Tag: projektit

  • Selman Stërmasi” mes Pirgut, Grykës dhe Kulmit/ Stadiumi përpihet nga kullat

    Selman Stërmasi” mes Pirgut, Grykës dhe Kulmit/ Stadiumi përpihet nga kullat

    Projekti i ri me fokus tek 5 kullat e reja në zemër të Tiranës

    Projekti fitues për ndërhyrjen në zonën përreth stadiumit Selman Stërmasi parashikon ngritjen e 5 kullave përreth tij, që ruajnë në sheshin para stadiumit një hapësirë pedonale.

    Bashkimi i studiove OMA + RH DHV + LOLA Landscape Architects + Albanian Investment Construction sh.p.k + Diagonal Projektim & Zbatim sh.p.k janë shpallur fituese të konkursit që u zhvillua këtë të premte dhe që pritet t’i japë një pamje tjetër një hapësire në zemër të Tiranës, ku një metër katror kushton mbi 2500 euro.Projekti përfshin ndërtime në një hapësirë prej 110 mijë metrash katrorë, për një stadium të kategorisë IV të UEFA-s dhe pesë kulla që do t’i ngrihen rrotull.

    Zona përballë hyrjes kryesore të stadiumit (foto lart) është konceptuar të jetë një hapësirë vetëm për këmbësorë. Pa makina. Qarkullimi i mjeteve do të bëhet në parkingjet e nëndheshme.

    “Do të jetë një shesh pa makina. Makinat vijnë përreth dhe hyjnë nën tokë. I vetmi ‘qarkullim’ aty do të jetë ai i autobuzëve që transporton skuadrat për ndeshjen, që do të parkohen në hyrje të stadiumit dhe pastaj do të parkohen nën tokë” u shpreh prezantuesi i projektit.

    Poshtë sheshit do të ketë një rrjet të gjerë parkimesh nëntokësore, që sipas projektuesve do të ndihmojnë banimin në të gjithë zonën përreth. Dhe kjo është ndoshta pika më pak e zymtë e projektit. Pastaj vijnë kullat…

    The Peak (Kulmi) – 105 metra

    Dielli do të përkëdhelë sheshin përballë stadiumit në mëngjes, por pasdite do të fshihet pas “The Peak” (Kulmi) – një kullë banimi 105 metra e lartë, që do të ndërtohet ngjitur me stadiumin, në cepin e majtë të hyrjes kryesore. Kulla do të afrohet ngjitur me stadiumin dhe do të ndërtohet mbi fushat e basketbollit që janë në këtë zonë.

    “Kulla më e lartë ‘The Peak’ (Kulmi) 105 metër e lartë është një kullë banimi, me pjesën e sipërme dhe të poshtme që vijnë nga më e gjerë duke ndërtuar, ka një lloj harkimi më sipër duke u ngushtuar në krye të saj. Shikoni segmentin si zgjerohet dhe ngushtohet sërish” u shpreh prezantuesi i projektit.

    The Gorge (Gryka) – 80 dhe 50 metra

    Nga ana e Komunës së Parisit, aty ku ndodhet fusha e aneksit të stadiumit, do të ngrihen dy kulla të tjera, që formojnë “The Gorge” (Gryka).

    Kulla në të majtë të fotos do të jetë 80 metra, ndërsa tjetra në anën e djathtë do të jetë 50 metra, me ballkonet që shohin njëri-tjetrin dhe të çojnë lart – drejt… grykës.

    The Cairn (Pirgu)

    Në anën veriore te stadiumit, në drejtim të Lanës, aty ku ndodhet aktualisht bar-restorant Ujvara, do të ndërtohen edhe dy kulla të tjera të quajtura “The Cairn” (Pirgu). Këto dy kulla, që mbështeten tek njëra-tjetra lidhen me stadiumin përmes një tarrace që do të shërbejë si hyrje për personelin apo klientët e hotelit.

    “Pirgu” duket të jetë një vend ekskluziv, një kënd i përkryer për ata që duan të shohin ndeshjen pa u përzier me popullin.

