Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka akuzoi shumicën se po instrumentalizon Parlamentin dhe po e kthen atë në një shfaqje fasade, ndërsa i kërkoi qeverisë të lejojë debat të hapur dhe të përgjigjet për lidhjet e dyshuara me rrjetet kriminale. Noka u shpreh se opozita ka detyrë të heqë “prangat” që, sipas tij, i janë vendosur Kuvendit, dhe kërkoi që ministrat të dalin dhe t’u shpjegojnë qytetarëve rolin e tyre jo si “oborrtarë”, por si përfaqësues të publikut.
Ai përmendi edhe investigimet lidhur me takimin në Aruba, duke e përshkruar si shenjë të qartë të bashkëpunimit ndërmjet krimit dhe përfaqësuesve të shtetit, dhe ngriti shqetësime për ndikimin e parave të dyshimta në ekonominë shqiptare.
Flamur Noka: Të tentosh të kthesh këtë Parlament dhe të instrumentalizosh një farsë tjetër, kjo nuk kishte ndodhur kurrë dhe as ishte imagjinuar kurrë. Në rast se juve ju dhunon dhe ju dikton çdo gjë barkosi, atëherë shqiptarët kanë nevojë të dinë çdo gjë sepse ne jemi opozita dhe kemi detyrë të shpërthejmë ato prangat që ju ka futur juve barkosi në çdo hap dhe t’ju themi çdo realitet në këtë vend.
Edhe këta ministrat këtu. Gjysmën e tyre nuk e njeh asnjë shqiptar. Duhet ti lejoni t’i lejoni të flasin, sepse duhet ti njohin shqiptarët. Çfarë jeni aty? A jeni oborrtar apo jeni ministra.
Ju doni që çdo seancë të kthehet në farsë dhe të flasë akademia e barinjve e juaja, ndërsa kur vjen tek opozita tu ndërpritet fjala.
Takimi i Arubës është lemeritës, që tregon sesi bosët e narkosit ulen me qeverinë shqiptare. Tregon sesi një orë 500 mijë euro u jepet atyre për t’ia dhuruar kreut të narkosit, si një shpërblim ose si mirënjohje që po fut paratë e drogës ose të korrupsioni në sistemin e ekonomisë shqiptare.