Tag: qeveria

  • Freskida Halilaj, drejtuesja e re e IdentiTek

    Freskida Halilaj, drejtuesja e re e IdentiTek

    Pas shkarkimit të Loina Priftit nga drejtimi i kompanisë së prodhimit të ID dhe pasaportave biometrike, “IdentiTek”, mësohet se kush është emri i ri që pritet të emërohet nga Ministri i Brendshëm.
    Mësohet se ajo është Freskida Halilaj, 32-vjeçarja me një përvojë në fushën e telekomunikacionit.
    Zonja Halilaj më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës së shitjeve në kompaninë Digicom Albania.
    Shkarkimi i Loina Priftit, erdhi pas auditit të ngritur nga Ministria e Brendshme, ku janë konstatuar shkelje të ndryshme të praktikave ligjore për ruajtjen e të dhënave sensitive, si dhe abuzim me fondet e kompanisë.
    Monopoli i artë i qeverisë
    Qeveria fitoi 8.5 milionë euro në vetëm gjashtë muaj nga shitja e dokumentave të identifikimit tek qytetarët shqiptarë. Të dhënat nga bilanci i kompanisë publike Identitek, tregojnë se prodhimi dhe shitja e pasaportave mbeten një nga bizneset më fitimprurëse në vend me normë fitimi mbi 50 për qind.
    Sipas bilancit, gjatë vitit të kaluar kompania Identitek arkëtoi në total 1.59 miliardë lekë ose 15.9 milionë euro nga shitja e dokumentave të identifikimit, ndërkohë që fitimi para taksave rezultoi 8.5 milionë euro.
    Prodhimi dhe shpërndarja e dokumentave të identifikimi ka qenë një nga koncesionet më fitimprurëse në Shqipëri. Kompania Aleat u kontraktua nga qeveria shqiptare për koncesionin ekskluziv në vitin 2008, fillimisht për një periudhë 5 vjeçare. Marrëveshja e koncesionit u shoqërua me rritje të ndjeshme të çmimeve të pasaportave dhe kartave të identitetit për qytetarët.

    Në atë kohë, qeveria e justifikoi koncesionin si një masë të domosdoshme për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave dhe rritjen e sigurisë kombëtare. Por në vitin 2013, qeveria e zgjati koncesionin edhe me 10 vjet të tjera pa garë, njësoj si koncesionet e Aeroportit të Rinasit dhe minierës së kromit në Bulqizë.
    Për 15 vjet me radhë, Aleat ka qenë një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në Shqipëri, duke regjistruar norma fitimi që kanë variuar nga 25 deri në 50 për qind të xhiros.
    Koncesioni 15 vjeçar i dokumentave të identifikimit përfundoi vitin e kaluar. Ish ministri i brendshëm Blendi Çuçi njoftoi se qeveria nuk do ta rinovonte më koncesionin dhe se shërbimi do të shtetëzohej. Për këtë qëllim, qeveria krijoi kompaninë publike Identitek.
    “Politikisht kemi vullnetin për të riparë çmimin në mënyrë që ta ulim atë”, theksoi Çuçi kur njoftoi shtetëzimin e shërbimit. Por pak muaj më pas, qeveria ndryshoi qëndrim 180 gradë dhe nuk i uli tarifat.
    Tashmë fitimet marramendëse të këtij shërbimi po i shkojnë qeverisë.
    Mbajtja e pandryshuar e çmimeve është qartazi një vendim i padrejtë, për shkak se dhënia me koncesion e këtij shërbimi për 15 vitet e shkuara u justifikua me faktin se privati do të kryejë investimet dhe do të lërë gati infrastrukturën pa kosto për qeverinë. Por pavarësisht kësaj, qeveria nuk i uli çmimet dhe tani paratë shkojnë për orekset e drejtoreshave të Rilindjes.

