Tag: presight

  • Skandali me “Smart City”, SHBA në alarm, projekti i Ramës për t’i dorëzuar arabo-kinezëve vëzhgimin mbi Shqipërinë…

    Skandali me “Smart City”, SHBA në alarm, projekti i Ramës për t’i dorëzuar arabo-kinezëve vëzhgimin mbi Shqipërinë…

    Debati për projektin “Smart City” ka kaluar kufijtë e transparencës financiare dhe procedurale, duke u shndërruar në një çështje të sigurisë strategjike. Sistemi i ri i monitorimit dixhital q po kërkon të aplikojë kryeministri Edi Rama me urgjencë, i cili do të mbledhë dhe përpunojë të dhëna nga kamerat, radarët dhe sensorët në gjithë territorin shqiptar, është kontraktuar drejtpërdrejt me kompaninë Presight AI nga Emiratet, një kompani që bën pjesë në grupin G42, i cili është akuzuar ndërkombëtarisht për lidhje teknologjike me entitete kineze. Në artikullin e mëparshëm gazeta “SOT” analizoi mënyrën se si qeveria shqiptare i dha kontratën pa tender, përmes një kuadri të veçantë ligjor që e përjashton Presight AI nga procedurat normale të prokurimit, si dhe fakti që memorandumi u nënshkrua në Abu Dhabi nga ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla. Po aq problematike është edhe klasifikimi “sekret” i marrëveshjes, i cili e ka lënë të paqartë se çfarë aksesesh teknike dhe juridike merr kompania e huaj mbi sistemin.
    Alarmi i SHBA
    Këtu qëndron burimi i shqetësimit të SHBA-ve. Pra te karakteri i kompanisë zbatuese dhe aftësia e saj për të pasur qasje teknike në një rrjet vëzhgimi që mbledh në kohë reale të dhëna mbi lëvizjet në rrugët dhe qytetet e vendit. Presight AI është pjesë e G42, e cila në të kaluarën ka bashkëpunuar me kompani kineze dhe është akuzuar për lidhje me inteligjencën kineze. SHBA kanë shprehur rezerva për teknologjitë ku përfshihen kompani të tilla, duke paralajmëruar për rrezikun e ekspozimit të sistemeve survejuese ndaj depërtimit të palëve të treta. Sistemi “Smart City” është projektuar të funksionojë përmes rrjeteve të kamerave dhe radarëve që identifikojnë targat, fytyrat dhe lëvizjet e automjeteve. Të gjitha këto të dhëna pritet të centralizohen në një platformë të vetme. Nëse qasja teknike, përditësimet e softuerit apo mirëmbajtja varen nga kontraktori i huaj, krijohet mundësia që informacioni i mbledhur të jetë i aksesueshëm jashtë Shqipërisë. Pikërisht ky skenar shihet nga SHBA si rrezik për sigurinë kombëtare dhe për operacionet e aleatëve. Shqipëria është vend ku lëvizin shpesh struktura ushtarake të NATO-s, ekipe të shërbimeve partnere dhe personel i institucioneve perëndimore. Në logjikën e Washingtonit, një sistem vëzhgimi që përpunon të dhëna mbi qarkullimin dhe aktivitetet në terren nuk mund të jetë i lidhur me kompani që konsiderohen potencialisht të ekspozuara ndaj ndikimit kinez, sidomos kur informacioni ka natyrë sensitive.
    Rreziku
    Edhe pse qeveria ka deklaruar që të dhënat do të jenë “nën kontroll të plotë të palës shqiptare”, shqetësimi i aleatëve lidhet me faktin se sistemet moderne të survejimit funksionojnë përmes cloud-it, përditësimeve të shpeshta dhe moduleve të zhvilluara nga kompania amë. Këto elemente krijojnë varësi teknologjike, dhe nëse ekziston një “derë e pasme”, ajo mund të përdoret për të sinkronizuar apo ekstraktuar të dhënat pa dijeninë e autoriteteve vendase. Në këtë kontekst, SHBA e konsideron projektin “Smart City” si një pikë poten­ciale të cenueshmërisë teknologjike për një vend të NATO-s. Rreziku nuk lidhet vetëm me përdorimin e teknologjisë, por me menaxhimin e informacionit dhe me origjinën e kompanisë që zotëron infrastrukturën. Ky është edhe motivi pse marrëdhëniet dypalëshe rrezikojnë të preken. Për SHBA, çdo vendim që vendos një aktor arabo-kinez në qendër të sistemit të vëzhgimit të një vendi aleat krijon pasiguri në vlerësimin e ekspozimit të personelit të saj në terren. Nëse operatori i sistemit ka lidhje të mëparshme me teknologji kineze, dyshimet shtohen edhe më shumë. Për pasojë, projekti “Smart City” nuk vlerësohet vetëm si investim teknologjik, por si një vendim që mund të ndikojë në besimin strategjik mes Shqipërisë dhe partnerëve perëndimorë. Për SHBA, çështja është e thjeshtë: një rrjet vëzhgimi që regjistron lëvizjet brenda territorit të NATO-s nuk duhet të jetë i kontrolluar apo i aksesueshëm, qoftë edhe teknikisht, nga kompani që lidhen me vende që konsiderohen jomiqësore.

