Tag: polonisë

  • Shorti na vendosi ndaj Polonisë, ja reagimet e Dukës dhe Sylvinhos

    Shorti na vendosi ndaj Polonisë, ja reagimet e Dukës dhe Sylvinhos

    Armand Duka, presidenti i FSHF-së, dhe Sylvinho, kanë reaguar në mënyra të ndryshme pas shortit të sotëm të “play off”-it të Botërorit 2026, ku goglat e vendosën kombëtaren shqiptare përballë Polonisë në gjysmëfinale dhe, nëse kalon më tej, përballë fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, në finale. Duka u shpreh: “I buzëqeshur? Ndodhi kështu, në fakt çifti i parë nuk më pëlqente, Italia dhe Uellsi. Më vjen mirë që eliminuam ato të parët dhe ndaj qesha, kur i shmangëm.
    Nuk kisha ndonjë preferencë, pasi të gjitha janë kombëtare të forta. I gëzuar dhe i buzëqeshur jam, pasi jemi këtu. Falenderojmë futbollistët dhe stafin që na mundësuan të luajnë në “play off”. Polonia është një kundërshtar i fortë, të gjithë janë të fortë, por ne do të provojmë mundësitë tona. Do të luajmë në Varshavë në mars.
    Shorti i favorshëm? Ndeshjet e futbollit as nuk fitohen, as nuk humben në short. Ne ishim të mërzitur për shortin e kualifikueseve, por në fund dolëm të dytët. Shpresojmë që të kemi futbollistët gati dhe në formë të mirë. Të mos kenë dëmtime dhe t’i kemi të gjithë.
    Sllovakia, a ishte dëshira jonë? Në fakt më dukej një kundërshtar më i përshtatshëm, me diferencat që janë më të vogla, ose hiç. Në një diskutim që bëmë rrugës, unë shpreha dëshirën për Sllovakinë, ndërsa të tjerët për Uellsin.
    Kosova, a ka shanse? Kosova është një ekip i mirë, po kalon një moment të mirë. Shpresoj të jetë kështu edhe në mars. I ka të gjitha mundësitë për ta kaluar Sllovakinë dhe për të sfiduar më pas Turqinë ose Rumaninë. I ka të gjitha shanset për të fituar edhe finale, edhe për të qenë pjesë e Botërorit”.
    Më shkurt foli trajneri ynë kuqezi, Sylvinho: “Pres një Poloni tjetër nga ajo që na ka mundur në ndeshjen time të pare si trajner i kuqezinjve. Ata kanë ndryshuar shumë lojtarë dhe trajnerin”.

  • Sabotime në hekurudhat e Polonisë, të dyshuarit kryesorë dy ukrainas/ Tusk: Qëllimi ishte një katastrofë

    Sabotime në hekurudhat e Polonisë, të dyshuarit kryesorë dy ukrainas/ Tusk: Qëllimi ishte një katastrofë

    Dy ukrainas të dyshuar për bashkëpunim afatgjatë me shërbimet sekrete ruse janë identifikuar si autorët e dy akteve sabotimi në rrjetin hekurudhor të Polonisë.

