Tag: putinin

  • ‘Ai e di qëndrimin tim’/ Trump paralajmëron Putinin: Do ta shihni çfarë do të ndodhë nëse…

    ‘Ai e di qëndrimin tim’/ Trump paralajmëron Putinin: Do ta shihni çfarë do të ndodhë nëse…

    Donald Trump

    SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën (3 shtator) se nuk ka mesazh tjetër për Presidentin rus Vladimir Putin dhe po pret vendimin e Moskës nëse do të ecë përpara me bisedimet e paqes për Ukrainën. Trump deklaroi se do të shihni gjëra që do të ndodhin nëse SHBA-të janë të pakënaqura me vendimet e Putinit për Ukrainën.
    “Nuk kam asnjë mesazh për Presidentin Putin,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Ai e di se ku qëndroj unë dhe do të marrë një vendim në një mënyrë ose në një tjetër. Cilido qoftë vendimi i tij, ne ose do të jemi të lumtur për të ose të pakënaqur për të dhe nëse jemi të pakënaqur për të, do të shihni se si do të ndodhin gjërat.” 
    Komentet erdhën një ditë pasi Trump tha se ishte “shumë i zhgënjyer” me Putinin dhe sugjeroi që shefi i Kremlinit po rreshtohej me Xi Jinping të Kinës dhe Kim Jong Un të Koresë së Veriut kundër Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht kërcënimeve të përsëritura, administrata Trump deri më tani ka ngurruar të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë në përpjekjet e saj të vazhdueshme për të arritur një marrëveshje paqeje./ZËRI

  • Vuçiç takohet me Putinin, në fokus bashkëpunimi në fushën e energjisë dhe furnizimin me gaz rus

    Vuçiç takohet me Putinin, në fokus bashkëpunimi në fushën e energjisë dhe furnizimin me gaz rus

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, se për Beogradin është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi në nivelin më të lartë me Moskën në të gjitha fushat.

    Teksa për më shumë se tre vjet refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, Vuçiç theksoi veçanërisht bashkëpunimin e Beogradit me Moskën në fushën e energjisë dhe furnizimin me gaz rus.
    “Shpresoj se do të kemi mundësinë jo vetëm ta ruajmë, por edhe të përmirësojmë disa aspekte të bashkëpunimit. Energjia është për ne një fushë shumë e rëndësishme dhe furnizimi me gaz është shumë i rëndësishëm për ne”, tha Vuçiç gjatë takimit me Putinin në Pekin të Kinës, sipas transmetuesit publik të Serbisë.
    Të dy udhëheqësit u ftuan nga presidenti kinez, Xi Jinping, i cili po organizon në Pekin një paradë ushtarake për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
    Në paradën më 3 shtator, pritet që pranë Xi të qëndrojnë Putin, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe më shumë se 24 krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë ata nga Bjellorusia, Irani dhe vende të tjera.
    Gjatë takimit me Putinin, Vuçiç deklaroi se falë naftësjellësit që do të ndërtojë së bashku me Hungarinë, Serbia do të mund të përmirësojë bashkëpunimin me Rusinë në fushën e energjisë.
    “Të gjitha kompanitë ruse janë të mirëpritura, të gjitha ato që dëshirojnë të marrin pjesë në projektet infrastrukturore në Serbi”, tha presidenti serb.

    Top Channel

  • Erdogan zbulon bisedat me Zelenskyn dhe Putin: Nuk janë gati për një takim ‘kokë më kokë’

    Erdogan zbulon bisedat me Zelenskyn dhe Putin: Nuk janë gati për një takim ‘kokë më kokë’

    Udhëheqësi i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zbuloi se ka folur si me Vladimir Putinin ashtu edhe me Volodymyr Zelenskyn për bisedimet për paqe.