  • U gjet zgjidhja! Ky është aplikacioni që do përdorin pas mbylljes së TikTok

    U gjet zgjidhja! Ky është aplikacioni që do përdorin pas mbylljes së TikTok

    Nga janari 2025, qeveria shqiptare do të fillojë procesin e mbylljes së platformës TikTok për një periudhë 1-vjeçare, duke e bërë të paaksesueshme në territorin e Shqipërisë për të gjithë përdoruesit, pa marrë parasysh moshën. Ky vendim ka ardhur pas tragjedisë së vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani, pranë shkollës “Fan Noli”, ku qeveria ka lidhur këtë ngjarje me dhunën dhe bullizmin që janë përhapur përmes rrjetit social TikTok.
    Kjo lëvizje ka shkaktuar shqetësim te bizneset dhe influencerët që përdorin TikTok për të shpërndarë përmbajtje dhe për të fituar para.

    Mirëpo, duket se personat që merren me TikTok e kanë gjetur një alternativë: aplikacionin Clapper.
    Ky është aplikacion i ngjashëm me TikTok, e duket se do jetë zëvendësuesi për vitin që do mbyllet. Clapper është një aplikacion social që ofron mundësinë për të krijuar dhe ndarë video të shkurtra, shumë të ngjashme me TikTok. Ai është zhvilluar nga Clapper Media Group, një kompani amerikane e themeluar në vitin 2020 nga Edison Chen. Clapper ofron mundësi për shprehje krijuese dhe ndihmon në ndërtimin e komunitetit përmes përmbajtjeve të krijuara nga përdoruesit, duke ofruar mjete redaktimi, filtrat dhe efektet speciale.

  • Nga 2026, në Shqipëri pagat e atyre që punojnë në shtet do të rriten aq sa do të shtrenjtohen çmimet

    Nga 2026, në Shqipëri pagat e atyre që punojnë në shtet do të rriten aq sa do të shtrenjtohen çmimet

    Pagat e atyre që punojnë në shtet, nga viti 2026 do të rriten aq sa do të shtrenjtohen çmimet. Për këtë qëllim qeveria ka parashikuar një fond prej 4.3 miliardë lekësh.
    Kjo shumë është sa 0.2 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
    “Pra duhet parë inflacioni në vitin2025, ai inflacion do të merret për bazë për indeksimin e pagave në sektorin publik në vitin 2026. Sigurisht që kjo është një shifër minimale dhe në parim fuqi blerëse mbetet po e njëjtë. Pra një punonjës i administratës publike, pas indeksimit merr të njëjtën gjë”, tha për A2 CNN, eksperti për ekonominë, Eduart Gjokutaj.
    Ndërkohë pas objektivit për “pagë mesatare 900 euro”, qeveria duket se ka hequr dorë nga reforma të ngjashme. Për vitet 2025 dhe 2026 nuk është parashikuar asnjë fond për politika të reja pagash nga 11 miliardë lek lekë këtë vit.

    “Në radhë të parë pagat duhet të rriten çdo vit, pra jo të grumbullohet rritja dhe të bëhet në një vit të caktuar kur vjen situata ekonomike apo njerëzit largohen. Nuk duhen bërë ndryshimet kur jemi keq. Ndryshimet duhet të bëhen paraprakisht”, nënvizoi Gjokutaj.
    Me gjithë retorikën e madhe për rrite pagash, një shqiptar pavarësisht nëse është rrogëtar në shtet apo privat, merr mesatarisht 3.6 euro në orë. Një orë punë në Shqipëri vlerësohet më pak se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës.
    “Paga jepet për sa paguhet një punë në treg. Nëse një punë në treg paguhet X, aq duhet të paguhen edhe punët e ngjashme me të. Kush pastaj ka performancë më të lartë, do të duhet të marrë diçka më shumë”.
    Kriza e veçanërisht tre viteve të fundit, ktheu vëmendjen e bizneseve dhe qeverisë si kurrë më parë te punonjës. Për të frenuar disi emigracionin, qeveria nisi vitin e shkuar reformën e pagave në administratën publike.