    Sipas BBC-së, njëri prej të dyshuarve ishte dënuar më herët për akte sabotimi në Ukrainë. Gjatë një fjalimi në parlament, kryeministri Donald Tusk tha se kishte vizituar vendin e shpërthimit pranë fshatit Mika, në juglindje të Varshavës, ku fundjavën e kaluar u dëmtua linja hekurudhore që çon drejt kufirit ukrainas. Ai e përshkroi ngjarjen si “një akt sabotimi i paprecedentë”.
    Ndërkohë një incident i dytë ndodhi pranë Pulawy, ku një tren me pasagjerë u detyrua të ndalonte menjëherë për shkak të dëmtimit të kabllove ajrore. Fillimisht, autoritetet polake deklaruan se kishte shumë gjasa që sabotimet në linjën hekurudhore Varshavë–Lublin të ishin urdhëruar nga një “shërbim i huaj”. Më vonë, një zëdhënës i ministrit të shërbimeve speciale tha se “gjithçka tregon se bëhet fjalë për shërbimet speciale ruse”. Rusia nuk ka reaguar ende publikisht ndaj akuzave.
    “Qëllimi ishte të shkaktohej një katastrofë hekurudhore,” tha Tusk.
    Kryeministri refuzoi të publikojë emrat e të dyshuarve, duke thënë se kjo do të komplikonte operacionin. Ai sqaroi se njëri prej tyre jeton në Bjellorusi dhe tjetri në Ukrainën lindore. Të dy kishin hyrë në Poloni nga Bjellorusia gjatë vjeshtës dhe më pas janë rikthyer atje përmes pikës kufitare në Terespol, në jugperëndim të Bjellorusisë, pranë kufirit me Ukrainën.
    Tusk njoftoi se më 15 nëntor, rreth orës 21:00, një pajisje shpërthyese e tipit C4 me përdorim ushtarak shpërtheu pranë fshatit Mika, duke shkaktuar dëme të vogla në dyshemenë e një vagoni mallrash. Ngjarja u kap nga kamerat e sigurisë, ndërsa drejtuesi i trenit nuk e kishte vënë re shpërthimin. Para kësaj, kishte pasur një tentativë të dështuar për ta nxjerrë trenin nga shinat duke vendosur një kapëse çeliku.
    Akti i dytë i sabotimit ndodhi më 17 nëntor dhe përfshiu një tren me 475 pasagjerë që u detyrua të frenonte menjëherë për shkak të dëmtimit të infrastrukturës hekurudhore.
    Tusk bëri të ditur se do të urdhërojë rritjen e nivelit të alarmit në disa linja hekurudhore. Ai shtoi se që nga fillimi i vitit të kaluar, 55 persona janë arrestuar për dyshime lidhur me ndihmën, përgatitjen ose kryerjen e akteve sabotimi, dhe 23 prej tyre ndodhen në paraburgim.
    Sipas tij, motivimi i Rusisë është përhapja e panikut dhe nxitja e ndjenjave anti-ukrainase në Poloni, një vend që strehohen mbi një milion refugjatë ukrainas.
    “Ajo që u intereson autoriteteve ruse nuk është vetëm efekti i drejtpërdrejtë i këtyre veprimeve, por edhe pasojat sociale dhe politike që ato shkaktojnë. Kjo nënkupton çorganizim, kaos, panik, spekulime dhe pasiguri”, tha Tusk.
    Polonia, anëtare e NATO-s dhe BE-së, ka një rol kyç në transportin hekurudhor të ndihmave për Ukrainën që prej nisjes së pushtimit rus në shkurt 2022. Në shtator, Tusk deklaroi se tre dronë rusë ishin rrëzuar nga avionë polakë dhe të NATO-s në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.
    Ai tha se ishin regjistruar 19 shkelje të hapësirës ajrore me dronë, disa prej të cilave kishin fluturuar aq thellë sa detyruan mbylljen e përkohshme të katër aeroporteve, përfshirë aeroportin kryesor të Varshavës, Chopin. Ministria ruse e mbrojtjes reagoi duke thënë se “nuk kishte plane” për të goditur objektiva në territorin polak.

    Top Channel

  • Poloni/ Zbulohet ‘komploti rus’ me kanaçe ushqimore të mbushura me eksplozivë

    Poloni/ Zbulohet ‘komploti rus’ me kanaçe ushqimore të mbushura me eksplozivë

    Prokuroria Kombëtare e Polonisë po heton një komplot të dyshuar rus, që përfshinte futjen në vend të kanaçeve ushqimore me etiketa “misër”, por të mbushura me eksplozivë, raportojnë mediat polake.

    Sipas gazetës Gazeta Wyborcza, burime nga Prokuroria Kombëtare dhe Agjencia e Sigurisë së Brendshme (ABË) konfirmuan rastin.

    I dyshuari është një shtetas ukrainas, i identifikuar vetëm si Władysław D., që dyshohet se ka lidhje me shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse (GRU).

