Tag: pullave

  • Posta e Kosovës shënon Ditën Botërore të Fotografisë përmes emisionit të ri të pullave postare

    Posta e Kosovës shënon Ditën Botërore të Fotografisë përmes emisionit të ri të pullave postare

    Posta e Kosovës, sot shënon Ditën Botërore të Fotografisë përmes emisionit të ri të pullave postare.

    Fotografia, si disiplinë artistike, por edhe si dukuri e ndriçimit të objekteve, ka preokupuar për dekada krijuesit kosovarë. Që nga çasti kur drita dhe hija filluan të rrëfejnë përmes objektivit, kjo formë shprehjeje u bë mjet dokumentimi, dëshmie dhe interpretimi.

    Edhe pse fotografitë e para të qyteteve tona u shkrepën nga vizitorë të huaj si Josef Székely e Auguste Leon, shumë shpejt fotografia u përqafua nga vetë krijuesit vendorë. Ahmet Zherka, me atelienë e tij në Gjakovë, shënon fillesat e këtij zanati në Kosovë. Në Prizren u veçuan familjet Koro dhe Mjeda, ndërsa më gjerë, emri i Marubit mbetet sinonim i pasionit për fotografinë në trevat shqiptare.

    Ky brez nismëtarësh e ktheu fotografinë nga mrekulli teknologjike në dëshmitare të kohës, duke na lënë një trashëgimi të çmuar që ruhet sot me përkushtim në Fototekën e Arkivit të Kosovës. Ky trashëgim vizual, i çmuar për nga përmbajtja dhe vlera, dëshmon për rrjedhat kulturore, shoqërore dhe arkitektonike të vendit, gjë që dhe sot paraqet një burim të pashtershëm për studiuesit, artistët dhe publikun e gjerë.

    Pamjet e dy pullave postare dhe bllokut filatelik janë siguruar me përkrahjen e Arkivit Qendror pranë Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ndërsa për Zarfin e Ditës së Parë, nga studio Zherka në Gjakovë. Ky emision i pullave postare do të mbetet në qarkullim postar deri në konsumim të plotë.

    Posta e Kosovës fton koleksionistët, bizneset dhe qytetarët t’i blejnë këto pulla, të cilat pasurojnë koleksionet personale dhe ofrojnë vlerë të shtuar kulturore e historike./KultPlus.com

  • Xama: Koncesioni i pullave fiskale mori 100 mln euro, çmimi 10 herë më i shtrenjtë se në vendet e

    Xama: Koncesioni i pullave fiskale mori 100 mln euro, çmimi 10 herë më i shtrenjtë se në vendet e

    Xama: Koncesioni i pullave fiskale mori 100 mln euro, çmimi 10 herë më i shtrenjtë se në vendet e BE

    Gazetarja Ola Xama tregoi në emisionin “Të Paekspozuarit” njërin prej koncesioneve që kanë rrënuar buxhetin e shtetit, ku qytetarët kanë paguar më shumë, ndërsa paratë i kanë marrë privatët.

    Kështu ka ndodhur me koncesionin e pullave fiskale që u dha gjatë qeverisë Berisha dhe u rrit gjatë qeverive të Ramës, ndërsa çmimi i tyre ka qenë 10 herë më shumë se në vendet e Bashkimit Europian.

    “Kanë qenë 4 kontrata koncesionare në fushën fiksale dhënë nga qeveria Berisha. PS mori angazhimin për t’i hequr. Pullat fiskale ofroheshin nga shteti më parë, por u dha me koncesion dhe çmimi për cigaren, apo verën u katërfishuan. Nga viti 2012 deri në vitin 2023 janë mbledhur rreth 100 milionë euro përmes tarifës që ka vendosur kompania koncesionare nga pullat fiskale, por nuk kemi asnjë analizë se sa është ulur evazioni në fushën e kontrabandës së mallrave me akcizë dhe sa është rritur akciza nga ky koncesion. Ajo që dihet është se qytetarët shqiptarë kanë paguar mallra më të shtrenjtë dhe buxheti i shtetit ka marrë tarifa normale, njëlloj si në kohën kur e kishte shteti dhe fitimi ka shkuar për kompaninë private, rreth 7.4 milionë euro.