  • ‘Në 2025 kishte 0 rritje pensionesh nga buxheti’, Xhixho: Bonusi i dhënë nga qeveria, komplet qesharak

    ‘Në 2025 kishte 0 rritje pensionesh nga buxheti’, Xhixho: Bonusi i dhënë nga qeveria, komplet qesharak

    Kandidatja e Partisë së Lirisë për qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, Erisa Xhixho, e ka quajtur qesharak dhe aspak dinjitoz bonusin e dhënë nga qeveria për pensionistët këtë vit. Sipas saj, vëmendja e qeverisë ndaj kësaj shtrese ka qenë minimale, pavarësisht mbështetjes që ajo i ka dhënë ndër vite Partisë Socialiste.
    Xhixho e cilësoi indeksimin prej 4.1% si një ndihmë të papërfillshme, duke theksuar se kjo përkthehet në vetëm “një panine në ditë”. Ajo krahasoi situatën me Kosovën, ku pensioni mesatar është 340 euro, ndërsa në Shqipëri mbetet në nivelin e ulët prej 160 eurosh.
    Ajo gjithashtu kritikoi heqjen e disa ilaçeve nga lista e barnave të rimbursueshme për pensionistët dhe akuzoi qeverinë për mungesën e një politike të qartë në favor të tyre. Sipas Xhixhos, Partia e Lirisë synon të zbatojë një reformë të thellë në sistemin e pensioneve për të siguruar një trajtim më të drejtë dhe dinjitoz për këtë kategori qytetarësh.

  • Qeveria transferon pronësinë e ish-uzinës së Autotraktorëve te Ministria e Mbrojtjes pa miratimin e Këshillit Bashkiak

    Qeveria transferon pronësinë e ish-uzinës së Autotraktorëve te Ministria e Mbrojtjes pa miratimin e Këshillit Bashkiak

    Në një akt të dyshimtë, me firmën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, qeveria miratoi më 12 mars 2025 një vendim që i kalon shoqërisë shtetërore KAYO pronësinë e godinave të ish-Uzinës së Autotraktorëve, të cilat ndodhen në zonën e Shkozës. Qeveria ka revokuar të drejtën e pronësisë, të cilën vetë e kishte dhënë më parë me një vendim të mëparshëm për Bashkinë e Tiranës.
    Vendimi i qeverisë për kalimin e pronësisë shtetërore të godinave të ish-Uzinës së Autotraktorëve është marrë pa miratimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Sipas nenit 58 të rregullores së Këshillit Bashkiak dhe nenit 54 të ligjit për qeverisjen vendore, çështja duhej të kalonte me jo më pak se 3/5 e votave të anëtarëve të këshillit, por kjo as që është diskutuar në mbledhje.
    Kalimi i pronësisë ka shkelur gjithashtu ligjin për pasuritë shtetërore, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për trajtimin e pronave shtetërore në të ardhmen. Përveç kalimit të pronësisë në shkelje të ligjit, një tjetër shqetësim i madh është ndërtimi i kësaj fabrike në një zonë të banuar me densitet të lartë popullsie, duke rrezikuar seriozisht sigurinë dhe jetën e qytetarëve, shkollave, kopshteve dhe bizneseve që operojnë në zonë. Ky vendim ka ngritur alarmin për mundësinë e një “Gerdeci” të dytë, ku një aksident apo shpërthim i mundshëm mund të shkaktojë tragjedi të tmerrshme.
     
    Për realizimin e projektit është miratuar një buxhet fillestar prej 3 milionë eurosh për shoqërinë KAYO, dhe ajo do të ketë mundësinë të bashkëpunojë me biznese private për prodhimin e armëve dhe municioneve, një hap që thellon dyshimet për transparencën dhe qëllimet reale të këtij projekti.
     
    Nëse ky vendim zbatohet pa u ndaluar, do të kemi një tjetër provë të dhunimit të ligjit dhe të interesave të qytetarëve, që po injorohen nga ata që duhet të mbrojnë ligjin dhe sigurinë publike. Pas këtij vendimi, çdo qytetar që jeton në zonën e Shkozës dhe afër saj ka arsye të shqetësohet për të ardhmen e tij. Ky është një shkelje flagrante e të drejtave të qytetarëve dhe një goditje tjetër për transparencën dhe përgjegjshmërinë e administratës qeveritare.