  • “Smart City” grabitje spektakolare, ja si Edi Rama po ua jep kinezëve pa tender nëpërmjet arabëve privatësinë e…

    “Smart City” grabitje spektakolare, ja si Edi Rama po ua jep kinezëve pa tender nëpërmjet arabëve privatësinë e…

    Kryeministri Edi Rama u kap nga kamerat rrugëve të Romës duke shpërthyer në telefon ndaj vartësve të tij për një çështje që rezulton shumë më e rëndë sesa duket në pamje të parë. “Lëre grupin… ti! Po të flas ty! A je ti bashkëkryetar? Atëherë për çfarë je? Na keni kthyer një vit pas…”, dëgjohet Rama, i irrituar, teksa kërkon llogari për “zvarritjen e procedurave”. Burime të gazetës “Sot” pohojnë se telefonata dyshohet se ishte me një nga personat përgjegjës për avancimin e procedurave të projektit “Smart City” pas ankesave të Mirlinda Karçanajt të AKSHI-t për zvarritje. Por pse ky nervozizëm i kryeministrit? Pse kjo ngutje? Përgjigjja gjendet te mënyra si është ndërtuar skema. Një projekt që po shtyhet për të hyrë në fuqi pa transparencë, pa tender, me kosto të dyfishuar, i financuar me hua të shtrenjtë, dhe mbi të gjitha  me rreziqe të rënda për privatësinë dhe sigurinë kombëtare. Për të gjitha këto gazeta do të flasë me detaje edhe në artikujt në vijim, pasi skandali është dhe më i madh.
    Plani i Ramës
    Pas kësaj telefonata, Edi Rama në fundjavë nisi të përdorë atentatin mafioz të vrasjes së Gilmando Danit në një prej zonave më të sigurta të vendit, pranë aeroportit të Rinasit, për ta shtyrë me urgjencë planin e tij të çmendur për ta kthyer Shqipërinë në një Big Brother, përmes projektit anti-demokratik të kontrollit dixhital të vendit. “Me projektin e ri që më në fund do të nisim ta zbatojmë pas një zvarritjeje burokratike. Projekti i monitorimit me kamera inteligjente të qyteteve dhe rrugëve kombëtare është projekt strategjik për sigurinë, pastërtinë dhe sigurinë e prindërve në shkolla. Nëse do të kishim këtë sistem në këmbë, ngjarja e Rinasit do të ishte zbardhur në kohë reale. Por nuk është problemi tek zbardhja; në momentin që sistemi ekziston, ai parandalon në mënyrë efikase të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, qetësinë dhe rregullat e qarkullimit. Brenda këtij mandati, jo vetëm do e kemi këtë sistem, por do t’i shohim hajrit”, u shpreh Rama. Por çfarë fshihet pas Smart City”?
    Marrëveshja sekrete
    Një nga kritikat më të mëdha ndaj projektit “Smart City” lidhet me mungesën e konkurrencës dhe transparencës në përzgjedhjen e kompanisë zbatuese dhe mënyrën e miratimit të kontratës. Kontrata iu dha drejtpërdrejt kompanisë Presight AI nga Emiratet, pa një proces të hapur tenderimi. Kjo procedurë jo-konkurruese u mundësua nga një kuadër i posaçëm ligjor që Shqipëria ka miratuar për investimet strategjike me Emiratet e Bashkuara Arabe. Konkretisht, në vitin 2020 Kuvendi miratoi një ligj që përjashton kompanitë emiratas nga procedurat standarde të prokurimit publik, duke lejuar që marrëveshjet me to të bëhen me përzgjedhje direkte. Ky precedent ishte aplikuar më herët në projektin e Portit të Durrësit (zhvilluar nga kompania Emaar e Mohamed Alabbar) dhe tashmë u ndoq edhe për “Smart City”.
