Tag: politikës

  • SHBA: Europa rrezikon “asgjësimin”! Dokumenti i Trump zemëron anëtarët e BE-së

    SHBA: Europa rrezikon “asgjësimin”! Dokumenti i Trump zemëron anëtarët e BE-së

    Administrata e Donald Trump ka publikuar dokumentin e saj të politikës së jashtme ndaj Evropës, duke paralajmëruar se kontinenti përballet me “mundësinë e asgjësimit kulturor”.
    Në dokument thuhet se Uashingtoni do të mbështesë partitë “patriotike” që luftojnë kundër emigracionit dhe në favor të nacionalizmit.
    Dokumenti i ri prej 33 faqesh i strategjisë së sigurisë kombëtare përshkruan një Evropë të dobësuar nga politikat e emigracionit dhe sugjeron që “qëllimi i Amerikës duhet të jetë të ndihmojë Evropën të korrigjojë kursin e saj në dekadat e ardhshme”.
    Administrata Trump flet për “kultivimin e rezistencës” në favor të partive të tilla si “Reform UK” në Britani dhe “AfD” në Gjermani, një parti që është etiketuar si ekstremiste nga shërbimet e inteligjencës gjermane.
    Dokumenti e pranon se qeveritë europiane janë të mbërthyera nga pritshmëri joreale për luftën dhe se rruga e tyre politike është bërë pengesë për qetësimin e kontinentit.
     Reagimet evropiane ishin të ashpra. Ministri i Jashtëm gjerman theksoi se Berlini “nuk ka nevojë për këshilla nga asnjë vend apo parti”, duke nënvizuar se çështje të tilla si liria e shprehjes dhe organizimi i shoqërisë “nuk janë objekt diskutimi” midis aleatëve.
    Eurodeputeti italian Brando Benifei foli për një “sulm frontal ndaj BE-së”, duke e përshkruar tekstin si “krejtësisht të papranueshëm” dhe plot me “fraza ekstreme dhe tronditëse”.
    Ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së thekson se SHBA-të vijojnë të mbeten një aleat i palëkundur i unionit.

    “SHBA-të janë ende aleati ynë më i madh. Nuk kemi qenë gjithmonë dakord për tema të ndryshme. Por parimi i përgjithshëm është ende aty. Ne jemi aleatët më të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar”, tha ajo.
    Dokumenti i Trump e bën të qartë se interesi amerikan është stabiliteti. Por e bën po aq të qartë se mënyra se si arrihet ky stabilitet ka ndryshuar. Se mjetet janë më të ashpra. Se kompromiset janë më të detyruara. Se diplomacia është më e drejtpërdrejtë.

  • “Qelitë e VIP-ve të politikës në Durrës si dhoma hoteli”- Drejtori i Burgjeve i përgjigjet deputetit të opozitës

    “Qelitë e VIP-ve të politikës në Durrës si dhoma hoteli”- Drejtori i Burgjeve i përgjigjet deputetit të opozitës

    Klevis Qose, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, ka raportuar në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2026.klevis qose
    Gjatë prezantimit të pr.buxhetin, ai është pyetur nga deputeti i “Mundësia”, Erlad Kapri lidhur me kushtet e të politikanëve të burgosur në Durrës.
    Ligjvënësi i opozitës u shpre se sipas informacioneve të tij qelitë ku qëndrojnë “VIP-at e politikës”, siç i quajti ai, kanë pasur ndërhyrje dhe janë kthyer në dhoma hoteli.
    Erald Kapri: Kam informacion që në burgun e Durrësit ku janë VIP-at e politikës që vuajnë dënimin ka pasur ndërhyrje nga jashtë për rritje komoditeti në qelitë e tyre, janë futur ustallarë, marangozë, kuzhinierë po të doni, krevate më të mire. Kanë ndërhyrë për ta bërë si dhomë hoteli.
    Dhe pyetja tjetër, ju harxhoni shumë para për ushqime më burgje. Mbi 90% i marrin nga familjarët?
    Klevis Qose: Më përmendët komoditetin, Drejtoria e Përgjithshme për zyrtarët që nuk kanë kryer vepra të rënda penale ka akomoduar në IEVP Durrës dhe IEPV Fier pjesë më të madhe të zyrtarëve të cilët s’kanë vepra të rënda.
    Nuk mund të them që ka komoditete të mobilieve, televizor janë brenda standardeve, krevatet, dyshekët dhe pjesën tjetër të akomoduese e mbulon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nuk kemi tek këto kategori që thoni.
    Sa i përket ushqimit të familjarëve, nuk është që vërtetë 90% e tyre marrin ushqim nga familjarët. Sistemi i burgjeve ka detyrim ligjor që për çdo të dënuar dhe paraburgosur të garantojë ushqim 3 vakte, ju keni bazë ligjore që ti thoni atij tjetrit ha me zor. Ne kemi detyrim që çdo të dënuar ti vendosim racionet sipas kuotave. Mund të ketë refuzim tek 20% por nuk vjen për shkak të ushqimit, por një trendi për shkak të konflikte të jashtme që kanë si hakmarrjeve, gjakmarrjes apo problematikeve nëpërmjet grupeve kriminale.
    Por është lejuar që një familjar të çojë supën nga dora e nënës, vajzës, gruas apo një familjari për të dënuar, është para në kuadrin e rehabilitimit.

