Princi Harry shpreh keqardhje për telefonatën e fundit që pati me nënën e tij, Princeshën Diana, 28 vjet pas vdekjes së saj në Paris.
Harry ishte vetëm 12 vjeç kur nëna e tij humbi jetën tragjikisht në një aksident me makinë në Paris në vitin 1997 dhe ai kujton se i kishte mbyllur telefonatën për të shkuar të luante, diçka për të cilën pendohet.
Duka i Sussex dhe vëllai i tij më i madh, Princi William, kanë zbuluar shumë histori rreth Dianës në vitet që nga vdekja e saj.
Dy princat ishin me pushime në Balmoral, pronën familjare, me babanë e tyre dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore, kur dëgjuan lajmin tragjik.
Në një dokumentar të vitit 2017 të titulluar “Diana, Nëna Jonë”, Princi Harry tha se i vinte shumë keq për bisedën e fundit që pati me nënën e tij. Ai zbuloi se mezi priste ta ndërpriste telefonatën në mënyrë që të dilte jashtë dhe të luante.
“Nuk e mbaj mend vërtet çfarë thashë. Por e vetmja gjë që mbaj mend është ndoshta, e dini, pendimi për pjesën tjetër të jetës sime, sa e shkurtër ishte telefonata. Dhe nëse do ta dija se kjo ishte hera e fundit që do t’i flisja nënës sime – gjërat që do t’i kisha thënë asaj”, theksoi ai.
Tag: princi
-

“Sa gjëra do t’i kisha thënë…”, pse Princi Harry pendohet për telefonatën e fundit me nënën e tij Diana
-

Përvjetori i Mbretëreshës sjell Harry sërish në atdhe, ç’do ndodhë?
Për herë të parë që nga ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elizabeth II, Princi Harry do të udhëtojë drejt Londrës. Vizita e tij përkon pikërisht me përvjetorin e parë të vdekjes së sovranes, një moment i mbushur me emocione dhe kujtime.
Ky kthim në Mbretërinë e Bashkuar vjen pas largimit të tij në janar të vitit 2020, pas vendimit për t’u tërhequr nga detyrat mbretërore në atë që u quajt “Megxit”. Udhëtimi i ri nxit gjithashtu pritshmëri për një takim të mundshëm me Mbretin Charles, marrëdhëniet me të cilin nuk kanë qenë të ngrohta vitet e fundit, pavarësisht kontakteve të para formale të dërguarve të tyre në muajin korrik.
Pjesëmarrja në një aktivitet bamirësie
Princi Harry do të jetë në Londër më 8 shtator, ku do të marrë pjesë në mbrëmjen vjetore të bamirësisë “WellChild”. Ky fondacion i dedikuar fëmijëve të sëmurë ka pasur mbështetjen e tij të pandërprerë prej plot 17 vitesh, duke e bërë praninë e tij një simbol të vazhdimësisë së angazhimit personal.
Axhenda mbretërore dhe vizita e Donald Trump
Ndërkohë, Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla, pas qëndrimit të shkurtër në Skoci me Princin William dhe Kate Middleton, po përgatiten për një ngjarje tjetër madhore. Më 17 shtator ata do të presin në Windsor ish-presidentin amerikan Donald Trump. Megjithatë, vizita e tij nuk do të përfshijë një fjalim në Westminster Hall, për arsye protokollare të lidhura me periudhën kur zhvillohen konferencat partiake jashtë Londrës. -

Djali i Michael Jackson fejohet pas 8 vitesh dashuri: Princi gati për hapin e madh
Princi Jackson, djali i madh i legjendës së pop-it Michael Jackson, është fejuar me të dashurën e tij prej shumë kohësh, Molly! Lajmin e ëmbël, 28-vjeçari e bëri publik përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, duke ndarë disa nga momentet më të bukura të çiftit.
Në sfond dëgjohej kënga ikonike e babait të tij, “I Just Can’t Stop Loving You”, ndërsa Prince i kushtonte Molly-t fjalë dashurie dhe mirënjohjeje për tetë vitet e kaluara bashkë. “Kanë mbetur edhe 8 vjet ♾️ deri në fund,” shkroi ai me humor e ndjeshmëri, duke shtuar: “Kemi kaluar shumë kohë së bashku dhe kemi krijuar kujtime të pabesueshme.”