  • E konfirmuar! Qeveria mbyll aplikacionin TikTok në Shqipëri, përdoruesit pa akses në platformë

    E konfirmuar! Qeveria mbyll aplikacionin TikTok në Shqipëri, përdoruesit pa akses në platformë

    Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se procedura e mbylljes së TikTok në Shqipëri ka përfunduar, dhe përdoruesit nuk kanë më akses në aplikacion. Kur ata tentojnë të hyjnë në llogaritë e tyre, nuk u shfaqet asgjë.
    Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të mos përdorin VPN për të anashkaluar bllokimin e platformës, duke theksuar se kjo rrezikon të dhënat personale. Ai kërkoi që autoritetet të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të hequr aplikacionin nga dyqanet digjitale si Apple App Store dhe Google Play Store.
    Çfarë është VPN dhe pse është i rrezikshëm?
    VPN (Virtual Private Network) është një shërbim që fsheh adresën IP të përdoruesit, duke i lejuar ata të duket sikur po përdorin internetin nga një vend tjetër. Përdoruesit po e përdorin atë për të aksesuar TikTok, por ekspertët paralajmërojnë për rreziqe të mëdha, si:
     
    Grabitja e të dhënave personale nga hakerat
    Shitja e informacionit te palë të treta
    Keqpërdorimi i të dhënave nga shërbimet VPN të dyshimta
    Kur do të rihapet TikTok?
    Qeveria shqiptare vendosi të mbyllë TikTok pas konsultimeve me 65 mijë prindër dhe mësues, për të mbrojtur të rinjtë nga përmbajtjet e dëmshme. Ky vendim erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij, pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale.
    TikTok do të rihapet vetëm nëse kompania vendos filtra për mbrojtjen e të rinjve nga videot me dhunë.
    Në anën tjetër, më 15 mars, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë kundër këtij vendimi, të cilin e cilëson si censurë ndaj fjalës së lirë.

  • Kurti mbledh ministrat, por qeveria me kompetenca të kufizuara

    Kurti mbledh ministrat, por qeveria me kompetenca të kufizuara

    Kosova E Mërkurë, 26 Mars 2025 20:45
    Qeveria aktuale e Kosovës është zyrtarisht në statusin “në detyrë” pasi ka përmbushur mandatin e saj të plotë 4-vjeçar. Pikërisht në datën kur 4 vite më parë mbajti mbledhjen e parë të punës për Qeverinë e tij, Kurti sërish mblodhi ministrat duke u krenuar për arritjet dhe sukseset e kabinetit qeveritar. Duke u ndalur në secilën fushë, Kurti tha se janë qeveria më e sfiduar por që kanë shërbyer për të mirën e qytetarit dhe për interesin e shtetit.
    “Në ballafaqim me pandeminë, përballë krizave të energjisë dhe inflacionit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, përkundër pengesave dhe vonesave dëshpëruese me ankesa opozitare në Gjykatë Kushtetuese që bllokuan shumë gjëra përfshirë edhe atë të çmimeve tavan për produktet bazike, pavarësisht sulmeve paramilitare dhe terroriste dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, e përmbi zhurmën e madhe të debateve televizive të mbrëmjes, qeveria jonë ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”, tha Kurti

    Si Qeveri në detyrë, tashmë ekzekutivi kufizohet me propozimin e projekligjeve, emërimet, miratimin e strategjive apo koncept dokumenteve si dhe në çështje të tjera. “Qeveria vetëm duhet që ta mbajë këtë rrjedhën logjike të mos ketë ndonjë krizë e gjithashtu të mos e lejojmë ndonjë ngërrç politik por vendimet i merr vetëm në situata të jashtëzakonshme diçka që nuk duhet që Qeveria e Republikës së Kosovës ta tejkalojë por duhet të ketë kujdes në mënyrë që vendimet e saj të mos jenë ekuivalente dhe të njëta me vendimet të cilat qeveria i ka pasur kompetencë ti merr gjatë ushtrimit të mandatit të plotë”, tha Melos Kokshi, IKD.