    Kompania e mori këtë kontratë pa garë në kohën e qeverisë Berisha. Kompania është e regjistruar në Zvicër, ku ka juridiksion që ofron anonimatin e pronarëve.

    Me detyrimin për të deklaruar pronarët përfitues janë dy shtetas zvicerianë si përfitues fundorë të kompanisë SICPA. Por duhet të jetë një biznesmen shqiptar, por nuk e kemi të dokumentuar. Qeveria e PS mori angazhimin për të zhbërë 4 koncesionet, por sot ato janë shtyrë në vite dhe janë rritur të ardhurat, kontrata për pullat në 2023 mbaroi por u shty edhe një vit, dhe më pas u mor vendimi që do t’i kthehej shtetit. Tashmë do t’i bëjë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.

    Tani me një VKM kanë gjetur një kompani në Emiratet e bashkuara Arabe që i ka 51 për qind dhe 49 për qind i ka SICPA që bazën e ka sërish në Zvicër dhe aty del një shqiptar.

    Çmimi mesatar në BE ka qenë 3 euro për 1000 pulla fiskale, në Shqipëri ka qenë 22-23 euro në varësi të produktit, pra 10 herë më shumë. Qeveria vendosi të ulë çmimin me 5 euro por sërish, por tani jemi 8 herë më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së. Këto para për mallrat e akcizës i paguajnë qytetarët shqiptarë. Tani po t’i kishte Shtypshkronja e Letrave me Vlerë këto para do t’i merrte shteti, por ajo thotë pse t’i marr unë, por po i ndaj me këtë kompaninë private përgjysmë”– tha Xama

  • Bizneset kundër çmimeve të reja, shoqatat: Tarifat e pullave fiskale nuk justifikojnë kostot e prodhimit

    Bizneset kundër çmimeve të reja, shoqatat: Tarifat e pullave fiskale nuk justifikojnë kostot e prodhimit

    Çmimet e reja të pullave fiskale, 25% më të ulëta, po kundërshtohen nga bizneset e vogla, por edhe ato të mëdha në vendin tonë.

    Një efekt që nuk ndihet në buxhetin e një sipërmarrje në vend, e konsiderojnë bizneset çmimet e vendosura.
    Në një intervistë për Top Channel, presidenti i Shoqatës së Biznesit të Madh, Luan Bregasi, analizon situatën reale të tarifave të reja të pullave fiskale.
    “Pavarësisht se ulja është gati 25%, duke pasur parasysh se nga koncesionari trashëguam një taksë të lartë prej 28 euro për 1 mijë copë, bashkë me TVSH-në, kjo ulje është e vogël dhe nuk është e ndjeshme për këto kompani. Është konsideruar si koncesioni më korruptiv i kohës, dhe ne vuajtëm 12 vjet peshën e rëndë të këtij korrupsioni, dhe disa ndërmarrje, për shkak të mungesës së konkurrencës dhe mosadministrimit të mirë të kësaj politike fiskale në ato vite, falimentuan”, thotë ai
    Kalimi nga koncesionari SICPA Security Solutions Albania pas përfundimit të kontratës 12-vjeçare, tek shoqëria shqiptaro-amerikane Alb Trace Co, solli çmime të reja, që variojnë nga 15.65 euro deri në 25.05 euro. Por ato ende mbeten më të larta se ato në rajon dhe Evropë, duke bërë që Shqipëria të qëndrojë në majë të piramidës së çmimeve.
    Aktualisht, tarifa në Kosovë është 2.2 dollarë për 1 mijë copë, në Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë është 3.2 dollarë, në Evropë është 3 dollarë, ndërsa në Serbi, Turqi dhe Mal të Zi janë respektivisht 5.2, 5.6 dhe 6.6 dollarë. (grafik)
    “Europa i ka çmimet gati të papërfillshme, pasi ndjekin politika të tjera, ndërsa vendet e rajonit kanë çmime aktualisht 10 herë më të larta, ndërsa me këtë ulje që u bë, janë 7 herë më shumë.”
    Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë rendisin faktorët që i mbajnë këto çmime ende të larta.
    As argumentimi se teknologjia e përdorur për prodhimin e pullave fiskale është e veçantë, nuk i justifikon çmimet e larta sipas ekspertit Elvin Meka.
    Në një situatë të tillë, ku çmimet ende janë të larta, bizneset kërkojnë një ulje të tyre, por edhe një ndryshim të mënyrës së pagimit të tarifës, pasi vendimi i detyron që t’i blejnë këto pulla para se ta nxjerrin produktin në treg.
    “Po e shfrytëzoj rastin të kërkoj që, megjithëse është bërë një ulje prej 25%, të lehtësohet mënyra e pagimit, të paktën.”
    Gjatë 12 viteve të koncesionit të SICPA-s (2012–2023), kompania përfitoi mbi 110.5 milionë euro, ndërsa në harkun kohor 2012–2021, llogaritet që bizneset shqiptare kanë paguar rreth 60 milionë euro më shumë për këtë shërbim sesa do të kishin paguar në kushte tregu të lirë dhe me tarifa të harmonizuara me rajonin. Në të njëjtën periudhë, përfitimi i shtetit shqiptar ka qenë minimal, rreth 1.2 milionë euro në total.

