Tag: pollozhani

  • Nuk justifikon pasurinë, Altin Dumani kërkon shkarkimin e gjyqtarit Ervin Pollozhani

    Nuk justifikon pasurinë, Altin Dumani kërkon shkarkimin e gjyqtarit Ervin Pollozhani

    Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani u qëndroi gjatë bisedimeve përfundimtare shkaqeve të ankimit në çështjen e vetingut të gjyqtarit të Tiranës, Ervin Pollozhani dhe kërkoi shkarkimin e tij për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Pollozhani kundërshtoi gjetjet për deklarime kontradiktore, si dhe pretendoi se kishte provuar burimet e ligjshme të pasurive, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e tij.
    Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqësoi Dumanin në këtë çështje, parashtroi të martën me 25 nëntor gjetjet lidhur me burimet e një apartamenti, kthimin e një vlere nga shoqëria ndërtuese, një gjendje cash 1 milion lekë, si dhe shpenzimet e mobilimit.
    Për apartamentin që zotëron subjekti dhe bashkëshortja e tij në Tiranë, janë deklaruar si burim krijimi të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti të mëparshëm. Ky i fundit është porositur e paguar në vitin 2007 nga bashkëshortja e subjektit dhe prindërit e saj, ndërkohë që kontrata e shitblerjes në vitin 2012 është nënshkruar vetëm nga subjekti e bashkëshortja. Po ashtu, në 2011-ën, kur ata kishin lidhur martesë, kompania ndërtuese u ka kthyer një shumë prej 4.4 milionë lekësh, për arsye se apartamenti i porositur kishte sipërfaqe më të vogël dhe se punimet nuk ishin si ato të përcaktuara në kontratë. Pollozhani ka deklaruar se nuk ka kontribuar në pagesën e çmimit të apartamentit të porositur në vitin 2007.
    Sipas Brahos, apartamenti i mëparshëm i porositur dhe paguar në vitin 2007 nga bashkëshortja e prindërit e saj, nuk mbulohej me burim të ligjshme. Ai konstatoi se nga aktet dhe shpjegimet e subjektit, nuk u arrit të provohen një pjesë e të ardhurave të bashkëshortes dhe familjarëve të saj.
    Megjithatë, nisur nga fakti se këto burime janë deklaruar si të krijuara e përdorura para martese, konsiderohen prej drejtuesit të SPAK si të pamjaftueshme për të sjellë penalizim veçmas, por është çmuar të trajtohen në vlerësimin e përgjithshëm të kriterit të pasurisë.
    Në vijim, Braho u ndal në shumën 4.4 milion lekë të deklaruar se është dhënë prej shoqërisë ndërtuese pasi apartamenti i dorëzuar ishte më i vogël dhe nuk plotësonte kriteret e dakordësuara në 2007-ën. Sipas Brahos, dhënia e kësaj shume prej shoqërisë ndërtuese, që përbënë 30% të vlerës së apartamentit, është deklaruar në vitin 2011, kur subjekti kishte lidhur martesë me bashkëshorten.
    Në vijim, Braho konstatoi se diferenca mes çmimit të paguar në vitin 2007 kur është lidhur kontrata e porosisë me atë të shitblerjes në vitin 2012, është 2.1 milionë lekë dhe jo 4.4 milionë lekë sa ka deklaruar subjekti se ka kthyer shoqëria ndërtuese. Ai shtoi se në kontratën e sipërmarrjes nuk janë përcaktuar penalitete në rast të mospërmbushjes së dorëzimit të banesës brenda afatit 6-mujor, ashtu si ishte parashikuar.
    Drejtuesi i SPAK i cilëson të pabazuara edhe pretendimet për cilësinë e punimeve, duke argumentuar në kontratën e shitblerjes së vitit 2012 të nënshkruar nga subjekti e bashkëshortja citohet se shitësi e dorëzon pronën në gjendje të mirë, pa të meta dhe me cilësinë e përcaktuar më parë ndërmjet palëve, ndërsa shtohet se “blerësit marrin në dorëzim pronën pa paraqitur ndonjë rezervë…”.