Në një nga fotot më të komentuara, çifti shfaqej me veshje elegante në nuanca krem dhe të bardhë, duke u puthur në një park romantik. Në disa imazhe të tjera, shihej edhe gjyshja e tij Katherine Jackson, si dhe momente nga diplomimi i tij në kolegj, ku Molly ishte gjithmonë pranë.“Jam i emocionuar për këtë kapitull të ri… Ju dua të dashur,” përfundoi ai, duke prekur fansat në mbarë botën. Çifti nuk ka dhënë ende një datë për martesën, por ndjekësit janë të bindur se dasma do të jetë po aq magjike sa historia e tyre. Michael Jackson mund të mos jetë fizikisht aty, por dashuria e tij vazhdon të jetojë përmes kujtimeve dhe familjes që ai la pas.
-

Zbulohet arsyeja pse Princi William refuzon pajtimin me Princin Harry
Eksperti mbretëror Richard Fitzwilliams ka zbuluar arsyen kryesore pse Princi William nuk është ende i gatshëm të pajtohet me vëllain e tij, Princin Harry, pavarësisht përpjekjeve të këtij të fundit.
Duke folur për Fox News Digital, Fitzwilliams tha se mosbesimi i thellë ndaj Meghan Markle është një ndër arsyet kryesore. Sipas tij, William ndjen se Harry e ka tradhtuar familjen mbretërore, sidomos pas publikimit të kujtimeve Spare, ku ka bërë sulme personale ndaj tij.
“Ka gjëra që nuk harrohen lehtë”, shtoi eksperti, duke kujtuar se vëllezërit nuk kanë komunikuar as në shërbimin përkujtimor të Lord Fellowes, në gushtin e kaluar.
Një tjetër eksperte, Hilary Fordwich, mbështeti këto pretendime, duke theksuar se mungesa e besimit është pengesa më e madhe për një pajtim. Ajo paralajmëroi se çdo bisedë private mund të bëhet publike, duke u përdorur për përfitime personale ose projekte komerciale.
Sipas Fordwich, familja mbretërore është e shqetësuar pasi Meghan nuk ndjen asnjë detyrim ndaj publikut britanik apo institucionit mbretëror. -

Pse u larguan familjet fqinje? Zhvendosja e Princit William dhe Kate në Fort Lodge sjell ndryshime në Windsor Great Park
Çifti mbretëror, Princi William dhe Princesha Kate, së bashku me fëmijët e tyre, Princi George (12 vjeç), Princesha Charlotte (10 vjeç) dhe Princi Louis (7 vjeç), janë zhvendosur në Fort Lodge, një vilë luksoze me tetë dhoma gjumi brenda Windsor Great Park që ata e konsiderojnë tashmë “shtëpinë e tyre të përjetshme”.
Për shkak të këtij instalimi mbretëror, dy familje që banonin afër kësaj rezidence u kërkua të lëshojnë banesat e tyre gjatë verës. “Njerëzve iu kërkua të largoheshin. Mendoj se iu propozuan shtëpi të tjera për të banuar, por nuk e prisnin një gjë të tillë,” tha një burim për mediat britanike.
Të shqetësuar për privatësi dhe siguri, zyrtarët e mbretërisë nuk dëshironin që shtëpitë më të afërta t’i mbusheshin me banorë. Familjet, që ishin qiramarrëse të pronës së Crown Estate, nuk morën ndonjë njoftim zyrtar për largim dhe tashmë janë zhvendosur në banesa të ngjashme ose më të mira brenda zonës.
William dhe Kate, të dy 43 vjeç, synojnë një start të ri në Fort Lodge dhe ka raporte se kanë mbuluar vetë shpenzimet për shkak të zhvendosjes, pa ngarkuar taksapaguesit e Britanisë së Madhe. -

Princi William dhe Princesha Kate do të hyjnë në shtëpi të re, pamjet nga rezidenca në lagjen mbretërore
Princi William dhe Princesha Kate do të zhvendosen në një shtëpi të re në fund të këtij viti!
Çifti mbretëror do të largohet nga shtëpia e tyre aktuale në Windsor, Adelaide Cottage, për të jetuar në Forest Lodge, një vilë me tetë dhoma gjumi që ndodhet në Great Park të zonës mbretërore, sikurse konfirmon një zëdhënës i Pallatit Kensington.
“Shtëpia e re e familjes së Uellsit do të jetë gati për zhvendosje më vonë gjatë vitit”, thuhet në deklaratën zyrtare të pallatit.
