Përmes doktrinës së “Frutit të Pemës së Ndaluar”, Erion Veliaj kërkon që hetimet ndaj tij të shpallen të pavlefshme.
Në një dokument me 77 faqe, drejtuar Gjykatës së Posaçme, hartuar nga mbrojtja, ai parashtron argumentet pse sipas kësaj qasjeje që nga pikënisja, hetimet kanë prodhuar një efekt zinxhir të paligjshëm.
Pra nëse veprimi fillestar thotë mbrojtja është bazuar në një bërthamë të kalbur, i gjithë hetimi i SPAK si i tillë është i kontaminuar.
“Duke qenë se procedimi penal është regjistruar mbi bazën e akteve procedurale të papërdorshme, kjo ka sjellë si pasojë që edhe vetë akti i regjistrimit të procedimit penal të konsiderohet një akt procedural i pavlefshëm”, thanë avokatët.
Avokatët e kryetarit të bashkisë së Tiranës thonë se procedimi penal u çel nga një kallëzim që në thelb ishte fals për shkak se edhe kallëzuesi ishte i tillë. Organi i posaçëm thotë mbrotjtja, ka dështuar në gjetjen e dallimit mes hamendësimit dhe krimit për të cilat ai e dyshon kreun e bashkisë.
“Në vend që të hetonte seriozitetin dhe bazën e këtij kallëzimi, i cili që në pamje të parë paraqiste elementë të dukshëm të falsifikimit, prokuroria jo vetëm që nuk e vlerësoi atë në mënyrë të pavarur, por e shfrytëzoi si pretekst për të filluar një hetim penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, thanë avokatët.
Avokatët e Veliajt, thonë se SPAK është ndikuar nga presioni mediatik dhe opozitar në momentin e verifikimit të fakteve ndaj të hetuarit, Veliaj.
“Ky presion publik dhe mediatik shërbeu si katalizator për krijimin e një atmosfere që, në mënyrë të qëllimshme apo të nënkuptuar, e ekspozoi prokurorinë ndaj një detyrimi politik për të vepruar, edhe jashtë standardeve ligjore”, u shprehën avokatët e Veliajt.
Një tjetër problem në gjithë procedurën hetimore thonë avokatët e Erion Veliajt është se pas regjistrimit të kallëzimit, marrja e provave u bë sërish në dritën e paligjshmërisë.
“Çdo provë e mbledhur në këto kushte nuk përmbush standardin e ligjshmërisë procedurale dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderohet si provë e vlefshme në kuptim të K.Pr.Penale”, thanë ata.
Si përfundim, Veliaj mbrohet duke thënë se janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore nga ana e SPAK.
“Vetë fakti se procedimi penal është regjistruar për një “zyrtar të lartë”, tregon qartë se organi i akuzës e ka ditur dhe synuar konkretisht hetimin e Erion Veliajt. Prokurorët regjistrojnë procedimin penal pa autorë me qëllim mos kalimin e afateve të hetimit paraprak, të cilat janë 3 muaj për prokurorinë e zakonshme dhe 6 muaj për prokurorinë speciale SPAK, nga momenti që regjistrohet procedimi penal me autor. Ndërkohë, pa e regjistruar subjektin si person nën hetim prokurorët vazhdojnë dhe kryejnë veprime hetimore”, u shprehën avokatët.
SPAK e akuzon Erion Veliajn për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim të paktën 9 herë me katër biznesmenë dhe gruan e tij, Ajola Xoxa.
/vizionplus.tv