    Braho vërejti se subjekti nuk ka paraqitur ndonjë preventiv apo ndonjë dokument tjetër provues në lidhje me punimet e pakryera, të cilat pretendon se i ka kryer ai, si dhe rezulton të ketë deklaruar shpenzime për rikonstruksion apo punime shtesë të kryera në këtë apartament. Për rrjedhojë, pretendimet e tij për investime shtesë konsiderohen në nivel deklarativ.
    Në vijim, Braho nënvizoi se mbetet e paqartë se si një apartament, i cili përfundimisht është blerë në vitin 2012 me vlerën 11.7 milionë lekë, që sipas pretendimeve të vetë subjektit punimet nuk ishin të një cilësie të mirë, është shitur pas rreth dy vitesh për rreth 18 milionë lekë. Braho theksoi se se ndryshimi i çmimeve nuk mund të justifikohet nga vlera e mobiljeve të deklaruara nga subjekti në shumën 1 milionë lekë dhe as nga luhatjet e rtegut gjatë viteve 2012-2014.
    “…Vlerësojmë se pretendimet e subjektit lidhur me vonesën e dorëzimit të apartamentit, ndryshimin e sipërfaqes, cilësinë e punimeve dhe materialeve, si dhe punimet e pakryera mbeten në nivel deklarativ”, tha Braho.
    Nisur dhe nga konstatimi iu pamundësisë financiare për krijimin e shumës 4.4 milionë lekë, drejtuesi i SPAK vlerëson se gjyqtari Pollozhani ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të kësaj pasurie të përfituar gjatë martesës dhe gjatë ushtrimit të detyrës, e cila është deklaruar si e përfituar nga shoqëria ndërtuese, vlerë që më vonë është pretenduar si një nga burimet e krijimit të një depozite bankare në emër të subjektit.
    Tjetër problem i konstatuar nga Braho ishte dhe mospasqyrimi nga ana e subjektit në deklaratat periodike të një gjendje cash në shumën 1 milion lekë. Sipas tij, përveçse nuk është deklaruar ky kursim, shuma 4.4 milionë lekë e deklaruar si burim, nuk mbulohet me burime të ligjshme. Edhe në këtë rast, drejtuesi i SPAK konkludon se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm.
    Braho paraqiti vlerësim të njëjtë dhe për shpenzimet e deklaruara nga subjekti se janë përdorur për mobilimin e apartamentit në vitin 2016, me argumentin se nuk mbulohen me burime të ligjshme shpenzimet dhe investimet e kryera në atë periudha. Po ashtu, konstatohet se Pollozhani ka kryer deklarime kontradiktoe, pasi ka deklaruar vlera dhe burime të ndryshme për këto shpenzuime.
    Në përfundim, drejtuesi i SPAK vlerëson se Pollozhani nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe kërkoi shkarkimin e tij nga detyra.
    Pollozhani deklaroi se ankimi lidhet me burimin e burimit të apartamentit që ai zotëron. Ai vërejti se nuk është konsideruar nga ana e Komisioneres Publike momenti i krijimit të apartamentit të mëparshëm, përpara martesës me bashkëshorten. Subjekti këmbënguli se i ka shpjeguar në mënyrë të detajuar fondet që kanë shërbyer për krijimin e asaj pasurie, që përbëhen nga të ardhurat e bashkëshortes para martesës nga puna si mjeke e përgjithshme e mjeke promocioni, ato nga përkthimet, si dhe të prindërve të saj nga shitja e bimëve medicinale e të ardhura të tjera të tyre.