    Sipas burimeve, person ka transportuar kanaçet nga një varrezë në Lituani dhe i ka lënë ato pranë qytetit Lodz në qendër të Polonisë.

    Sipas një eksperti ushtarak, sasia e eksplozivëve që besohet se ishte përdorur mund të shkaktonte dëmtime të mëdha në automjete dhe plagë serioze për njerëzit që do të gjendeshin pranë.

    Koordinatori i shërbimeve speciale të Polonisë, Tomasz Siemoniak, deklaroi se GRU kishte planifikuar operacione sabotazhi në Poloni, Lituani dhe Gjermani, duke përdorur eksplozivë të fshehur në kanaçe.

    Hetuesit dyshojnë se kanaçet ishin planifikuar të përdoren si ngarkesë shpërthyese në dronë për të kryer sulme.

    Megjithëse nuk është bërë publik motivi i sulmeve të planifikuara, mbështetja e fortë e Polonisë për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia, shihet si një arsye e mundshme.

    Polonia ka ofruar rreth 3.3 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe humanitare për Kievin dhe ka strehuar afro 1 milion refugjatë ukrainas, shumica gra dhe fëmijë.

    Prokuroria polake e cilësoi hetimin si pjesë e një hetimi më të gjerë për operacionet e luftës hibride të Rusisë në Evropë.

    Ky zbulim ndodh në një kohë kur ka pasur disa shkelje të hapësirës ajrore në vende evropiane, për të cilat Rusia dyshohet se qëndron pas.

  • Zelensky: Putin po përgatitet për një luftë më të madhe në Europë

    Zelensky: Putin po përgatitet për një luftë më të madhe në Europë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka ngritur alarmin se Kremlini mund të zgjerojë agresionin përtej kufijve ukrainas, duke goditur një tjetër shtet evropian. Gjatë një deklarate në Kiev, pas kthimit nga një takim me presidentin amerikan Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Zelenskyy paralajmëroi se Moska po vë në provë mbrojtjen ajrore të vendeve anëtare të NATO-s përmes sulmeve me dronë dhe hyrjeve të paautorizuara në hapësirën ajrore të vendeve evropiane.
    “Putini nuk ka ndërmend të përfundojë luftën vetëm në territorin ukrainas. Ai kërkon të hapë një tjetër front, edhe pse ende nuk dihet ku. Është pjesë e qëllimit të tij strategjik”, theksoi presidenti ukrainas.
    Ai veçoi incidentet e fundit të dronëve dhe avionëve luftarakë rusë që kanë shkelur hapësirën ajrore të Danimarkës, Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë, si pjesë e një fushate për të analizuar kapacitetet mbrojtëse të Evropës.
    Zelenskyy shtoi se disa shtete të Bashkimit Evropian po hasin vështirësi në trajtimin e kësaj forme të re kërcënimi. Ai përmendi një episod të ndodhur në fillim të muajit, kur Ukraina kishte detektuar 92 dronë që lëviznin në mënyrë të koordinuar drejt Polonisë. Sipas tij, shumica e tyre u neutralizuan, por 19 arritën të depërtojnë në territorin polak, ku katër u rrëzuan nga forcat e mbrojtjes ajrore të Polonisë.
    “Nuk po bëj krahasime mes ushtrive tona. Ne jemi në gjendje lufte; ata jo”, shtoi Zelenskyy. Ai gjithashtu bëri me dije se delegacione nga disa vende – të cilat nuk i identifikoi – do të udhëtojnë drejt Ukrainës për të marrë trajnim mbi metodat e mbrojtjes kundër sulmeve ajrore ruse.

