Nga Kristina Millona, Luca Rondi e Lorenzo Figoni*
Të paktën 50 punëtorë të portit të Shëngjinit do të kenë humbur vendin e punës brenda një viti. Ky është çmimi jashtëzakonisht i lartë që kanë paguar qytetarët shqiptarë për zbatimin e protokollit për emigrantët të nënshkruar mes Romës dhe Tiranës: një informacion i sikletshëm dhe për këtë arsye i fshehur, por që është konfirmuar nga tre burime të ndryshme për Altreconomia.
‘Arsyet janë banale-rrëfen një prej tyre-hapja e strukturës italiane e ka reduktuar ndjeshëm hapësirën në dispozicion dhe ardhja e anijeve ushtarake italiane në një port të tillë e vështirëson shumë logjistikën.’ Të gjithë e dinë, por askush nuk dëshiron të flasë: në mesin e korrikut 2025 hyrja në port është e ndaluar, punëtorët janë të rezervuar dhe drejtori i portit të Shëngjinit është i pakapshëm. Shifra mbetet vetëm një vlerësim, por mjafton për të pasqyruar ndikimin në strukturën sociale lokale të qendrave italiane.
Në qytetin bregdetar shqiptar, të mbushur me turistë, shoqëria ‘Rafaelo Resort Hotel & Spa’ duket se është e vetmja që ka përfituar vërtet. Për mikpritjen e operatorëve të policisë italiane, ajo ka marrë në total, nga qershori 2024 deri më sot, 8.9 milionë euro nga Ministria e Brendshme italiane.
Një shumë që mund të rritet akoma: në mesin e korrikut 2025, Drejtoria Qendrore e Emigracionit dhe Policisë Kufitare ka publikuar një thirrje të re duke kërkuar nga dy konkurrentët (përveç Rafaelo-s është në garë edhe Xenia Spa, një gjigant i sektorit të mikpritjes me seli ligjore në Chiasso, Zvicër) një ofertë dyvjeçare për strehimin e 300 njësive, që mund të rriten deri në 400 gjatë ‘periudhave të ndërrimeve të stafit’. Shifra mbresëlënëse nëse mendojmë se më 27 korrik ishin vetëm 29 persona të ndaluar në Qendrën për Qëndrim të Përkohshëm (Cpr) shqiptare. Dhe jo vetëm. ‘Sinqerisht nuk e di sa mirë i bën turizmit gjithë kjo prani e uniformave, makinat që lëvizin vazhdimisht drejt qendrës bien shumë në sy’, rrëfen një banor.
Janë rreth 20 kilometra që ndajnë Shëngjinin nga Gjadri, ku ndodhet struktura e dytë e parashikuar nga protokolli Itali-Shqipëri: ajo më e madhja, me një kapacitet (në letër) prej afro 1.100 vendesh, ndërmjet personave të huaj të ndaluar dhe stafit të shoqërisë menaxhuese Medihospes dhe operatorëve të policisë. Duke u drejtuar drejt qendrës, kur nga rruga kryesore që lidh Tiranën me Shkodrën kthehesh djathtas për t’u futur në rrugën dytësore që të çon në qytetin shqiptar, has menjëherë një pjesë të Italisë. Që nga tetori i vitit 2009 në Komunën Gocaj është aktiv një fabrikë e Colacem Spa, një nga kompanitë kryesore italiane në prodhimin e çimentos. Duke kaluar fabrikën, pas më pak se dhjetë kilometrash, pas një kthese majtas, shfaqet hyrja e strukturës mbi të cilën valëviten flamuri italian dhe ai i Bashkimit Europian.
Porta, gri dhe imponuese, shënon një vijë kufitare: policët shqiptarë rrinë në kabinën jashtë saj. Ata lëvizin, në fakt, vetëm kur aktivizohen nga ‘kolegët’ italianë të cilët, sapo mbërrijmë dhe fillojmë të bëjmë fotografi nga jashtë strukturës, i thërrasin menjëherë. ‘Ndalini’, thërret një polic italian. Polici shqiptar, megjithatë, pasi afrohet, shpjegon i irrituar se jashtë qendrës kompetenca është e tyre dhe ‘kolegët’ nuk kanë asnjë arsye të ndërhyjnë. ‘Pashë që ishit mjaftueshëm larg për të bërë xhirimet tuaja’, thekson.
Gjithçka është shumë e paqartë, e turbullt, në disa raste paradoksale. Ndërkohë që Arbeni, një burrë rreth të dyzetave që banon pranë qendrës, rrëfen atë që di për strukturën, dy makina të policisë italiane të burgjeve kalojnë me shpejtësi pas tij. ‘Thonë se brenda ka ‘kriminelë’, njerëz që kanë kryer vepra të rënda penale-shpjegon me dyshim ndërsa shkarkon blerjet nga bagazhi i makinës. Sinqerisht nuk di shumë. Edhe sepse nuk shihet asgjë nga brenda.’