    “The Cairn’ (Pirgu) është kulla e dyfishtë që ka një pjerrtësi, një vend i përsosur për të qenë kur ka ndeshje. Është një vend i projektuar si hotel, ku ka zyra, ka hapësira për konferenca dhe një kopsht për tarracë” tha prezantuesi i projektit.

    Përfundimi?

    Me këtë projekt, “Selman Stërmasi”, i njohur dikur si stadiumi “Dinamo” prodhon mijëra metra katrorë beton, që kur shumëzohen me çmimet e larta të banesave kalon në shifra stratosferike.

    Në këto shifra stratosferike kanë bërë pjesë edhe shtetin që i jep tokën kompanive private të ndërtimit, dhe në këmbim do të marrë disa zyra për institucionet. “Asgjë më pak se 43% të ndërtimit” u tha gjatë prezantimit të projekteve, megjithatë kjo mbetet ende për t’u verifikuar.

    E çuditshme gjatë prezantimit të projektit ishte se detajet për stadiumin e ri ishin fare të pakta. Thuajse të papërfillshme. Gjithçka rrotullohej rreth apartamenteve të banimit në kulla, hoteleve, zyrave dhe parkimeve. Ndoshta ky ishte edhe çelësi i fitores së projektit./Lapsi.al

  • Parlamenti i Malit të Zi ratifikon marrëveshjen, gati nisja e ndërtimit të urës mbi lumin Buna

    Parlamenti i Malit të Zi ratifikon marrëveshjen, gati nisja e ndërtimit të urës mbi lumin Buna

    Parlamenti i Malit të Zi ka ratifikuar së fundmi marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e urës së re mbi lumin Bunë. Marrëveshja për ndërtimin e urës u nënshkrua në Podgoricë më 27 shkurt 2023 nga kryeministrat e dy vendeve, Dritan Abazoviç dhe Edi Rama. Marrëveshja mes dy vendeve është ratifikuar më parë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe më pas botuar në Fletoren Zyrtare në qershor të vitit 2023.
    Objektivi i përgjithshëm i projektit është ndërtimi i Urës që përmirëson lidhjet ndërkufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke krijuar kushte për shfrytëzimin maksimal të potencialeve natyrore dhe kulturore, si dhe forcimin e zhvillimit ekonomik dhe social në rajon. Hartimi i projektit është përgatitur me burimet financiare të palës shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).
    Ura do të jetë e gjatë 380 metra me 3 harqe dhe do të përdoret nga makinat, kalimtarët dhe biçikletat. Kjo urë do të shkurtojë rrugën nga plazhi i madh i Ulqinit deri në Velipojë.
    Projekti pritet të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe sipas marrëveshjes do të bashkëfinancohet në masën 50% nga secili vend, duke përfshirë kostot totale të ndërtimit, mbikëqyrjes së punimeve dhe shërbime të tjera që lidhen me realizimin e projektit.