    Pollozhani solli në vëmendje se bazuar në jurispudencën e Kolegjit, provohet ligjshmëria e këtyre burimeve. Ai tha se në ankim tentohet të përfshihen datat e njohjes e të fejesës me bashkëshorten, por sipas tij në atë kohë nuk bashkëjetonin dhe aq më tepër nuk merrnin vendime të përbashkëta.
    Lidhur me nënshkrimin e kontratës së shitblerjes, ai sqaroi se është përfshirë në atë kohë për arsye të situatës së gjendjes civile, si i martuar.
    Në vijim, Pollozhani nënvizoi se kthimi i vlerës 4.4 milionë lekë nga shoqëria ndërtuese kishte të bënte me diferencën mes përcaktimeve në kontratën e porosisë së vitit 2007, me gjendjen që u mor në dorëzim apartamenti.
    Për depozitimin e një pjese të vlerës 4.4 milionë lekë në llogarinë e tij, Pollozhani tha se kjo ishte kryer me dakordësinë e bashkëshortes.
    Ai shtoi se prindërit e bashkëshortes kanë kontribuar financiarisht dhe për vajzën tjetër të tyre, për shkollimin e saj, si dhe për dy djemtë të cilëve u kanë blerë tokë që të ndërtonin shtëpi.
    Subjekti theksoi se me shpjegimet dhe provat që ka dorëzuar i ka përmbysur pretendimet e ngritura në ankim për pamundësi financiare prindërve dhe bashkëshortes për pagesën e çmimit të apartamentit në vitin 2007. Ai shpjegoi se prindërit e bashkëshortes kanë pasur të regjistruar biznesin e tyre me aktivitet të pandërprerë. Po ashtu, ritheksoi se bashkëshortja ka siguruar të ardhura të mjaftueshme nga punët si përkthyese, si mjeke promocioni, ndërsa familja nga tregtimi i bimëve medicinale. “Kam paraqitur dokumente”, deklaroi subjekti duke petenduar se vërtetohen të gjitha të ardhurat e deklaruara.
    Lidhur me mosdeklarimin e gjendjes cash, subjekti shpjegoi se në vitet 2011 e 2012 nuk përcaktohej në formularin e deklarimit pasqyrimi këtij lloj likujditeti.
    Ai shpjegoi se depozitimi i shumës 3 milionë lekë në llogarinë e tij nga vlera 4.4 milionë lekë e kthyer nga shoqëria ndërtuese, tregon se pjesa tjetër e mbetur ka shërbyer për cash-in.
    Edhe për shpenzimet për mobilimin e dy apartamenteve, subjekti pretendoi se në formulare nuk ka pasur rubrikë për të kryer një deklarim të tillë. Ai këmbënguli se vërteton se ka pasur burime të ligjshme për kryerjen e mobilimit të banesave.
    Në vijim, Pollozhani u ndal në gjetjen e ONM-së lidhur me vlerën 4.4 milionë lekë të kthyer nga shoqëria ndërtuese, duke shpjeguar se këto fakte ishin hetuar më së paku pesë herë dhe nuk ishin evidentuar probleme.
    Ai vërejti se vëzhguesi ndërkombëtar i ka kryer përllogaritjet duke përdorur kurse këmbimi valutor të ndryshëm, që kanë sjellë dhe konstatimin e vlerave të ndryshme.
    Subjekti theksoi se vetë shoqëria ndërtuese ka sqaruar se vlera 4.4 milionë lekë është kthyer pasi apartamenti nuk është dorëzuar në kohë dhe me sipërfaqen e gjendjen e përcaktuar në kontratën e porosisë.
    Pollozhani kundërshtoi edhe konstatimin për shitjen e apartamentit në një vlerë të konsiderueshme më të lartë sa ishte blerë, duke pretenduar se ashtu si ishte rritur çmimi i referencës, ishte rritur dhe ai i tregut të lirë. Sipas subjektit, nuk qëndron gjetja se është bërë për përfitim.
    Në përfundim, gjyqtari Ervin Pollozhani kërkoi lënien në fuqi të vendimmarrjes së Komisionit për konfirmimin e tij në detyrë.
    Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 15 dhjetor, në orën 15:00. /BIRN