    Ai u shpreh se të dy liderët “nuk janë ende gati” për një takim “kokë më kokë”.
    Erdogan tha se diskutoi mënyrat për t’i dhënë fund luftës me Putinin dje në Pekin dhe se kishte folur në telefon me presidentin ukrainas, Zelensky-n.
    Turqia favorizon “ngritjen graduale të nivelit të negociatave” për të shndërruar shpresat për paqe në rezultate konkrete, tha lideri turk.
    Komentet e tij ulin mundësinë e një takimi midis udhëheqësve, i cili ishte propozuar pas takimit të Putinit me Donald Trump në Alaska.
    Turqia është cilësuar si një nga vendet e mundshme për bisedime dypalëshe midis Rusisë dhe Ukrainës.

    Top Channel

  • Dodik dhe Vuçiç përsëri kërkojnë “shpëtim” në Moskë

    Dodik dhe Vuçiç përsëri kërkojnë “shpëtim” në Moskë

    Millorad Dodik dhe Aleksandër Vuçiç

    SERBI-Pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe izolimit politik, liderët e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, dhe të Serbisë – Millorad Dodik dhe Aleksandër Vuçiç – vazhdojnë të mbajnë kontakte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.
    Edhe pse këto takime janë të shpeshta, analistët vlerësojnë se ato shërbejnë më shumë si një mesazh për Perëndimin sesa si mbështetje konkrete nga Moska.
    “Mendoj se ajo që kërkojnë është mbështetje simbolike nga Putini për t’i frikësuar evropianët dhe për t’ua bërë me dije se është në interesin e tyre të mos ushtrojnë më shumë presion as ndaj Vuçiçit e as ndaj Dodikut”, tha për Radion Evropa e Lirë Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin.
    Dodik, i cili së fundi nuk e ushtron më funksionin e presidentit të Republikës Sërpska pasi iu hoq mandati me vendim gjyqësor të formës së prerë, në një intervistë për median ruse Sputnik ka paralajmëruar se “së shpejti” do të udhëtojë për në Rusi dhe se gjatë tetorit pritet të takohet me Putinin.
    Nga Rusia, sipas tij, do të kërkojë që të vendosë veto për vazhdimin e mandatit të misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian në Bosnjë – EUFOR Althea – për të cilin çdo nëntor votohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë javë do të udhëtojë për në Pekin, ku do të takohet me liderin kinez, Xi Jinping, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, bëri të ditur zyra e tij për media.
    Vizita në Kinë ndodh në një kohë kur në Serbi prej dhjetë muajsh po zhvillohen protesta, ku kërkohet përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 personave pas shembjes së strehës prej betoni të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.
    “Vuçiçi dhe Dodiku duan reagim nga Brukseli e Londra, jo nga Moska”
    Analisti Toby Vogel vlerësoi se takimet e Vuçiçit dhe Dodikut me Putinin nuk kanë për qëllim vetë Moskën, por synojnë të nxisin reagim nga Brukseli dhe Londra.
    “Prej vitesh dëgjojmë se nuk mund të ushtrohet shumë presion ndaj Vuçiçit apo Dodikut, sepse, nëse e bëjmë këtë, rrezikojmë t’i humbim ata. Ata, gjoja, do t’i kthehen Lindjes dhe ne nuk e duam këtë. Por, ky narrativ asnjëherë nuk ka qenë bindës, dhe Perëndimi duhet t’i japë fund kësaj qasjeje”, tha Vogel për Radion Evropa e Lirë.
    Ai shtoi se edhe pa ndikimin e Rusisë, Bashkimi Evropian deri tani ka qenë “shumë i dobët në kritikën ndaj Vuçiçit” për shtypjen e protestave në Serbi dhe se nuk ka pasur pasoja për autoritetet në Beograd.
    “Vuçiçi do ta ketë shumë të vështirë të dalë i paprekur nga kjo krizë politike, dhe asnjë udhëtim në Kinë apo Rusi nuk do ta ndryshojë këtë”, theksoi Vogel.
    Sa i përket Dodikut, Vogel tha se situata ligjore është krejtësisht e qartë, por jo edhe në terren, veçanërisht kur të mbahen zgjedhjet e parakohshme për president të entitetit të Republikës Sërpska.
    “Ju nevojiten autoritetet lokale, entiteti dhe komunat në Republikën Sërpska për të organizuar fizikisht këto zgjedhje. E nëse ato vendosin të qëndrojnë pranë Dodikut, atëherë kjo do të jetë shumë e vështirë”, paralajmëroi ai.
