Rigels Seliman
Pas javësh tensioni politik dhe zhurme nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), kryeministri Edi Rama ka folur nga Roma, duke dhënë një intervistë të fortë për “Real Story” në “ABC NEWS”. Ai theksoi se drejtësia ka rrugën e vet dhe politika nuk do të ndërhyjë në punën e saj, duke dalë hapur në mbrojtje të zv/kryeministres Belinda Balluku. Rama konfirmoi se kabineti qeveritar nuk do të pësojë ndryshime, pavarësisht hetimeve që tronditën majën e pushtetit. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë njohu publikisht Erion Veliajn si kryebashkiakun legjitim të Tiranës, duke dhënë sinjale për një tërheqje nga gara. Por mesazhi më i ashpër i Ramës ishte për ata që lakmojnë kreun e Partisë Socialiste: “Unë ende nuk kam një bir politik që mund të më zëvendësojë.” Me këtë deklaratë, ai vuri vijën e kuqe për ambiciozët brenda PS-së dhe la të kuptohet se kontrolli i tij mbi partinë mbetet i plotë. Nga Roma, Rama shfaqi sërish imazhin e liderit që nuk tërhiqet para stuhive, duke i dhënë një sinjal të qartë kundërshtarëve: qeveria ecën përpara, drejtësia le të bëjë punën e saj.
Pjesë nga intervista:
-Zoti Kryeministër, tre ngjarje që ndodhën në një ditë, pastaj rastësitë, ne si gazetarë nuk besojmë te rastësitë, një vendim i Gjykatës Kushtetuese që rikthen Erion Veliaj, në postin e kryetarit të Bashkisë, SPAK që merr në hetim zv/kryeministren, dhe pak orë më vonë vdes Fatos Nano.
Nuk besoj se një dorë e padukshme i ka bashkuar këto të treja bashkë, ka ditë që janë me ngjarje, ka javë të tëra që nuk ka ngjarje, kështu që, nuk I shoh të lidhura me njëra tjetrën këto. Por nëse I marrim të treja me radhë, të treja kanë domethënien e tyre sipas meje.
-I marrim me radhë…
Domethënia e parë, e lidhur me të parë është që një njeri i rëndësishëm I jetës publike shqiptare, për vite të tëra u nda nga jeta edhe la pas një kujtim pozitiv, mendoj. Madje ishte edhe disi e neveritshme të shikojë që ata të cilët e torturuan e burgosën e përndoqën me fjalët më të egra të shqipes për vite të tëra, pa pritur e pakujtuar e mirëtrajtuan dhe I dhanë atë që, uroj më në fund ta besojnë, por nëse e besojnë duhet t’i kërkonin falje dhe të bënin një shfaqje pendese publike për çfarë i kanë bërë në të gjallë.
-Më lejoni para se të kalojmë te pikat e tjera. Në fjalimin tuaj e pranuat se ai kishte qenë babai juaj politik, siç edhe pranuat që ju ishit i biri që politikisht vrau babain për t’i zënë atij vendin…
Këtë e kam thënë edhe herë të tjera.
-Pyetja ime është që tani që ju jeni kryetar i PS që prej 25 tetorit 2005, kam patur fatin t’ju bëj intervistën e parë atëherë menjëherë pas kongresit, pra pas 20 vitesh ju jeni babai politik i PS-së…
S’e kam një bir që të më ‘vrasë’ për momentin.
–Keni apo s’keni?
Jo s’e kam një bir politik që të më vrasë për momentin flas
-Pse ku është?
S’e kam.
-Pra, sepse këtu futemi pastaj në teori konspirative të ekraneve por edhe jo vetëm lidhur me raportin tuaj me Erionin, i cili të gjithë e dimë që ka qenë raport shumë i afërt, por së paku nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese e deri tani janë shtuar pikëpyetjet nëse keni më, pavarësisht kushteve në të cilat ai ndodhet. Ju keni një raport me Erion Veliajn?
Raporti im njerëzor sot me Erionin është më i fortë sot seç ka qenë, që të jemi të qartë, nga ana ime.
-Po nga ana e tij?
Jo, dhe kur them nga ana ime, e theksoj sepse nuk është një raport që ka komunikim për shkak të pozicionit në të cilin ndodhet ai. Kështu që, nga ana njerëzore përveç se çfarë ka qenë më parë, është shtuar edhe një keqardhje e thellë për atë që ai po përjeton dhe nuk po hy këtu të komentoj asgjë më shumë sepse nuk dua të merren më pas fjalët edhe të përdoren apo keqpërdoren si komente që kanë të bëjnë me drejtësinë se nuk dua të hy në të.