  • Vëzhguesi i ONM kërkon hetim të mëtejshëm për gjyqtarin Ervin Pollozhani

    Vëzhguesi i ONM kërkon hetim të mëtejshëm për gjyqtarin Ervin Pollozhani

    Një kërkesë e vëzhguesit Theo Jacobs të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për hetimin e një gjetjeje në çështjen e vetingut të gjyqtarit të Tiranës, Ervin Pollozhani solli shtyrjen e seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të martën më 11 nëntor, ku palët ishin ftuar për të paraqitur konkluzionet përfundimtare.
    Që në fillim të seancës, Jacobs bëri me dije se kishte depozituar një gjetje dhe një opinion për trupin gjykues të Kolegjit, përmes së cilave u kërkonte hetimin e mëtejshëm të transaksioneve që kanë të bëjnë me blerjen e një apartamenti nga Pollozhani dhe bashkëshortja e tij, ku atyre u është kthyer një pjesë e vlerës së paguar.
    Jacbos kërkon që të pyetet si dëshmitar administratori i shoqërisë që ka shitur apartamentin si dhe të merren prej kësaj shoqërie aktet që kanë të bëjnë me rikthimin e vlerës 4.4 milionë lekë subjektit dhe bashkëshortes së tij. Po ashtu, kërkon që në funksion të gjykimit të çështjes të merren dhe akte që kanë të bëjnë me kontratat për apartamentet e tjerë, si dhe të verifikohet për çështje penale apo civile të blerësve të banesës apo të familjarëve të tyre në gjykatat ku ka ushtruar funksionin para kryerjes së këtij transaksioni.
    Kryesuesja e trupit gjykues, Ina Rama u kërkoi palëve që të paraqesin qëndrim lidhur me këtë kërkim të vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM-së. Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, Altin Dumani në çështjen e vetingut të gjyqtarit Pollozhani, kërkoi afat kohor për t’u njohur me aktin e parqitur nga Jacobs.
    Ndërkohë, përfaqësuesja ligjore e gjyqtarit Pollozhani, avokatja Romina Zano pyeti nëse gjetja kishte te bënte me ndonjë fakt të ri të pahetuar më parë gjatë hetimit administrativ në KPK. Ajo vërejti se ONM jep qëndrim të unifikuar institucional dhe se nuk mund të jetë opinion i një vëzhguesi veçmas.
    Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs deklaroi se të dhënat janë në dosjen e hetimit administrativ dhe se opinioni është bazuar në faktet që janë aty. Sipas tij, të blesh lirë dhe të shitësh shtrenjtë bie erë.
    Jacobs shtoi se kërkimet e tij për hetim e verifikim të mëtejshëm kanë si qëllim që të qartësojnë situatën, ose “aroma” të largohet, ose të gjendet “trupi i vdekur”.
    Sipas Zanos, është Komisioneri Publik që e vendos në lëvizje KPA-në brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. Po ashtu, solli në vëmendje se ONM bënë rekomandim pranë institucionit të Komisionerëve Publikë, që e vë në lëvizje këtë të fundit për të ushtruar ankim.
    Avokatja Zano tha ndër të tjera se, çfarë u paraqit ka pamjen e një opinioni subjektiv, ku u përmendën fjalë si, “nuhas” apo “trup i vdekur”, që duken si qasje personale të vëzhguesit ndërkombëtar.
    Ajo shpjegoi se ONM ka monitoruar procesin dhe vëzhguesi ndërkombëtar i mëparshëm i ka njohur të gjitha provat, si dhe e ka pyetur subjektin për rrethanat që trajtohen në gjetjet dhe opinonin e Jacobs.
    Po ashtu, theksoi se gjetja po paraqitet në fazën kur çështja është në fazën e konkluzioneve përfundimtare.
    Zano pyeti se çfarë donte të tregonte paraqitja e kësaj gjetjeje, nëse hetimi administrativ i mëparshëm nuk ishte i plotë, apo po vendosej në dyshim integriteti profesional i vëzhguesit ndërkombëtar të mëparshëm, Steven Kessler?
    Kryesuesja Ina Rama solli në vëmendje se të gjitha qëndrimet mund të paraqiten nga palët pasi të njihen me aktin e dorëzuar nga Jacobs.
    Në përgjigje të qëndrimeve të Zanos, vëzhguesi Theo Jacobs, pyeti nëse kishte ndonjë përcaktim ligjor ku parashikohej afat që ndalonte paraqitjen e gjetjeve. “Më jepni përcaktimin ligjor që ndalon të paraqes gjetje”, u shpreh ai dhe shtoi se gjendej në sallë në cilësinë e vëzhguesit të ONM-së dhe se bazuar në këtë cilësi, i kishte kërkuar trupit gjykues që të merrte vendim për kërkimin e tij për thirrjen si dëshmitar të ndërtuesit që ka shitur apartamentin dhe të kryheshin verifikimet e tjetra lidhur me këto transkasione dhe personat e përfshirë.
    “Po kërkoj që trupi gjykues ta marrë vendimin bazuar në gjithë provat”, deklaroi Jacobs.
    Pasi u tërhoq, trupi gjykues i Kolegjit vendosi të shtyjë seancën për më datë 14 nëntor, ora 10:00, për t’u dhënë kohë palëve në proces për të mbajtur një qëndrim,
    Gjatë seancës parardhëse më 28 tetor, vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs, i drejtoi disa pyetje subjektit lidhur me transaksionet e kryera për blerjen dhe shitjen e një apartamenti në Tiranë. Jacobs solli në vëmendje se, pas kthimit të një vlerë nga ana e shoqërisë ndërtuese, prindërit e bashkëshortes që kishin kontribuar, nuk kishin marrë ndonjë pjesë. Po ashtu, sipas vëzhguesit, çmimi i blerjes sipas kontratës së vitit 2012, mbetet me një diferencë të konsiderueshme prej 4.4 milionë lekësh, me atë të shitjes në 2014-ën.
    Jacobs u shpreh se ky transaksion nuk përputhej me logjikën ekonomike, ndërkohë që vlera monetare e përfituar nga shitja ishte depozituar në llogarinë e gjyqtarit Pollozhani. Duke i cilësuar transaksionet se një “abrakada financiare”, Jacobs u shpreh se vetëm në Shqipëri kishte parë gjëra të tilla.
    Për kthimin e shumës nga shoqëria ndërtuese, Pollozhani shpjegoi gjatë seancës parardhëse se kishte të bënte me sipërfaqen me të vogël të apartamentit të mëparshëm të dorëzuar në vitin 2012. Subjekti ka deklaruar gjatë gjithë kohës se nuk ka pasur kontribut në blerjen e kësaj pasurie, por sipas tij ishte blerë nga bashkëshortja dhe prindërit e saj para martese.