    Çfarë nënkupton mbështetja ruse në Ballkanin Perëndimor?
    Politologu nga Sarajeva, Adnan Huskiç, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, u përgjigj me kundërpyetje: çfarë do të thotë për këdo në Ballkanin Perëndimor të ketë mbështetje nga Rusia?
    “Unë me të vërtetë nuk shoh se si, në një situatë kur ende kemi një polarizim të thellë mes Perëndimit dhe Rusisë, juve ju ndihmon konkretisht ndihma ruse. Jeni të rrethuar nga shtetet anëtare të NATO-s, e në aspektin e inteligjencës, SHBA-ja është ende këtu, pavarësisht çfarëdo që mendojmë për të”, tha Huskiç.
    Sa i përket Millorad Dodikut, ai vlerësoi se Dodik po shfrytëzon gjithçka që ka në dispozicion, por ka pak gjasa që kjo do të ketë ndonjë efekt real. Ai shtoi se është “analizë joserioze dhe sipërfaqësore” të mendohet se dikush në planin ndërkombëtar do t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjes së Dodikut.
    “Të presësh që në një botë, ku ndodhin zhvillime të tilla globale, të vendoset fokusi edhe te ngjarjet në Bosnje e Hercegovinë, është pritshmëri e çuditshme”, theksoi Huskiç.
    Nga ana tjetër, analistja politike nga Banja Lluka, Tanja Topiç, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë se me udhëtimin në Rusi, Dodik po dërgon mesazh se është “zhgënjyer” pritjet që ai kishte nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.
    “Në kontekstin e vendimit gjyqësor, ai për një kohë të gjatë besoi se gjërat do të ndryshonin dhe se do të ndodhnin ‘mrekulli’ të caktuara. Tani ai e ka zhvendosur fokusin e betejës së tij për mbijetesë politike nga Perëndimi te Rusia”, u shpreh Topiç.
    Ajo theksoi se deklaratat e Dodikut për të biseduar rreth mbështetjes së mundshme për pavarësinë e entitetit serb nuk do të sjellin rezultate konkrete, por se kjo narrativ do të shfrytëzohet për konsum të brendshëm politik.
    Sa shpesh takohen Vuçiçi dhe Dodiku me Putinin?
    Më 9 maj, Millorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiç morën pjesë në paradën ushtarake në Moskë, të organizuar për 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ku u takuan edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.
    Shtetet perëndimore e vlerësuan këtë paradë si “propagandë të Putinit” me të cilën ai u përpoq të justifikonte agresionin ndaj Ukrainës.
    Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt 2022, Dodik është takuar tetë herë me Putinin. Ai vizitoi Moskën edhe në prill, një muaj para paradës ushtarake, kur tha se Putini i kishte premtuar se Rusia do të angazhohej për mbylljen e institucioneve ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë edhe zyrën e përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.
    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë vetëm një herë në Moskë prej fillimit të agresionit rus. Takimi dypalësh me Putinin në maj, gjatë ceremonive për përvjetorin e Luftës së Dytë Botërore, ishte i pari zyrtar pas më shumë se tre vjetësh nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
    Atëbotë, Putini tha se Rusia “e vlerëson kursin e pavarur dhe sovran të Serbisë në çështjet ndërkombëtare”.
    Megjithëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat Brukseli i ka vendosur në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
    Para takimit në Moskë, Vuçiçi kishte zhvilluar disa biseda telefonike me Putinin. Në tetor 2024, me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Beogradit, Vuçiç tha se e kishte falënderuar Putinit për furnizimin me gaz rus për Serbinë gjatë dimrit. Ai shtoi se pothuajse dy vjet e gjysmë nuk kishin pasur komunikim, edhe pse në tetor 2023 ishin takuar në Pekin, në forumin ndërkombëtar të nismës kineze “Brezi dhe Rruga”./REL

