Nga Mark Galeotti, SPECTATOR
A do të varet fati i Ukrainës nga Sloviansk, Kramatorsk, Druzhkivka dhe Kostiantynivka?
Këto emra mund të mos jenë të njohur për shumicën, por ato janë katër “qytete fortesa” kyçe në pjesët e mbetura të rajonit të Donetskut, që sipas raportimeve, Vladimir Putini po i kërkon si çmim për paqen.
Megjithëse detajet mbeten ende të paqarta, duket se korniza e një marrëveshjeje paqeje, e rënë parimisht dakord mes Putinit dhe Trumpit, do të parashikonte që rusët të pranojnë ngrirjen e vijës aktuale të frontit.
Madje mund të kthejnë ndonjë pjesë të vogël të rajoneve Sumy dhe Kharkiv që kanë pushtuar, në këmbim të dorëzimit nga ana e Kievit të pjesës shumë më të madhe të rajonit të Donetskut që ende e kontrollon.
Kjo do të ishte një pilulë e hidhur për t’u kapërdirë në shumë nivele. Nuk është vetëm çështja se territori në fjalë – rreth 30% e rajonit, mbi 15.000 kilometra katrorë – është shumë më i madh sesa zona që do të lirohej sipas “shkëmbimit” të lavdëruar nga Trump. Është gjithashtu çështja e vlerës së tij strategjike. Brenda këtij territori ndodhet i ashtuquajturi “brezi fortifikues”, i përbërë nga qytetet e përmendura më parë, të mbrojtura mirë, dhe disa qytete e vendbanime të tjera që shtrihen nga veriu në jug përgjatë autostradës N-20 Kostyantynivka-Slovyansk.
Duke qenë se Kievi me të drejtë do të kishte frikë nga një agresion i ri rus, cilado qoftë marrëveshja, bëhet edhe më e rëndësishme që këto linja mbrojtëse të jenë në anën e tyre të vijës së frontit. Për më tepër, ky është një territor i lagur me gjakun e mijëra ushtarëve ukrainas dhe ka një rëndësi simbolike: Sloviansku është qyteti që u kap nga nacionalisti rus Igor ‘Strelkov’ Girkin, kur – sipas vetë fjalëve të tij – “shkrepte këmbëzën” e kryengritjeve që nisën luftën e pashpallur në Donbas, e cila më pas çoi në pushtimin e vitit 2022. Në këto rrethana, madje mund të shtrohet pyetja nëse ushtria do të pranojë urdhrat për t’u tërhequr.
Megjithatë, Putini duket se e ka ridrejtuar debatin. Duke e vënë në qendër pyetjen nëse ky dorëzim është i pranueshëm apo jo, ai në fakt ka bërë që Perëndimi të pranojë se territoret e pushtuara aktualisht janë të humbura. Ndoshta një ditë, përmes mjeteve ushtarake ose politike, ato mund të rikthehen, por nuk ka një teori të besueshme të fitores që e parashikon këtë për Kievin në një të ardhme të afërt – përveçse nëse ndodh ndonjë zhvillim i papritur, si kolapsi ekonomik i Rusisë ose vdekja e afërt e Putinit. Për më tepër, linja e Putinit është, me shumë gjasë, që ky territor është i humbur për Kievin gjithsesi – qoftë për një muaj, një vit apo më gjatë, një ditë forcat e tij do të kalojnë me gjak dhe zjarr përmes brezit fortifikues. Refuzimi për të bërë një marrëveshje tani do të thotë vetëm më shumë vdekje dhe mjerim për të gjithë, përpara të pashmangshmes.
Putini mund të jetë gabim dhe mund të tregojë gatishmëri për ta braktisur këtë kërkesë, por nuk do ta bëjë këtë lehtë apo lirë. Pushtimi territorial nuk ka qenë kurrë objektivi i vërtetë i Putinit, por nënshtrimi i Ukrainës. Megjithatë, duke qenë se ai nuk e parashikoi kurrë që do të futej në një luftë të madhe, të kushtueshme dhe pa fund, Putini mund të jetë i gatshëm të pranojë një marrëveshje që mund ta paraqesë si një fitore në sytë e opinionit publik rus. Nga ana tjetër, Ukraina mund ta ndjejë gjithashtu si një lloj fitoreje nëse arrin të sigurojë garanci të qëndrueshme sigurie dhe ndihmë për rindërtim, që ta ndihmojnë të bëhet një shtet vërtet sovran, demokratik dhe i qëndrueshëm jashtë ndikimit të Moskës.
Kjo, në fund të fundit, është pika ku ka gjasa të përqendrohen negociatat më të vështira. Ajo pjesë e Donetskut ka rëndësi, por është mjedisi në të cilin ukrainasit do të rindërtojnë vendin e tyre që do të jetë vendimtar. Putini do që t’i lërë ata të pambrojtur dhe të përçarë (madje, një pjesë e vogël e arsyes përse ai kërkon Donetskun është pikërisht për të detyruar Zelenskyn ose të dënojë popullin e tij me më shumë luftë, ose të marrë një vendim jashtëzakonisht të papëlqyeshëm në emër të paqes).
Pyetja është se sa larg janë të gatshëm aleatët e Ukrainës të shkojnë për të ofruar garanci serioze dhe të besueshme sigurie dhe për ta detyruar Putinin t’i pranojë ato. Mund të jenë të tunduar të qëndrojnë te mantrat boshe si “Putini nuk mund të lejohet të fitojë”. Ukrainasit, që luftojnë në vijën e parë dhe fshihen nga dronët rusë në strehimore antiajrore, kanë plotësisht të drejtë të zgjedhin të qëndrojnë dhe të rezistojnë ndaj një marrëveshjeje kaq të shëmtuar. Megjithatë, duke qenë se aleatët evropianë të Ukrainës janë qartazi (dhe me të drejtë) të padëshiruar për të futur ushtarët e tyre në rrezik, mund të vihet në pikëpyetje morali i qëndrimit të tyre kur inkurajojnë Zelenskyn të rezistojë – thjesht për të shmangur ballafaqimin me kompromiset e pista morale që do të kërkonte paqja.