntokë (Foto)

    Ky është qyteti ku njerëzit jetojnë nëntokë (Foto)

    Një qytet i jashtëzakonshëm, ku gjithçka ndodhet nëntokë, nga kishat te kampingjet. Ndërsa bota gjithnjë e më shumë po vuan pasojat e ngrohjes globale, a mund të jetë ky qytet një shembull se e ardhmja jonë mund të jetë nëntokë?     

    Në rrugën e gjatë drejt Australisë Qendrore, të shoqëron një peizazh krejtësisht i shkretë që ngjason me një hapësirë të pafundme.

    Por, papritur, shfaqen disa ndërtime misterioze që ngjasojnë me piramida rëre. Këto janë shenjat e para të Coober Pedy, një qytet i minierave të opalit, me një popullsi prej rreth 2500 banorësh që jetojnë nëntokë.

    Në këtë cep të botës, 60% e popullsisë jeton në shtëpi të ndërtuara në shkëmbinj ranor. Në disa lagje, shenjat e vetme se aty ka jetë janë boshtet e ventilimit që ngjiten nga nëntoka lart.

    Në dimër, kjo mënyrë jetese mund të duket e çuditshme. Por në një ditë vere, Coober Pedy merr kuptim. Temperaturat janë aq ekstreme saqë zogjtë bien nga qielli dhe pajisjet elektronike duhet të ruhen në frigoriferë.

    Coober Pedy nuk është vendbanimi i parë në botë, madje as më i madhi, nëntokësor. Njerëzit janë tërhequr nga nëntoka për të përballuar klimat sfiduese për mijëra vjet. Shembulli më i famshëm është Kapadokia në Turqi.

    Rajoni ndodhet në një pllajë të thatë dhe është i famshëm për gjeologjinë mahnitëse, me një peizazh majash të skalitura shkëmbore.

    Ashtu si në Coober Pedy, jeta nëntokësore i ndihmoi banorët e rajonit të përballen me klimën kontinentale, e cila luhatet midis verës së nxehtë, të thatë dhe dimrit të ftohtë e me dëborë.

    Një zgjidhje efektive

    Rruga për në Coober Pedy është krejt normale, plot restorante, bare, supermarkete e pika karburanti. Coober Pedy është komplet e kundërta… çdo gjë mbi sipërfaqe është e shkretë. Mirëpo sa më shumë të hysh nëpër tunelet nëntokësore aq më shumë ndihet jeta e vrullshme e banorëve të këtij vendbanimi.

    Ndërtesat nëntokësore duhet të jenë të paktën katër metra të thella, për të parandaluar shembjen e çative të tyre dhe nën këtë sasi shkëmbinjsh, është gjithmonë një temperaturë e butë 23 gradë celsius. Ndërsa banorët mbi tokë duhet të durojnë verën e nxehtë, shtëpitë nëntokësore ruajnë një temperaturë perfekte gjatë gjithë dimrit.

    Përveç rehatisë, një avantazh tjetër i jetesës nëntokësore janë paratë. Coober Pedy gjeneron të gjithë energjinë e tij elektrike – 70% e së cilës mundësohet nga era dhe dielli.

    Gjatë një ankandi të fundit, një shtëpi mesatare me tri dhoma gjumi u shit për rreth 26.000 dollarë.

    Megjithëse shumë nga këto prona janë jashtëzakonisht bazike ose kanë nevojë për rinovim, ka një hendek të madh midis çmimit të këtyre shtëpive dhe atyre në qytetin më të afërt, Adelaide, ku çmimi mesatar i shtëpisë është 457.000 dollarë.

    Çuditërisht, stili i jetesës nëntokësore mund të sigurojë gjithashtu njëfarë mbrojtjeje kundër tërmeteve. “Ne kemi përjetuar dy tërmete që kur unë kam jetuar këtu dhe asgjë nuk ndodhi”, thotë një nga banorët.

    Gjithashtu, një avantazh tjetër i këtij qyteti është se në të mund të kryesh punime shumë thjesht.

    Shkëmbinjtë janë të butë dhe mund të gërvishten madje edhe me thonj. Ju mund të ndërtoni dhoma dhe hapësira të tjera në çdo formë që ju pëlqen, pa materiale shtesë.

    Shumë vendas jetojnë në banesa luksoze me pishina nëntokësore, dhoma lojërash dhe banja të gjera. Një vendas e ka përshkruar madje shtëpinë e tij nëntokësore si “si një kështjellë”. 

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    DIKUR STREHIM PËR 20 MIJË NJERËZ, KY ËSHTË QYTETI MË I MADH NËNTOKËSOR NË BOTË

    I harruar dhe i rizbuluar rastësisht, një qytet i lashtë nëntokësor në Turqi me 18 nivele të pabesueshme nën tokë dhe me një sistem të mahnitshëm ajrimi dhe furnizimi me ujë, ka mundësuar strehim dhe jetë për rreth 20.000 njerëz.

    Misteri mbetet tek fakti se kush e ka ndërtuar dhe kur e ka ndërtuar me saktësi. Në zonën turke Kapadokia, ka më shumë se 30 qytete nëntokësore. Ndërsa më i thelli ndër ta është Derinkuyu.

    Kjo strukturë e mrekullueshme shtrihet 85 metra nën nivelin e tokës. Përbëhet nga 18 nivele me tunele të cilat formojnë një rrjet të lidhur.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • Qyteti fantazmë/ U shpenzuan 100 miliardë dollarë për ndërtimin, por mbeti thuajse bosh

    Qyteti fantazmë/ U shpenzuan 100 miliardë dollarë për ndërtimin, por mbeti thuajse bosh

    Nga Alesia Fiddler, DAILY MAIL

    Ka një qytet në Malajzi që fillimisht u projektua për të strehuar një popullsi prej 700.000 banorësh.