  • Jude Law portretizon Vladimir Putinin në filmin që tronditi Festivalin e Venecias, ‘Magjistari i Kremlinit’ hap siparin mes politikës dhe artit

    Jude Law portretizon Vladimir Putinin në filmin që tronditi Festivalin e Venecias, ‘Magjistari i Kremlinit’ hap siparin mes politikës dhe artit

    Aktori i njohur britanik Jude Law është transformuar në mënyrë mbresëlënëse për të portretizuar Vladimir Putinin në një film të ri që pati premierën botërore këtë të premte në Festivalin e Filmit në Venecia.

    Filmi titullohet “Magjistari i Kremlinit” dhe është adaptuar nga romani me të njëjtin emër i autorit Giuliano da Empoli, një bestseller ndërkombëtar që hedh dritë mbi mekanizmat e pushtetit në Rusi. Në qendër të rrëfimit është një figurë fiktive, Vadim Baranov, një strateg dhe këshilltar i errët i Kremlinit, i cili luhet nga aktori Paul Dano.
    Baranov është frymëzuar nga një personazh real, Vladislav Surkov, ish-këshilltar i Putinit, i konsideruar si arkitekti i sistemit të kontrolluar politik në Rusi dhe një nga figurat më të mistershme të dekadës së fundit.
    Filmi shpalos ngritjen e Vladimir Putinit drejt pushtetit absolut dhe mënyrën se si ai, përmes manipulimit dhe strategjisë, ndërton një sistem që sundon mbi frikën dhe kontrollin total.
    Roli i Jude Law si Putin ka tërhequr vëmendje të madhe për ngjashmërinë fizike, por edhe për interpretimin kompleks të një figure që vazhdon të polarizojë opinionin global.

    Top Channel

  • Trump flet me Putinin dhe sulmon: Zelensky është një shitës. Asnjë qindarkë më për Ukrainën

    Trump flet me Putinin dhe sulmon: Zelensky është një shitës. Asnjë qindarkë më për Ukrainën