  • Takimi i projektit “Slow Memory” mbledh studiuesit në Tiranë

    Takimi i projektit “Slow Memory” mbledh studiuesit në Tiranë

    Projekti “Slow Memory” vë në qendër nevojën e rritjes ndërdisiplinore në të kuptuarin se si shoqëritë përballen me të shkuarën e tyre, ndërsa përballen edhe me ndryshimet ekonomike e shoqërore që vijnë nga ngjarje të papritura dhe shndërrime të paimagjinueshme. E ardhmja e paqes, mirëqenies, politikës, punës dhe klimës varen nga mënyra se si i kujtojmë ndryshimet socio-kulturore dhe politike. Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, mikpret për tri ditë rresht grupin qendror të punës të projektit “Slow Memory”, një projekt i rrjetit europian të kërkuesve Cost Action CA20105.
    Në ditën e parë të këtij takimi më 26 mars, dr. Anxhela Çikopano (organizatore e takimit të Tiranës, së bashku me prof. asoc. dr. Elsa Skënderin Rakipllarin, UT, dhe dr. Gilda Hoxhën, UMSH) mbajti fjalën e mirëseardhjes dhe bëri prezantimin e agjendës. ASH shprehet se ajo vuri në dukje se praktikat transformuese të kujtesës si objekt studimi dhe si ndërhyrje kritike, ndahen midis arteve dhe shkencave, me qëllim që të zbulohen mënyrat sesi njerëzit përballen me proceset e ndryshimeve në shkallë të gjerë. Më tej, ajo theksoi se projekti përqendrohet në mënyrë unike në vëmendjen e studiuesve, politikëbërësve dhe profesionistëve kulturorë te rrugët alternative për të ndërtuar qëndrueshmëri përballë kulturës së shpejtë bashkëkohore.
    “Më pas u bë takimi i ekipit drejtues, ku foli drejtuesja e projektit dr. Jenny Wustenbeg”, thuhet nga ASH, që shton më tej se gjatë ditëve në vijim grupi do të organizojë një sërë vizitash në institucionet e kujtesës në Tiranë dhe do të njihet me historinë e artit shqiptar. Pjesëmarrësit vijuan sipas programit me prezantimin e Tiranës dhe zhvilluan turneun e kujtesës mes pikave të rëndësishme të Tiranës, me një guidë nga prof. asoc. Andi Pinari, ku përfshihej edhe një vizitë në Muzeun e Gjetheve. Më pas u zhvillua një panel me aktivistë të kujtesës: Vincent W.J. van Gerven Oei për projektin e lapidarëve, Rezarta Caushaj për objekte të shkatërruara të qytetit (Teatri Kombëtar, Stadiumi “Qemal Stafa”, etj.). Takimi i Tiranës do të vijojë deri më 28 mars.

  • Shqipëria drejt “Smart City”, kamera kudo për rritjen e sigurisë

    Shqipëria drejt “Smart City”, kamera kudo për rritjen e sigurisë

    Qeveria shqiptare ka miratuar një marrëveshje huaje me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabi-t, për financimin e projektit sistemi i kamerave nën administrimin e policisë së shtetit, Smart City”. Marrëveshja që pritet të ratifikohet nga Kuvendi parashikon një hua prej 118 milionë e 500 mijë dollarë, për financimin e projektit.

    Sipas relacionit të depozituar në Kuvend, ky projekt synon të rrisë nivelin e sigurisë publike, duke instaluar sisteme elektronike për të monitoruar dhe për të kontrolluar sa më mirë territorin e duke siguruar informacion, për parandalimin ose zbardhjen e ngjarjeve.
    Gjithashtu, synohet forcimi i infrastrukturës teknike në Republikën e Shqipërisë, për të siguruar një mjedis të sigurt duke përfituar nga teknologjitë e inteligjencës artificiale. Referuar relacionit, objektivat e projektit janë në përputhje me vizionin e qeverisë së Shqipërisë, për të ofruar zgjidhje të zgjuara të menaxhimit të qytetit dhe trafikut që përmirësojnë menaxhimin urban në vend.

    Projekti ka si qëllim, transformimin e Shqipërisë në një vend të sigurt dhe të avancuar nga pikëpamja digjitale, duke përdorur teknologjitë e inteligjencës artificiale
    Gjithashtu, ky projektligj është në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030, ku një ndër qëllimet strategjike është fuqizimi i rendit publik dhe rritja e parametrave të sigurisë në komunitet.

    Projekti përfshin instalimin e 2 239 kamerave ANPR (njohje automatike e targave) dhe 2 602 kamerave PTZ për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkeljeve. Përveçse do të instalohen kamera për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkeljeve, do të vendosen 3 816 kamera trupi për policinë, të cilat do të lidhen me një sistem të centralizuar për mbikëqyrje dhe reagim të shpejtë, kjo për të garantuar transparencë dhe profesionalizëm në aksionet e tyre.
    Ndërsa, për të përmirësuar sigurinë në rrugë dhe në autostrada do të instalohen 100 radarë inteligjentë dhe 100 sensorë zhurme, për të monitoruar shpejtësinë dhe sigurinë e trafikut.
    Ky projekt do të mundësojë monitorimin dhe identifikimin në kohë reale të automjeteve që qarkullojnë në akset rrugore, të cilësuara me interes prioritar për Policinë e Shtetit, si dhe në të gjitha pikat e kontrollit kufitar. /SCAN