    Top Channel

  • “Ulim akcizën dhe çmimin e pullave fiskale për birrën” Berisha: Të nxisim prodhimin vendas

    “Ulim akcizën dhe çmimin e pullave fiskale për birrën” Berisha: Të nxisim prodhimin vendas

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar sot detaje të reja lidhur me programin e PD-së për nxitjen e prodhimit vendas.
    Ai theksoi se, në konsultat e zhvilluara, akciza për birrën do të ketë dy fasho: 600 lekë për hektolitër për prodhuesit mbi 200 mijë hektolitra në vit, dhe 300 lekë/ hektolitri për ata që prodhojnë më pak se 200 mijë hektolitra në vit, duke respektuar gjithashtu standardet e Bashkimit Europian.
    Gjithashtu, Berisha njoftoi se çmimi i pullave fiskale do të ulet ndjeshëm: nga 17 euro për 1 mijë pulla, do të shkojë në 3 euro për 1 mijë pulla.
    “Në konsultat tona, akciza për birrën do jetë me dy fasho. 600 lekë hektolitri për prodhuesit mbi 200 mijë hektolitra në vit. Dhe duke respektuar standardin e BE, 300 lekë hektolitri për prodhuesit nën 200 mijë hektolitra në vit. Çmimi i pullave fiskale nga 17 euro për 1 mijë pulla do ulet në 3 euro për 1 mijë pulla. Çmimi i pullave fiskale për verën do ulet nga 25 euro për 1 mijë pulla në 3 euro për 1 mijë pulla. Për verën, do të unifikohet akciza e lidhur me gradacionin e alkoolit. Akciza do të lidhet me prodhues të mëdhenj dhe të vegjël.
    Ajo që kanë vendosur këta mbi 12.5 përqind është një absurditet me brirë. Ne do nxisim prodhimin vendas. Natyrisht respektojmë rregullat e BE. Edhe njëherë, në qoftë se në nga aktet e para, hedhim në Lanë Ballkanin e Hapur, ne u qëndrojmë besnikë detyrimeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit dhe procesi i integrimit në BE, pasi ato janë të studiuara. P.sh BE pranon diferenca në akciza midis prodhuesve të mëdhenj dhe të vegjël dhe kjo është e bazuar në kostot që ka prodhuesi i madh me prodhuesin e vogël, por brenda një diapazoni të caktuar, pra nuk mund të jetë më shumë se 50 përqind diferenca.
    Por, siç e shihni, ne arrijmë të nxisim prodhimin në këtë mënyrë. Shpërblimet e dhëna me dëshirë dhe pa shtrëngesë nga klientët në njësitë që ofrojnë ushqime dhe pije janë të ardhura të përjashtuara nga tatimi si për kompaninë ofruese të shërbimit edhe për të punësuarit si kamarierë që përfitojnë prej tyre. Pra, ai që në botë quhet tip, në Shqipëri e quajnë bakshish, nuk tatohet. E kam theksuar edhe herën tjetër, energjia elektrike për biznesin nga 18-24 orë që është sot, do shitet në 6 lekë. Zbret pra 3-4 herë. Taksa e shitjes së pronës ulet nga 15 përqind në 2 përqind.
    Taksa Rama e karburantit hiqet dhe në të gjitha pikat e shitjes së karburantit nuk mund të shitet karburant me ndryshim çmim plus/minus 10 përqind me pompat e vendeve fqinje. Bimët medicinave marrin një mbështetje preferenciale të fuqishme krahas ullirit dhe arrorëve dhe bimëve aromatike. Ato janë dhe duhet të jenë një burim i fuqishëm i të ardhurave të zonave ku ato rriten dhe nuk ka një vend tjetër të ketë biodiversitetin e Shqipërisë. Do ofrohen lehtësira logjistike dhe të llojeve të tjera. Linja kredi dhe nxitje e fuqishme e barabartë me ullirin dhe arrorët, të cilët ngelen përparësi të pandryshueshme dhe të suksesit tonë”, u shpreh ai.