    Nëse përpjekja e Donald Trump për të rikthyer paqen mes Moskës dhe Kievit nuk ka dështuar ende, ajo është me siguri tashmë në sallën e reanimacionit. Kjo kuptohet nga komentet që presidenti amerikan bëri dje, duke u dhënë edhe një herë dy javë kohë presidentit rus Putin dhe atij ukrainas Zelensky që të takohen, duke i kërcënuar me “pasoja” nëse nuk e bëjnë.
    Ai vetë pranoi se ndërmjetësimi kishte rezultuar shumë më i vështirë se sa kishte menduar, por kritikët e akuzojnë se ka kontribuar në bllokim, pasi ka refuzuar të ushtrojë ndonjë presion të ndjeshëm mbi kreun e Kremlinit. Tani kërkon të hapë edhe dy dosje të tjera të ndërlikuara, me kinezët e Xi Jinping dhe me koreanoveriorët e Kim Jong-un, me rrezikun të mos përfundojë asgjë në asnjë front, ndërkohë që paralajmëron se do t’i ndryshojë emrin Ministrisë së Mbrojtjes në Departament Lufte.
    Trump zbuloi se kishte folur sërish me Putinin, pas telefonatës që zhvilloi ditën e samitit me Zelenskyn dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë. “Shkoi mirë, bisedat tona shkojnë gjithmonë mirë”, tha ai, por pa dhënë rezultatet e pritshme. Presidenti pranoi se lideri i Moskës nuk dëshiron të shohë atë të Kievit “sepse nuk e pëlqen. Në fakt nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin”. Megjithatë ai këmbënguli: “Putin dhe Zelensky duhet të takohen, mund të ketë pasoja nëse nuk e bëjnë. Le të shohim çfarë ndodh brenda një ose dy javësh, pastaj do të ndërhyj. Kjo varet nga ata, jo nga ne”.
    Presidenti pranoi edhe gabimin e tij të perspektivës, në mos edhe premtimin e rremë gjatë fushatës elektorale për ta mbyllur konfliktin brenda 24 orësh: “Mendova se do të ishte shumë e lehtë. Por në fakt është shumë e ndërlikuar”. Do të kishte qenë më mirë të mendohej më parë apo të përgatitej më mirë, por më pas u duk sërish se nga cila anë anon, kur e quajti Zelenskyn “shitësi më i mirë i të gjitha kohërave”.
    Ai përsëriti akuzat ndaj paraardhësit Biden se “kishte shpenzuar 350 miliardë dollarë”, edhe pse shifra nuk është ajo. Edhe vetë ai po bie në të njëjtin kurth, sepse pas vizitës së fundit të liderit ukrainas ka zhbllokuar ndihma, ndonëse me kusht që pagesën ta bëjnë evropianët: “Ne nuk shpenzojmë më asnjë qindarkë për Ukrainën. Po negociojmë me NATO-n, jo me Kievin”.
    Në rast se arrihet një marrëveshje, “ende nuk e dimë se cilat do të jenë garancitë e sigurisë, pasi nuk kemi diskutuar detajet”, por SHBA do të marrë pjesë, edhe pse nuk do të vendosë trupa në terren apo fonde të tjera shtesë.
    Ndërkohë, Zelensky priti në Kiev të dërguarin special të Trump, gjeneralin Keith Kellogg. Presidenti ukrainas vuri re se nga ana e Putinit nuk kishte ardhur asnjë hap real drejt një marrëveshjeje, por shtoi: “E vlerësojmë gatishmërinë e SHBA për të qenë pjesë e arkitekturës së sigurisë për Ukrainën dhe ekipet tona po punojnë aktivisht për ta formësuar atë. Presim që parimet themelore të sigurisë të përcaktohen së shpejti. Diskutuam si mund t’i ndikojmë rusët, t’i detyrojmë të angazhohen në negociata të vërteta dhe të ndalim luftën. Sanksionet, tarifat doganore: gjithçka duhet të mbetet në tryezë”.
    Sa i përket një takimi dypalësh me Putinin, Zelensky tha: “Jemi gati të angazhohemi në një format mes liderëve. Është e domosdoshme për të zgjidhur çështjet kyçe. Por e njëjta gatishmëri duhet edhe nga Moska”. Një mesazh i qartë për të hedhur përgjegjësinë e mungesës së marrëveshjes mbi Kremlinin, me shpresën që Trump ta ndëshkojë atë, i shtyrë edhe nga arsye të tjera: “Shpresojmë sinqerisht që Amerika, presidenti dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë të angazhohen personalisht për të kthyer pas të gjithë fëmijët e rrëmbyer ilegalisht nga Rusia”.
    Shkrim nga La Repubblica