  • Austria i jep fund bashkimeve familjare për refugjatët vetëm ‘përkohësisht’

    Austria i jep fund bashkimeve familjare për refugjatët vetëm ‘përkohësisht’

    Qeveria e re konservatore në Austri ka vendosur të ndalojë bashkimet familjare për refugjatët e azil-kërkuesit, mes krizës së rëndë të refugjatëve në vend dhe në zbatim të politikave për reduktimin e emigracionit me të cilat erdhi në pushtet.
    Këshilli i ministrave votoi sot pezullimin e përkohshëm të rregullit që refugjatët e regjistruar të sjellin në Austri të afërm nga vendi i origjinës.
    Ligji do të dalë në parlament ku pritet të votohet nga koalicioni me tre parti i konservatorëve ÖVP, social-demokratëve SPÖ dhe grupimit liberal Neos.
    Masa pritet të hyjë në fuqi në maj.
    Më herët qeveria kishte informuar Komisionin Evropian për objektivin e saj, duke argumentuar se sistemi i ndihmës sociale në vend është i tejmbushur.
    Ministrja e integrimit Claudia Plakolm tha se dhjetra mijëra refugjatë kanë vënë në presion sistemin arsimor e shëndetësor, sidomos prej numri të madh të analfabetëve.
    Gjendja skandaloze e shkaktuar nga emigracioni i pafrenuar është raportuar në media ku më herët një raport zbuloi se në Vienë, 52 përqind e nxënësve të shkollave nuk flasin gjermanisht, dhe shifra në zona të caktuara rritej.
    Në një sondazh të mësuesve të sindikatës së Vjenës u zbulua se një në dy mësues pranon se më shumë nxënësve të tyre nuk kuptojnë ose flasin mjaftueshëm gjermanisht.
    Megjithatë qeveria e ÖVP thotë se masa do të jetë vetëm e përkohshme dhe pritet të skadojë në shtator 2026.
    E djathta FPÖ ka akuzuar qeverinë se ashtu si pararendësit e saj, po krijon vetëm iluzionin e reduktimit të emigracionit dhe se masa e saj nuk do të ketë efekt në problemin e rëndë.
    Sekretari i saj Michael Schnedlitz tha se sapo kufizimi të skadojë në 2026, do të ketë një valë të re emigracioni që do të asfiksojë shërbimet dhe popullatën vendase.

    FACT CHECK:
    Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
    raportoni këtu.

    JOQ Sondazh

    KLIKO PËR TË VOTUAR

  • Qeveria e Scholz-it tani vetëm qeveri në detyrë

    Qeveria e Scholz-it tani vetëm qeveri në detyrë

    Bota E Mërkurë, 26 Mars 2025 11:21
    Qeveria gjermane nën kancelarin Scholz është tani vetëm qeveri në detyrë.
    Presidenti gjerman, Steinmeier shkarkoi zyrtarisht qeverinë gjermane aktuale, por vlerësoi edhe arritjet e saj.

    Tani e tutje, kancelari Scholz dhe kabineti i tij si qeveri në detyrë do të marrin pjesë vetëm në takime që janë absolutisht të nevojshme. Presidenti gjerman, Steinmeier shkarkoi zyrtarisht qeverinë gjermane aktuale të martën (25.03) pas thirrjes së Buundestagut të ri. Steinmeier vlerësoi qeverinë në largim për menaxhimin e krizës gjatë tre viteve e tre muajve të fundit.
    Ai kujtoi pandeminë e Coronës, luftën e agresionit rus kundër Ukrainës, sulmin e Hamasit ndaj Izraelit dhe luftën pasuese të Gazës.
    “Si një qeveri federale, shpesh ju është dashur të veproni shumë shpejt dhe me vendosmëri,” tha Steinmeier. “Ata duhej të ecnin në një terren të panjohur dhe të kërkonin shtigje të reja”.
    Dështimi i koalicionit trepartiak për buxhetin
    Reagimi i qeverisë ndaj pushtimit rus të Ukrainës në veçanti ishte “një akt i fuqishëm”, u shpreh presidenti gjerman. Qeveria arriti të përmirësonte aftësinë mbrojtëse të Gjermanisë në plan afatmesëm me ndihmën e një fondi të posaçëm dhe bëri gjithçka për të siguruar furnizimin me energji në dimrin e parë të luftës. Së bashku me landet dhe komunat, ata bënë të mundur pranimin e refugjatëve të shumtë të luftës.
    “Kjo arritje e qeverisë suaj federale meriton respekt”, tha Steinmeier dhe i bëri thirrje Bundestagut të ri që “të debatojnë me njëri-tjetrin me respekt dhe në mënyrë konstruktive”.
    Koalicioni trepartiak i SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së u prish në fillim të nëntorit 2024 për shkak të mosmarrëveshjes për buxhetin. Scholz shkarkoi ministrin e Financave të FDP, Christian Lindner në atë kohë. Liberalët më pas u larguan nga koalicioni, vetëm ministri i Transportit Volker Wissing mbeti në qeveri si jopartiak. Gjermania kaloi në zgjedhje të parakohshme më 23 Shkurt.
    Është ende e paqartë se kur do të ketë një qeveri të re në Gjermani. Nëse bisedimet e koalicionit zhvillohen me sukses, Friedrich Merz dhe kabineti i tij mund të marrin certifikatat e emërimit në Pallatin Bellevue përpara Pashkëve./DW