  • “Rusia po teston limitet e NATO-s”, flet i ngarkuari me punë i Polonisë në Tiranë

    “Rusia po teston limitet e NATO-s”, flet i ngarkuari me punë i Polonisë në Tiranë

    I ngarkuari me punë i Polonisë në Tiranë, Wojciech Unolt, komentoi për RTSH sulmin e fundit të dronëve rusë mbi territorin polak.
    Ai tha se “Rusia po teston kufijtë e NATO-s” dhe se ky nuk ishte një incident i izoluar, por një akt i qëllimshëm agresioni.
    “Nuk ka asnjë dyshim se ky ishte një akt i qëllimshëm agresioni kundër Polonisë. Vetë numri i madh i dronëve dhe kohëzgjatja e sulmit tregojnë se nuk mund të ishte një incident. Ishte një përpjekje e qëllimshme për të testuar kapacitetin tonë, gatishmërinë, vendosmërinë dhe aftësitë tona për të reaguar. Gjithashtu, vetë fakti që dronët po vinin nga Bjellorusia tregon se ata nuk ishin dronë të dërguar nga Rusia kundër Ukrainës, por qëllimisht ishin dërguar nga Bjellorusia kundër Polonisë,” u shpreh diplomati polak.
    Unolt theksoi se reagimi i NATO-s ishte i menjëhershëm dhe për herë të parë i karakterit ushtarak, duke neutralizuar dronët që paraqisnin kërcënim për qytetarët dhe infrastrukturën kritike.
    “Reagimi i NATO-s nuk ishte vetëm politik. Ishte një reagim i vërtetë ushtarak, në fakt i pari i këtij lloji, që çoi në shkatërrimin e dronëve armiqësorë e që kishin depërtuar në hapësirën ajrore polake. Megjithatë veprimet politike janë gjithashtu të nevojshme dhe në këtë kuadër Polonia ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit,” tha z. Unolt.
    I ngarkuari me punë i Polonisë përfundoi me mesazhin se prania e trupave amerikane në Poloni është një faktor i fuqishëm frenues dhe se solidariteti i NATO-s dhe BE-së mbetet thelbësor për sigurinë rajonale dhe mbështetjen e Ukrainës.
    Ai bëri të qartë se Polonia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, duke ofruar ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare, si dhe duke zbatuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

  • “Rusia u përpoq të na testonte pa e nisur luftën’, ministri i jashtëm polak: Me një agresor si Putin, funksionon vetëm…

    “Rusia u përpoq të na testonte pa e nisur luftën’, ministri i jashtëm polak: Me një agresor si Putin, funksionon vetëm…

    Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, konfirmoi se dronët që hynë në territorin polak javën e kaluar kishin kapacitet për të mbajtur municion, por nuk ishin të ngarkuar me eksplozivë.

    “Është interesante që të gjithë ishin bosh, gjë që më sugjeron se Rusia u përpoq të na testonte pa nisur një luftë,” tha Sikorski për The Guardian në Kiev.
    Ai hodhi poshtë sugjerimet se mbrojtja ajrore e Polonisë kishte qenë e papërgatitur për shkeljen, duke pasur parasysh faktin se disa prej dronëve udhëtuan qindra kilometra në territorin polak dhe raportimet tregojnë se vetëm tre ose katër nga rreth 19 u rrëzuan.
    “Dronët nuk arritën objektivat e tyre dhe pati vetëm dëme të vogla materiale, askush nuk u lëndua. Nëse kjo do të kishte ndodhur në Ukrainë, sipas përkufizimeve ukrainase, do të konsiderohej si një sukses 100%,” u shpreh ai.Sikorski theksoi se reagimi i Polonisë do të kishte qenë “shumë më i ashpër” nëse sulmi i javës së kaluar do të kishte shkaktuar viktima apo të plagosur në territorin e saj, por nuk pranoi të japë detaje se si mund të dukej një përgjigje e tillë në të ardhmen. “Me një agresor dhe gënjeshtar si Putini, funksionojnë vetëm kundërpresionet më të forta,” tha ai.
    Ai shtoi se shpreson që Donald Trump të marrë Çmimin Nobel për Paqe nëse arrin të sigurojë “një paqe të drejtë” në konflikt, të cilën e përshkroi si “Ukrainë brenda kufijve të mbrojtshëm dhe një Ukrainë që integrohet në Perëndim”.
    Kur iu sugjerua se Trump deri tani nuk ka treguar shumë shenja se po ushtron presion mbi Putinin për të pranuar një rezultat të tillë, ai tha: “Ai ka stilin e tij personal, ne e respektojmë, por do ta gjykojmë nga rezultatet.”Polonia ka deklaruar se nuk do të kontribuojë me trupa në një mision të tillë dhe Sikorski, duke folur në një konferencë në Kiev, paralajmëroi kundër retorikës së tepruar lidhur me garancitë e ardhshme.
    “Garancitë e sigurisë kanë për qëllim të dekurajojnë një kundërshtar potencial. Pra, ajo që po themi është se nëse ka ndonjë lloj paqeje, herën tjetër që Rusia provon diçka kundër Ukrainës, ne mund të hyjmë në luftë me Rusinë. Tani, unë nuk e shoh këtë shumë të besueshme. Sepse nëse do të donit të nisnit një luftë me Rusinë, mund ta bënit sot, dhe nuk shoh vullnetarë. Nuk ka asgjë më të rrezikshme në marrëdhëniet ndërkombëtare sesa të japësh një garanci që nuk është e besueshme,” tha ai.