  • Zeqinerizimi, faza e radhës e degradimit të politikës dhe shoqërisë!

    Zeqinerizimi, faza e radhës e degradimit të politikës dhe shoqërisë!

    Nga Mentor Kikia
    Tashmë Zeqineja nuk është një deputete e re që thjeshtë bën ndonjë lapsus kur flet apo kur lexon. Ajo, bashkë me këmbënguljen e saj për të mos heshtur, përfaqëson një model. Ky është modeli i degradimit të politikës. Modeli i rrokullisjes së nivelit të parlamentarizmit shqiptar, në aspektin femëror, nga Arta Dade dhe Ermelinda Meksi, pikërisht tek Zeqineja. Në atë parlament ka shumë Zeqinera, burra e gra. Por shumë prej tyre kanë vendosur të mos tregojnë që janë Zeqine.
    Parlamenti është instituconi më i rëndësishëm i një shteti. Është shtëpia e ligjeve, fabrika ku përgatitet struktura që mban në këmbë ngrehinën e shtetit. Aty duhet të mblidhet aristokracia e mendjes së kombit. Njerëzit më përfaqësues dhe më dinjitozë. Por çfarë përfaqëson Zeqinerizimi si fenomen? Çfarë përfaqësonin ata njerëz, para se të bëheshin përfaqësues të popullit?
    Çfarë përfaqësonte Zeqineja dhe shumë Zeqinera të tjera aty brenda, para se të uleshin në atë karrige?A kishin ata një kontribut politik, publik, shoqëror, intelektual në shërbim të komunitetit, shoqërisë dhe vendit?Pa dyshim që jo. Ishin thjeshtë shërbëtorë partiakë dhe të gatshëm për tu përdorur.
    Shoqëritë kanë fazat e ujle-ngritjes së tyre. Në vitet ’20 – ‘30 të shekullit të kaluar, deputetët ishin figura të shquara të kohës. Në vitet e komunizmit kuvendi u mbush me mjelëse lopësh, injorantë apo na rastin më të mirë intelektualë servilë e bashkëpunëtorë të regjimit. Pas vititi 1990, u rikthyem tek intelektualët.
    Parlamenti i parë ishte vërtet shumë cilësor. Pastaj u pa që intelektualët dhe njerëzit me integritet nuk duheshin, dhe nisi pastrimi.
    Shkuam tek epoka e deputetëve biznesmenë dhe deputetëve të kërkuar nga Interpoli dhe Europoli.Tashmë hoqëm dorë nga kriminelët që bëjnë vota dhe jemi në epokën e Zeqinerizimit të politikës dhe shoqërisë.Ajo që nuk dimë është nëse ka edhe më keq se kaq, apo kjo është faza e fundit e degradimit.

  • Dritëro Agolli Oratoria e mendimit dhe kushtetuta morale e politikës shqiptare

    Dritëro Agolli Oratoria e mendimit dhe kushtetuta morale e politikës shqiptare

    DRITËRO AGOLLI – ORATORIA E MENDIMIT DHE KUSHTETUTA MORALE E POLITIKËS SHQIPTARE
    Nga ILIR ÇUMANI
    “10 vjet oratori dhe gazetari politike, 1990–2000” – një refleksion për librin e ri të Dritëro Agollit, i cili vjen si një manifest për etikën, kulturën dhe qytetarinë politike.
    Sapo më ra në dorë libri “10 vjet oratori dhe gazetari politike, 1990–2000”, që është një nga botimet e rralla të kësaj fushe, me autor njërin prej personaliteteve më të dashur dhe më qëndror të letrave shqipe dhe kulturës sonë kombëtare, Dritëro Agolli.
    Këtë libër ma dhuroi e bija e autorit, njëkohësisht mikesha ime e çmuar dhe e familjes, Elona.
    Pas ikjes së të atit në amëshim, gjithmonë e më shumë ajo është kujdesur dhe vazhdon të kujdeset për gjithçka ka shkruar e ka lënë pas kjo mendje e iluminuar e kombit tonë, që ato të shohin dritën e botimit, që asgjë të mos ngelet nëpër sirtarët e errët të harresës, në rrjedhën e kohës që ikën pa u vënë re.
    Botimi i këtij libri është një nismë e përbashkët dhe e lavdërueshme e Kuvendit të Shqipërisë, ku është arritur të përmblidhet në një volum mjaft domethënës e gjithë veprimtaria parlamentare e Dritëroit në vitet 1990–2000, përfshirë edhe publicistikën e tij, si analiza, intervista, epigrame dhe poezi të shkruara një pjesë prej tyre edhe në tryezën e deputetit, të gjitha këto në funksion të angazhimit të tij në politikë.