    ‘Forest City’ u ndërtua nga kompania kineze ‘Country Garden’, si pjesë e projektit të tyre ‘Belt and Road’ që nisi në vitin 2016. Janë shpenzuar plot 80 miliardë paund (100 milionë dollarë) për ndërtimin e komunitetit, me qëllim krijimin e një peizazhi modern dhe miqësor me mjedisin.

    Me gjithë planet e mëdha, vetëm rreth 9.000 persona janë zhvendosur në ‘Forest City’ që nga fillimi i punimeve disa vite më parë.

    Qyteti madje ka edhe një park ujor, restorante dhe bare, si dhe një fushë golfi, por mbetet kryesisht i pabanuar.

    Ndryshimet në kontrollin e kapitalit të Kinës në vitin 2017, vetëm një vit pas fillimit të punimeve, çuan në ulje të investimeve dhe probleme në përfundimin e punimeve.

    Vetëm rreth 15 për qind e projektit ishte përfunduar deri vitin e kaluar.

    Nazmi Hanafiah u zhvendos në qytet për gjashtë muaj dhe jetoi në një apartament me një dhomë gjumi në një kullë banimi. Megjithatë, ai nuk qëndroi për shumë dhe i tha BBC-së: “Nuk më interesonte depozita, nuk më interesonin paratë. Thjesht duhej të largohesha”.

    Inxhinieri i IT-së e përshkroi ‘Forest City’ si një “qytet fantazmë” dhe tha: “Dridhem vetëm duke u kthyer këtu.”

    Një tjetër banore, Joanne Kaur, i tha medias: “Ky vend është i çuditshëm. Edhe gjatë ditës, kur del nga dera e përparme, korridori është i errët”.

    Qyteti përbëhet nga katër ishuj që shtrihen në një sipërfaqe prej 30 km², sipas faqes zyrtare të ‘Forest City’.

    Faqja vazhdon: “Forest City, i ndërtuar së fundmi, do të jetë një qytet inteligjent dhe i gjelbër futuristik që kombinon mjedisin, teknologjinë dhe teknologjinë më të avancuar për të krijuar një ekosistem ideal, idilik dhe të bazuar në teknologji për të jetuar dhe punuar”.

    ‘Country Garden’ i tha BBC-së se ishte “optimiste” se qyteti do të përfundojë pavarësisht çdo problemi.

    Ka vende po aq “të çuditshme” shumë më afër, përfshirë edhe ishullin e braktisur ‘Pleasure Island’, në Cleethorpes.

    ‘Pleasure Island’ ishte ndarë në gjashtë zona – Afrika, Maroku, Anglia e Vjetër, Spanja, Kiddies Kingdom dhe Ëhite Knuckle Valley – dhe kishte shumë atraksione për adrenalinë, përfshirë Alakazam, Terror Rack dhe Gravitron. Parku u mbyll në vitin 2016 pas 23 vitesh, dhe parku tematik që dikur ishte i popullarizuar, është lënë të shkatërrohet.

    Atraksionet u shitën në tetor 2018, por shumica e ndërtesave mbeten të paprekura edhe sot.

    Nga karuselët që janë lënë plotësisht të vendosura me gjithë dekorin e tyre, deri tek sallat e lojërave me makinat akoma brenda, parku tematik ka një gamë strukturash që ende qëndrojnë në këmbë.

  • Ky qytet në Greqi është metropoli dimëror më i nënvlerësuar evropian

    Ky qytet në Greqi është metropoli dimëror më i nënvlerësuar evropian

    Revista “Time Out” publikoi një listë koncize të destinacioneve më tërheqëse dimërore për udhëtime të shkurtra në qytet, dhe në krye të saj gjeti një qytet në Greqi, të cilin e përshkruajnë si një opsion turistik të lënë pas dore padrejtësisht gjatë periudhës së dimrit.

    Dimri ka mbërritur, duke sjellë me vete një kohë kur shumë do të preferonin të qëndronin në shtrat nën një batanije të ngrohtë. Megjithatë, nëse jeni gati të dilni jashtë, do të zbuloni se edhe pushimet e shkurtra dimërore mund të jenë zgjedhja e duhur, raporton Danas.rs .

    Përveçse mund t’i shpëtoni turmave të Krishtlindjeve dhe të keni diçka për të pritur me padurim, ka edhe një avantazh tjetër: mund të vizitoni disa nga qytetet më të famshme të Evropës pa ju shtyrë turma turistësh.

    Kryeqyteti grek, Athina, njihet si një destinacion veror me temperatura që arrijnë në 40 gradë Celsius gjatë verës, por Time Out raporton se qyteti është në fakt shumë më i këndshëm në këtë kohë të vitit.

    John Owens nga filmi “Time Out” u dashurua aq shumë me Athinën gjatë dimrit saqë vendosi të kalonte një sezon të tërë atje vitin e kaluar. Sipas tij, “qyteti nuk bie kurrë në letargji të plotë”, që do të thotë se ka shumë për të bërë nga shtatori deri në mars.

    Owens beson se Athina mund të “marrë kurorën e Lisbonës” si destinacioni kryesor i Evropës për nomadët dixhitalë, falë jetesës së lirë, stilit të ngrohtë të jetesës dhe elegancës interesante, paksa të papërpunuar.

    Moti është çuditërisht i këndshëm, me temperatura që arrijnë në 20 gradë në një ditë të bukur dimri.

    Destinacioni i dytë më i nënvlerësuar për pushime dimërore në listë është Venecia. Ky qytet njihet për turmat e tij, por nëse planifikoni të udhëtoni në janar ose shkurt, atmosfera është shumë më e relaksuar.

    Madridi është në vendin e tretë. Në thelb, nëse dëshironi pushime pa u grindur me mysafirë të tjerë për një çokollatë të nxehtë në qendër të qytetit, ky është vendi i duhur për ju.

