Tag: prokurë

  • Ngjarja e rrallë,i vdekuri ‘ngrihet’ prej 6 vjetësh nga varri për të marrë pensionin

    Ngjarja e rrallë,i vdekuri ‘ngrihet’ prej 6 vjetësh nga varri për të marrë pensionin

    Emisioni “Stop” në Tv Klan i drejtohet Maminasit për rastin e Flora Hidrit e cila tregon se në vitin 2019 bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë. I vëllai i Florës shpjegon se 6 vjet pas kësaj humbjeje të kunatit, Hamdi Hidrit, konstatoi se i ndjeri nuk ishte çregjistruar.
    Mendohej që kjo procedurë ishte bërë nga nipi i Hamdiut, Fatmir Lika, i cili ndoqi të gjithë procesin e varrimit dhe pensioni i të ndjerit, rreth 20 milionë lekë të vjetra, është tërhequr. Kjo gjë u konstatua, e veja kërkoi të bënte procedurën për pension familjar.

    “Stop” shkon në postën numër 22 në Tiranë, ku është bërë tërheqja e pensionit, por përgjegjësja e zyrës refuzoi të jepte informacion duke thënë se pensioni ishte tërhequr me prokurë të rregullt.

    Gazetarja: Hamdi Qamil Hidri!
    Përgjegjësja e zyrës, Posta 22: Po!
    Gazetarja: Është marrë pensioni deri në maj 2025. I fundit, kush e ka tërhequr?
    Përgjegjësja e zyrës, Posta 22: Personi që është i autorizuar me prokurë.
    Gazetarja: Kush është i autorizuar me Prokurë?
    Përgjegjësja e zyrës, Posta 22: Një person që është i autorizuar me prokurë.
    Gazetarja: Hamdi Qamil Hidri ka vdekur që në 2019?
    Përgjegjësja e zyrës, Posta 22: Po!
    Gazetarja: Ju lutem, kush është personi që ka tërhequr pensionin?
    Përgjegjësja e zyrës, Posta 22: Është bërë një prokurë nga persona kompetentë në noteri.
    Gazetarja: Kemi të bëjmë me një vepër penale. Kush është personi që i ka tërhequr lekët? Më duhet të gjej personin që ka tërhequr lekët!
    Përgjegjësja e zyrës, Posta 22: S’jam e autorizuar të të jap ty asnjë lloj informacioni.
    Gazetarja: Zonjë, ju keni dhënë pensionin me atë prokurë, unë dua të di kush është shkelësi.
    Përgjegjësja e zyrës, Posta 22: Personi që ka ardhur.
    Gazetarja: Po kush është pra? Kush e merr?
    Përgjegjësja e zyrës, Posta 22: Te zyra jonë, jo te sporteli, po ç’rëndësi ka? Unë s’jam e autorizuar të nxjerr emra.
    Emisioni investigativ siguron prokurat e paraqitura dhe ua vë përballë notereve që kishin firmosur, por të dyja ato thanë se prokurat ishin të falsifikuara.
    Gazetarja: Kam një prokurë që është bërë këtu në zyrën tuaj në shtator 2023?
    Noterja: Firma nuk është e imja. Ky është një akt i falsifikuar.
    “Stop” bie në gjurmët e 68-vjeçarit Rexhep Zhegu, i cili prej 6 vjetësh tërheq pensionin e të ndjerit Hamdi Hidri. Zhegu tha se e ka marrë pensionin dhe ia ka dhënë nipit të të ndjerit, Fatmir Lika. Të dy përgjegjësit e këtij mashtrimi dhe vjedhjeje, u denoncuan në Krimin Ekonomik dhe u shoqëruan në polici./tvklan.al

  • Berisha kritikon ashpër Irena Gjokën: Është mashtruese ordinere dhe e pacipë, subjekt i ligjit

    Berisha kritikon ashpër Irena Gjokën: Është mashtruese ordinere dhe e pacipë, subjekt i ligjit

    Pas paraqitjes së tij tek Prokurorët e SPAK, në kuadër të masës “detyrim paraqitje”, në një deklaratë për mediat, kreu i PD Sali Berisha, ka lëshuar sërish akuza të rënda ndaj kryetares së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Irena Gjoka,
    Berisha e quajti gjyqtaren “mashtruese ordinere e pacipë” dhe shtoi se ajo duhet të jetë subjekt i ligjit. Ai akuzoi Gjokën se ka mashtruar institucionet shqiptare në disa raste.
    Sipas tij, në formular ajo ka deklaruar se nuk është e dënuar, megjithëse, sipas Berishës, ka të dhëna për të kundërtën.
    Ai përmendi gjithashtu një rast të vitit 2003, ku Gjoka, sipas tij, ka firmosur një prokurë tek noteri duke u paraqitur si bashkëshorte e një shtetasi, ndonëse certifikata e martesës daton tre vite më vonë.

    Berisha shtoi se gjyqtarja ka mashtruar edhe në lidhje me një dëbim të supozuar nga Greqia, duke marrë prokurë për të hequr masat ndaj saj.
    Sali Berisha pasi u paraqit tek Prokurorët e SPAK, për masën detyrim paraqitje: Kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka është një mashtruese ordinere e pacipë, subjekt i ligjit. Ajo i ka thënë motrës së Belinda Ballukut në formular, se nuk është dënuar. Më 2003, kjo gjyqtarja ka firmosur tek noteri, ka firmosur prokurë, duke u paraqitur si bashkëshortja e një shtetasi, ndërsa certifikata e martesës është tre vite më pas. Ajo ka gënjyer shtetin shqiptar për dëbimin nga Greqia. Ka marrë prokurë për të hequr masat. Gjoka është dënuar me burg në Janinë.