-Jo po pa hyrë te drejtësia…
Po them pra, që kam një keqardhje shumë të thellë për atë që ai po përjeton dhe për mua padrejtësisht ai po mbahet peng në qeli. Ndërkohë që më çfarë unë kam dëgjuar, me çfarë unë kam arritur të kuptoj, mbase s’i kam dëgjuar të gjitha, s’i kam kuptuar të gjitha, po çfarë është bërë publike dhe çfarë është bërë publike ai fare mirë mund të hetohej në gjendje të lirë dhe mund të vazhdonte të drejtonte Tiranë. Kështu që, në aspektin njerëzor, unë ndjej keqardhje të thellë për atë që po përjeton. Në aspektin e përgjegjësisë politike dhe publike që unë kam, ajo që thashë në asamblenë e partisë dhe ajo që ne bëmë është diçka që do ta bëja përsëri nëse do kthehesha mbrapa. Pra, që Erioni të largohej nga ajo detyrë që është në pamundësi për ta kryer, sepse këtë tha edhe Gjykata Kushtetuese dhe që Tirana të mos mbetet pa kokë, shumë e thjeshtë. Tani të gjitha të tjerat janë dokrra, janë teorira, muhabete të klubeve mediatike të klubeve politike që mua realisht nuk më interesojnë fare dhe as nuk i marr përsipër që t’i komentoj.
-Në fakt Erioni nxori një urdhër pak ditë më parë ku urdhëronte bashkinë të merrej me zbukurimet për festat e dhjetorit. Pra, këto janë të gjitha shenja të një anomalie të madhe, por Gjykata Kushtetuese e vendosi ndryshe, edhe lajmi aty në fakt për mua do duhet të ishte që nuk e kontrollokemi ne, nuk e paskam kapur unë gjykatën kushtetuese, se nuk është hera e parë në fakt që vendos ndryshe nga vullneti im dhe i qeverisë po në këtë rast ishte si të thuash një ‘karshillëk’ i drejtpërdrejtë por është Gjykata Kushtetuese, është e drejta e Gjykatës Kushtetuese të marri vendimet që i takojnë asaj t’I marrë dhe tani nëse kjo gjykatë kushtetuese do të jetë koherente me këtë vendim do të duhet që, kur kryetari I bashkisë të shkojë aty për të kërkuar të lirohet dhe të vazhdojë në gjendje të lirë procesin kushtetuesja duhet ta lirojë sepse ndryshe bie në kontradikt të thellë me vetveten. Këtë them unë.
Ky s’ka mundësi të shkojë, por ju nuk duhet ta lëvizni.
-Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, jo në atë mënyrë…
Po në cilën mënyrë?
-Jo në mënyrën se si është shkarkuar. Pra Erioni duhet të ishte prezent në Këshillin Bashkiak dhe qeveria duhet të argumentonte më shumë se sa thjesht mungesën e tij?
Jo, nuk ka çfarë argumenton qeveria sepse Erioni nuk ka shkelur Kushtetutën dhe pastaj këtu hyjmë në një diskutim tjetër që a duhet gjykata kushtetuese ta merrte në konsideratë sepse ai nuk është shkarkuar për shkelje të kushtetutës ai nuk ka bërë në këndvështrimin tonë ndonjë faj dhe për këtë duhet shkarkuar. Ai thjesht nuk ka ardhur në punë sepse nuk është mundësuar që të vijë në punë, por ama puna duhet bërë apo jo, kjo është logjika.
-Por, ama Gjykata Kushtetuese në një farë mënyre nuk e mbylli 100 % derën…
Këtë nuk e di unë çfarë ka bërë Gjykata Kushtetuese, se e mbylli e hapi, unë di që Gjykata Kushtetuese e la Tiranën pa zgjedhje dhe e la Tiranën pa kryetar bashkie. Ose më saktë konsideroi kryetar bashkie atë që është në pamundësi për të bërë detyrën kështu që, po Gjykata Kushtetuese duhet të bëjë hapin e dytë që t’i japi mundësinë të bëjë detyrën.
-Pyetja ime tjetër. Ju sa thatë pak më herët që nëse do rikthehesha do të bëja të njëjtën gjë?
Njëqind herë!
–Pyetja ime është shumë e thjeshtë do të tentoni sërish ta shkarkoni z.Veliaj nga kryetari i Bashkisë?