  • Trump beson te “miqësia” me Putinin, rezultati një ngërç i rrezikshëm

    Trump beson te “miqësia” me Putinin, rezultati një ngërç i rrezikshëm

    Opinion nga David E.Sanger, The New York Times
    “Asgjë nuk do të ndodhë derisa unë dhe Putini të ulemi bashkë,” deklaroi presidenti Donald Trump në muajin maj, duke lënë të kuptohej se zgjidhja për luftën e Ukrainës nuk qëndron te diplomacia e gjatë shumëpalëshe, por te një marrëveshje mes dy superfuqive.
    Takimi me Vladimir Putinin në bazën ajrore amerikane në Anchorage ndodhi, por 9 ditë më pas nuk ka shenja të progresit real. Trump kishte dhënë sinjale se Putini dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të zhvillonin bisedime direkte, por një gjë e tillë nuk është planifikuar. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha hapur se “agjenda nuk është gati fare”.
    Trump e portretizon veten si ndërmjetës, si aleat të Ukrainës, ose si njeri që mund të bindë Putinin…
    Një ditë thotë se Ukraina nuk ka shanse të fitojë pa sulmuar brenda territorit rus, ditën tjetër premton garanci sigurie për Kievin.
    Diplomacia si spektakël personal
    Trump kërkon të imitojë Theodore Roosevelt-in, i cili në 1905-ën ndërmjetësoi paqen midis Rusisë dhe Japonisë dhe fitoi Çmimin Nobel. Por krahasimet janë të zbehta: në Anchorage, takimi me Putinin ngjante më shumë me show-in e tij me Kim Jong-un në 2018, shumë kamera, përqafime dhe asnjë rezultat konkret.
    Madje, sipas ish-ambasadorit amerikan në NATO, Ivo Daalder, Trump e nisi me një pozicion të përbashkët perëndimor që kërkonte armëpushim, por më pas e braktisi dhe i dha avantazh Moskës. “Një autogol diplomatik,” e quajti ai.
    Siguria e Ukrainës, dilemat amerikane
    Trump deklaron se SHBA-të mund të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën, por pa trupa amerikane në terren. Ai sugjeron që këtë ta bëjnë disa vende europiane, ndërsa SHBA-të të ofrojnë inteligjencë e mbështetje ajrore. Ky është një zotim serioz: të mbrosh një vend jo-anëtar të NATO-s nga agresioni rus.Por Rusia kërkon të jetë pjesë e këtyre garancive, duke i kthyer gjërat në absurditet: pushtuesi të jetë “garant sigurie”.
    Dyshimi i Kievit
    Për ukrainasit, kujtesa e Memorandumit të Budapestit të vitit 1994 është ende e gjallë. Atëherë ata dorëzuan arsenalin bërthamor në këmbim të garancive nga SHBA-të, Britania dhe Rusia dhe e panë Moskën të shkelë marrëveshjen. Sot, Zelensky dhe ekipi i tij e shohin me dyshim diplomacinë e Trump, që shpesh relativizon fajin e Rusisë dhe ka shuar strukturat amerikane që hetonin krimet e luftës.
    Trump herë e sheh veten si Roosevelt-in që sjell paqe, herë si ndërmjetës neutral, herë si lider që do të “lajë duart” duke ia lënë fatin ukrainasve e rusëve.
    Por kjo strategji e paqartë krijon më shumë konfuzion sesa stabilitet. Lufta në Ukrainë nuk është thjesht për territor, siç mendon Trump, por për identitetin e një kombi dhe të drejtën e tij për të zgjedhur të ardhmen.

  • “S’ka më para për Ukrainën! Kam folur edhe me Putinin”/ Trump kritikon Zelenskyn: Merr miliona dollarë sa herë largohet nga Shtëpia e Bardhë

    “S’ka më para për Ukrainën! Kam folur edhe me Putinin”/ Trump kritikon Zelenskyn: Merr miliona dollarë sa herë largohet nga Shtëpia e Bardhë

    Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 1,279-të, ndërkohë që zhvillimet diplomatike dhe sulmet vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes.

