Vendi i varrimit masiv
IRLANDË- Pa të dhëna varrimi. Pa gurë varri. Aty nuk kishte asgjë deri në vitin 2014, kur një historian amator zbuloi një varr masiv, në një ish-rezervuar ujërash të zeza. Brenda besohet se janë qindra foshnje. Tani, hetuesit i kanë zhvendosur gërmuesit e tyre pranë një këndi lojërash për fëmijë në një kompleks banesash. Gërmimi që pritet të zgjasë dy vjet, do të fillojë të hënën.
Zona dikur ishte vendi ku ndodhej shtëpia e fëmijëve të Shën Marisë, një institucion i drejtuar nga kisha që strehoi mijëra gra dhe fëmijë midis viteve 1925 dhe 1961. Shumë nga gratë kishin mbetur shtatzëna jashtë martesës dhe ishin mohuar nga familjet e tyre – disa të tjera kishin braktisur fëmijët pas lindjes. Sipas të dhënave, Patrick Derrane ishte foshnja e parë që vdiq në St Mary’s – në vitin 1925, në moshën 5-muajshe. Mary Carty, e së njëjtës moshë, ishte e fundit. Ajo ndërroi jetë në vitin 1960. Në 35 vite, mendohet se 794 foshnje dhe fëmijë të vegjël kanë vdekur atje – dhe besohet se janë varrosur në atë që ish-Taoiseach (kryeministri irlandez) Enda Kenny e quajti një “dhomë tmerresh”.
PJ Haverty i kaloi 6 vitet e para të jetës së tij në vendin që ai e quan burg – por ai e konsideron veten me fat.
“Unë dola që andej.”
Shtëpia, e drejtuar nga murgeshat e Motrave Bon Secours, ishte një fantazmë e padukshme që qëndronte mbi të dhe shumë të tjerë në Tuam për dekada të tëra – derisa historiania amatore Catherine Corless nxori në dritë të kaluarën e errët të Shën Marisë.
Zbulimi i varrit masiv
E interesuar të thellohej në të kaluarën e familjes së saj, Catherine ndoqi një kurs historie në vitin 2005. Më vonë, interesi i saj u përqendrua te St Mary’s.
“Kur fillova, nuk kisha idenë se çfarë do të gjeja.”
Në fillim, Katerina u habit që pyetjet e saj të padëmshme po përballeshin me përgjigje boshe ose edhe me dyshime.
“Askush nuk po ndihmonte dhe askush nuk kishte të dhëna,”- tha ajo. Por kjo vështirësi vetëm sa ia shtoi vendosmërinë për të mësuar më shumë rreth fëmijëve në shtëpi. Më shumë zbuloi kur foli me një kujdestar varrezash, i cili e çoi në kompleksin e banesave ku dikur ndodhej institucioni. Në anë të një këndi lojërash për fëmijë, kishte një katror me lëndinë dhe me një faltore e vogël rreth një statuje të Marisë.
Kujdestari i tha Catherine se dy djem kishin qenë duke luajtur në atë zonë në mesin e viteve 1970, pasi shtëpia ishte shembur dhe kishin hasur në një pllakë betoni të thyer. E tërhoqën lart dhe zbuluan një vrimë. Brenda panë kocka. Kujdestari tha se autoritetet ishin njoftuar dhe vendi ishte mbuluar. Njerëzit besonin se eshtrat ishin nga Uria Irlandeze e viteve 1840. Në fakt, para se godina të kthehej në një “shtëpi” për nëna dhe fëmijë, aty ishte një institucion ndihme gjatë epokës së urisë, ku shumë njerëz kishin humbur jetën. Por ky version nuk e bindi Catherine-nën. Ajo e dinte që ata njerëz ishin varrosur me respekt – bashkë me një monument në nder të viktimave. Dyshimi i saj u shtua kur krahasoi hartat e vjetra të vendit. Njëra, e vitit 1929, e etiketonte zonën ku djemtë gjetën eshtrat si një “rezervuar ujërash të zeza”. Një tjetër, e viteve 1970, pasi shtëpia u shemb, kishte një shënim të shkruar me dorë pranë asaj zone ku shkruhej “vendvarrimi”.
Por kush ishte varrosur atje?
Catherine telefonoi zyrën e regjistrimit për lindje, vdekje dhe martesa në Galway dhe kërkoi emrat e të gjithë fëmijëve që kishin vdekur në shtëpi. Dy javë më vonë, një punonjëse e stafit telefonoi për ta pyetur nëse ajo i donte vërtet të gjithë emrat e viktimave– kështu që nga toni i bisedës Catherine priste “20 ose 30” persona që kishin ndërruar jetë– por në fakt ishin qindra. Lista e plotë kishte 796 fëmijë të vdekur. Ajo ishte plotësisht e tronditur.