  • 5 qytete të humbura që qëndruan të varrosura për shekuj

    5 qytete të humbura që qëndruan të varrosura për shekuj

    Për mijëra vjet, qytetet janë ngritur dhe janë zhdukur nën forcën e natyrës, konflikteve apo thjesht sepse qytetërimet e reja u ndërtuan mbi to. Sot, falë teknologjive moderne shumë prej tyre po dalin sërish në dritë. Në raste të tjera, ndryshimet klimatike ose rastësia kanë zbuluar atë që ishte harruar për shekuj.

    Këto janë pesë prej qyteteve të humbura që u rizbuluan në mënyra krejt të papritura.

    1. Një qytet gjigant nëntokësor u zbulua rastësisht në Turqi

    Në vitin 2020, arkeologët që punonin në Midyat të Turqisë juglindore gjetën një hyrje të fshehtë në një qytet të madh nëntokësor, të quajtur Matiate. Rrjeti i gjerë i tuneleve dhe dhomave daton rreth 2 mijë vjet më parë, shumë më herët se kishat e lashta mbi tokë që datojnë në shekullin VI.

    Në qytet mund të kenë jetuar deri në 60 mijë banorë, të cilët kërkonin mbrojtje nga persekutimi, klimat ekstreme apo armiqtë. Arkeologët kanë gjetur monedha, eshtra njerëzish dhe kafshësh, si dhe ambiente magazinimi për ushqime e verë.

    Deri tani është zbuluar vetëm një pjesë e qytetit, i cili mendohet të shtrihet në rreth 9 milionë metra katrorë. Studiuesit synojnë që një ditë Matiate të hapet për turistët dhe të rivalizojë qytetin e famshëm nëntokësor të Derinkuyu.

    2. Pulat e zhdukura çuan te zbulesa e Derinkuyu-t

    Në vitin 1963, një banor në rajonin e Kapadokias vuri re se pulat i humbnin në mënyrë misterioze përmes një çarje muri. Pas heqjes së murit, ai zbuloi një hyrje drejt një qyteti të tërë nëntokësor të harruar prej shekujsh.

    Derinkuyu, i vendosur 280 metra nën sipërfaqe, përfshin 18 nivele dhomash dhe tunele dhe dikur strehoi rreth 20 mijë persona. Qyteti përfshinte stalla, shkolla, depo, puse dhe oxhaqe ajrimi.

    Për mijëra vjet banorët përdorën këtë rrjet si strehë ndaj luftërave dhe klimës së ashpër. Sot, Derinkuyu është një nga atraksionet turistike më të vizituara në Turqi.

    3. Thatësira rekord në Nevada nxori në sipërfaqe një qytet të zhdukur

    Thatësira e zgjatur në jugperëndim të SHBA-ve ka ulur në nivele historike ujërat e Liqenit Mead, pranë digës Hoover. Ndërsa uji u tërhoq, u shfaqën rrënojat e St. Thomas, një qytet i braktisur që u përmbyt në vitet 1930 kur liqeni filloi të formohej.

    St. Thomas ishte themeluar nga mormonët në vitin 1865 dhe më pas u popullua nga qindra njerëz që ndërtuan shtëpi, shkolla, dyqane dhe madje një dyqan akulloresh. Deri para dy dekadave, qyteti mund të vizitohej vetëm me zhytje nën ujë. Sot, muret dhe themelet e tij të dukshme janë një simbol i prekshëm i ndryshimeve klimatike.

    4. Radarët zbuluan një qytet të ngrirë në Grenlandë

    Në prill 2024, shkencëtarët e NASA-s përdorën radarë depërtues në akull dhe kapën një imazh të Camp Century, një qytet ushtarak i ndërtuar nga ushtria amerikane nën akullin e Grenlandës gjatë Luftës së Ftohtë.

    I ndërtuar në vitin 1959, kampi kishte tunele, një tren elektrik, një reaktor bërthamor dhe hapësira për rreth 200 ushtarë. Ai ishte pjesë e një projekti sekret për të vendosur raketa bërthamore nën akull.

    I braktisur në vitin 1967, Camp Century u mbulua nga dëbora për dekada. Por ngrohja globale rrezikon ta shkrijë akullin dhe të nxjerrë në sipërfaqe mbetjet e tij bërthamore deri në fund të shekullit.

    5. Lidari zbuloi një qytet të madh Maya në Meksikë

    Një student i arkeologjisë në SHBA zbuloi rastësisht të dhëna lidari (teknologji matëse me rreze lazeri) të rajonit Campeche në Meksikë dhe nën pyjet tropikale ai identifikoi një qytet të pazbuluar më parë të civilizimit Maya, të quajtur më vonë Valeriana.

    Teknologjia lidar depërton përmes kurorës së pemëve, duke zbuluar forma të fshehura. Aty, kërkuesit gjetën mbi 6 mijë e 700 struktura, përfshirë piramida, lagje banimi, kanale uji, fusha loje dhe rrugë të lashta.

    Sipas vlerësimeve, qyteti ka pasur 30 mijë deri në 50 mijë banorë midis viteve 750–850 të erës sonë dhe mund të ketë qenë një qendër rajonale madhështore. Shkencëtarët ende nuk e kanë vizituar në terren, pasi shumë detaje të fshehura nën tokë presin të zbulohen.

  • Historia interesante e Gjirokastrës, qyteti magjik me një të shkuar të trazuar…

    Historia interesante e Gjirokastrës, qyteti magjik me një të shkuar të trazuar…

    Qyteti i gurtë i sokakëve befason çdo vizitor. As edhe një kalim i shpejtë, nuk do ta zbehte kërshërinë dhe habitjen pas ndërtesave të vjetra, rrugicave të zhurmshme po kaq sa edhe intime, apo dritareve dëshmitare sa e sa historish… 

    Gjirokastra në shpatet e pjerrëta të luginës së Drinos, përshfaqet menjëherë para syve me një peizazh që dëshmon historinë, mes kurorës së majave të larta.

