Tag: prurjet

  • Reshje me intensitet të lartë në Berat, prurjet e mëdha të lumit Osum rrezikojnë përmbytjen e tokave bujqësore

    Reshje me intensitet të lartë në Berat, prurjet e mëdha të lumit Osum rrezikojnë përmbytjen e tokave bujqësore

    Që prej mesnatës së mbrëmshme, reshjet e shumta të shiut kanë vijuar dhe në qarkun e Beratit. Sipas njoftimit zyrtar nga Prefektura e Qarkut Berat, reshjet kanë qenë të dendura dhe me intensitet të lartë, veçanërisht në zonat malore.

    Përgjatë aksit rrugor Poliçan–Skrapar prej mëngjesit të sotëm qarkullimi I mjeteve po kryhet me vështirësi pasi në një pjesë të këtij aksi rrugor ka pasur rrëshqitje dheu duke sjellë bllokim të pjesshëm të qarkullimit, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat e emergjencës dhe mjetet e punës për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e lëvizjes së automjeteve.
    Situata mbetet kritike edhe në zonën e fshatit Moravë, ku prurjet e mëdha në lumin Osum kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit, duke rrezikuar përmbytjen e tokave bujqësore. Banorët janë shprehur të shqetësuar, pasi ndodhen çdo vit në të njëjtën situatë, gjithashtu dhe në qendër të qytetit ka arritur në pikën e tij maksimale ndërsa Emergjencat Civile dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile janë vënë në gatishmëri, me patrulla në terren që monitorojnë rrëshqitjet e dherave, nivelin e ujit në lumenj dhe gjendjen e rrugëve rurale, shumë prej të cilave kanë pësuar dëmtime të pjesshme ose janë bërë të pakalueshme për mjetet e tonazhit të rëndë.
    Autoritetet bëjnë apel për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugët rurale dhe malore, veçanërisht në orët e natës, dhe kërkojnë që drejtuesit e mjeteve të shmangin segmentet me rrëshqitje ose ku ka rrezik për shembje. Ndërkohë, pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në orët në vijim, çka ka shtuar gatishmërinë e strukturave vendore për të përballuar çdo emergjencë të mundshme.

    Top Channel

  • Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati në Novoselë, autoritetet apel për t’u evakuuar

    Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati në Novoselë, autoritetet apel për t’u evakuuar

    Reshjet që kanë përfshirë jugun e vendit po japin efektin e tyre edhe në prurjet e lumit Vjosa, i cili është ndër lumenjtë më të rrezikshëm sa i takon përmbytjeve që shkakton kur del nga shtrati.
    Gjatë një inspektimi pranë urës së Mifolit, kryetari i Bashkisë së Fierit deklaroi se prurjet po rriten nga ora në orë ndërsa u ka bërë thirrje banorëve pranë rrjedhës së lumit që të marrin masa për evakuime.
    Sakaq, Emergjencat Civile të Bashkisë së Fierit po monitorojnë nga afër situatën me prurjet e lumit Vjosë, ndërsa konfirmohet se deri më tani edhe hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë.

  • Alarm në Fier, rriten prurjet e lumit Vjosa, rrezikohen nga përmbytja disa fshatra

    Alarm në Fier, rriten prurjet e lumit Vjosa, rrezikohen nga përmbytja disa fshatra

    Prurjet e lumit Vjosë po rriten me shpejtësi dhe rrezikojnë të sjellin përmbytje në disa fshatra të bashkisë Fier me shtrirje gjatë rrjedhës së lumit.

    Në një prononcim për mediat kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi ka pohuar se niveli i prurjeve në Memaliaj është në kuotën e 6 metrave, dhe ndërsa po shtohen , nga përvoja e viteve të mëparshme, teksa i afrohen kuotës 6.5 metra, fillon dhe shfaqet rreziku për zonën tonë, teksa ka theksuar  se të gjitha këto zona të rrezikuara po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme. Përballë kësaj situate , Subashi  u ka bërë apel banorëve të fillojnë evakuimin  fillimisht të bagëtive në stanet e ndërtuara pranë lumit.
    Emergjencat pranë bashkisë Fier janë pozicionuar në terren pranë Urës së Mifolit me qëllim për të ndërhyrë në kohë në rast të daljes nga shtrati të lumit.
    Ndërkohë hidrovorët janë duke punuar me kapacitet të plotë ndërsa nuk ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike

    Top Channel

  • Fierza, drejt “pikës së vdekjes”,  KESH detyrohet të importojë energji

    Fierza, drejt “pikës së vdekjes”, KESH detyrohet të importojë energji

    Në hidrocentralin e Fierzës, aktualisht është në punë vetëm një nga katër agregatët. Vendimi lidhet me ruajtjen e rezervës hidrike në kaskadën e Drinit, pasi niveli i ujit në liqenin më të madh artificial të vendit po i afrohet “pikës së vdekjes”, e cila llogaritet në 242 metra mbi nivelin e detit.
    Prurjet nga dy degët kryesore, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, janë minimale, jo më shumë se 30 metra kub ujë në sekondë. Ndërkohë, niveli i ujit në basenin e Fierzës ka zbritur në kuotën 264.93 metra, nga 296.5 metra që është kuota maksimale, duke reflektuar një situatë të vështirë hidrike.
    Thatësira e tejzgjatur ka ulur ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë. Liqeni po tërhiqet përditë rreth digës, ndërsa prurjet e ulëta të lumenjve, të kombinuara me rritjen e kërkesës për konsum, e kanë vënë në vështirësi kaskadën e Drinit, e cila në këtë periudhë shënon rënie të prodhimit deri në nisjen e shirave.
    Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po alternon prodhimin me hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, ndërsa për të plotësuar nevojat, është detyruar të importojë energji. Vetëm për periudhën 15–21 shtator, KESH ka blerë 72.236 megavat-orë, me qëllim mbulimin e kërkesës së shtuar dhe kompensimin e prodhimit të munguar për shkak të thatësirës.
    Niveli: 264.93 m
    Prurjet mesatare: 30 m³/s
    Agregat në pune 1.