    Top Channel

  • Polonia miraton dislokimin e forcave të NATO-s në territorin e saj

    Polonia miraton dislokimin e forcave të NATO-s në territorin e saj

    Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka nënshkruar zyrtarisht miratimin për vendosjen e trupave shtesë të NATO-s në territorin polak.
    Dislokimi bëhet në kuadër të operacionit “Roja Lindore“, një masë e konsideruar si përforcim i sigurisë kombëtare përballë kërcënimeve në rritje nga lindja, veçanërisht pas incidenteve të fundit me dronë rusë që kanë shkelur hapësirën ajrore polake.
    “Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, nënshkroi një dekret për të dhënë pëlqimin për praninë në territorin e Polonisë të kontingjentit të forcave të huaja nga shtetet anëtare të NATO-s, në kuadër të përforcimit të Republikës së Polonisë në kuadër të operacionit ‘Roja Lindore’,” thuhet në njoftim, sipas mediave polake.

    Vendimi vjen ndërkohë që tensionet midis NATO-s dhe Rusisë janë rritur, sidomos pas ndërhyrjes së avionëve polakë dhe të aleatëve për rrëzimin e dronëve që shkelën kufirin ajror të Polonisë më 10 shtator. Kryeministri Donald Tusk ka paralajmëruar se situata është më e rrezikshmja që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka kërkuar konsultime urgjente me aleatët e NATO-s në bazë të Nenit 4 të Traktatit të Aleancës.
    Forcat aleate, përfshirë avionë luftarakë F-35 nga Holanda dhe avionë të NATO-s për mbikëqyrje ajrore, morën pjesë në operacionin për mbrojtjen e hapësirës ajrore polake. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë mohon që objektivat të kenë qenë në territorin e Polonisë dhe shpreh gatishmërinë për të zhvilluar bisedime me palën polake.
     

  • NATO bën gati “rojen lindore”, pas shkeljes se hapsirës ajrore të Polonisë shtohen forcat ushtarake

    NATO bën gati “rojen lindore”, pas shkeljes se hapsirës ajrore të Polonisë shtohen forcat ushtarake

    Aleanca ushtarake e NATO-s, e udhëhequr njoftoi forcimin e krahut të saj lindor, pasi hapësira ajrore e Polonisë u shkel nga dronët rusë, ngjarje kjo që rriti tensionet.
    Plani i ri është quajtur Roja Lindore”, i cili do të përfshijë dislokimin e pajisjeve shtesë ushtarake nga Britania, Danimarka, Franca dhe Gjermania, me qëllim parandalimin e një agresioni të mundshëm rus. Lajmin e bëri të ditur sekretari I NATOS Mark Rutte në një konferencë të përbashkët më gjeneralin amerikan Alexus Grynkewich.
    “Përveç aftësive ushtarake më tradicionale, kjo përpjekje do të përfshijë edhe elementë të projektuar për të adresuar sfidat e veçanta që lidhen me përdorimin e dronëve. Jam i bindur në forcën dhe aftësinë e kësaj Aleance – jo vetëm për shkak të udhëheqjes së shkëlqyer të drejtuesve tanë të lartë“, Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s