    Në vetvete, ky botim ka një peshë dhe vlerë të jashtëzakonshme nga të gjitha botimet e tjera që kanë paraardhur në këtë fushë dhe mund të konsiderohet mirëfilli pa asnjë ekuivok si një letërsi politike, falë mjeshtërisë së rrallë oratorike të Agollit.
    Çdo fjalë dhe mesazh që ai ka përcjellë në publik përmes këtyre fjalimeve, intervistave, epigrameve e poezive, merr një peshë të rëndësishme si dëshmi historike e kohës dhe të bën të mendosh gjatë, duke reflektuar njëherazi për të gjithë dinamikën e ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, transformimeve ekonomike e sociale kur ato kanë ndodhur.
    Në fakt, ka libra që nuk vijnë vetëm për të kujtuar një emër të madh, por për të na rikthyer në themel të vetëdijes sonë kombëtare e morale.
    Një i tillë është edhe ky botim, që përmbledh dekadën më të ndritshme të fjalës publike të një prej personaliteteve më të urta e poliedrike, më filozofike e më përfaqësuese të kulturës tonë kombëtare.
    Ky libër është më shumë se një përmbledhje oratorie — është një kushtetutë morale e sjelljes politike, një kod etik i mendimit dhe komunikimit publik, një manual që duhet të lexohet nga çdo parlamentar, funksionar i çdo niveli shtetëror, por edhe nga çdo qytetar që beson në forcën e fjalës së drejtë dhe të arsyes njerëzore.
    Dritëro Agolli i dha politikës shqiptare një dimension që ajo nuk e kishte njohur më parë: moralin e arsyes dhe arsyen e dashurisë për njeriun.
    Në çdo fjalim, debat apo reflektim, ai bëri të kuptohej se pushteti është për t’u shërbyer njerëzve, jo për t’u ngjitur mbi ta.
    Fjalët e tij, edhe në momentet më të nxehta të debatit parlamentar, ruanin qetësinë e urtakut dhe dritën e filozofit. Ai fliste me kulturë, respekt, maturi dhe dashuri për vendin, duke treguar se politika nuk ka pse të jetë arenë luftënxitëse e urrejtjes dhe ndasive, por mund të jetë hapësirë bashkëjetese, një auditor i gjerë i mendimit dhe mirëkuptimit.
    Në ligjërimin e Dritëroit, parlamenti nuk është thjesht një sallë debati, por tempulli i qytetarisë, ku fjala është e shenjtë dhe duhet të shërbejë për të ndërtuar urën mes politikës dhe popullit. Ai e konsideronte fjalën si përgjegjësi morale, jo si armë për të mundur kundërshtarin.
    Në këtë kuptim, Agolli mbetet një model i rrallë i përfaqësimit politik shqiptar, që përmes kulturës, humorit të hollë dhe humanizmit të tij krijoi një formë të re të komunikimit parlamentar — komunikimin që e ngre nivelin e shoqërisë dhe e nderon njeriun.
    Në një kohë kur gjuha e urrejtjes dhe e mllefit po zë gjithnjë e më shumë vend në hapësirën publike, fjalimet, intervistat dhe shkrimet e Dritëro Agollit janë një udhërrëfyes për shpëtimin moral të politikës shqiptare.
    Ai është shembulli më i gjallë se si kultura mund të humanizojë pushtetin, se si letërsia mund të bëhet busull e mendimit politik dhe se si urtësia mund të zëvendësojë agresivitetin.
    Ky libër duhet të lexohet si një kushtetutë e dytë, jo për rregulla dhe ligjet që miratohen, por për shpirtin e rregullit — për të na rikujtuar se një vend demokratik nuk mbahet vetëm nga ligjet, por edhe nga morali i atyre që i bëjnë dhe i zbatojnë ato.

