Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu është shprehur se punonjësit dhe institucioni që ai drejton duhet të ketë mbështetje ndërkombëtare, për shkak të natyrës së punës për të audituar institucionet më të larta të shtetit.
Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Shehu tregoi rastin e një punonjësi që i kishte thënë se kishte frikë të auditonte punën e kryeministrit Edi Rama, dhe më vonë për arsye të paqarta ishte larguar nga detyra.
“Kur e kam marrë detyrën jam hasur në momentet e para me shqetësimin e një audituesi për punën audituese. Ka qenë pjesë e stafit auditues në Ministrinë e Jashtme, që në atë periudhë drejtohej nga zv.ministri z. Gent Caka.
Ai më ka shprehur pamundësinë për të adresuar gjetjet dhe konstatimet tek ministri. I kam kërkuar shpjegime, një lloj sqarimi të shqetësimit dhe më ka thënë se “nuk është problemi që ne të adresojmë te personat përgjegjës, të cilët kishin vlerësuar si përgjegjës të shkeljeve të mundshme”.
Më tha se shqetësimi nuk është transmetimi i gjetjeve te Cakaj, por mungesa e mundësisë për t’ia transmetuar ato kryeministrit, sepse ai duhet të jetë autoriteti drejtues në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka treguar kreu i KLSH-së, Arben Shehu.
Rasti që ai ka treguan, bën fjalë gjatë periudhës së qeverisë “Rama 2”, kur Ilir Meta në cilësinë e presidentit të Republikës nuk pranoi të dekretonte Gent Cakaj si ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe kryeministri Edi Rama mori vetë kompetencat e ministrit, të cilat më pas ia delegoi Cakaj.
Megjithatë, si titullar i institucionit njihej Edi Rama, ndërsa me delegim kompetencash detyrën e ushtronte Gent Cakaj. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ka treguar se për shkak të situatave të mëvonshme, punonjësi që kishte frikë të auditonte punën e kryeministrit, u largua nga puna.
“Për shkak të situatave të tjera që pasuan, punonjësi është larguar nga institucioni dhe për rrethanat e largimit unë jam i gatshëm që t’ju vë në dispozicion jo vetëm praktikën, por t’ju relatoj gërmë për gërmë historinë e problematikave që ka mbartur. Në vazhdimësi më ka dërguar shkresa të ndryshme.
Në një letër që më ka drejtuar, është shprehur se do t’iu kërkojmë institucioneve ndërkombëtare që mua personalisht (Kryetarit të KLSH) t’i jepet suporti i duhur për të audituar punën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, sepse siç shkruante “unë nuk kam mundësi për shkak të frikës që të auditoj punën e kryeministrit”.
Tani unë çfarë duhet të bëj në këto lloj situatash? Këto janë raste konkrete, unë i vlerësoj të gjitha. Unë e fus veten tek ata individë që në radhë të parë i frikësohen Zotit dhe zbatimit të ligjit dhe deri në minutën e fundit që do të jem pjesë e do të drejtoj KLSH me korrektesën më maksimale. Këtë e them me përgjegjshmëri të plotë dhe përballem në çdo moment”, tregoi Arben Shehu.