    Kur sapo ke mbërritur në qytetin e vjetër, shtëpitë me çatitë e gurta duket sikur të shohin nga të gjitha anët. Të duket se nga çasti në çast, në ato dritare do të shfaqen kushedi sa personazhe sajuar nëpër përrallat e gjysheve, kur bisedonin ulur në prag.

    Ka diçka mitike Gjirokastra: mikpritëse dhe nikoqire njëherësh!

    Nëse e merr rrugën për të vizituar këtë qytet kaq kontrovers – pasuri në UNESCO – kjo është historia e tij:

    “Qyteti i një mijë shkallëve” ka qindra shtëpi-kulla të tipit otoman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta, herë-herë të zbardhura me gëlqere. Nën hijen e rëndë të kalasë madhështore që ngrihet mbi kodër, Gjirokastra është një qytet magjik, me një të shkuar të trazuar.

    Historia e përmend Gjirokastrën, si një qendër të rëndësishme administrative, ekonomiko-kulturore dhe pikë referente e përpjekje për emancipim kulturor dhe pavarësi për krejt botën shqiptare. Në rrjedhën e shekujve, qyteti përjetoi transfomime të imponuara, nga bastion i feudalizmit, në xhevahir otoman, nga qendër e rezistencës për indipendencë dhe në pikë e rëndësishme për pushtuesit fashistë italianë. Në kronikën e këtij qyteti janë regjistruar shumë sundimtarë e invadorë (pushtues); njëkohësisht, ai ka frymëzuar shumë poetë, shkrimtarë dhe artistë. Qyteti me popullsi 40 000 banorë, është sot qendra më e madhe kulturore, akademike, ekonomike e administrative e rajonit jugor, si qendër e qarkut me të të njëjtin emër. Njihet si vendlindja e tre personaliteteve me peshë në historinë e Shqipërisë: ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, gjuhëtarit dhe albanologut Eqrem Çabej dhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

    Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë me emrat: Cfakë, Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Meçite, Hazmurat, Pazari i Vjetër. Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigonea) dhe qyteti romak Hadrianopolis pranë fshatit Sofratikë, është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare. Por mbi këtë tezë janë hedhur dyshime pasi zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane: në shekujt V – II p.e.s.; shekujt V – VII e.j.; shekujt IX- X dhe shekujt XII – XIII. Më e hershmja nga këto faza solli gjurmë të një muri të konsiderueshëm ndërtuar me blloqe, gjë që bën të mendosh që ka pasur një fortifikim të rëndësishëm të periudhës para romake në këtë anë të luginës së lumit Drino (para vitit 168 p.e.s).

    Burimet historike dhe etimologjia e emrit

    Për herë të parë burimet historike e përmendin qytetin me 1336, kur kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Argyrókastron. Nën Despotatin e Epirit, qyteti dhe rrethinat ishin nën sundimin e familjes feudale Zenebishi. Ndërsa Perandoria Osmane zgjerohej në Europë në fundin e shekullit të XIV-të, Gjirokastra ra nën ndikimin e sulltanëve dhe sundimtarët e saj u bënë vasalë të tij. Një nga Zenebishët përmendet se udhëhoqi një grup burrash nën komandën e Sulltan Bajazitit I (1389-1402), kur ky u mund nga Timurlengu i mongolëve në betejën e Ankarasë, më 1402. Më 1419 qyteti ra nën sundimin e plotë të Turqisë, ndërkohë që sipas regjistrave te taksave më 1431- 32, ai kishte 163 shtëpi.

    Sipas historianit dhe studiuesit gjirokastrit Lefter Dilo, burimet historike kanë një sërë tezash. Në librin e tij “Gjirokastra nëpër shekuj”, historiani Dilo, thekson ndër të tjera: “Në libra, gazeta e revista të ndryshme, janë botuar shumë gjëra për themelimin e Gjirokastrës. Është Likofronti, poet grek, i cili në vargun 1117 shkruan se qyteti është homerik; janë të tjerë që tregojnë se është ngritur nga fisi i Argjirinëve; është Panajot Aravantinoi, historian grek, që tregon se u quajt kështu, për arsye se kalaja nga ngjyra e gurit ndriste si argjendi; ka studime enciklopedike të huaja, që tregojnë se ka marrë emërin Argjirokastër nga minierat e argjendit, që ishin përreth, një tezë kjo pa ndonjë bazë. Janë të tjerë që kanë shkruar se u ndërtua nga Gjin Bua Shpata dhe andaj mbronin tezën se duhet quajtur Gjinokastër. “Ca njerëz- shkruan eruditi Jorgji Meksi- imagjinuan Gjinon si themelonjës të qytetit, kur është e ditur se Gjin Shpata ishte të paktën 300 vjet pas themelimit të Gjirokastrës dhe ishte qeveritar jo në Gjirokastër, po në Nartë”. Është, nga ana tjetër, legjenda e Argjiro Menevizes (princesha me një gji të vetëm), e cila për të mos rënë në duart e turqve u vërvit nga maja e kalasë së qytetit dhe u bë copë -copë përmbi një shkëmb nga ana e lagjes “Cfakë”, por kjo gojëdhënë paraqitet pa baza, sepse një këngë greqisht për Argjiron tregohet në fshatrat e Dropullit duke bërë aluzion për Kastron e Sofratikës.

    Historiani i jetës dhe veprave të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Marin Barleti, që shkroi 36 vjet pas vdekjes së heroit e ka paraqitur në trajtën e vjetër origjinale emërin e Gjirokastrës, duke shkruar kështu: “Në kohën e rrethimit të Beratit prej Skënderbeut, GIROCASTRUM ndodhesh në duart e Turqëve.

    Nga kjo del se qyteti quhet e para jo Gjinokastër, po Gjirokastër dhe e dyta se mban veçorinë e emërit të vjetër mbasi edhe

    Gjatë sundimit turk qyteti thirrej Ergjëri, kurse edhe nga dokumenta të vjetër të shkruar del se quhej ARGJIRINI”.