    Mediat shkruajnë se Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka folur përsëri me Vladimir Putinin, duke e përshkruar bisedën si “të mirë”: “Patëm një bisedë të mirë, të gjitha bisedat tona janë të mira.”
    Trump gjithashtu akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e quajtur: “Një shitës i shkëlqyer: sa herë që largohej nga Shtëpia e Bardhë, merrte me vete miliona dollarë.”
    Duke folur për ndihmën financiare amerikane, Trump theksoi: “Ne nuk shpenzojmë më asnjë para për Ukrainën. Ne merremi me NATO-n, jo me Ukrainën.”
    Ai shtoi se SHBA-të do të jenë të pranishme për çështjet e sigurisë, por nuk diskutuan garanci specifike për Kievin.
    Trump gjithashtu komentoi për një mundësi takimi mes Putinit dhe Zelenskyt: “Putini nuk dëshiron të takohet me Zelenskyn sepse nuk e pëlqen. Nëse unë do të kisha qenë president, kjo luftë nuk do të kishte ndodhur kurrë.”

    Top Channel

  • Kundërshtari më i fortë i Kremlinit, Khodorkovsky: Putini e ka humbur luftën për Rusinë, por jo për veten

    Kundërshtari më i fortë i Kremlinit, Khodorkovsky: Putini e ka humbur luftën për Rusinë, por jo për veten

    Mikhail Khodorkovsky, dikur njeriu më i pasur i Rusisë, kaloi dhjetë vjet në burg në Siberi, për shkak se sfidoi Vladimir Putinin. Sot, ai jeton në Londër dhe është një nga kundërshtarët më të fortë të Kremlinit.