Sipas The Sun, çifti do ta blejë pronën me shpenzimet e veta, e cila vlerësohet rreth 16 milionë paund. Ata po ashtu do të financojnë disa punime të vogla restaurimi në ndërtesën e klasifikuar si me rëndësi historike, përfshirë heqjen e një dritareje dhe përmirësimin e një oxhaku, siç zbulojnë disa dokumente të redaktuara të planifikimit urbanistik.
Ky zhvillim vjen pas një investigimi të Channel 4 Dispatches dhe The Sunday Times, që tregoi se Dukati i Cornwall-it, i trashëguar nga William pas emërimit si Princ i Uellsit, kishte dhënë me qira prona publike për miliona paund. Pas kritikave, Princi William deklaroi se disa nga këto prona do të jepen falas për organizata bamirëse.
Renovimi i fundit i madh i Forest Lodge ndodhi në vitin 2001, me një kosto prej 1.5 milionë paund, dhe që prej atëherë ka pasur një qira mujore të vlerësuar në 15.000 paund.
Shtëpia e re ndodhet shumë afër rezidencës aktuale të familjes, duke bërë të mundur që fëmijët e çiftit, Princi George, Princesha Charlotte dhe Princi Louis, të vazhdojnë të ndjekin të njëjtën shkollë.Top Channel
-

Kate Middleton dhe Princi William do të zhvendosen të jetojnë në një kështjellë?
Pas pushimeve të tyre tepër sekrete në Kefalonia, Kate Middleton dhe Princi William po planifikojnë të ndërrojnë shtëpi. Sipas Mail on Sunday, Vila në Adelaide do të ishte shumë e vogël për Princin dhe Princeshën e Uellsit, të cilët mund të zhvendosen në një kështjellë, Fort Belvedere, një rezidencë historike që është shpërfillur gjithmonë nga familja mbretërore.
Thuhet se Kate dhe William po kërkojnë një shtëpi më të madhe se Adelaide Cottage, por jo shumë larg. Fort, siç njihet zakonisht kështjella, do të ishte ideale, pasi ndodhet në Windsor Great Park, ku ndodhen edhe Kështjella Windsor, Adelaide Cottage dhe Frogmore Cottage. Fort Belvedere u ndërtua nga Mbreti George II në 1820 dhe është vendi ku jetoi Edward VIII, xhaxhai i Mbretëreshës Elizabeth II, përpara se të ngjitej në fron dhe ku ai nënshkroi dokumentet e tij të abdikimit në 1936.
Fortesa është një shtëpi e vjetër fisnike, e kompletuar me një pishinë, fushë tenisi dhe banjë turke, dhe së fundmi edhe një fushë polo. Sipas The Sun, dhomat origjinale prej 30-40 tani janë zgjeruar për të përfshirë tetë dhoma gjumi. Rezidenca do të ishte e përshtatshme për Kate dhe William dhe është gjithashtu afër shkollës së fëmijëve të tyre, Lambrook. Por Princi dhe Dukesha e Uellsit po shqyrtojnë disa mundësi, duke përfshirë Royal Lodge, aktualisht të zënë nga Princi Andrew, ose një pjesë të Kështjellës Windsor. Sipas Daily, zhvendosja nuk është e afërt, kështu që Middleton dhe Princi William kanë gjithë verën për të planifikuar zgjidhjen perfekte për familjen e tyre. -

Testamenti i Gjon Muzakës – Nga MOIKOM ZEQO
(NIL SUB SOLE NOVUM-ASGJË E RE NËN DIELL)
Në 3 qershor 1510 princi i thinjur arbër Gjon Muzaka u ul tek tryeza e shkrimit.
Pati ndjesinë marramendëse se u fiksua pazgjidhshëm në një objekt sekret që e ripërtërinte, por edhe e rrëqethte.
Sot mbushte 52 vjeç, por ndihej i mplakur si një patriark. Para tij qe Bibla në latinisht.
E shfletoi i sigurt. Ezekieli (21,3): “… i thuaj pyllit të Negevit: Dëgjo fjalën e Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti: unë po ndez tek ty një zjarr, që do të gllabërojë çdo dru të blertë; flaka e zjarrtë nuk do të shuhet dhe çdo fytyrë nga veriu në jug do të digjet. Çdo mish do ta shohë që unë, Zoti, e kam ndezur, nuk do të shuhet…”.Gjon Muzaka u mendua: “Dhe trupi im digjet dhe nuk shuhet më”. Pastaj lexoi më tej: “Zoti e thirri një njeri të veshur me rroba liri, që mbante kallamarin prej briri të shkruesit në krah dhe i tha: “Kalo mes qytetit të Jeruzalemit, dhe u bëj një shenjë në ballë njerëzve, që psherëtijnë dhe vajtojnë gjithë gjërat që ndodhin mes tyre dhe mes meje, zotit, zotit…”. Vegim qetësues, udhërrëfyes.