    Në një Shqipëri që aspiron të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, modeli i Dritëro Agollit duhet të jetë busulla e re orientuese e politikës shqiptare. Ai na kujton se rruga drejt Evropës nuk është thjesht dhe vetëm një proces i gjatë e i vështirë negociatash e dokumentesh, me hapje kapitujsh e grupkapitujsh për t’u anëtarësuar në BE, por një rrugëtim normal kulture, qytetarie dhe sjelljeje që na mëson si të meritojmë plotësisht statusin e qytetarit evropian.
    Në fjalimet e tij, Agolli fliste shpesh për njeriun e thjeshtë — për hallet, brengat dhe shqetësimet e tij të përditshme, për ekonominë e brishtë e të çaluar nga krizat politike të ricikluara, shpeshherë të panevojshme, por gjithmonë me kosto të lartë për vendin dhe shoqërinë.
    Ai e ngriti zërin për pasigurinë që rëndonte mbi jetën e qytetarëve, për mungesën e ekuilibrit shoqëror, për padrejtësitë e vogla e të mëdha që rëndonin mbi njeriun e zakonshëm.
    Në çdo fjalim të tij ndihej nevoja e ngutshme për një paqe të qëndrueshme sociale, për një frymë bashkëjetese që t’i rikthente shoqërisë besimin, mirëkuptimin dhe shpresën — një paqe aq e domosdoshme e aq e dëshiruar nga të gjithë.
    Në qendër të fjalës së tij qëndronte gjithmonë njeriu i punës: fshatari dhe bujku që lufton me tokën, punëtori dhe minatori që përballet me vështirësitë e jetesës, studenti që endet mes ëndrrave dhe pasigurive, qytetari i zakonshëm që shpreson në një të ardhme më të mirë, më të drejtë e më të sigurt.
    Agolli e dinte më mirë se kushdo se politika e humbet kuptimin dhe qëllimin e vet kur harron njeriun, kur pushteti shndërrohet në qëllim më vete dhe jo në mjet për të përmirësuar jetën tonë të përbashkët.
    Ai besonte se demokracia e vërtetë nuk fillon me premtime, por aty ku pushteti përkulet me respekt për jetën, dinjitetin dhe dinamikën shpirtërore të çdo qytetari.
    Në këtë kuptim, Dritëroi është më shumë se një shkrimtar apo deputet; ai është një shkollë e mendimit politik dhe moral, që duhet të studiohet në çdo auditor dhe të lexohet në çdo tavolinë qeveritare e parlamentare.
    Kultura e tij ishte e rrënjosur në filozofinë e dashurisë, në besimin se njeriu i ndershëm është themeli i çdo institucioni. Ai besonte se pa kulturë, politika është veç retorikë, dhe se pa ndershmëri, ajo është një gënjeshtër kolektive.
    Prandaj, fjala e tij duhet të rezonojë në të gjitha kapilarët e kohezionit social — nga Kuvendi te familja, nga shkolla te media, si model sjelljeje dhe frymë për një shoqëri demokratike që kërkon të përparojë me dinjitet.
    Në dekadën e tij parlamentare, Dritëro Agolli solli një risi të madhe në historinë e parlamentarizmit shqiptar: rikthimin e kulturës dhe të filozofisë në politikë. Ai nuk e ngriti zërin për të dominuar, por për të shpjeguar; nuk përdori fjalën për të ndarë, por për të ndërtuar ura; nuk kërkoi të triumfonte mbi kundërshtarin, por mbi injorancën, mllefin dhe ligësinë që shpesh e deformojnë dhe e shëmtojnë debatin politik.
    Në kohën e tranzicionit, kur shumëkush humbi besimin te fjala dhe politika, Dritëroi mbeti besimtari më fanatik dhe gardiani vetmitar në forcën e fjalës morale. Ai na la një trashëgimi të çmuar, jo thjesht në publicistikë, vargje, tregime apo romane, por edhe në modelin e politikanit që di të mendojë, të dëgjojë dhe të respektojë cilindo.
    Ai ishte dhe mbetet filozofi i arsyes dhe urtaku i moralit publik, që i mësoi politikës shqiptare se etika nuk është luks, por nevojë dhe domosdoshmëri kombëtare.
    Libri i ri i Agollit, përpara se të lexohet si letërsi politike, duhet të shihet si një manual për parlamentarët e së sotmes dhe të së ardhmes, një pasqyrë e identitetit moral që duhet të ketë një përfaqësues dinjitoz i popullit.
    Nëpërmjet tij, çdo deputet mund të kuptojë se politika nuk është privilegj, por përgjegjësi; se fjala publike nuk është armë, por shërbim; se të përfaqësosh popullin do të thotë të jetosh me ndërgjegje, me kulturë dhe me dashuri për njeriun.
    Dritëroi mbetet zëri i arsyes në historinë e tranzicionit shqiptar, njeriu që e shndërroi Kuvendin në shkollë të qytetarisë dhe fjalën në akt moral. Ai është dëshmia e gjallë se kultura dhe politika nuk janë botë të ndara, por dy rrugë që takohen në pikën më të lartë të njeriut — në ndërgjegjen e tij.
    Prandaj, ky libër nuk është vetëm për t’u lexuar, por edhe për t’u ndjerë, për t’u përvetësuar dhe për t’u kthyer në udhërrëfyes i një klase politike moderne që mendon me zemër dhe flet me mendje.
    I njohur gjatë jetës si “Patriarku” i të majtës, Agolli dha një kontribut të jashtëzakonshëm në reformimin e forcës së tij politike, duke e nxjerrë nga hijet e një të shkuare të dhimbshme të epokës komuniste, dhe e njëjta aureolë që e shoqëroi brenda të majtës e ndriçoi edhe përtej saj, duke i shërbyer kombit si një monument i heshtur i moralit publik, si njeriu që i dha fjalës dinjitet dhe politikës shpirt.