    Detajet
    Në një ceremoni zyrtare në Abu Dhabi në prill 2024, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit me kompaninë ‘Presight AI‘ – pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. “Ky projekt nuk është vetëm një investim në teknologji, por një investim në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë,” deklaroi Balla pas nënshkrimit të memorandumit. Marrëveshja parashikon instalimin e një rrjeti të avancuar kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të Shqipërisë, që premton të rrisë sigurinë publike dhe të transformojë menaxhimin e trafikut përmes teknologjive bashkohore, përfshirë inteligjencën artificiale. Megjithatë, marrëveshja e klasifikuar si sekrete nga qeveria shqiptare, ka ngjallur shqetësime midis aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe ekspertëve të privatësisë, të cilët paralajmërojnë për potencialin e abuzimit dhe mungesën e transparencës në projektet e këtij lloji. Përfshirja e kompanisë ‘Presight AI’, pjesë e grupit ‘G42′ që po përballet me akuza për lidhje me qeverinë kineze dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, i ka shtuar këto shqetësime dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e të dhënave personale dhe sovranitetin e informacionit që do të mblidhet nga sistemi.
    Lidhjet me kinezët
    Kompania Presight AI, ndonëse e bazuar në Abu Dhabi, është pjesë e grupit G42, i cili në të kaluarën ka pasur bashkëpunime teknologjike me kompani kineze (si Huawei) dhe është akuzuar për lidhje me inteligjencën kineze. Ligjvënës amerikanë shprehën rezerva lidhur me partneritetin me Presight AI, duke e konsideruar një rrezik të mundshëm për sigurinë pasi teknologjia kineze e implikuar mund të ekspozojë sistemet survejuese ndaj ndërhyrjes ose spiunazhit nga palë të treta. Edhe pse qeveria shqiptare ka siguruar se të dhënat do të jenë nën kontroll të plotë të palës shqiptare, natyra ndërvepruese e sistemeve moderne (cloud, update software nga kompania amë) krijon varësi nga kontraktori i huaj.
    Nëse Presight (apo partnerët e tij harduerikë) do të kishte një “derë të pasme” në sistem, kjo do të cenonte rëndë sovranitetin e informacionit. Në rastin më të keq, të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë (lëvizjet, targat e makinave, fytyrat e kapura nga kamerat) mund të përfundojnë në duar të shteteve jo-mike. Këto frikëra janë artikuluar nga ekspertë perëndimorë dhe përfaqësues diplomatikë, sidomos në sfondin e tensioneve SHBA-Kinë për teknologjinë 5G dhe survejimin elektronik. Presight AI dhe qeveria e EBA kanë mohuar çdo ndikim kinez në projekt, duke deklaruar se AI dhe platformat e tyre janë “të besueshme dhe etike”. Gjithsesi, skepticizmi mbetet dhe varet nga mënyra si projekti do të implementohet e monitorohet realisht për të qetësuar këto shqetësime.