Tani shkruesi duhet të jem unë, psherëtiu Gjon Muzaka.
Lexoi në latinisht përsëri “Nil sub sole novum”, domethënë “Asnjë e re nën Diell”.
U trondit nga kjo e vërtetë qartësisht mizore.
Mori pendën e mjellmës, e ngjeu në kallamarin antik dhe nisi të shkruajë mbi një fletë letre: “Cuncta sub sole vana. Venite fili, audite, timorem domini docebo vos. Oculi domini supre iustos, et aures eius in preces eorum, vultus outem domini super facientes male, ut perdat te terra eos. Clamaverunt iusti, et dominus exaudivit eos, et ex omnibus tribulationibus eorum liberavti eos”.
Muzaka e përktheu në shqip njëkohësisht në mendje tërë frazat latine: “Çdo gjë nën Diell është kotësi. Ejani, bij, do t’ju mësoj që të kini frikë Zotin. Zoti i ka drejtuar sytë ndaj njerëzve të drejtë dhe veshet ndaj lutjeve të tyre, fytyra e Zotit është edhe përballë njerëzve të liq, me qëllim t’i zhdukë nga faqja e dheut. Njerëzit e drejtë e ngritën zërin dhe zoti së largu i dëgjoi ata dhe i çliroi nga të gjitha shqetësimet e tyre”.
Princi Muzaka ndaloi së shkruari.
Pa nga dritarja e dhomës peizazhin e Napolit.
Kishte shumë vite që kishte braktisur Arbërinë, me gjithë familjen, e kishte ndalur në Itali. Arbëria tani i përkiste perandorisë otomane.
Principata e tij rezidenca në kështjellën e Beratit, kujtimet etj,. qenë ngrirë, konservuar katastrofikisht nën kupolën e rëndë dhe të pakapshme të pushtimit.
Çdo gjë intime i dukej e largët, e pakapshme.
Për shumë vjet në Napoli gjeti një ngushëllim të pakët, por shqetësimi ju shumëfishua.
Këtu qe si një princ teatri, pra jo i vërtetë, qe thjesht një emër, por jo njeriu i dikurshëm dhe i fuqishëm, një fantazmë ekzotike dhe krejt e papërfillshme, aspak i gjallë, konkret dhe i rrezikshëm.
Ah, klithi pa zë.
Çdo gjë ka stinën e vet, përsëriti me vete, çdo situatë ka një kohë nën qiell, një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të korrur, një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të rrënuar dhe një kohë për të ndërtuar, një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të vallëzuar dhe një kohë për të mbajtur zi, një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për t’i mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar, një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje, një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur, një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen…
Muzaka u drodh në një lloj ëndërrimi shekujsh. Vendosi të shkruante përsëri. do të bënte një kronikë të familjes, skemën e gjenealogjisë, ftillesat, të përshkruante lavdinë, disfatën, të ringjallte kronikat e vdekura.
U tendos, i shpërthenin idetë, mendimet vërtitëse, imazhet e zbehëshme nga koha. Mendoi se do të vdiste së shpejti, bijve të tij dhe fëmijëve të tyre duhet t’u linte një tekst testamenti, që të mos humbiste Arbëria fantazmagorike brenda tij, që kur t’i shuhej trupi, të mos shuhej dhe të humbiste kjo Arbëri.
U frymëzua, nisi të shkruaj me hov, me shpresë e ndoshta me delir.
Kujtoi të parët e hershëm, të lindur pranë burimit mitik, “ku pishtarët e fikur ndizeshin në çast dhe pishtarët e ndezur shuheshin”, përngjasi emrin e Muzakëve me atë të fisit të Molosëve, rikujtoi Pirron e Madh të Epirit, pastaj perandorët e Bizantit që u kishin dhënë tituj të mëdhenj paraardhësve të tij si dhe stemat familjare, plot simbole shqiponjash dykokëshe dhe alegori pushteti perandorak.