Po nuk do shkojmë t’i biem murit me kokë. Se të shkosh kundër një vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese apo cila do gjykatë është të shkosh t’i biesh murit me kokë edhe praktikisht të hysh në konflikt me sistemin që ke zgjedhur që është sistemi demokratik dhe unë nuk mund të hy në konflikt me zgjedhjen strategjike dhe historike që kam bërë dhe kemi bërë si PS që I kemi dhënë pavarësinë e plotë drejtësisë.
-Pra Erion Veliaj do të qëndrojë kryetar i Bashkisë deri në 2027?
Po nëse nuk ka mundësi për t’u shkarkuar si do ndodhë…
-Po nëse nuk e thatë ju kush do e thotë tjetër…
Po e ka thënë Gjykata Kushtetuese pra.
–Që Erion Veliaj qëndron kryetar i Bashkisë deri në 2027?
Ai nuk mund të shkarkohet. Kaq, është shumë e thjeshtë.
-Pra, do vijojë të qëndrojë kryetar i Bashkisë deri në 2027?
Po ç’do bëjmë?
-Ok, besoj që i dhatë përgjigje kësaj gjëje sepse dilema ka qenë nga deklaratat tuaja se ju vazhdoni takimet me njësitë bashkiake në Tiranë.
Po unë patjetër do vijoj takimet me njësitë bashkiake në Tiranë.
–Do ta bashkëqeverisni Tiranën me Erion Veliajn?
Po takimet me njësitë bashkiake në Tiranë janë takime që bëhen në një komplet kontekst tjetër. Nuk kanë lidhje me fushatën zgjedhore janë takime që bëhen në kontekstin e komunikimit me njerëzit, dhe nuk bëhen vetëm në njësitë bashkiake në Tiranë, bëhen në të gjitha njësitë e Republikës. Kemi deputetët tanë, drejtuesit tanë politikë kanë qenë në të gjitha njësitë dhe vazhdojnë bëjnë punën me njerëzit se 83 mandate janë detyrim shumë i madh. Plus që tani përkon kjo me kohën e buxhetit, është buxheti i përgjithshëm dhe buxheti i përgjithshëm I 2026 ka disa gjëra shumë të rëndësishme për t’u ndarë me publikun. Kryefjalë, fillimi i ciklit të rritjes së pensioneve dhe pastaj është edhe buxheti bashkiak dhe nuk ka kryetar bashkie. Kështuqë, drejtuesja politike e Tiranës, nënkryetarët, kryetarja në detyrë do bëjnë këtë punë dhe unë kur kam mundësi shkoj ose do shkoj qoftë aty, qoftë në vende të tjera.
-Çfarë ndodh me Ogerta Manastirliun tani?
Ogerta Manastirliu është drejtuese politike e Tiranës, është deputete e PS.
-Do të jetë ajo kandidate?
Është kandidatja jonë Ogerta, patjetër.
-Pra, ajo do jetë kandidatja juaj në 2027?
S’kemi tjetër Ogertën kemi, po.
-Po mund të lirohet Erion Veliaj?
Tani ne po flasim në kushtet që jemi sot. Lirohet s’lirohet Erioni, Erioni nuk mund të jetë kandidat në 2027 për 2031.
-Po edhe për arsye se nuk mund të kandidojë për herë të katërt. z. Kryeministër, zv/kryeministrja po atë ditë të premte u mor në hetim për mosbarazi në trajtimin e tenderit për tunelin e Llogarasë, ju nuk keni bërë asnjë koment…
Edhe s’kam ndërmend të bëj. Çfarë komenti të bëj? Si tha Loro Boriçi shiu ka punën e vet ne kemi punën tonë.
–SPAK-u ka punën e vet ju keni punën tuaj?
Normal, janë të ndara. Nuk kemi asnjë dilemë në këtë pjesë.
-Dhe nuk ndryshon asnjë?
Çfarë do të ndryshojë?
-Ju e dini…
Çfarë do të ndryshojë? Duhet të mësohemi me këtë. Nuk është diçka që tanimë kemi nevojë akoma të jetojmë për të mësuar. Duhet të mësohemi me këtë, që jetojmë në një sistem ku Partia Socialiste e Shqipërisë dhe askush tjetër, që të jemi shumë të qartë për këtë me mua në krye, i kemi njohur pavarësinë e plotë drejtësisë. Dhe njësoj siç janë tërhequr fuqitë koloniale nga territoret e kolonizuara kemi tërhequr politikën nga territori i drejtësisë. E kemi tërhequr. Dhe jemi të vetmit garant për mosfutjen përsëri të politikës në territorin e drejtësisë.
-Jeni të sigurt për këtë?
Jam 100% i sigurt sepse të tjerët përbetoheshin që do ta shkrijnë SPAK-un të nesërmen po të fitonin zgjedhjet.