Së pari, ajo kontrolloi të dhënat e varrimit për të parë nëse ndonjë nga ata qindra fëmijë ishte varrosur në varreza në Galëay ose në Qarkun fqinj Mayo – dhe nuk mundi të gjente asgjë. Por edhe pa kryer gërmime, Catherine nuk mund ta provonte këtë pa asnjë dyshim. Ajo tani besonte se qindra fëmijë ishin varrosur në një varr masiv, ndoshta në një rezervuar të papërdorur për ujrat e zeza, në Shtëpinë e Shën Marisë. Kur zbulimet e saj u bënë lajm ndërkombëtarisht në vitin 2014, ajo u përball me armiqësi të konsiderueshme në qytetin e saj të lindjes.
“Njerëzit nuk më besonin,”- kujtoi ajo. Por kishte një dëshmitare që e kishte parë gjithçka me sytë e saj. Mary Moriarty jetonte në njërën nga shtëpitë pranë vendit të institucionit në mesin e viteve 1970. Pak pasi foli për BBC News, ajo ndërroi jetë, por familja e saj ka rënë dakord të lejojë që ajo që ajo tha, të publikohet dhe të transmetohet.
Meri kujtoi dy gra që erdhën tek ajo në fillim të viteve 1970 duke i thënë se kishin parë një djalë të vogël që mbante një kafkë mbi një shkop. Meri dhe fqinjët e saj e pyetën fëmijën se ku e kishte gjetur kafkën. Ai u tregoi disa shkurre dhe Meri, e cila shkoi të shikonte, ra në një gropë. Aty pa “tufa të vogla”, të mbështjella me copa që ishin nxirë nga kalbja dhe lagështia.
Sa shumë?
“Qindra,” u përgjigj ajo.
Pak kohë më vonë, kur djali i dytë i Marisë lindi në maternitetin në Tuam, atë e sollën murgeshat që punonin në atë spital, të mbështjellë me pëlhura të njëjta si ato që ajo kishte parë në gropë. Në vitin 2017, gjetjet e Catherine u konfirmuan – një hetim i qeverisë irlandeze gjeti “sasi të konsiderueshme mbetjesh njerëzore” në një gërmim të vogël. Nga ajo që kishte mbetur prej kufomave kuptohej se nuk kishin ndërruar jetë nga uria sepse ishin foshnje të vogla. Kështu nisi një hetim në shkallë vendi. Anna Corrigan ishte ndër ato që donin që autoritetet të fillonin gërmimet.
Deri në të 50-at, Ana besonte se ishte fëmijë e vetme. Por, kur bëri kërkime mbi historinë e familjes së saj në vitin 2012, zbuloi se nëna e saj kishte lindur dy djem në atë shtëpi në vitet 1946 dhe 1950, Xhonin dhe Uilliamin. Ana nuk mundi të gjente një certifikatë vdekjeje për Uilliamin, por gjeti një për Xhonin – ajo zyrtarisht e regjistron vdekjen e tij në moshën 16 muajshe. Nën shkakun e vdekjes shkruhej ekzaktësisht kështu: “idiot i lindur” dhe “fruthi”.
Por nga një raport inspektimi i shtëpisë në vitin 1947 kishte disa detaje të tjera rreth Xhonit.
“Ai lindi normal dhe i shëndetshëm, me peshë gati 4 kg. Kur mbushi 13 muaj, ai ishte dobësuar nuk kishte kontroll mbi funksionet trupore. Pastaj ai vdiq tre muaj më vonë.”
Ana, e cila krijoi grupin “Tuam Babies” për të mbijetuarit dhe të afërmit.
“Ne të gjithë i dimë emrat e tyre. Ne të gjithë e dimë se ata ekzistonin si qenie njerëzore.”
Tani, puna ka nisur për të zbuluar se çfarë fshihet në një copë bari në Tuam. Gërmimet pritet të zgjasin rreth dy vjet.
“Është një proces shumë sfidues dhe i pazakontë në botë”, tha Daniel MacSëeeney, kreu i operacionit, i cili ka ndihmuar në gjetjen e trupave të zhdukur në zona konflikti si Afganistani. Ai shpjegoi se mbetjet ishin përzierë së bashku dhe se femuri i një foshnje – kocka më e madhe e trupit – është vetëm sa madhësia e gishtit të një të rrituri.
“Janë shumë të vegjël. Ne duhet t’i rikuperojmë mbetjet me shumë, shumë kujdes – për të maksimizuar mundësinë e identifikimit,”-shtoi ai.
Sado kohë të duhet, do të ketë njerëz si Ana që presin lajme – duke shpresuar të dëgjojnë për motrat, vëllezërit, xhaxhallarët, hallat dhe kushërinjtë që nuk kanë pasur kurrë mundësinë t’i takojnë./ZËRI
Marrë nga BBC
fgjpg
capturejpg









