Përmbytjet pas çarjes së argjinaturës së lumit Bistricë në fshatin Çukë kanë sjellë dëme të shumta materiale dhe në bagëti. Mësohet se më shumë se 500 krerë bagëti janë mbytur, ndërsa qindra tonë misër dhe produkte të tjera bujqësore janë dëmtuar brenda magazinave.
Ndërkohë probleme nga përmbytjet ka edhe në Konispol në fushat e Çiflikut, Shkallës, Musit, Xarrës dhe Vrinit të cilat janë nën ujë. Dalja nga shtrati e lumit Pavëll ka përmbytur sipërfaqe të gjera toke dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme tek fermerët.
Reshjet në juglindje, dëmtohet fabrika e përpunimit të kërmillit në Maliq
Situatë e pazakontë reshjesh dhe stuhie kanë qenë orët e para të mëngjesit të kësaj të premte në juglindje të vendit.
Në Maliq, fabrika e përpunimit të kërmillit është përmbytur, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike
Kristo Zguri, pronari i kësaj kompanie tregon se vlera e dëmit shkon deri në 500 milionë lekë të vjetra.
Qindra hektarë tokë bujqësore në Maliq janë nën ujë ndërsa probleme serioze ka patur në fshatrat Sovjan, Zvirinë e Drithas ku uji ka depërtuar brenda disa banesave.
Përmbytet ferma në Maliq, pronari: Më janë mbytur 700 pula, dua dëmshpërblim
Mbi 700 pula kanë ngordhur këtë të premte në fermën e Pirg të Bashkisë Maliq, si pasojë e vërshimit të ujit.
Në një prononcim për Euronews Albania, pronari i fermës, Artan Zhiva, ka deklaruar se si përmbytjet dhe vërshimi i ujit brenda fermës së tij, çuan në ngordhjen e 700 zogjëve dhe pulave.
“Vërshimi i ujit shkaktoi dëme të mëdha për shkak të një kanali pranë fermës, i cili nuk është pastruar prej tre vitesh. Për pasojë, zogjtë dhe pulat nuk kanë mundur të shpëtojnë nga uji”, është shprehur ai.
Pronari i fermës gjithashtu vlerëson dëmin ekonomik, ku sipas tij i kalon 10 milionë lekë, dhe kërkon nga shteti që të ndërmerren masat për dëmshpërblim, pasi kjo situatë nuk ka ardhur si pasojë e një fatkeqësie natyrore, por për shkak të neglizhencës së bashkisë për pastrimin e kanalit.
Ndërkohë, banorët e zonës thonë se në rrugë ndodhet i parkuar edhe një mjet fadromë, i cili nuk punon. Ata u shprehen se fadroma ka mungesë nafte dhe prej disa ditësh qëndronte e parkuar në mes të rrugës pa kryer asnjë punë.