    Gjirokastra nën pushtimin turk

    Kalaja është bërthama e jetës së Gjirokastrës. Ajo ka pasur gjithnjë para së gjithash funksion ushtarak. Megjithëse kishte banesa brenda mureve, ato ishin të paracaktuara për garnizonin dhe dinjitarët e rëndësishëm. Ndërkohë gjatë Mesjetës, qyteti u zhvillua jashtë mureve të saj. Zbulime për banime të hershme në qytet nuk ka, megjithëse, në një rezidencë episkopale që ndodhej në vendin e quajtur “Kodra”, është gjendur një kapitel i gdhendur bukur i shekullit të XIII-të. Në shekujt XVI-të dhe XVII-të, qyteti, si qendër kryesore e Sanxhakut të Shqipërisë (Sanxhak quheshin njësitë kryesore administrative turke në periudhën e hershme të Perandorisë Osmane) lulëzoi dhe, si rezultat, lagjet e tij u zgjeruan me 434 shtëpi më 1583, që shënon pothuaj dyfishim brenda një shekulli. Kjo ndodhi në radhë të parë për shkak të një lëvizjeje të përgjithshme të popullsisë nga fshati në qytet. Rritja vazhdoi edhe kur qendra rajonale administrative kaloi në Delvinë, në kohën e Sulltan Sulejmanit të Shkëlqyerit (1520-1566).

    Në nëntor të vitit 1670, udhëtari turk, Evlia Çelebiu, pas një udhëtimi nëpër Kosovë në dhjetor të vitit 1660, dhe një udhëtimi në Shqipërinë e Veriut e në Malin e Zi në shkurt të vitit 1662, filloi udhëtimin e tij të tretë dhe më të gjatë në trevat shqiptare. Kësaj radhe ai hyri në Shqipëri nga jugu. Pas një qëndrimi të shkurtër në Delvinë, Zhulat dhe Kardhiq, ai erdhi në qytetin e Gjirokastrës, turqisht Ergiri, ku u habit shumë nga zakonet e gjirokastritëve. Dhe e përshkroi kështu:

    “…Qyteti i hapur është vendosur mbi 8 kodra dhe luginat nga të gjitha anët e kalasë, me shtëpi shumëkatëshe, me çati prej guri dhe të rrethuara nga kopshte dhe hardhi. Secila nga këto shtëpi të ndërtuara mire, ka një kullë. Muret rrethuese të oborreve janë të ndërtuar me një lloj graniti të bardhë, punuar nga mjeshtra gurgdhendës, sikur të ishin tulla Ankaraje prej balte. Mure të tilla kanë si të pasurit ashtu edhe të varfrit. Gurë të prerë në formë katrore nuk gjenden veçse në qytetet e Tirit dhe Manisës në Anadoll… Mënyra e ndërtimit të mureve të jashtme të shtëpive nuk ka shoqe në botë. Ato janë të gjitha 20 inç të larta, të bëra me blloqe guri ranor të kuq, thjesht të vendosura gur mbi gur, pa baltë, gëlqere apo llaç për t’i lidhur. Muret dhe shtëpitë janë qindravjeçare, që nga koha e të pafeve. Qyteti ka një klimë shumë të mirë dhe për këtë arsye, banorët kanë fizik të shëndetshëm… Gjirokastritët mbajnë zi për të afërmit e vdekur për 40-50 apo edhe 80 vjet… për këtë arsye unë e quajta Gjirokastrën “qyteti i vajtimit”. Është çudi e madhe se si vajtojcat profesioniste vajtojnë me kaq ndjenjë…”

    Gjirokastra mbeti një qendër administrative si seli e kadiut (gjykatës) dhe shumë banesa e xhami që mbijetuan deri në ditët tona datojnë në këtë periudhë. Popullsia e qytetit duket të ketë mbetur e njëjtë në shekujt XVIII-të dhe XIX-të.

    Më 1811, qyteti ra në duart e Ali Pashë Tepelenës. Ai u kujdes që të kryheshin punime të reja fortifikuese në kala, si dhe të ndërtohej një ujësjellës 12 km i gjatë, që merrte ujë në malin e Sopotit. Ujësjellësi prej guri u vizatua nga piktori i famshëm britanik Eduard Lear, i cili udhëtoi mjaft nëpër këtë krahinë. Ujësjellësi u shemb më 1932, por mbi lagjen “Dunavat” ka mbetur ende një hark i tij, që njihet me emrin “Ura e Ali Pashës”. Pasi Ali Pasha u vra, qyteti vazhdoi të funksiononte si qendër administrative, qendër tregtimi e bagëtive, leshit, shajakut, prodhimeve blegtorale, të mëndafshit dhe qëndistarisë. Në viteve 1860-të, udhëtari Henry Fanshaëe Tozer vërejti se Gjirokastra ishte ” e banuar nga shqiptarët dhe grekët të cilët “gjendeshin atje”, ishin konsideruar si të huaj. Gratë gjirokastrite “vishnin një vello të bardhë apo peshqir, lidhur anembanë kokës dhe e varur poshtë nga prapa”.

    Më 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbështeti aktivisht kauzën e vetëvendosjes dhe rezistencës ndaj sundimit otoman. Më 1908, u hap shkolla e parë shqipe në qytet me emrin “Liria” dhe mësuesit e parë ishin Thoma Papapano, Iliaz Hoxha, Asaf Çipi, Bastri Beqiri, Safet Canole etj. Shkolla e parë shqipe u njoh zyrtarisht nga një dekret i Sulltan Reshatit, më 14 prill 1911. Kjo ishte gjithashtu periudha e krijimit të një sërë shoqatash e klubesh patriotike. Në fillimet e shekullit XX-të, Gjirokastra u bë një çështje e rëndësishme, ndërkohë që përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë së sotme. Për një periudhë që pasoi shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, ajo ishte pjesë e “Republikës Autonome të Epirit” nën gjeneralin Zografos, i cili kërkonte bashkim me Greqinë, por, pas Luftës I Botërore, fuqitë e Antantës (Britania, Franca dhe Rusia) e bindën Greqinë që të tërhiqte pretendimet e saj nga kjo hapësirë me shumicë shqiptare. Kufiri i tanishëm u ratifikua më 1921.