    Nëse Shqipëria do të ecë me dinjitet drejt Evropës, duhet të marrë me vete amanetin e urtakut të saj të madh: të ndjejë gjithmonë vetveten të varur në pemën e moralit, siç thotë poeti francez Pol Elyar.
    Aty ku fjala mban peshën si udhërrëfyese drejt përparimit dhe emancipimit shoqëror, ku njeriu të jetë në fokus, duke mbetur themeli i çdo shteti të drejtë, që e mat zhvillimin me dinjitetin dhe mirëqënien e qytetarëve të vet.
    Vetëm kështu mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë, që respekton njeriun dhe trashëgon mençurinë e të urtëve dhe të parëve të saj.

  • Inflacioni, mes politikës monetare dhe realitetit fiskal

    Inflacioni, mes politikës monetare dhe realitetit fiskal

    Cristian Geanaliu, Drejtor Ekzekutiv i Tregjeve Globale në Garanti BBVA Romania, analizon inflacionin e qëndrueshëm dhe çekuilibrin e vazhdueshëm midis politikave monetare dhe atyre fiskale që po përcaktojnë perspektivën ekonomike të Rumanisë për vitin 2026. Rumania hyn në tremujorin e fundit të vitit 2025 brenda një kuadri makroekonomik kompleks.Një normë inflacioni dukshëm mbi objektivin…

  • “Fatos Nano nuk përulej ndaj ndërkombëtarëve”, Milo: Mbante qëndrime dinjitoze

    “Fatos Nano nuk përulej ndaj ndërkombëtarëve”, Milo: Mbante qëndrime dinjitoze

    “Fatos Nano ishte dhe mbetet figura më tipike e politikanit liberal, që i mungon shumë sot politikës shqiptare”.
    Kështu u shpreh ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, i ftuar në studion e “Terminal”.
    “Karakteristikat e tij si një politikan liberal nganjëherë shkonin edhe përtej kufijve që mund t’i lejonin rrethanat shqiptare. Ishte për nga kultura, formimi dhe karakteri tejkalonte intelektualin modern liberal”, theksoi Milo.
    “Politika shqiptare ka humbur një model të politikës së shëndetshme europiane”, shtoi më tej Paskal Milo.
    Ai kujtoi se ka bashkëpunuar ngushtë me Fatos Nanon kur ndërhyrja e ndërkombëtareve ka qenë e madhe kur Shqipëria po kalonte kohë të vështira.
    “Duhej patjetër të koordinoheshim me ndërkombëtarët dhe ministri i Jashtëm shërbente edhe si ndërmjetësues. Kjo më dha shansin në atë kohë që ta kisha bashkëpunimin gati të përditshëm. E njihte politikën e jashtme, kishte nuhatje dhe kuptonte mirë pozicionin e tjetrit. Ai nuk përulej kollaj ndaj të huajve dhe nuk ishte “Yes man”. E shfaqte bindjen e tij me autoritet me argumente dhe këmbëngulte për të arritur objektivat që i kishte vënë vetes. Me të huajt jo gjithnjë arrinte mirëkuptim, pasi të huajt atëherë kërkonin që qeveria shqiptare të mos ishte kaq e pavarur në vendimmarrje. Nano nuk mund ta pranonte diçka të tillë dhe unë kam qenë dëshmitar kur ai ballazi ka kundërshtuar autoritetet ndërkombëtare, qofshin këto edhe amerikane”, tha Milo.

  • ‘Halloween-i’ i politikës shqiptare!