  • Ulen çmimet e pullave fiskale! Deri në 25% për mallrat e akcizës, do të prodhohen nga shoqëria shqiptaro-arabe

    Ulen çmimet e pullave fiskale! Deri në 25% për mallrat e akcizës, do të prodhohen nga shoqëria shqiptaro-arabe

    Pas përfundimit të kontratës koncesionare që ofronte shërbimin e pullave fiskale prej vitit 2012, qeveria tashmë ka miratuar çmimet e reja të pullave me ulje çmimi deri në 25%. Sipas një vendimi të publikuar në Fletoren Zyrtare bizneset shqiptare do të paguajnë më pak për pullat fiskale të mallrave të akcizës.

    Ndalur tek duhani, 15.65 euro do të paguajnë bizneset për 1 mijë pulla fiskale ndërkohë që deri vjet paguanin 20 euro për 1 mijë copë.
    Çmimi do të ulet edhe për produktet e alkoolit, nga 32 euro për 1 mijë pulla, në 25.05 euro. Ndërsa bazuar në vendimin edhe për produktet e birrës, pullat do të kushtojnë më pak nga 22 euro në 17.22 euro për 1 mijë copë, ndërsa për verën kostoja do të jetë 25.04 euro.

    Vendimi përcakton edhe elementet e sigurisë për gjurmimin e pullave fiskale përfshirë sfondet e sigurta, tekst të imët dhe efekte me ndryshim ngjyre. Çdo pullë fiskale përmban një identifikues të sigurt dhe të koduar për sistemin e gjurmimit, kanë kode të dukshme e të padukshme gjithashtu ato janë rezistente ndaj ndërhyrjeve nga sfondi dhe të verifikueshme nga konsumatorët.
    Kjo ulje e çmimit të pulave fiskale ishte premtuar nga qeveria që në verën e vitit të kaluar kur u njoftua se nuk do të kishte rinovim të kontratës koncensionare, që funksiononte që prej viti 2012.
    Tashmë ato do të prodhohen, shpërndahen dhe monitorohen nga një shoqëri shqiptaro-arabe e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. E cila do të funksionojë nën administrimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë.
    Pullat e reja praktikisht nisin shpërndarjen nga muaji i ardhshëm teksa deri në 31 mars bizneset do të përdorin pullat e prodhuara nga kompania koncesionare.
    TARIFAT E PULLAVE FISKALE
    Duhani    15.65 Euro
    Vera          25.04 Euro
    Birrë          17.22 Euro
    Alkooli       25.05 Euro
     
     
     
     
     

    Top Channel

  • Tarifa më të ulëta për pullat fiskale, rënie deri në 25% për produktet e akcizës