    Gjirokastra pas Shpalljes së Pavarësisë

    Më 4 Dhjetor 1912, patriotët shqiptarë e shpallën Gjirokastrën të pavarur me ngritjen e flamurit kombëtar në kala. Me shpalljen e Pavarësisë, Gjirokastra dhe gjirokastritët filluan të shikojnë nga Evropa dhe vendi evropian më i afërt dhe tërheqës është Italia, ku tregtarët fillojnë të frekuentojnë tregjet e saj dhe të rinjtë universitetet. Në këtë periudhë të rëndësishme historike, falë bashkëpunimeve me Italinë në Gjirokastër do të vijnë zhvillimet ose elementet e parë evropiane; Shoqëria “SESA” në vitin 1932 sjell për herë të parë dritën elektrike në Gjirokastër. Po në këtë periudhë fillojnë të lindin bankat e para si Banca Nazionale d’Albania e Banco di Napoli; ndërtohen hotelet e para Hotel “Royal” dhe Hotel “Savoia” si dhe fillon të funksionojë aeroporti me fluturime ditore për në Tiranë dhe qytete të tjera. Shoqëria “SATA” do të lidhë me linja ditore autobusi Gjirokastrën me Tiranën, ndërsa nga porti i Sarandës çdo ditë do të kemi tragete me portet italiane. Gjithashtu fillon ndërtimi i një sërë objektesh me një stil të ri arkitektonik si: bankat, Zigai, vilat Kokalari, Papavangjeli, Liceu etj.

    Gjatë mbretërimit të mbretit Zog (1928-1939), Gjirokastra u bë një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të vendit. Në këtë periudhë, u ndërtua edhe burgu i madh në kala (në pjesën veriore). Për ndërtimin e tij u përdorën gurët e ujësjellësit të ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena. I njohur si Burgu i 7 penxhereve ka filluar të funksionojë qysh në 1 janar të vitit 1930, për gati katër dekada me radhë, duke iu shërbyer në të njëjtën mënyrë katër regjimeve të ndryshme. Pas 38 vjetësh funksionimi, në vitin 1968 një urdhër nga qeveria komuniste e asaj kohe vendosi mbylljen e më tej transferimin e tij në ish-degën e brendshme të rrethit të Gjirokastrës, pasi po në këtë vit, në kala filluan punimet për ndërtimin e Muzeut të Armëve.

    Përgjatë këtyre viteve, në Gjirokastër morën hov arsimi, publicistika dhe shoqatat patriotike. Më 5 nëntor 1923 u çel Liceu i Gjirokastrës, me drejtor francezin Victor Coutan, sot gjimnazi “Asim Zeneli”. Në vitin 1926, qyteti i Gjirokastrës si qendër prefekture kishte një lice me 136 meshkuj dhe 6 femra si dhe 30 shkolla fillore me 1353 meshkuj dhe 668 femra.

    Gazetaria dhe publicistika njohën një nga periudhat e tyre më të arta. “Drita” e Veli Hashorvës (doli në Gjirokastër 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli Gjirokastër më 28 Nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939), “Labëria” dhe “Ideja kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës “Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare”, (doli në Gjirokastër për herë të parë më 27 mars 1920-1924), “Epoka e re” e Halit Tuqit (doli më 23 prill 1939, në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në italisht), e përjavshmja “Bisedë e lirë” dhe gazeta politiko-shoqërore “Fletore popullore” e Petro M. Haritos (doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma”, dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit, “Liceisti”, e shumë gazeta të tjera lokale që dolën në Delvinë, Përmet, Labëri, Libohovë, Himarë e gjetkë. Këto janë dëshmitë e para të një gazetarie ndryshe nga tradita e deriatëhershme romantike dhe e mitizuar e Rilindjes Kombëtare.

    ***

    24 orë në GjirokastërQyteti i njohur dhe si Trashëgimi Botërore në UNESCO, është një nga vendet më interesante për t’u vizituar në Shqipëri. Nëse jeni të apasionuar pas historisë, natyrës, apo kuzhinës tradicionale shqiptare, këtu do i gjeni të gjitha. Më poshtë janë disa nga vendet që duhet patjetër të vizitoni përgjatë një dite.

    MëngjesiNiseni mëngjesin me një kafe të shijshme në një nga rrugicat me kalldrëm të qytetit të vjetër, apo me petulla me djathë, apo të tjera gatime mëngjesi që këtu bëhen plot shije. Si një qytet muze plot me hotele e shtëpi pritëse, thuajse në pjesë dërrmuese të vendqendrimeve në Gjirokastër mëngjes është tradicional. Vende të sugjeruara nga ne: Hotel Kalemi, Hotel Kodra, Hotel Gjirokastra, Hotel Argjiro, Hotel Cajupi, etj…

    Pas mëngjesitPasi të keni mbledhur forcat, destinacioni i parë për t’u vizituar është Kalaja e Gjirokastrës. Ajo shtrihet në gjithë hapësirën e kodrës 336 metra të lartë, mbi të cilën u ndërtua gjatë viteve 1300. Forca e historisë dhe legjendës së saj kanë mbijetuar në vite e, tashmë, ajo mbahet si një nga aktraksionet turistike më të vizituara të Shqipërisë. E gdhendur në gur, kalaja njihet dhe si kalaja “Argjiro”, duke ju referuar legjendës së princeshës e cila u hodh nga lartësitë e kështjellës për të mos rënë në duart e armikut osman.

    MesditaVizita në kala do ju marrë jo pak kohë, pasi dhe rrugëtimi për aty është plot me peizazhe që do t’ju bëjnë të ndaloni për të shkrepur ndonjë foto. Pasi të keni mbaruar me kalanë, zbrisni në qytetin e vjetër dhe nisni turin e shtëpive karakteristike të qytetit.

