Igli Tare, drejtori i ri sportiv i Milanit, ka folur për herë të parë për kanalet zyrtare të klubit kuqezi: “Milani ka një histori të lavdishme. E kam ndjekur që kur isha fëmijë, më kujtohen kohët e Wilkins dhe Hateley. Familja ime, të gjithë xhaxhallarët e mi, kanë qenë tifozë të Milanit. Ka qenë gjithmonë një lidhje e fortë, nuk e kam fshehur as kur u bëra futbollist apo drejtues. Të gjithë kemi pasur një klub për të cilin kemi bërë tifo, Milanin.
Për mua, të jem këtu sot dhe të flas për klubin që kam dashur si fëmijë, do të thotë shumë. Debutimi im në Serie A ishte një ndeshje Brescia–Milan; djali im i parë ka lindur gjatë ndeshjes Milan–Bologna më 13 shtator 2003. Është një lidhje shumë emocionale. Pastaj, lojtarët e mëdhenj, kampionët e mëdhenj, një shoqëri e drejtuar me klas dhe elegancë…, kanë bërë që ky të jetë një nga klubet më të lavdishëm në botë, bashkë me Real Madridin. Do të thotë shumë për mua”.
Për objektivat e tij: “Do të përpiqem të jap gjithçka nga vetja për të bërë që kjo histori të vazhdojë edhe në të ardhmen. Është një klub me histori të rëndësishme, ndaj duhet të jemi të aftë që këtë projekt ta transmetojmë që në fillim te të gjithë: te tifozët tanë para së gjithash, sepse ata presin një reagim të fortë. Këtë duam të bëjmë edhe ne. Kam pasur mundësinë të flas gjatë me Giorgio Furlanin dhe Zlatanin, jemi konsultuar për të gjitha dinamikat që kanë të bëjnë me klubin dhe me këtë situatë. Mendoj se i kam idetë e qarta, duhet të jemi gati për t’i realizuar”.
Për sfidat si drejtues: “Duhet ta nisim me këmbën e duhur. Pritshmëritë janë të mëdha. Ka qenë një sezon shumë i gjatë dhe me shumë zhgënjime. E kam përjetuar edhe nga jashtë këtë situatë. Kam ardhur me ide të qarta, me shumë entuziazëm, dua që këtë ta transmetoj në gjithë ambientin kuqezi. Është thelbësore të mësojmë nga gabimet dhe që nga sot të nisim me energji e dëshirë për ta rikthyer Milanin aty ku e kemi parë gjithmonë në histori”.
Për ambicien e Milanit: “Duhet të jemi të qartë për një gjë: Milani është një klub ku kërkohet menjëherë rezultati, është një klub ku duhet të fitosh. E kam kuptuar këtë gjë dhe jam gati ta përballoj. Duhet të bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë, por me ide të qarta. Roli im është i rëndësishëm për të dhënë strategjitë e duhura, sidomos për lojtarët e rinj, që të kenë hapësira për të luajtur në këtë klub”.
Për ndjesinë e përkatësisë: “Për mua, përkatësia ka shumë rëndësi. Lojtarët që vijnë të luajnë për Milanin, duhet ta kuptojnë menjëherë që kjo fanellë ka një peshë të madhe, ky stadium ka një peshë të madhe. Nëse ne do të jemi të aftë ta transmetojmë këtë te lojtarët tanë, atëherë mendoj se kemi bërë hapin e parë drejt fitores. Të gjithë kampionët e mëdhenj që kanë shkruar historinë e futbollit botëror e kanë pasur një fillim. Kam një frazë, që e them gjithmonë: rëndësi ka më shumë ajo që ke përpara, sesa ajo që ke lënë pas shpinës. Besoj se kështu duhet të jetë edhe te Milani”.
Për qëndrimin dhe mënyrën e punës: “Dua të hyj në këtë klub me shumë përulësi, por mbi të gjitha me mundësinë për të dhënë kontributin tim që kjo shoqëri të kthehet në majat e futbollit italian e botëror. Roli im përfshin mbështetje jo vetëm për stafin teknik, por edhe nga Furlani, Ibra dhe Moncada. E konsideroj thelbësore të punojmë të gjithë bashkë”.
Për futbollin e sotëm: “Futbolli ka evoluar shumë vitet e fundit, çdo 5 vite ndryshon gjithçka në mënyrë drastike. Duhet të jesh i aftë të qëndrosh në kontakt me këtë evolucion. Prandaj, të menaxhosh mirë jo vetëm fushën, por edhe tavolinën e zyrës, është thelbësore. Duhet ta kemi të qartë një gjë: gjithçka lidhet me rezultatin përfundimtar në fushë, me fitoren. Kur ta kemi të qartë këtë në mendje, atëherë është më e lehtë ta bëjmë punën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Për Milanin që dëshiron: “Dua të shoh një skuadër që djersit për fanellën, që ka uri dhe dëshirë për të fituar. Dua ta shoh ‘San Siron’ që shpërthen nga gëzimi i tifozëve. Do të bëj gjithçka, do të jap gjithçka nga vetja që kjo të realizohet, sepse është e mrekullueshme të shohësh popullin kuqezi të gëzojë për fitoret e kësaj skuadre”.
Për ndjesitë e tij personale: “Ndihem shumë i emocionuar dhe i realizuar. Kam realizuar një ëndërr të shumë viteve. Për mua do të thotë shumë, do të thotë jashtëzakonisht shumë”.