Juristi Kreshnik Spahiu komenton strategjinë e kryeministrit Edi Rama që po punëson në administratë përfaqësues të PD-së dhe opozitës pas zgjedhjeve të 11 majit. Ai e cilësoi një strategji për të përçarë edhe më shumë opozitën, por nga ana tjetër theksoi se punësimi i demokratëve në administratë është më i moralshëm sesa pranimi i mandateve nga deputetët e PD-së.
”Të drejtën e marrëveshjeve e kanë vetëm liderët e partive të mëdha, kreu i opzoitës apo i mazhorancës dhe kjo s’është e drejtë. Unë mendoj se punësimi i demokratëve në administratë është më i moralshëm sesa pranimi i mandateve nga deputetët e PD-së. Edhe kryetari i PD-së së Vlorës nuk mund të presë 36 vite në opozitë, sa të vijë PD në pushtet. Që ka strategji nga PS që po i punëson ata, sepse po rekruton në administratë të gjithë njerëzit me influencë të PD-së, duke u ofruar punë dhe ngjallur xhelozi apo nxitur përplasje brenda PD”,-tha në Report TV.
Po ashtu ndau mendimin se ky është një cikël i mbyllur për opozitën, e cila aktualisht kontrollohet nga regjimi i kryeministrit Rama. ”PS erdhi me dualitet në qeveri dhe tani e ka timonin e vetëm. Mungesa e pushtetit të bën që opozita të konsumohet dhe të humbasi rrugës. Mendoj se ky është një cikël i mbyllur. Edhe liderët e PD-së mendoj dhe jam i bindur se janë të kontrolluar nga regjimi i Edi Ramës”.


