Për herë të parë kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha ka artikuluar dje publikisht një përplasje të brendshme në selinë blu që reflekton krizën e besimit edhe brenda të tijve. Kryedemokrati Berisha për herë të parë ka pranuar se Belind Këlliçi u ndihmua nga zv/kryeministrja Belinda Balluku në protestat kundër Erion Veliajt para Bashkisë së Tiranës. Deklarata e Berishës u bë nga selia blu, ku zv/kryeministren Balluku të pandehur për tunelin e Llogarasë, e quajti si hajduten më të madhe në histori, por thotë se ndaj saj nuk do të bëjë protesta dhe flet për një luftë tjetër të brendshme, këtë radhë në kampin rozë.
Por, teksa komentonte Ballukun, Berishës i shpëtoi edhe kjo akuzë që fundos Këlliçin, duke thënë se zv/kryeministrja i përleu protestat e demokratëve duke sjellë njerëz nga zyra e saj kundër Veliajt. “U bënë protestat kundër Veliajt, Belinda çonte njerëz nga zyrat e veta për të përlyer protestat. Po të shkojmë ne tek kjo për protestë, Elisa Spiropali nxjerr jashtë gjysmën e ministrisë së jashtme. Jo, nuk na duhet ne kjo. Nuk do nxjerrë kush gështenjat me duart tona. Ne do e kapim djallin për brirësh, të parin Edi Ramën. Nëse Rama do të bëjë përgjegjësen kryesore Belindën, ai gënjen veten.
Këtij do t’i kërkohet dorëheqja, por nuk e japin kurrë. Dy vetë nuk japin dorëheqje, ky dhe Altin Dumani, po atij i përfundon afati. Se dhe ai është vegël e këtij”, deklaroi dje Berisha duke folur në një konferencë për mediat nga selia blu. Këtë Berisha e shprehu për herë të parë, pa i dhënë shumë zë, nëse ai ishte në dijeni që gjatë zhvillimit të protestave, se kjo po ndodhte, apo e mësoi në përfundim të tyre nëse deputeti i tij dhe drejtuesi politik i Tiranës ka vepruar pas krahëve.
Berisha i thotë STOP Këlliçit
Por Partia Demokratike nuk do të organizojë protesta kundër zv/kryeministres Balluku. Kjo është porosia e prerë e Berishës në Kryesinë e PD. Burime për gazetën “SOT” nga mbledhje e kësaj të marte e Kryesisë së PD, bëjnë të ditur se Berisha ka porositur krerët e PD që të mos denoncojnë Ballukun në publik pasi ajo është marrë e pandehur nga SPAK, por Ramën sepse sipas tij, ai është autori i vërtetë i aferave që akuzohet zv/kryeministrja. Qëndrimin e tij në Kryesi, kreu i PD e bëri edhe dje në konferencën për shtyp kur tha se përgjegjësi i të gjitha skandaleve është Kryeministri.
Qëndrimi i artikuluar dje nga Berisha vjen në fakt pas mbledhjes së djeshme të kryesisë së PD-së, ku është diskutuar edhe strategjia që do të ndjekë opozita, tani që ka një akuzë për numrin dy të qeverisë. Burimet i thanë gazetës se deputeti i Tiranës, Belind Këlliçi ka propozuar në mbledhjen me dyer të mbyllura nisjen e protestave të përditshme ose të përjavshme përpara Ministrisë së Infrastrukturës, njësoj siç vepruan me protestat para Bashkisë së Tiranës kundër Veliajt. Mirëpo propozimi i tij ka hasur në kundërshtimin e vetë Berishës, i cili ka kërkuar që aksioni publik dhe politik të përqendrohet kundër kryeministrit Rama dhe jo zv/kryeministres Balluku.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se protestat 44 javore të nisura në fillim të 2024-ës, zgjatën deri në shkurt 2025, kohë kur nuk vonoi dhe erdhi arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. Akuzat që protestat e Këlliçit para bashkisë janë financuar nga Balluku janë artikuluar edhe herë të tjera, madje edhe nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj në intervistat dhënë tek televizioni i familjes Berisha. “Po mor po: Pirro Vëngu, ministri i brendshëm, ministri i financave…përfshirë edhe vetën ajo. Kjo ka emëruar edhe drejtorë policie, por le ta lemë të pastrohet ajri. Ajo është pushtet qorr në dorë të korrupsionit dhe krimit. T’ua themi shqiptarëve, po të marrim sektorët e plaçkitëses. Kur fillon e flet dhe më vjen për të qesh, kur flet për ujin për shembull, ka patur një ushtar kjo, dhe jo vetëm, që e vuri drejtor tatimesh, e fillimisht drejtor te mbetjesh ujit, qe një shkelje e ligjit për pushtetin lokal…cila qe arsyeja, për të mbledhur tenderat o të nderuar qytetar.
Nuk ka rëndësi çfarë kam thënë apo X – Y në atë mbledhje. Sot rezultati i ujësjellsave është, borxhi 100-milionë euro, çmimi vazhdon rritet. Doni energjinë? Ditë e zezë shkëmbimi energjisë ditë e zezë, sistemi agregatet e Vlorës vetëm hanë. Merr portet, skandal, e shikoni ç’po ndodh me Portin e Durrësit, skandal. 5B. Merrni rrugët, trefishuar çmimet e rrugëve. Pra, kur ky del dhe thotë që s’ju kam menduar, ky tallet me shqiptarët, dhe e din ipse, sepse ky mendon se i ka ecur. Dhe i ka ecur. Po sistemi i 5D dhe 5B është i njohur shumë mirë nga ai. Dhe në 2021 ka funksionuar në bashkinë e Tiranës si një njësi që do merrte më shumë vota nga e djathta, e kam kundërshtuar, dhe shikoni votat që kemi marrë, votat që kemi marrë janë votat e socialistëve.
Nuk ka artifice në zgjedhje. Që do marrësh votat e të djathtës përmes një artifice 5D dhe ia hedhin fajin atyre djemve që janë në burg. Jo mo janë në burg. 5D është një sistem korruptiv, 5B është një sistem kryekorruptiv. E di ti që këta të dy, po sidomos plaçkitësja ka paguar njerëz në protestat kundër Erjonit, kanë unitet këta tani, tani që ika unë uniteti është shumë i forcuar aty. Po, pooo. Njerëz të saj kanë paguar njerëz për të shkuar në protestë. Ore shiko se kur të mbarosh këtë intervistën do ulesh me njerëz, kolegë të tu gazetar dhe do thonë, po ne i dimë këto o burrë, ca tha… thojini pra”, është shprehu Ahmetaj disa muaj më parë.