    TIRANË-31 Tetor dhe mbarë bota feston ‘Halloween’- dita e rikthimit të shpirtrave të vdekur, shtrigave me fshesë, maceve të zeza, errësirës dhe çdo gjëje të frikshme. Halloween vitet e fundit po festohet edhe Shqipëri, ku njerëzit vishen me kostume të ndryshme, zakonisht shihen me atë të personazheve negativë ku mbizotëron ngjyra e errët. Duke iu referuar ditës së djeshme festive ‘politika shqiptare shënjoi ‘Halloween’, mes tensionit, vendimeve, akuzave dhe në fund me zi kombëtare! 
    Erion Veliaj, ish-kryebashkiaku i Tiranës mëngjesin e 31 tetorit, i veshur me kostum të zi, pranga në duar dhe shoqëruar me forca të shumta Policie la qelinë dhe u nis drejt Tiranë. Prangat, kostum i zi, uniforma policie-veshje dhe aksesorë të përdorur për të hyrë në festë halloween-i, por në këtë rast -‘festa është një gjyq’.
    Veliaj qëndroi për rreth 7 orë në Gjykatën Kushtetuese për të bërë mbrojtjen e tij lidhur me shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Tensioni në sallë ishte i larë, ku gjatë seancës publike nuk munguan pyetjet e gjyqtarëve, por edhe palëve të përfshira në proces si presidenca dhe kryeministria ndaj Veliaj. Pas një seancë maratonë përreth 7 orë për shqyrtimin e kërkesës së Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga detyra, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese është tërhequr për vendim. Data dhe ora se kur do të njoftohet vendimi ende nuk dihet, ndërsa zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë mbeten ‘peng’.
    Gjatë mesditës në orën 15:00, gazetarë me mikrofonat në dorë, kamerat gati: Zëvendëskryministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belnda Balluku paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. E thënë në mënyrë figurative duke iu referuar pamjeve-‘Halloween’ por në dyert e SPAK! Dy shoqërues dhe Balluku në mes, teksa rrethoheshin nga gazetarët dhe operatorët. 
    Pak minuta më vonë, pasi zv.kryeministrja doli nga SPAK, vetë Prokuroria dha detaje për hetimin dhe njoftoi zyrtarisht akuzat. SPAK sqaroi se deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, ministrja është marrë në hetim për njërën prej procedurave të prokurorimit për Tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës (Vlorë-Sarandë), ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e procedurës së tenderimit për këtë aks. Sipas SPAK, bëhet fjalë për procedurën e zhvilluar më 11 dhjetor 2020, e cila më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 mln euro pa TVSH, një nga më të kushtueshmit sot në vend. 
    Zi në politikën shqiptare dhe jo vetëm, Fatos Nano ndërroi jetë. Ai ndodhej prej 24 ditësh në reanimacion, ku pësoi arrest kardiak dhe më pas vdekje klinike të trurit ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar dhe pa përmirësim. Politikanë socialistë dhe demokratë, presidenti Begaj dhe figura të shumta të politikës dhe jo vetëm, shprehën ngushëllime dhe vlerësuan figurën e Nanos. 
     
     

  • “Model i politikës”/ Shuhet ish-kryeministri Nano, mesazh Çupi: Vetëm 4 vitet në burgjet e Berishës, mendo…

    “Model i politikës”/ Shuhet ish-kryeministri Nano, mesazh Çupi: Vetëm 4 vitet në burgjet e Berishës, mendo…

    Ish-kryeministri Fatos Nano është ndarë nga jeta pas një beteje me sëmundjen. Lideri histori i PS u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare. Analisti Frrok Çupi ka shprehur ngushëllimet, ndërsa ka vlerësuar figurën e ish-kryeministrit Nano.
    Çupi, tha se Nano ishte politikani që shtroi rrugën që Shqipëria të kishte një politikë moderne e marrëveshjes.
    “Është një lajm që nuk do donim ta kishim. Është një model i politikës kundër akteve antinjerëzore. Shqipëria është ndarë nga regjimi i dhunës që erdhi pos regjimit politik, por Nano dha një kontribut të madh për ta kthyer PS në një parti europianiste.
    Dha një kontribut për të eliminuar minimin e vendit që kishte shkaktuar PD nën udhëheqje. Shtroi rrugën, pa rrugën e Fatos Nanos Shqipëria nuk do të ishte me një politikë moderne, marrëveshjesh, zhvillimesh. Ai vendosi paqen mes njerëzve. Duhet të mendojmë vetëm 4 vitet në burgjet e Berishës, mendo provokimet ne burgun e Bençës të Tepelenës, apo tentativat ndaj tij që nuk thuhen”, tha ai.
     

