Erion Veliaj nuk është i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës në mbledhjen e sotme të orës 16:00.
Komisioni i Çështjeve Ligjore i Këshillit Bashkiak të Tiranës rrëzoi kërkesën e Veliajt që të ishte i pranishëm në këtë mbledhje, ku do të votohet për shkarkimin e tij si kryebashkiak. Veliaj ka kërkuar që të dëgjohet në këtë mbledhje, mirëpo ai nuk do të jetë i pranishëm.
Por çfarë thotë Gjykata Kushtetuese në rastet kur titullari nuk është i pranishëm për t’u dëgjuar në seancën ku votohet shkarkimi i tij?
Për këtë ekziston precedenti i ish-kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila, që në vitin 2021 Kushtetuesja e konsideroi të paligjshme vendimin e Këshillit të Ministrave për ta shkarkuar me argumentin se është shkelur e drejta e Zef Hilës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar.
“Çdo organ i pushtetit publik, gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues e ligjor, është i detyruar të respektojë standardet e gjithëpranuara demokratike, të cilat kanë gjetur pasqyrimin e tyre në Kushtetutë. Njohja paraprake e personit, ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i së drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, si me anën e dhënies së sqarimeve paraprake, ashtu edhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementet bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese të cilitdo për një proces të rregullt, si një e drejtë themelore”, thuhet në argumentimin e Kushtetueses në vitin 2021 për çështjen e Zef Hilës.
Veliaj ka paralajmëruar më herët se shkarkimin e tij, nëse ndodh, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
Ju mirëpresim!