Në një fshat të vogël me rreth 800 banorë, e panjohura shpesh lë hapësirë për thashetheme dhe informacione të paverifikuara. Në Gjadër qarkullojnë shumë. ‘Kemi dëgjuar zëra se të burgosurit që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar do të transferohen në strukturën e burgut për të shmangur që qendrat të mbeten bosh. Ka 30 dhoma atje. Kemi dëgjuar se Meloni ka arritur një marrëveshje me liderët britanikë’, rrëfen një burim i brendshëm i Cpr që kërkoi të mbetet anonim. Një tjetër burim na siguron se një qytetar shqiptar është aktualisht i pranishëm në Cpr. Kjo nuk është e vërtetë, sipas të dhënave zyrtare, por vija që ndan propagandën nga realiteti në qytetin shqiptar tashmë nuk ekziston më. Dhe për banorët kjo nuk është fare një risi në mënyrën si jetojnë.
Pas një periudhe kur ishte një nga zonat më të lulëzuara për kultivimin e misrit dhe lulediellit, si dhe për kullotën e lopëve, gjithçka ndryshoi në vitin 1974. Në kohën e komunizmit, presidenti Enver Hoxha vendosi të ndërtojë në Gjadër një nga bazat më të mëdha ushtarake në Ballkan. Nën kodrën pranë qendrave për emigrantë u ndërtua një pistë sekrete për ulje avionësh dhe, disa qindra metra më larg, një tjetër pistë për ngritje në ajër. Kjo zonë u përdor më pas edhe nga CIA gjatë viteve ’90 përpara se të braktisej. Sot ajo mbikqyret nga ushtria sepse nuk është ende çminuar dhe duket se materiale të ndryshme armësh ndodhen ende si brenda galerisë ashtu edhe jashtë saj. Informacione, megjithatë, që duhen marrë me rezervë sepse edhe për të kaluarën dëshmitë e banorëve shpesh janë kontradiktore.
‘Po jetojmë sërish të zhytur në pasiguri-shpjegon njëri prej tyre, lindur në fshat dhe më pas shpërngulur jashtë vendit.-E kemi përjetuar gjatë komunizmit dhe tani përsëri, por mendoj se ka një ndryshim të madh krahasuar me të kaluarën.’ Për të, prania e ushtarëve në vitet nëntëdhjetë ishte më e heshtur. ‘Sot nuk është më kështu. Edhe vetëm sepse, ndërsa kalon në rrugën që të çon në qendrën e Gjadrit, papritur gjendesh përballë hyrjes së strukturave me barriera, polici dhe flamurin italian. Është gjithçka kaq anormale dhe e trishtë.’
Shumica e banorëve të takuar nuk kanë një mendim të qartë mbi protokollin ose, sidoqoftë, hezitojnë ta ndajnë atë. Ajo që dihet, megjithatë, është se për sa i përket vendeve të punës, as në qytetin e brendshëm dhe as në Shëngjin, struktura nuk ka ndryshuar fatin e banorëve. Thuhet se vetëm tre persona kanë gjetur punë brenda strukturës, me një pagë mujore që nuk i kalon 500 eurot dhe që gjithsesi është më e ulët krahasuar me kolegët italianë që kryejnë të njëjtën detyrë. Në total, vlerësohet se enti menaxhues ka punësuar rreth 20% staf me origjinë shqiptare, shumë prej të cilëve vijnë nga jashtë Gjadërit.
‘Po kërkojnë operatorë të rinj ligjorë për t’i përfshirë në strukturë-tregon një burim i brendshëm i qendrave në mëngjesin e 23 korrikut.-Po ofrojnë kontrata duke filluar nga 1 gushti, sepse thonë që gjykata europiane do t’i japë të drejtë qeverisë italiane’. Por nuk ndodhi kështu.
Në mëngjesin e 1 gushtit, në fakt, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian vendosi që përkufizimi i ‘Shtetit të origjinës së sigurt’ nuk mund të aplikohet nëse një shtet nuk garanton mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë. Një gur themeli për ndërtimin fillestar të funksionimit të qendrave në Shqipëri. ‘Vendimi i Gjykatës është befasues’, bëri të ditur qeveria. Atmosfera që mbizotëronte në Gjadër dhe ndoshta edhe në Pallatin Chigi ishte ndryshe. Me shumë mundësi, pra, nuk do të ketë punësime të reja. Ata që janë tashmë të kontraktuar dhe që vazhdojnë të jetojnë në një ‘klimë terrori’, ditët e fundit kanë rinovuar marrëveshjen për tre muaj të tjerë.
/www.altreconomia.it- Përgatiti: SYRI.net