  • “U sëmura prej politikës”, Fidel Ylli rrëfen sfidën shëndetësore: Jetën ma shpëtoi… (VIDEO)

    “U sëmura prej politikës”, Fidel Ylli rrëfen sfidën shëndetësore: Jetën ma shpëtoi… (VIDEO)

    Në një rrëfim ndryshe dhe prekës, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka ndarë një anë krejtësisht ndryshe nga ajo që publiku njeh prej tij, një histori besimi të thellë shpirtëror që e ka shoqëruar në momentet më të vështira të jetës. 

     I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ai rrëfen për lidhjen e tij të veçantë me Dede Ahmetin, udhëheqësin shpirtëror që kurrë nuk e ka njohur fizikisht, por që e ndien pranë në çdo hap të jetës. 

    Nga përballja me një sëmundje të shkaktuar nga stresi i politikës, deri tek një ëndërr dhe një shami që ai e cilëson si “mrekullinë” që i shpëtoi jetën, Fidel Ylli sjell për audiencën një histori që shkon përtej realitetit dhe prek shpirtin. Një rrëfim që na kujton se forca nuk qëndron vetëm në trupin e një sportisti apo pushtetin e një drejtuesi, por edhe në besimin e thellë që mund të ngrejë një njeri nga rrëzimi më i madh. 

    Rudina Magjistari: Si ka ndikuar kjo marrëdhënie që ti ke krijuar me këtë njeri dhe me këtë udhëheqës shpirtëror, si të ka ndikuar ose më saktë çfarë të ka dhënë. 

    Fidel Ylli: Më ka dhënë një gjë që çdo hall, çdo problem dhe çdo situatë që kam pasur unë e kam pasur pranë, ndoshta me vështirësi, por të gjitha gjërat më janë zgjidhur. Nga momenti që jam bërë pjesë me të, kam filluar që të eksploroj, kamë shumë sende të tij. Dhe gjëja më e bukur që më ka shpëtuar jetën ka qenë një shami. Kam qenë në spital. 

    Rudina Magjistari: Nga se vuaje këtu pse ke qenë në spital? 

    Fidel Ylli: Unë isha në spital prej politikës. Nuk ishte ndonjë gjë shumë madhore ishte një hormon i stresit. Falë Amerikës atje dhe falë Dede Ahmetit i cili më del një ditë në ëndërr dhe më thotë ‘Zoti të ka dhënë një provë, që ti i ke të gjitha të mirat, nuk të mungon asnjë gjë, por të ka dhënë një provë që të dish se ç’është sëmundja, të dish se ç’është dhimbja dhe ti këtë gjë do e kalosh. Ishte një situatë që zgjati nja 3 vjet dhe u bë mrekullia që ajo shami që kisha në spital pa pritur e pa kujtuar më humbet. Unë e mbaja në xhep gjithë ditën dhe te toka ku flija. Xhami e Dede Ahmetit me frymën dhe erën e tij. 

     

  • Ambasadori Kramariç: Kim Mehmeti – midis letërsisë, identitetit dhe politikës

    Ambasadori Kramariç: Kim Mehmeti – midis letërsisë, identitetit dhe politikës

    Shkruan: Zlatko Kramarić, Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri

    Në çdo shoqëri ka njerëz që me praninë, veprën dhe qëndrimin e tyre i tejkalojnë kufijtë e ngushtë të profesionit, gjuhës apo kombit. Kim Mehmeti është një nga ata. Prej dekadash ai është njëkohësisht shkrimtar, intelektual publik, përkthyes dhe urë lidhëse midis dy kulturave – asaj shqiptare dhe maqedonase – por edhe midis Ballkanit dhe Evropës. Jeta dhe veprimtaria e tij zhvillohen në atë zonë të ndërlikuar, shpeshherë kontradiktore, ku takohen identitetet, gjuhët, historitë dhe përkatësitë politike. Pikërisht në këtë kompleksitet Mehmeti ka gjetur hapësirën e vet të veprimit – hapësirën e dialogut, të dyshimit, por edhe të besimit të thellë në njeriun.

    Kim Mehmeti lindi në vitin 1955 në fshatin Gërçec, pranë Shkupit, në një mjedis multietnik dhe shumëzërash që do të përcaktojë thellësisht poetikën dhe botëkuptimin e tij. Ai shkruan në gjuhën shqipe dhe maqedonase, përkthen nga njëra në tjetrën dhe me këtë mishëron simbolikisht atë që kufijtë politikë shpesh e mohojnë – mundësinë e një hapësire të përbashkët kulturore. Librat e tij me tregime dhe ese – si Shtatë netët e trishtimit, Lulja e hënës apo Fshati i fëmijëve të mallkuar – dëshmojnë se letërsia, kur është e vërtetë, gjithmonë i tejkalon ndarjet etnike dhe flet në gjuhën universale të ndjenjës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

    Në prozën e Mehmetit realiteti i përditshëm bashkohet me mitin, ndërsa përvoja e jetës në fshat me elemente të fantazisë dhe ritualit. Ai shkruan për njerëzit që vuajnë, për gratë që mbajnë peshën e traditës, për shpirtrat e humbur dhe për refugjatët që kërkojnë një vend nën diell. Por nën këto fatkeqësi të veçanta fshihet një shtresë më e gjerë – lufta e një bashkësie për të ruajtur identitetin e vet në një shtet që ende mëson si ta jetojë multietnicitetin jo si kërcënim, por si pasuri.