    Ndërkohë Grynkeëich tha se pajisjet e reja do të përfshijnë avionët luftarakë francezë Rafale, F-16 danezë, një fregatë dhe sisteme tokësore të mbrojtjes. Gjenerali amerikan u tha gazetarëve se aleanca ushtarake do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.
    /vizionplus.tv

  • Kryediplomati polak në Kiev për bisedime të sigurisë

    Kryediplomati polak në Kiev për bisedime të sigurisë

    Ministri i Jashtëm i Polonisë ka arritur në Kiev më 12 shtator për bisedime të sigurisë, disa ditë pasi në hapësirën ajrore të Polonisë u futën dronë rusë, ngjarje që nxiti shqetësime se pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në shtete të tjera.

    Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, publikoi fotografi të takimit të tij me homologun polak, Radoslaw Sikorski, në një stacion treni në Kiev.

    “Në dritë të përshkallëzimit të terrorit të Rusisë kundër Ukrainës dhe provokimeve kundër Polonisë, ne qëndrojmë të bashkuar”, shkroi Sybiha në rrjetet sociale.

    “Do të zhvillojmë bisedime të rëndësishme për sigurinë tonë të përbashkët, anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe NATO si dhe për presionin ndaj Moskës”, shtoi ai.

    Polonia dhe aleatët e saj të NATO-s rrëzuan dronë rusë që hynë në hapësirën ajrore polake të mërkurën, për herë të parë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

    Moska ka mohuar se ka shënjestruar Poloninë./ REL.

  • Rusia i bën thirrje Polonisë të rihapë kufirin me Bjellorusinë

    Rusia i bën thirrje Polonisë të rihapë kufirin me Bjellorusinë

    Rusia i bëri thirrje Polonisë që të rihapë kufirin e saj me Bjellorusinë – aleaten e ngushtë të Moskës – duke e cilësuar mbylljen e kufirit si “destruktive” dhe duke paralajmëruar pasoja.

    Kryeministri polak, Donald Tusk, një ditë më parë njoftoi për mbylljen e kufirit me Bjellorusinë nga ora 00:00 e 12 shtatorit, në përgjigje të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Moskës me Minskun.
    “Ne i bëjmë thirrje Varshavës të shqyrtojë pasojat e këtyre hapave destruktivë dhe të rimendojë vendimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova përmes një deklarate më 11 shtator.
    Mbyllja e kufirit po bëhet “për të justifikuar politikën e përshkallëzimit të mëtejmë të tensioneve në Evropën qendrore”, shtoi ajo.
    Anëtaret e krahut lindor të NATO-s, Polonia, Lituania dhe Letonia janë në gatishmëri të lartë për shkak të stërvitjeve masive ushtarake që pritet të mbahen. Tusk ka thënë se këto stërvitje janë të dizajnuara që të simulojnë pushtimin e korridorit Suvalki – një zonë me rëndësi strategjike në Poloni.
    Stërvitja Zapad mbahet zakonisht çdo katër vjet. Por, sivjet kjo stërvitje do të mbahet për herë të parë që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës mbi tre vjet më parë. Stërvitja do të zhvillohet deri më 16 shtator.
    Bjellorusia kishte thënë në janar se 13.000 trupa do të përfshiheshin në stërvitje, por në maj njoftoi se numri do të përgjysmohej.
    Zakharova tha se Varshava i kishte “injoruar demonstrativisht” gjestet e “vullnetit të mirë” nga Moska dhe Minsku për ta zhvendosur stërvitjen larg kufirit polak dhe për të reduktuar numrin e personelit ushtarak që do të marrin pjesë në të.
    Po ashtu, këto stërvitje vijnë pasi Polonia tha të mërkurën se rrëzoi deri në katër dronë nga 19 dronë rusë që shkelën në hapësirën e saj ajrore.
    Moska më pas tha se ishte duke kryer një sulm të madh në perëndim të Ukrainës dhe se nuk kishte planifikuar të sulmonte ndonjë objektiv brenda Polonisë./REL

    Top Channel