  • Qeveria e ndaloi punësimin në shtet për zgjedhje, por shtoi 3900 veta në fund të 2024

    Qeveria e ndaloi punësimin në shtet për zgjedhje, por shtoi 3900 veta në fund të 2024

    Në fillim të këtij muaji, në datën 3 mars qeveria vendosi në zbatim të Kodit Zgjedhor të pezullojë të gjitha procedurat e rekrutimit në sektorin publik për periudhën e fushatës zgjedhore, pra nga 11 prilli deri në 11 maj, me qëllim që të garantohet një proces zgjedhor i rregullt dhe i drejtë. Por të dhënat zyrtare nga INSTAT që raportojnë numrin e të punësuarve në administratën publike tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar rreth 3900 persona iu shtuan administratës publike sipas të dhënave të listë pagesave nga tatimet.
    Të dhënat zyrtare të INSTAT raportojnë se numri i të punësuarve në sektorin publik arriti në 184,278 persona në tremujorin e fundit të vitit 2024. Në krahasim me tre-mujorin paraardhës, u shtuan rreth 3900 punonjës ose 2.1 % më shumë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ishin rreth 2800 të punësuar më shumë.
    Të dhënat më të hershme tregojnë se ka një lidhje pozitive ndërmjet zgjedhjeve dhe punësimit në sektorin publik.
    Psh në vitin 2021 në tremujorin e dytë punësimi në shtet shënoi rekord për periudhën 2018-2024, me mbi 185 mijë persona të punësuar, teksa në prill të 2021 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Në 2021 kur ishin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare punësimi në sektorin shtetëror u zgjerua me rreth 8 mijë persona ose me 4% brenda një viti.
    Për të ndaluar përdorimin e punësimit në shtet për favore politike Kodi Zgjedhor përcakton të ndalohet çdo procedure rekrutimi nga institucionet që rekrutojnë punonjësit e tyre përmes Kodit të Punës.
    Qeveria njoftoi në fillim të marsit se procedurat e nisura do të duhet të përfundojnë, por asnjë procedurë e re punësimi në ministri, në institucionet e varësisë, por edhe në ato shoqëri aksionere me kapital shtetëror nuk mund të zhvillohen pas datës tre mars.
    Por të dhënat zyrtare tregojnë se gati 4000 persona u shtuan si të punësuar në sektorin publik në tremujorin e fundit 2024, por ndërkohë rekrutimet mund të kenë vijuar edhe në janar-shkurt, përpara se të pezulloheshin një muaj para zgjedhjeve.
    Të dhëna të mëparshme tregojnë se më së shumti në fushatat zgjedhore rekrutohen më shumë punonjës nga ndërmarrjet me kapital shtetëror sidomos ndërmarrjet e ujësjellësit dhe pushtetin lokal.
    Edhe pse qeveria ka shkurtuar numrin e ministrive dhe një seri shërbimesh i ofron online, sërish numri i punonjësve publik ka ardhur në rritje në vend që të ulet.
    Shqipëria hyn në vendet ish-komuniste që trashëgoi një ekonomi ku shteti ishte ofruesi i vetëm i punësimit deri në viti 1990. Pas këtij viti, pesha e sektorit shtetëror në ekonomi dhe punësim do të vinte në rënie nga viti në vit për shkak të adoptimit të modelit të ekonomisë së tregut, por shtetit ka nisur të rrisë fort praninë e tij në ekonomi në dekadën e fundit./Monitor