    Shtëpia e ZekatëveDisi e mbështetur në shpatin malor, me çati si kapele tekanjoze, lëshon hije Shtëpia e Zekatëve. Ndërtesa konsiderohet si shembulli më i mirë i kullës tipike otomane. Ajo ka një kat të poshtëm, ndërtuar detyrimisht prej guri për arsye sigurie, dhe në katet më të larta janë vendosur dhomat kryesore për familjen. Shtëpia është ndërtuar në fillim të 1800-ës dhe muret rrethuese të dhomës kryesore janë të dekoruar me afreske, ndërsa tavanët janë prej druri të gdhendur dhe oxhakët të zbukuruar.

    Shtëpia e SkëndulatëveKjo është një tjetër shtëpi mjaft e njohur e qytetit, dhe është më shumë se 250-vjeçare. Ndërtesa e lartë mbahet nga themele guri që arrijnë dritaret e katit të parë. Shtëpia e veçantë ka 9 oxhakë dhe tavanë të punuar me finese, reflektues të statusit të kamur të familjes.

    DrekaPër drekë mund të ndaloni te Qafa e Pazarit, ku ndodhen plot restorante tradicionale të shije origjinale.

    Pas drekePas dreke, mund të vizitoni Muzeun Etnografik, i krijuar në ambjentet e shtëpisë së fëmijërisë të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. Ndërtuar në shekullin e XIX-të, ndërtimi trekatësh me një shtesë si kapelë ndodhet në lagjen “Palorto”, shumë pranë “Sokakut të të marrëve”.

    PasditeJo shumë larg Muzeut Etnografik, ndodhet dhe Shtëpia-Muze e Ismail Kadaresë. Kjo shtëpi mbart vlera jo vetëm si një nga shtëpitë më të vjetra e më mbresëlënëse të qytetit, por edhe për faktin se aty lindi e jetoi shkrimtari shqiptar i mirënjohur në të gjithë botën, kandidati i çmimit Nobel për letërsi, Ismail Kadare. Për ta shijuar plotësisht vizitën këtu, sigurohuni të keni lexuar paraprakisht dhe librin e njohur “Kronikë në gur”, të shkruar nga Kadare në homazh të kujtimeve të tij nga kjo shtëpi e nga ky qytet.

    Një pjesë të pasdites mund t’ia dedikoni dhe liqenit të Viroit, që ndodhet vetëm 3 kilometra larg Gjirokastrës. Peizazhet fantastike natyrore dhe shëtitorja që lidh qytetin me parkun, ka bërë që të jetë një nga vendet më të populluara përgjatë pasdites nga gjirokastritët.

    MbrëmjeRikthehuni te Qafa e Pazarit, dhe njihuni me artizanët e Gjirokastrës. Ky qytet është i famshëm për gurgdhendësit, mjeshtërit e drurit, apo qëndistarët që respektojnë traditën familjare. Dyqanet e suvenireve janë gjithashtu të populluara nga turistët që duan ta mbyllin vizitën e tyre me një suvenir tipik nga ky qytet.

    Sugjerime të tjeraPërreth Gjirokastrës ndodhen disa nga atraksionet më të njohura arkeologjike të Shqipërisë.

    AntigoneaParku Arkeologjik i Antigonesë është qyteti i themeluar nga mbreti Pirro i Epirit, rrënojat e të cilit gjenden rreth 40 minuta me makinë larg nga Gjirokastra. Prijësi e ndërtoi qytetin e lashtë në nderim të gruas së tij që mbante emrin Antigonea.

    AdrianopoliKy qytet i periudhës romake ndodhet në luginën e lumit Drino, pranë pranë fshatit Sofratikë, dhe duhen vetëm pak kilometra nga qendra e Gjirokastrës që të mbërrish në destinacion. Teatri i Adrianopolit është pjesë e Parkut Arkeologjik të Antigonesë dhë konsiderohet një nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore./konica.al

    Lexo edhe:

    FATMIR R. GJATA: RA BUST I DIKTATORIT

    ObserverKult

  • Qarkullonte në qytet i armatosur, arrestohet në Durrës 53-vjeçari

    Qarkullonte në qytet i armatosur, arrestohet në Durrës 53-vjeçari

    Një 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë së Durrësit pasi qarkullonte me automjet dhe ishte i armatosur me armë zjarri.

    Operacioni policor i koduar “Brezi” u zhvillua në lagjen nr. 6, në rrugën “Hysen Myshketa”, ku Policia ndaloi automjetin e dyshuar.
    Gjatë kontrollit fizik, shtetasit I. D., 53 vjeç, banues në Sukth, iu gjet dhe iu sekuestrua në brez një armë zjarri pistoletë Glock me municion luftarak, si dhe automjeti me të cilin qarkullonte.
    Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

    Top Channel

  • Ishte një nga qytetet më madhështore në planet, por ndërtimi i tij mbetet ende mister

    Ishte një nga qytetet më madhështore në planet, por ndërtimi i tij mbetet ende mister

    Rrënojat e qytetit të lashtë janë simboli i Perusë: një vend misterioz, që duket edhe më magjepsës nga peizazhi natyror i luginave të andeve.

    Zbulimi i vitit 1911, Maçu Piçu ngrihet në lartësinë 2350 metra mbi nivelin e detit dhe është “marka tregtare” e Perusë, njëherazi trashëgimia më e rëndësishme botërore e tij (jo e vetmja, pasi ka edhe 11 të tjera).

    Vendi arkeologjik me rrënojat e lashta të qytetërimit Inka, ndodhet 80 km në veriperëndim të Cuzco-s, në Cordillera të Vilcabamba, pjesë e vargmalit të gjatë të Andeve. Vendosur midis dy majave Maçu Piçu (“maja e vjetër” në gjuhën lokale) dhe Hujana Piçu (“maja e re”), vendi bie me pamje mbi luginën e lumit Urubamba.

