Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili po përballet me një gjyq të gjatë për korrupsion, i ka paraqitur një kërkesë zyrtare presidentit të vendit për ta falur.
Në një deklaratë me video, zoti Netanyahu, i cili është i vetmi kryeministër në detyrë në historinë e Izraelit që del para gjykatës, tha se çështja e ka përçarë vendin dhe se një falje do të ndihmonte në rivendosjen e unitetit kombëtar. Ai gjithashtu deklaroi se detyrimi për t’u paraqitur në gjykatë tri herë në javë është një shpërqendrim që e vështirëson udhëheqjen e tij.
Zyra e Presidentit Isaac Herzog e quajti atë “një kërkesë të jashtëzakonshme” që mbart “implikime të rëndësishme”. Presidenti do ta “shqyrtojë me përgjegjësi dhe sinqeritet kërkesën” pas konsultimit me “autoritetet përkatëse” në ministrinë e drejtësisë dhe departamentet ligjore, tha zyra e tij.
Kërkesa e kryeministrit përbëhet nga dy dokumente që shtrihen në 111 faqe, siç njoftoi zyra e presidentit – një letër e nënshkruar nga avokati i zotit Netanyahu, Amit Hadad, si dhe një letër e nënshkruar nga vetë zoti Netanyahu. Në to thuhet se falja mund të jepet edhe para dënimit dhe argumentohet se gjyqi në vazhdim po e pengon zotin Netanyahu të kryejë plotësisht detyrat e tij si kryeministër, veçanërisht në çështje kritike të sigurisë dhe diplomacisë. Dokumentet pretendojnë se hetimi dhe ndjekja penale e zotit Netanyahu kanë vuajtur nga parregullsi, duke përfshirë presionin ndaj dëshmitarëve dhe një përpjekje për të vënë në shënjestër kryeministrin.
Gjithashtu, theksohet rekordi i tij i gjatë i shërbimit dhe udhëheqjes. Gjyqi i zotit Netanyahu, i cili filloi në vitin 2020, ende nuk ka përfunduar. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat, të cilat përfshijnë ryshfet dhe mashtrim. Ai u padit në vitin 2019 në tri raste, duke përfshirë pretendimet për marrjen e dhuratave me vlerë gati 700,000 shekel (166,500 £) nga përfaqësues biznesi.
Kjo lëvizje vjen pasi Donald Trump i dërgoi një letër zotit Herzog në fillim të këtij muaji, duke i kërkuar atij që ta “falë plotësisht” zotin Netanyahu. Presidenti amerikan i tha Herzogut se kryeministri i tij “ka qëndruar i fortë për Izraelin përballë kundërshtarëve të fuqishëm” dhe se “vëmendja e zotit Netanyahu nuk mund të shpërqendrohet në mënyrë të panevojshme”.
Kjo situatë konsiderohet e paprecedentë – një kryeministër izraelit, në mes të një gjyqi që tashmë zgjat prej vitesh, kërkon falje edhe pse nuk është dënuar. Dhe ai po e bën këtë me mbështetjen e presidentit amerikan, vullneti i mirë i të cilit tani qëndron në zemër të politikës së qeverisë izraelite. Benjamin Netanyahu këmbëngul se do të shpallet i pafajshëm, edhe nëse gjyqi arrin në një përfundim. Argumenti i tij, i shtjelluar në 111 faqe, është se gjyqi është një shpërqendrim i tillë saqë po dëmton interesin kombëtar dhe po ndikon në aftësinë e tij për të qeverisur.
Megjithatë, ka të tjerë që argumentojnë të kundërtën – se e gjithë struktura e drejtësisë varet nga mbajtja e njerëzve përgjegjës, sado të fuqishëm të jenë ata. Do të shtrohet pyetja, si mund të falësh dikë që nuk është dënuar? Çfarë precedenti do të vendoste kjo? Mbështetja publike e Trumpit e vendos Presidentin Isaac Herzog në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë. Ai do të dëshirojë të tregojë pavarësinë e tij, por mbetet pyetja nëse do të dojë të shkojë kundër vullnetit të aleatit më të fuqishëm të Izraelit. Në deklaratën e tij me video, zoti Netanyahu tha: “Vazhdimi i gjyqit na përçan nga brenda, nxit këtë ndarje dhe thellon përçarjet. Jam i sigurt, si shumë të tjerë në komb, se një përfundim i menjëhershëm i gjyqit do të ndihmonte shumë për të ulur flakët dhe për të promovuar pajtimin e gjerë për të cilin vendi ynë ka aq shumë nevojë.”
Reagimet kundër kërkesës kanë qenë të menjëhershme. Emi Palmor, ish-drejtoreshë e përgjithshme e ministrisë së drejtësisë së Izraelit, tha se nuk është e mundur që gjyqi të ndalet nga kërkesa për falje. “Nuk mund të pretendosh se je i pafajshëm ndërsa gjyqi vazhdon dhe të vish te presidenti e t’i kërkosh të ndërhyjë,” tha ajo. Mënyra e vetme për të ndaluar gjyqin është t’i kërkohet prokurorit të përgjithshëm të pezullojë procedurat, shtoi ajo. Lideri i opozitës, Yair Lapid, i kërkoi presidentit të mos i nënshtrohet kërkesës.
“Nuk mund t’i jepni atij një falje pa një pranim faji, një shprehje pendese dhe një tërheqje të menjëhershme nga jeta politike,” tha ai.