Luftëtarët beduinë të pozicionuar jashtë qytetit jugor sirian Suweid thënë për BBC-në se do të respektojnë një armëpushim me komunitetin druz aty, por nuk përjashtojnë rifillimin e konfliktit.
Pas një jave përleshjesh vdekjeprurëse sektare mes luftëtarëve druz, beduinë dhe forcave qeveritare, me Izraelin që ka kryer sulme ajrore në mbështetje të druzëve, luftëtarët beduinë janë tërhequr nga qyteti drejt fshatrave përreth në provincë.
Të dielën, një grup monitorues me bazë në Mbretërinë e Bashkuar raportoi për një “qetësi të kujdesshme” në rajon, por më vonë njoftoi për sulme të luftëtarëve fisnorë ndaj fshatrave.
Nga qyteti i al-Mazara’a, një qytet druz deri javën e kaluar, kur u kontrollua nga beduinët dhe tani është nën kontrollin e qeverisë siriane shihej tym që ngrihej mbi fushat përreth Suweida-s.
Në një postbllok pranë qytetit, një grumbull dheu ndante rrugën. Dhjetëra punonjës të sigurisë qeveritare, të armatosur rëndë, qëndronin aty duke ndaluar beduinët të hynin përsëri në qytet.
Qindra luftëtarë beduinë, shumë prej tyre duke qëlluar në ajër, ishin mbledhur në rrugë.
Ata kërkojnë lirimin e beduinëve të plagosur që ndodhen ende në Suweida, të cilët i konsiderojnë si pengje. Përndryshe, paralajmërojnë se do të detyrojnë kalimin e postbllokut dhe do të kthehen në qytet.
“Në kemi bërë atë që na ka urdhëruar qeveria dhe jemi të përkushtuar ndaj marrëveshjes dhe fjalëve të saj. Ne u larguam, Suweida është 35 km larg,” tha për BBC një plak fisnor.
“Aktualisht pengjet dhe të plagosurit tanë janë atje, ata refuzojnë të na japin ndonjë prej tyre… Nëse nuk përmbushin marrëveshjen, do të hyjmë përsëri, edhe nëse Suweida do të bëhet varri ynë.”
Tensionet e thella midis fisit druz dhe atij beduin shpërthyen në përleshje sektare vdekjeprurëse para një jave, pas rrëmbimit të një tregtari druz në rrugën drejt Damaskut.
Qeveria e presidentit të përkohshëm Ahmed al-Sharaa reagoi duke dërguar forca në qytet. Banorët druz të Suweida-s thanë për BBC-në se kanë qenë dëshmitarë të “akteve barbare” nga grupet e armatosura, forca qeveritare dhe luftëtarë të huaj, që sulmonin popullsinë. Izraeli goditi këto forca, duke thënë se vepronte për të mbrojtur druzët.
Forcat qeveritare u tërhoqën, dhe më pas nisën përleshjet midis luftëtarëve druz dhe beduinë. Të dyja palët janë akuzuar për kryerjen e mizorive gjatë shtatë ditëve të fundit, po ashtu edhe anëtarë të forcave të sigurisë dhe individë të lidhur me qeverinë e përkohshme.
Të shtunën, al-Sharaa shpalli armëpushim dhe dërgoi forca sigurie në Suweida për të ndaluar luftimet. Luftëtarët lokalë druz janë rikthyer në kontrollin e qytetit. Por sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me bazë në Britani, mbi 1,120 persona janë vrarë.
Të vrarët përfshijnë 427 luftëtarë druz dhe 298 civilë druz, prej të cilëve 194 u ekzekutuan pa gjyq nga personeli i ministrive të mbrojtjes dhe brendshme, sipas monitoruesit.
Ndërkohë, janë vrarë 354 punonjës të sigurisë qeveritare dhe 21 beduinë sunitë, tre prej të cilëve civilë që sipas SOHR janë “ekzekutuar pa gjyq nga luftëtarët druz”. Të paktën 15 ushtarë qeveritarë u vranë në sulmet izraelite, thuhet në raport.
Mbi 128 mijë persona janë zhvendosur për shkak të dhunës, njoftoi të dielën agjencia e migracionit e OKB-së. SOHR raportoi se qyteti Suweida po përballet me mungesë të rëndë të furnizimeve mjekësore.
Një konvoj i parë humanitar nga Kryqi i Kuq Sirian thuhet se ka arritur në qytet. Transmetuesi publik izraelit raportoi se Izraeli ka dërguar ndihma mjekësore për druzët.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kërkuar nga qeveria që “të mbajë përgjegjësi dhe të çojë para drejtësisë këdo që është fajtor për mizori, përfshirë edhe anëtarët e vet”, për të ruajtur mundësinë e një Siriaje të bashkuar dhe të qetë.
Në Mia’rbah, jugperëndim të Suweida-s, refugjatë beduinë u mblodhën në një shkollë të vjetër. Fshati ende mban shenjat e luftës civile, me ndërtesa të shkatërruara dhe me plumba në mure.
Në qendrat e ndihmës, gra të moshuara beduinë mbushnin ujë nga një tank në kamion. Shumica e të pranishmëve ishin gra dhe fëmijë.
Në pyetjen nëse beduinët dhe druzët mund të jetojnë së bashku, një grua e zhvendosur nga qyteti Suweida tha se kjo varet nga qeveria në Damask.
“Ata mund të jetojnë së bashku nëse qeveria do të marrë kontrollin dhe do të sigurojë paqe dhe siguri,” tha ajo.
Në mungesë të autoritetit qeveritar, ajo besonte se beduinët nuk mund t’u besonin druzëve.
“Ata janë tradhtarë, pa paqe dhe siguri nuk mund të jetojmë me ta,” përfundoi ajo.