Kujtoi martesat, emrat e të lindurve që kishin vdekur, dhe të të lindurve të tjerë, që gjithashtu do të vdisnin ritualisht dhe pashmangësisht.
Besonte, se pinjollë të ardhshëm do të ktheheshin dikur në Arbëri, përshkroi hartografinë e pronave të familjes, hollësisht, mjeshtërisht, konkretisht. Ah, pronat, pronat! E drejta historike e pronës! Shenjtëria e pronës. Burimi i pushtetit, miti i plotfuqisë në mijëvjeçarët që ndryshojnë dhe zhbëjnë gjithçka. Ah, pronat, pronat!La pendën e mjellmës mbi letër. Rilexoi ç’kishte shënuar, ndihej si lehona, që sapo ishte çliruar nga foshnja e porsalindur, u mrekullua, u mallëngjye, por u ndje tmerrësisht i lodhur, i sfilitur, tejet i vdekshëm me shpejtësi të përllogaritur nga misteret e të Pashmangshmes!Ah, pronat, pronat!
Ndjeu befas një errësim, një ide e befasishme, e skëterrshme gati e shkatërroi. Ç’është e drejta historike e pronës? Përderisa prona shitet dhe blihet a mund të jetë e shenjtë, a mund të jetë një e drejtë historikisht ekskluzive e patjetërsueshme?
A thua vallë, mbas 4 ose 5 shekujsh do të mbijetonin pasardhësit e Muzakajve? E nëse do të ktheheshin në Arbëri me testamentin e tij të pavdekshëm a mund ta zbatonin? O kotësi e kotësive, gjithçka është kotësi, ajo që ka qenë është gjë që do të jetë, ajo që është bërë është ajo që do të bëhet. “Nil sub Sole novum”. Asgjë e re nën Diell.
Princi Gjon Muzaka gati u nguros, u statujizua!
Mendimet, idetë përplasen dhe shkatërrojnë njëri-tjetrin.
Kuptoi se teksti i tij tashmë qe apokrif, se edhe miliona të tjerë para tij e kishin shkruar, se edhe miliona të tjerë pas tij do ta shkruanin përsëri, çdo gjë është kalimtare, e lëvizshme, çdo gjë është palimpsest dhe njeri dhe prona, dhe librat dhe ëndrrat, dhe porositë dhe ankthet, dhe mençuria dhe injoranca, dhe e vërtetë dhe gënjeshtra, dhe jeta dhe vdekja janë palimpsest, një palimpsest rrethor, i vërtitshëm, sepse, në fund të fundit, princi vizionar dhe i shastisur Gjon Muzaka qartësoi parabolën e burimit “ku pishtarët e fikur ndizeshin në çast dhe pishtarët e ndezur fikeshin”.
E ardhmja, Zoti janë ky burim misterioz. Muzaka qe pishtari i ndezur që po fikej tashmë mbi burimin ndjellës. Ndoshta do të jem 5 shekuj pishtar i fikur, i harruar, i mbyllur në terr, në kotësi, në hiç.
Por ndoshta, ndoshta në një kohë të panjohur pishtari im i fikur do të afrohej mbi burimin fatal dhe atëherë, o Zot, do të ndizej verbueshëm, me një ndriçim mahnitës dhe të përjetshëm! /InforCulture.info
-

Intervista me Turhan Pashën dhe Filip Nogën
700 MALËSORË KUNDËR PRINC VIDIT
Nga: Aurenc Bebja, Francë – 11 Gusht 2022
“Le Matin” ka botuar, të mërkurën e 3 qershorit 1914, në ballinë dhe faqe n°2, intervistën ekskluzive të korrespondentit të saj me Turhan Pashën (kryeministër) dhe Filip Nogën (Ministër financash) në lidhje me kryengritjen asokohe kundër Princ Vidit, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar :
Shtatëqind malësorë zbarkojnë në Durrës
Durrës, 1 qershor. — Shkresë nga korrespondenti special i “Le Matin”. — Sot zbarkuan këtu 700 malësorë, të marrë nga 10.000 burrat që Prenk Bib Doda mblodhi në Lezhë.
Kontigjenti përfshin myslimanë dhe të krishterë, por këta të fundit përbëjnë shumicën dërrmuese. Fillimisht, ky kontigjent duhej të përbëhej nga 250 të krishterë dhe 250 myslimanë, por për shkak të numrit të kërkesave, ishte e nevojshme të rritej përmasa dhe të modifikohej proporcioni i elementëve të tij përbërës.