    Pollozhani shpjegoi se vjehrri e vjehrra nuk morën pjesë, pasi kontirbuesja më e madhe për pagesën e çmimit të apartamentit të mëparshëm kishte qenë bashkëshortja, me rreth 90% të vlerës. Lidhur me çmimin e shitjes më të lartë, subjekti parashtroi se apartamenti ishte dhënë me gjithë orenditë që kanë kosto plus, si dhe evoluimin e çmimit të tregut./ BIRN

  • Alba Pollozhani nga “Ferma VIP” drejt politikës: Më vlon zemra për të ndihmuar popullin

    Alba Pollozhani nga “Ferma VIP” drejt politikës: Më vlon zemra për të ndihmuar popullin

    E ftuar në studion e Living Day në Vizion Plus nën moderimin e Brunilda Lahes, ish-fermerja Alba Pollozhani bëri një përditësim të jetës së saj pas daljes nga reality show ku u kthye në një personazh fenomen.
    “Po hap biznesin tim në fushën e bukurisë. Po bëj zgjedhjen time për një nga ofertat që më kanë ardhur për moderim në televizion dhe e treta edhe politika është pjesë e vazhdimësië”, tha Alba.
    Alba ka habitur ndjekësit e saj dhe publikun e gjerë me prirjen e saj për politikë.

    “Propozimet për politikë i kam patur që në moshën 18 vjeçare. Por kam qenë e fokusuar vetëm në fushën e biznesit. Nuk jam marrë me politik sepse jam shumë e zjarrtë për drejtësi dhe e di duhet të formohesha akoma më shumë për t’ju futur politikës. Më vlon zemra për popull dhe për të ndihmuar popullin“, u shpreh Alba.

    Përsa i përket bindjeve të saj, ajo nuk dha një përgjigje duke u shprehur se është universale.
    /vizionplus.tv

  • Shtatzënë në Ferma VIP? Alba Pollozhani zbulon të vërtetën

    Shtatzënë në Ferma VIP? Alba Pollozhani zbulon të vërtetën

    Ish-fermerja Alba Pollozhani zbuloi më shumë detaje për eksperiencën në Ferma VIP.
    E ftuar në studion e Living Day në Vizion Plus nën moderimin e Brunilda Lahes, Pollozhani mohoi publikisht lajmet për shtatzëni brenda Ferma VIP.
    Ish-fermerja e cilësoi daljen pas fermës si një fazë me shumë emocione të larta.

