Bota E Diel, 7 Dhjetor 2025 19:16
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot se nuk do të tërhiqej nga politika në rast se do të falej nga presidenti i vendit për akuzat e korrupsionit me të cilat përballet prej vitesh.
I pyetur nga një gazetar nëse planifikonte të tërhiqej nga jeta politike nëse do t’i jepej një falje presidenciale, Netanyahu iu përgjigj shkurt: “Jo”.
“Ata janë shumë të shqetësuar për të ardhmen time. Ata duan të sigurohen që… janë të shqetësuar për të ardhmen time”, shtoi Netanyahu me një ton paksa humoristik gjatë një interviste të përbashkët me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
“Epo, edhe votuesit janë të tillë dhe ata do të vendosin, natyrisht, por ne kemi detyra të mëdha për të përmbushur”, theksoi kryeministri izraelit.
Ideja për falje presidenciale u hodh javën e kaluar, kur Netanyahu i kërkoi zyrtarisht Presidentit Isaac Herzog që ta falë, raporton Times of Israel.
Netanyahu përballet me një akuzë për ryshfet dhe tre akuza për mashtrim dhe shkelje të besimit, të cilat lidhen me manipulimin e shtypit dhe pranimin e dhuratave të paligjshme në këmbim të favoreve qeveritare. Ai mohon çdo shkelje dhe i quan akuzat të sajuara si pjesë e një përpjekjeje për grusht shteti politik nga ana e policisë dhe prokurorëve.
Akuzat u ngritën në nëntor të vitit 2019, ndërsa gjyqi filloi në maj të 2020-ës pas vitesh hetimesh. Gjatë gjithë procesit, opozita ka kërkuar që Netanyahu të japë dorëheqjen për shkak të akuzave. Analistët paralajmërojnë se, nëse kryeministri vazhdon të qëndrojë në detyrë, gjyqi mund të zvarritet për disa vite të tjera.
Presidenti Herzog ka deklaruar se do të marrë vendimin për falje presidenciale duke konsideruar “vetëm të mirën e vendit”, një proces që mund të zgjasë javë ose muaj.