  • Ulet niveli në liqenin e Fierzës, mungesa e reshjeve dhe temperaturat ndikojnë në prurjet e lumenjve

    Ulet niveli në liqenin e Fierzës, mungesa e reshjeve dhe temperaturat ndikojnë në prurjet e lumenjve

    Aktualisht, niveli i ujit në Liqenin e Fierzës ka rënë në 279 metra mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet e ujit janë rreth 50m3/sec.
    Kjo rënie vjen si pasojë e mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta që shpeshherë tejkalojnë 30°C. Rënia e nivelit të ujit është me disa metra krahasuar me periudhat normale të vitit.
    Gjendja është e pranishme edhe në lumenjtë që furnizojnë këtë liqen, ku prurjet janë ndjeshëm më të ulëta se mesatarja sezonale. Sipas parashikimeve, muajt në vijim do të shënojnë temperatura të larta, gjë që pritet të thellojë më tej rënien e nivelit të ujit në rezervuar.
    Kjo situatë rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në sistemin energjetik të vendit, duke rritur nevojën për import të energjisë elektrike, një kosto që nuk mund të shmanget në kushtet aktuale hidrike.
    Pas një ndërhyrjeje të mëparshme me anije teknologjike për pastrimin e sipërfaqes së liqenit, si dhe përpjekjeve të grupeve vullnetare dhe institucioneve për pastrimin e mbetjeve, ndotja nuk është më.

  • Ndryshimet klimatike, Komiteti i Digave i kërkon KESH studim për Kaskadën e Drinit

    Ndryshimet klimatike, Komiteti i Digave i kërkon KESH studim për Kaskadën e Drinit

    Ndryshimet klimatike të cilat janë bërë më evidente në formën me të cilën manifestohen si në valët e të nxehtit ashtu edhe në volumin e reshjeve kanë nxitur studime dhe analiza mbi efekte që këto zhvillime mund të kenë në sektorë të ndryshëm.Konkretisht lidhur me energjinë Komiteti Kombëtar Digave të Mëdha i ka kërkuar Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare që të kryejë analizë apo studim mbi kaskadën e Drinit duke reflektuar mbi disa të dhëna të saj.Në një vendim të prillit KKDM nënvizon se me gjithë kërkesat zyrtare të këtij të fundit, nuk është paraqitur një analizë dhe studim në lidhje me nivelet dhe prurjet e ujit në kaskadë gjatë 5 viteve të fundit duke i krahasuar me të dhënat e projektit dhe me nivelet dhe prurjet që mund të ndodhin një herë në 100 vjet, 1000 vjet dhe PMF.“Kjo kërkesë është e nevojshme në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe kërkesave të eksperteve të huaj dhe vendas të shprehura në studimet e viteve të fundit për rritjen e kapaciteteve shkarkuese në digat e HEC Koman dhe HEC Fierzë, rezultateve të matjeve batimetrike në të 3 rezervuaret e kaskadës si dhe të përditësimit të rregullores së shfrytëzimit dhe menaxhimit të prurjeve dhe shkarkimeve në kaskadën e lumit Drin”, thuhet në vendim.Një tjetër pikë me rëndësi që sjell në vëmendje Komiteti është ajo që gjatë inspektimeve në terren janë vërejtur se në digën e HEС Koman është dëmtuar sistemi i grumbullimit dhe monitorimit të filtrimeve tek dhëmbi në anën e poshtme të digës si dhe sistemi i shkarkimit fundor në digën e Qyrsaqit.Lidhur me këtë parashtrim Komiteti ka vendosur që t’i kërkoj KESH përgatitjen dhe dorëzimin pranë KKDM të një Raporti teknik në lidhje me analizën dhe studimin e kërkuar për nivelet dhe prurjet e ujit në kaskadë gjatë 5 viteve të fundit duke i krahasuar dhe analizuar me të dhënat e projektit origjinal, të dhënat e matjeve batimetrike të rezervuareve si dhe me nivelet dhe prurjet që parashikohet të ndodhin një herë në 100 vjet, një herë në 1000 vet dhe ne rastin e PMF.“Kjo analizë duhet të marrë në konsideratë edhe rezultatet e studimeve të mëparshme nga ekspertet e huaj dhe vendas. Në raport duhet të jepet edhe informacioni në lidhje me masat e parashikuara nga KESH në lidhje me rritjen e kapaciteteve shkarkuese të digave në HEC Koman dhe HEC Fierzë sipas kërkesave të eksperteve. Ky Raport duhet të dorëzohet pranë KKDM brenda muajit Qershor 2025”, thuhet në vendim. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.