Ardhja e kësaj force të armatosur këtu bën mjaft bujë, sepse nëse nga njëra anë shton garnizonin dhe kontribuon në sigurimin e mbrojtjes së qytetit, nga ana tjetër ka frikë se do të rrisë rrëmujën midis kryengritësve.
Efekti i parë i këtij zbarkimi ishte rikthimi i besimit te partia nacionaliste, e cila prej disa ditësh ishte mjaft e demoralizuar.
Doja të mësoja nga goja e vetë kryetarit të këshillit (kryeministrit) arsyen dhe shtrirjen e kësaj thirrjeje ndaj kontingjenteve të Prenk Bib Dodës. Unë arrita të takoj Turhan Pashën në fund të Këshillit të Ministrave. Me dashamirësinë e tij të zakonshme, ai më shpjegoi pikëpamjet e tij dhe synimet e qeverisë si më poshtë.
— Princi dhe kryeqyteti i tij u gjetën prej disa ditësh në mëshirën e një lëvizjeje sulmuese të kryengritësve. Mbrojtësit u reduktuan në rreth 200 burra. Unë nuk përfshij në këtë numër marinarët që ruajnë legatat dhe pallatin, sepse ata janë të destinuar ekskluzivisht për mbrojtjen e jetës së princit.
Kjo situatë nuk mund të vazhdonte. Prandaj ne duhej të ishim në gjendje sa më shpejt të ishte e mundur për të ndërtuar një garnizon të mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e Durrësit. Mirëpo, duke qenë se trupat nuk krijohen brenda një dite, ne u detyruam të merrnim ata që kishim në dorë dhe morëm 700 burra nga kontingjentet e ngritura në Lezhë nga Prenk Bib Doda.
— A nuk keni frikë, Shkëlqesi, se ardhja e tyre do të interpretohet nga kryengritësit si një masë agresive që vërteton dëshirën tuaj për t’i sulmuar ata? Bisedimet po vazhdojnë dhe ngazëllimi që zbarkimi i kësaj force do të shkaktojë te kryengritësit mund të dëmtojë rezultatin e këtyre negociatave.
— Ne sollëm vetëm 700 burra, por mund të thërrisnim disa mijëra. A nuk është ky vëzhgim i thjeshtë provë se ne po ndjekim një qëllim mbrojtës dhe jo sulmues ? Çdo qeveri ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën të sigurojë sigurinë e saj dhe mbrojtjen e atyre që i janë besnikë. Për më tepër, nesër ose pasnesër, anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit do të diskutojnë me krerët e kryengritësve për përgjigjen që do t’i jepet ankesave të këtyre të fundit dhe mund t’ju them se të gjitha kërkesat e tyre të arsyeshme do të plotësohen.
— Por nëse ata nuk janë të kënaqur me këtë, do të ketë një luftë civile ?
— Ju mund të jeni të sigurt dhe mund të pohoni se çdo gjë që mund të bëhet nëpërmjet rrugës së pajtimit, ne do ta bëjmë. Unë jam mysliman, ashtu si dy kolegë të mi të kabinetit, ndërsa tre të tjerë janë të krishterë. Z. Noga, Ministër i Financave, mund t’ju tregojë se sa të vendosur jemi për të shmangur çdo konflikt fetar në Shqipëri dhe për të garantuar lirinë e plotë të adhurimit (besimit) për të gjithë.
Z. Noga, i cili ishte i pranishëm në takimin tonë, më dha këtë siguri, duke shtuar :
— Unë isha ai që shkoi në Lezhë për të negociuar ardhjen e këtyre shtatëqind burrave. Unë u thashë atyre :
“Disa nga vëllezërit tuaj kanë dalë jashtë rrugës. Në një moment lajthitjeje dhe nën ndikimin e këshillave të këqija, ata sulmuan princin. Ai duhet mbrojtur, por ne dëshirojmë të shmangim një luftë vëllavrasëse dhe shpresojmë që së shpejti të gjithë të jeni të bashkuar.”
Ju siguroj se ata i kuptuan ndjenjat e mia dhe nuk ushqejnë armiqësi kundër kryengritësve.— Por nëse përpjekjet tuaja dështojnë, nëse i gjithë pajtimi është i pamundur, çfarë do të bëni ?