    Pjesë nga biseda:
    Alba Pollozhani: Sa i përket shtatzënisë, nuk e di pse doli një lajm i tillë. Nëse do ishte e vërtetë, unë do ta kisha pranuar sepse unë nuk mund të bëhem një njeri që mohoj diçka të bukur.
    Brunilda Lahe: Ti nuk e pohoje, por as nuk e mohoje, diçka lije që të nënkuptohej.
    Alba Pollozhani: Ka qenë një fazë me shumë emocione të larta. Dhe nuk ka qenë fokusi për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjeve që më vinin. Se ishte një fazë që del nga kufizimi. Dhe ti realisht sado i fortë të jesh, je konfuz me çdo gjë që ndodh përjashta.

    /vizionplus.tv

  • FOTO/ Bën gjoksin për Limin? Alba Pollozhani habit fansat me pamjen e saj te re

    FOTO/ Bën gjoksin për Limin? Alba Pollozhani habit fansat me pamjen e saj te re

    Alba Pollozhani, një ndër fermeret më të komentuara të Ferma Vip 2, ka bërë një ndryshim në pamjen e saj.

    Ndoshta, ka qenë një ndër fermeret që nuk e ka përqëndruar lojën brenda Fermës në dukjen dhe paraqitjen, duke u përkushtuar më tepër rreth marrëdhënies së saj me Limin.

    Por, për të ka patur diçka që nuk i ka pëlqyer në trupin e saj.

    Ajo ka bërë një ndërhyrje estetike, duke zmadhuar gjoksin. Ndonëse ka preferuar të qëndrojë brenda kornizave dhe të mos e ekzagjerojë këtë ndryshim në trupin e saj.
    E njohur për natyrën  rebele dhe të drejtpërdrejtë brenda Ferma Vip 2, Alba Pollozhani pati shumë mbështetje nga fansat për raportin me fermerin, Lim Hotin.

    Nuk dihet ende sesi është lidhja e tyre në këto momente, por duket se Alba po vazhdon të jetë një emër që komentohet më së shumti në media.

    /vizionplus.tv

  • U dashuruan në Ferma VIP, Alba Pollozhani dhe Lim Hoti i japin fund lidhjes

    U dashuruan në Ferma VIP, Alba Pollozhani dhe Lim Hoti i japin fund lidhjes

    Çifti mjaft i përfolur i “Ferma VIP 2”, Alba dhe Limi janë nën vëzhgimin e ndjekësve, edhe pse jashtë fermës.

    Bashkë apo të ndarë? Kjo është pyetja që i shqetëson më shumë ndjekësit e tyre. Por, sonte ka qenë vetë Alba që ka deklaruar se i ka dhënë fund lidhjes me Limin.
    Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ish-fermerja shkruan: I dashur publik që më ndjek dhe më vlerëson për atë që jam… Nuk është gjithmonë e lehtë të ndash diçka kaq personale, por ndjej që është momenti i duhur për ta thënë qartë:

    Unë dhe Ai, pas një periudhe reflektimi, kemi vendosur të ndjekim rrugë të ndara. Ndajmë kujtime, jo më plane.
    Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe për hapësirën. Jeta vazhdon.
    Ndonjëherë, të ndahesh është akt dashurie ndaj vetes. Po ec përpara me qetësi dhe mirënjohje.

     
     

  • Alba Pollozhani largohet nga Ferma Vip 2

    Alba Pollozhani largohet nga Ferma Vip 2

    Fermerja Alba Pollozhani është larguar nga Ferma Vip 2.
    Vendimi është marrë nga vetë fermerja në spektaklin e mbrëmjes së djeshme, por sipas rregullores, ajo duhej të qëndronte edhe 24 orë.Lexo edhe :Related Posts
    Albano Bogdo, kryeplaku i Ferma VIP lexoi zarfin e mbërritur në Fermë vetëm pak minuta më parë ku shkruhej: Alba Pollozhani largohet menjëherë nga Ferma Vip2.

    Çfarë deklaroi Alba në spektaklin e kaluar: Dua të largohem nga Ferma VIP! Nuk kam pse të rri këtu, kur nuk ndihem mirë vetëm me atë që kisha! Kam disa parime që nuk mund ti shmang në jetë, nuk ka lidhje vetëm me Limin, por ka të bëjë me energjinë brenda shtëpisë, energjia me njëri-tjetrin shpesh herë mund të na lidh, por ata bllokojnë  çdo lloj energjie reale për shkak të protagonizmit. Nuk jam e lumtur me të gjitha intrigat dhe skemat vetëm për shkak të protagonizmit!
    /vizionplus.tv