    Mehmeti u përket atyre shkrimtarëve të rrallë që nuk e kuptojnë letërsinë si ikje nga realiteti, por si pasqyrimin më të thellë të tij. Fjala e tij publike – qoftë në intervista, ese apo debate – është gjithmonë e qartë, e argumentuar dhe moralisht e angazhuar. Ai nuk pranon mitet etnike, nuk i përshtatet politikës ditore dhe shpesh kujton se “të flasësh shqip nuk mjafton që të jesh shqiptar” – sepse, siç thotë ai, identiteti nuk është vetëm gjuhë, por kulturë, moral dhe mënyrë të menduari. Kështu, ai thërret për përgjegjësi dhe autokritikë, sidomos brenda vetë komunitetit shqiptar – një qëndrim i rrallë në hapësirat tona publike.

    Në kontekstin politik dhe kulturor të Maqedonisë së Veriut, Kim Mehmeti ka statusin e një ndërgjegjeje të gjallë, por edhe të një zëri kritik. Ai flet për nevojën e integrimit të vërtetë dhe jo të përfshirjes formale; për domosdoshmërinë që shqiptarët dhe maqedonasit, në vend që të garojnë se kush është viktimë më e madhe e historisë, të mësojnë të jetojnë një të tashme të përbashkët. Këmbëngulja e tij për dialog dhe respekt të ndërsjellë, si dhe thirrjet për përgjegjësi të elitës, e bëjnë atë një nga intelektualët e paktë publikë që besojnë me të vërtetë se multikulturalizmi nuk është slogan, por proces mësimi të përditshëm.

    Në kuptimin më të gjerë ballkanik, Mehmeti është një zë arsyeje dhe një urë midis botëve. Tekstet e tij, të lexuara njësoj në Prishtinë, Tiranë e Shkup, tregojnë se identiteti kulturor nuk është kategori e mbyllur, por hapësirë e ndryshimit dhe e rishikimit të përhershëm. Ai është njëkohësisht “shqiptar i brendshëm” dhe “evropian i jashtëm”, sepse e kupton identitetin përtej kufijve të gjuhës dhe politikës. Në një kohë kur populizmi, resentimenti kombëtar dhe getoizimi etnik po kthehen në valutë të jetës politike, zëri i Mehmetit na kujton se Ballkani ka një mundësi tjetër – atë humaniste, të hapur dhe dialogjike.

    Vlera e Kim Mehmetit sot nuk qëndron vetëm në librat e tij, por edhe në qëndrueshmërinë e tij morale. Ai mbetet besnik ndaj idesë se shkrimtari është i detyruar të thotë të vërtetën, edhe kur ajo nuk është e pëlqyeshme, dhe se puna kulturore mund të jetë formë rezistence. Në një vend që ende përballet me trashëgiminë e së kaluarës, ai përfaqëson atë lloj “patriotizmi evropian” që nuk do të thotë heqje dorë nga vetvetja, por pasurim përmes dialogut.

    Marrëveshja e Prespës dhe procesi i integrimeve evropiane kanë hapur një kapitull të ri në historinë e Maqedonisë së Veriut. Por testi i vërtetë i evropianizmit nuk do të jetë vetëm në reformat e Brukselit, por në aftësinë për të respektuar dhe kuptuar tjetrin. Në këtë kuptim, Kim Mehmeti është prej kohësh “projekt evropian” në kuptimin më të thellë të fjalës – sepse tregon se Evropa fillon në gjuhë, në libër, në kulturë, në gatishmërinë për të dëgjuar tjetrin.

    Së fundi, kur mendoj për figura si Kim Mehmeti, gjithmonë kujtoj ata njerëz të rrallë që janë njëkohësisht “të vetët dhe të huaj” – njerëz që shembin mure, por i kuptojnë ato. Prania e tij është e rëndësishme jo vetëm për kulturën shqiptare apo maqedonase, por për të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, ku urat janë gjithnjë e më të pakta dhe muret gjithnjë e më të larta. Në një kohë kur heshtja shpesh duket si urtësi, Mehmeti na mëson se të flasësh mund të jetë akt përgjegjësie – dhe shprese./Shenja