    Ky qytet i lashtë, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të pesëmbëdhjetë dhe i banuar deri në kohën e pushtimit spanjoll (1532), mbeti në harresë deri në fillim të shekullit XX. Vetëm në vitin 1911, kohë kur eksploruesi amerikan Hiram Bingham, i cili, ishte nisur në kërkim të “qytetit mitik të inkasve”, Vilcabamba (që është diku tjetër), mbërriti atje, i shoqëruar nga një fermer vendas.

    Maçu Piçu, një qytet misterioz

    Për shumë arsye, vendndodhja arkeologjike është enigmatike: nuk njihet funksioni i saktë i shumë prej ndërtesave, madje as ai i vendbanimit në tërësi, apo teknikat inxhinierike të përdorura për të zhvendosur dhe ndërtuar blloqet e mëdha prej guri të ndërtesave.

    Këto janë enigma, që çojnë mijëra vizitorë të zbulojnë Luginën e Shenjtë.

    Shumë prej tyre (75 mijë çdo vit) mbërrijnë në këmbë përgjatë Inca Trail (e mbyllur në shkurt). Është udhëtimi më i famshëm në Amerikën e Jugut, ku të duhet të ecësh për 42 km midis pyjesh, xhunglës, peizazheve andine dhe gurëve të qytetërimit inkas, duke kaluar 4 mijë metra.

    Rritja e fluksit të udhëtarëve i detyroi autoritetet e parkut të kufizojnë qasjen në Trail Inca në 500 persona në ditë, në mënyrë që të mos dëmtojnë ekosistemin.

    Tempulli i Diellit

    Maçu Piçu është më shumë se një ndërtesë, është një kompleks prej mbi 150 banesa, banjo, faltore dhe tempuj.

    Megjithatë, shumica e Maçu Piçu organizohet rreth tre strukturave kryesore: Intihuatana, Tempulli i Diellit dhe Salla e Tri Dritareve. Gurët janë gdhendur në mënyrë të përsosur. Çdo gur është i gdhendur deri në përsosje, çdo gjë përshtatet në mënyrë të përkryer, në mënyrë që të mos kërkojë përdorimin e llaçit. Nga e famshmja “Porta del Sole” (Inti Punku), shkallaret e së cilës ishin rruga e lashtë hyrëse në qytet, mund të shikoni lindjen e diellit. Mirëpo, pamja më e mirë e qytetit të humbur mund të shijohet nga 2700 metrat e Huajna Piçu.

    Pika të tjera interesi janë Tempulli i Diellit dhe guri Intihuatana, që mbase ka qenë një altar flijimi.

    Maçu Piçu është vendi arkeologjik më spektakolar i qytetërimit inkas në Amerikën e Jugut. Ky “Qytet i humbur” ka magjepsur adhuruesit e historisë për gati një shekull. Përveç mjedisit spektakolar në Ande, Maçu Piçu tërheq arkeologët dhe historianët, sepse nuk është dokumentuar në asnjë nga kronikat e lashta të pushtuesve spanjollë.

    Spanjollët pushtuan kryeqytetin inkas, Cuzco, duke e transferuar selinë në Limën bregdetare. Në regjistrimet e tyre, pushtuesit përmendin shumë qytete të tjera inkase, por jo Maçu Piçun. Për këtë arsye, askush nuk është i sigurt se çfarë funksioni i shërbente qytetit. Është një nga monumentet më madhështore në planet, ndërsa ndërtimi i tij mbetet një mister.

    ————————

    Lexo edhe:

    Tetë qytete të rrënuara, tetë mistere të gjalla

    ObserverKult

  • Dyfishohet çmimi i ujit në Librazhd, banorët kundërshtojnë rritjen

    Dyfishohet çmimi i ujit në Librazhd, banorët kundërshtojnë rritjen

    Banorët e Librazhdit janë përballur me një lajm të pakëndshëm pasi çmimi  i ujit të pijshëm në qytet është dyfishuar, vendim ky i miratuar nga Këshilli Bashkiak.
    Ndërsa uji është burim i pastër dhe buron nga malet përreth, qytetarët shprehen të zhgënjyer dhe të alarmuar nga rritja e papritur e tarifave, sidomos në një qytet ku niveli i papunësisë është shumë i lartë dhe shumica e rinisë punon ose kërkon punë jashtë.
    Një çift pensionistësh nga Librazhdi bëjnë apel, duke denoncuar rritjen e ndjeshme të faturës së ujit për muajin aktual, e cila është dy herë më e lartë se sa zakonisht. Ata tregojnë se në disa muaj më parë, faturat nuk kalonin kurrë mbi 1000 lekë, ndërsa këtë muaj kanë paguar mbi 2050 lekë.
    Banorët shtojnë se nuk janë të përgatitur për këtë rritje dhe se e shohin atë si një barrë të jashtëzakonshme për familjet që përballen me vështirësi financiare çdo ditë. Ata theksojnë se protesta dhe ankesat e tyre kanë qenë të shpeshta gjatë muajve të fundit, por autoritetet lokale kanë shmangur të dëgjojnë kërkesat e tyre.
    Sipas burimeve, në mbledhjet e Këshillit Bashkiak ka pasur mosmarrëveshje të shumta për vendimmarrjen rreth çmimit të ujit, por kryetari i qytetit, Mariglen Disha, ka vazhduar me vendimin për rritje pa marrë parasysh kundërshtimet dhe ankesat e shumta.
    Banorët e shohin këtë vendim si të padrejtë, duke kërkuar të rishikohet dhe të reflektohet në mënyrë që të shmanget rreziku i përkeqësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve të zakonshëm. Ata kërkojnë që qeverisja vendore të dëgjojë mendimin e popullit dhe të gjejë zgjidhje alternative për menaxhimin e çmimit të ujit, duke respektuar interesat e komunitetit, sidomos në këtë kohë të vështirë për fat ekonomik dhe papunësi të lartë.