    Tarifa më të ulëta për pullat fiskale, rënie deri në 25% për produktet e akcizës

    Ulen deri në 25% çmimet e pullave fiskale për mallrat e akcizës. Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi “Për përcaktimin e elementeve të sigurisë dhe çmimit të pullave fiskale” që hyn menjëherë në fuqi.
    Sipas vendimit çmimi i pullës fiskale për birrat do të jetë 17.22 euro për 1 mijë copë nga 22 euro për 1 mijë copë që bizneset i paguanin kompanisë koncensionare “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k. Ulja e tarifës është 20%

    Për produktet e tjera të mallrave të akcizës, si duhan çmimi do të jetë 15.65 euro për një mijë copë nga 21 euro për 1 mijë copë që paguhej. Ulja është 25%.
    Për alkoolin tarifa e pullës fiskale do të jetë 25.05 euro për një mijë copë nga 32 euro që paguhej më parë. Ulja 16.5%. Për verën tarifa për 1 mijë pulla fiskale do të jetë 25.04 euro
    Vendimi përcakton edhe elementet e sigurisë për gjurmimin e pullave fiskale përfshirë sfondet e sigurta me modele Guilloche, tekst të imët dhe efekte me ndryshim ngjyre.
    Për karakteristikat e sigurisë digjitale do të përfshihen elementë si: a) identifikuesi unik: çdo pullë fiskale përmban një identifikues shumë të sigurt dhe të koduar për sistemin e gjurmimit; b) Kodet 2D: përfshijnë kode 2D të dukshme dhe të padukshme, të cilat përdoren për monitorimin e lëvizjes së produkteve dhe sigurimin e integritetit. C) Kode të sigurta për industrinë e pijeve të ftohta: Alternativë ndaj pullave të sigurisë: kod unik 2D, i printuar gjatë procesit të prodhimit; b) Karakteristika të tjera: rezistente ndaj ndërhyrjeve nga sfondi dhe të verifikueshme nga konsumatorët dhe autoritetet përkatëse.
    Prodhimi i pullave të reja fiskale
    Deri më dhjetor 2024 prodhimi i pullave fiskale është kryer nga shoqëria koncesionare sipas kontratës së koncesionit “Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave” të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave, si Autoritet Kontraktues dhe shoqërive “SICPA Security Solutions S.A” dhe “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k” të miratuar me ligjin nr. 10381, datë 24.02.2011, i ndryshuar me ligjin nr. 17, datë 16.02.2023.
    Pas shtyrjes së kohëzgjatjes së kontratës edhe për 2 vite në 2022, tarifat u ulën 10%.
    Sakaq pas përfundimit të kontratës koncesionare, në fillim të 2025-s bizneset e mallrave të akcizës ngritën shqetësimin për mungesën e prodhimit të pullave të reja. Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaroi se prodhimi i tyre do të mundësohet nga një shoqëri e ri që do të zbatojë teknologjinë moderne të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Prodhimi i ri niste nga muaji mars.
    “Në zbatim edhe të ligjit nr. 145/2020 “Për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Bashkëpunimin Ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, një nga iniciativat më të rëndësishme të ndërmarra nga Ministria e Financave, është se po punohet për krijimin e një shoqërie të re, që do të funksionojë nën administrimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë (SHLV), me qëllim fuqizimin e kapaciteteve të saj në menaxhimin e proceseve të prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale.
    Kjo shoqëri do të zbatojë teknologji moderne dhe procese të avancuara, me mbështetjen edhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e besueshmërisë ndaj sistemit të pullave fiskale.
    Shoqëria e re do të fillojë veprimtarinë gjatë muajit Mars 2025, duke siguruar një sistem të sigurt, si dhe një cilësi të lartë në procesin e prodhimit e kontrollit të pullave fiskale”, thuhej në njoftim.
    Po ashtu shumë prej bizneseve kanë parablerë pulla fiskale deri më 31 mars.
    Ministria e Financave sqaron se periudha tranzitore nga përfundimi i kontratës së Koncesionit, deri në fillimin e prodhimit të pullave fiskale nga shoqëria, mbulohet nga neni 109, pika 9, e ligjit “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, që ka parashikuar të drejtën e përdorimit të pullave të porositura, deri me datë 31 mars 2025/Monitor