    A mendoni se Putini synon një marrëveshje për Ukrainën?
    “Mendoj se ai ka arsye të mira për të negociuar seriozisht. Problemet ekonomike dhe ato të rekrutimit po grumbullohen në Rusi. Për më tepër, territoret e pushtuara në Ukrainë po rezultojnë të jenë një problem tjetër dhe një kosto e madhe në të ardhmen.”
    Sa do të kushtojë rindërtimi i tyre?
    “Të paktën dyqind ose treqind miliardë dollarë. Nëse shtohen territore të tjera, mund të jetë edhe më shumë. Pastaj është çështja e popullsisë: 3.5 milionë njerëz kanë mbetur në Ukrainën e pushtuar dhe 2.5 milionë të tjerë janë zhvendosur në Rusi. Shumë prej tyre janë të moshuar ose me aftësi të kufizuara, të papunë dhe që kanë nevojë për ndihmë. Janë gjashtë milionë njerëz që nuk janë mësuar të jetojnë nën një regjim autoritar për një çerek shekulli.”
    A mund të ketë akte rezistence?
    “Nuk mendoj se mund të ketë një luftë të fshehtë partizane. Por ata janë njerëz të mësuar që luftojnë për të drejtat e tyre ekonomike. Është një zonë minierash e krahasueshme me Kemerovën në Rusi, por ndodhet mbi tre mijë kilometra larg Moskës. Donbasi, nga ana tjetër, është vetëm tetëqind kilometra larg dhe rrugët janë të mira. Në vitet 1990, minatorët rusë marshuan drejt kryeqytetit dhe protestuan, duke përplasur helmetat e tyre në kangjellat e Shtëpisë së Bardhë [selia e qeverisë që nga viti 1993, red.]. Tani rusët e kanë humbur zakonin e këtyre gjërave, por ukrainasit jo. Putini ka sjellë në shtëpi një problem pesë herë më të madh se Çeçenia.”
    Sa e rëndësishme është marrëdhënia e Putinit me Donald Trumpin?
    “Putini e kupton që Trumpi është presidenti më i mirë amerikan që mund t’i kishte ndodhur në një situatë të tillë dhe gjërat nuk do t’i ecnin më mirë se kaq. Ky është momenti kur ai mund të ruajë gjithçka që ka arritur dhe të rifitojë njohjen pothuajse të plotë ndërkombëtare. Para Trumpit, kjo ishte e pamundur dhe pas tij do të jetë gjithashtu e pamundur.”
    A nuk rrezikon toleranca e Trump ta bëjë Putinin edhe më agresiv?
    “Trump e pëlqen Putinin sepse është një njeri i fortë, ai do të donte të ishte si ai, nëse do të mundte. Por Putini është gjithashtu një njeri i kujdesshëm dhe i matur. Ai ka frikë se mos shkel aksidentalisht ndonjë nga vijat e kuqe të udhëheqësit amerikan. Po i shpjegoj ekipit të Trump se nuk mund të flasësh me Putinin me frymën e policëve të mirë. Putini ka një mendje kriminale, duhet t’i tregosh se je më i fortë se ai. Në vend të kësaj, në Rusi po përhapet ideja se Amerika nuk ka më armë, ose se dëshiron t’i ruajë ato për një luftë të mundshme me Kinën. Nëse Trump dhe pasuesit e tij i japin Putinit përshtypjen se janë të paaftë të përballen me Rusinë, pasojat mund të jenë serioze. Por për momentin, Putini mbetet i kujdesshëm.”
    A e pranon ende popullsia ruse luftën?
    “15-20% e popullsisë është kundër luftës, 50% është e ftohtë, por ka frikë nga një disfatë e mundshme ruse. Vetëm 30% e popullsisë është vërtet pro. Shumica e tyre janë të moshuar, të cilët nuk kanë pse të luftojnë. Këta janë votuesit e Putinit dhe, edhe pse ai është diktator, ai kujdeset shumë për ta. Por lufta po bëhet e dukshme në rrugë falë disa kundërsulmeve ukrainase me ndikim të lartë. Aeroportet në pjesën evropiane të Rusisë janë praktikisht të mbyllura dhe sulmet me dronë në rafineri po shkaktojnë mungesë karburanti. Për më tepër, në dy muajt e fundit, numri i vullnetarëve për të shkuar në luftë ka rënë ndjeshëm.”
    Si e zgjidh ushtria këtë?
    “Duke i detyruar në fakt rekrutët të regjistrohen në front, duke pretenduar se është zgjedhja e tyre. Është një mashtrim që mund të ketë pasoja serioze për qeverinë. Në thelb, Putini mund ta vazhdojë luftën për njëfarë kohe, por situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të.”
    Ju e përshkruani Putinin sikur ka arritur pak në tre vjet e gjysmë vdekjesh dhe shkatërrimesh. A është ende elita ruse në anën e tij?
    “Putini, në përgjithësi, e ka humbur luftën, edhe nëse nuk duket kështu. Ai e humbi luftën për Rusinë, jo për veten e tij. Për veten, ai fitoi edhe pesë ose gjashtë vjet të tjera në pushtet. Ai e përdori luftën për të maskuar dështimet e tij sociale dhe ekonomike. Nuk e ka ndryshuar qeverinë në Kiev, ka shkatërruar vetëm territoret që i kontrollon vetë. Përfundimisht, kjo do të bëhet e dukshme edhe për elitën ruse.”

    Top Channel

  • Zelensky: Rusia po përpiqet të ndalojë takimin për paqe dhe të zgjasë luftën

    Zelensky: Rusia po përpiqet të ndalojë takimin për paqe dhe të zgjasë luftën

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po bën gjithçka që mundet për të ndaluar takimit me Vladimir Putinin, që synon  t’i japë fund luftës.
    Sipas presidentit ukrainas qëllimi i Putinin është vetëm të fitojë kohë dhe jo të negociojë për t’i dhënë fund luftës.
    Nga ana tjetër Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është përpjekur t’i bashkojë të dy udhëheqësit, por në një deklaratë të dhënë më herët këtë të premte ai tha se marrëdhënia mes dy liderëve “është si vaji me uthullën dhe nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin”. Pas një jave intensive diplomacie, në të cilën Trump takoi fillimisht Putinin në Alaska dhe më pas Zelenskyn me udhëheqësit evropianë në Uashington, presidenti amerikan tha se lufta në Ukrainë po rezultonte të ishte më e vështira që ai ishte përpjekur të ndalonte.