Me fokus te mjedisi si një nga pikat kyçe të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit “Për Ty Natyrë”, paralajmëroi disa reforma të rëndësishme për monitorimin e zonave të mbrojtura, duke synuar përafrimin e tyre me praktikat europiane.
“Është një moment historik për anëtarësimin dhe synimin për mbylljen e negociatave, ku fokusi mbi mjedisin dhe forcimin e një ekonomie të re të lidhur me natyrën është shumë më i madh se kurrë. Sfidat që lidhen me kapitujt e mjedisit janë ndër më të vështirat, pasi standardet janë maksimale. Pavarësisht të mirave që kemi arritur, jemi ende shumë prapa”, tha Rama.
Ai njoftoi gjithashtu edhe një ristrukturim institucional, duke paralajmëruar bashkimin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura me Agjencinë Kombëtare të Pyjeve.
“Do të nisë një reformë që parashikon ristrukturimin e AZM-së dhe të shërbimit të pyjeve, duke i bashkuar në një agjenci të vetme. Zonat e mbrojtura dhe pyjet janë dy komponentë që duhet të menaxhohen së bashku, sepse të ndara nuk na ndihmojnë të ecim më shpejt drejt një menaxhimi më efikas”, tha Rama.
Rama kujtoi se vera që lamë pas solli dëme të mëdha nga zjarret masive që përfshinë zona të gjera pyjore e malore të vendit. Për këtë arsye, qeveria ka marrë masa të reja për parandalimin e tyre, përfshirë përdorimin e dronëve inteligjentë.
“Po angazhojmë burime të reja financiare për futjen e teknologjisë dhe rritjen e kapaciteteve për monitorimin e pyjeve me dronë. Këto janë të buxhetuara për vitin që vjen dhe përbëjnë një fazë të re”, tha Rama.
Paralelisht me monitorimin ajror, qeveria parashikon edhe fonde për ripyllëzimin e zonave të dëmtuara ndër vite nga zjarret dhe fatkeqësitë natyrore.