— Atë që do të bënte çdo qeveri, u përgjigj Turhan Pasha. Nuk mund të lejojmë që pesë apo gjashtë mijë të pakënaqur, dhe të pakënaqur pa motiv, të pengojnë zhvillimin e të gjithë vendit. Shkodra dhe Vlora janë duke vuajtur nga situata aktuale, madje edhe disa rajone thjesht myslimane po protestojnë kundër qëndrimit të kryengritësve.
E kuptova, megjithëse ministri nuk ma tha zyrtarisht, se në pamundësi të një marrëveshjeje, rebelët do të ndaloheshin nëpërmjet forcës.
Prandaj, ne jemi ndoshta në prag të një lufte civile. Më shumë se kurrë është e dëshirueshme që fuqitë të bien dakord dhe të dërgojnë kontigjente ndërkombëtare në Durrës; Princi, Turhan pasha, kreu i qeverisë dhe anëtarët e komisionit të kontrollit kërkojnë këtë dërgesë. Edhe Italia është në favor të saj. Vetëm një masë e tillë mund t’i sigurojë princit dhe qeverisë pavarësinë e dëshiruar, sepse nëse dy ditë më parë princi ishte në mëshirën e kryengritësve, sot ai e gjen veten në fakt rob të mbrojtësve të tij.
Malësorët, duke u konsideruar si një forcë e thjeshtë policie, u vendosën nën urdhrat e kolonelit holandez Tomson, komandant i vendit. Zgjedhja e kolonelit është e shkëlqyer, por prania këtu e gjeneralit De Veer, eprorit të tij hierarkik, paraqet një shqetësim të madh, sepse gjenerali e ka të vështirë të heqë dorë për të mos ndërhyrë në aktet e kolonelit Tomson, fryma e iniciativës së të cilit pengohet, nëse jo asgjësohet.
Prania e njëkohshme e gjeneralit dhe kolonelit është bërë e pamundur, por princi nuk ka marrë ende një vendim në lidhje me këtë, dhe kjo është për të ardhur keq.
Komisioni i Kontrollit ka porositur mëngjesin e sotëm një xhandar që të shkonte dhe t’u kërkonte kryengritësve që të vendosnin për vendin e mbledhjes së radhës. Këta e kanë vendosur në Shijak për nesër ose pasnesër në mëngjes.
Komisioni, pasi protestoi kundër pranisë në xhandarmëri të një ish-oficeri gjerman, baronit Gunpenberg, ky i fundit aplikoi menjëherë për nënshtetësinë shqiptare.
-

Stema e princit Karl Topia (1381)
Princi Karl Topia (1331-1388) ishte një nga sundimtarët më të fuqishëm arbër gjatë shekullit 14-të. I njohur me titullin “Princi i Arbërisë” (Princeps Albanie), Karl Topia sundoi pjesën më të madhe të Shqipërisë qendrore prej vitit 1358 e deri në vdekjen e tij në vitin 1388. 👑
Mes viteve 1381-1383, princi Karl urdhëroi ndërtimin e Manastirit të shën Gjon Vladimirit në Elbasan, vend në të cilin janë gjetur materiale me vlera të mëdha për Karl Topinë dhe në përgjithësi për historinë shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit 14-të.
📸 Në foto mund të shikoni stemën e Karl Topisë e gjetur në manastirin e shën Gjon Vladimirit e gdhendur në gur nga një skulptor mesjetar shqiptar, Dhimitër Shpata, në vitin 1381 me urdhër të princit Karl Topia, e cila sot ruhet në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës.
Në të është gdhendur stema e familjes fisnike arbërore të Topiajve, ku në pjesën e poshtme paraqitet emblema e Anzhuinëve. Emblema ndahet prej një vije të pjerrët e cila tregon se Karli është pasardhës nga një martesë jolegjitime (e Andrea Topisë dhe Helena Anzhu) dhe se në të rrjedh dhe gjak mbretëror francez, me ç’rast Karl Topia pretendonte të gjitha tokat e Anzhuinëve në Arbëri, ndërsa në pjesën e sipërme është gdhendur stema tradicionale e Topiajve, një luan që qëndron mbi këmbët e pasme, i cili mban mbi krye një kurorë princërore të stolisur me tri pendë struci.
Stema përmban dhe një mbishkrim të gdhendur:“Ετουτα τα /(σμ) μαδηα αυθε(ν) του μεγα Καρλα Θοπηα”
Që përkthehet si:“Këto janë shenjat e zotit të madh, Karl Topisë”