Problemet në trashëgiminë kulturore kanë bërë që institucionet në vend të përballen herë pas here me kritika të specialistëve të fushës. Në vendin tonë nuk i është dhënë kurrë përparësi aspektit kulturor apo të jenë ndjekur politika menaxhimi serioze, që kanë të bëjnë me sitet arkeologjike, kalatë apo monumentet e kulturës në përgjithësi, shprehet arkeologu Etnor Canaj. Në intervistën për gazetën “SOT” dr. Etnor Canaj arkeolog rendit një sërë problemesh, që sipas tij janë shkak dhe i politikave që janë ndjekur ndër vite. Sipas tij gjendja në sitet tona kulturore vazhdon të ngelet problematike, si në aspektin e mirëmbajtjes dhe restaurimit, ashtu edhe në nivelin e infrastrukturës. Me riorganizimin që u bë ASA-s nga janari 2024 Instituti i Arkeologjisë bëhet sërish si pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por arkeologu Etnor Canaj ashtu sikurse ka shprehur kur u krye kjo reformë, ngelet ende kritik, pasi sipas tij shkenca nuk kryhet me direktiva apo centralizim. Dr. Etnor Canaj ka folur dhe më parë për gjendjen e trashëgimisë kulturore, problemet apo dhe çfarë duhet bërë më shumë nga institucionet dhe ndër të tjera këtë herë ai shprehet edhe për ekspeditat arkeologjike në vend, që ende vazhdojnë në pjesën më të madhe të financohen prej të huajve.
-Një sezon veror që ka përfunduar, ku dhe këtë vit është pohuar nga institucionet për rritje të numrit të vizitorëve, duke sjellë në vëmendje dhe numrin e tyre në sitet tona kulturore. Ju keni qenë dhe vetë i keni vizituar parqet arkeologjike, por përveç vlerave që kanë si pjesë e trashëgimisë tonë kulturore, ku ju dhe të tjerë specialistë i keni shprehur herë pas here, çfarë mund të na thoni mbi gjendjen e tyre sot, problematikat që kanë?
Shumë e vërtetë që kemi një rritje të vizitorëve, qofshin këta të huaj apo vendas, por do isha i kujdesshëm në këtë aspekt pasi shifrat që jep MTKS i krahason ato në këtë dhjetëvjeçar të fundit, pra duke nisur nga viti 2013 e këtej. Këto shifra, sigurisht të rëndësishme, duhet ti shohim brenda rritjes së turizmit që ka interesuar vendin tonë, sidomos në këto 2-3 vitet e fundit, interes ky i cili në të shumtën e rasteve ka pasur kuriozitetin, sidomos tek vizitorët e huaj. Dua të shtoj në këtë pikë që jemi ende larg një turizmi kulturor të mirëfilltë. Thënë kjo, gjendja e tyre vazhdon të ngelet problematike si në aspektin e mirëmbajtjes dhe restaurimit, ashtu edhe në nivelin e infrastrukturës ku në këtë pjesë të fundit hyjnë gjithë ato shërbime për të cilat ka nevojë vizitori. Vizitorin apo vizitorët, nuk duhet ti shohim thjesht si individë të cilët lidhen thjesht me një biletë hyrje në një sit arkeologjik, në një muze, apo ta konsiderojmë thjesht si një konsumator.
Nëse më lejoni t’ju paraqes një shembull që hasa në një vizitën time të fundit para pak kohësh. Në një qendër të rëndësishme kulturore tonën, gati gjithë grupet e vizitorëve ishin të organizuara prej vetë agjencive të udhëtimit (të huaja), që prej guidës/ciceronit ashtu edhe itinerarin që duhet të ndiqnin. Jo se diçka e tillë është e gabuar, por në një vend të huaj, nëse do shkoja, do më pëlqente që të paktën guida apo guidat të ishin të atij vendi. Kjo pasi guida ka rolin e një profesionisti dhe duke qenë vendas, pikërisht njeh më mirë jo vetëm dinamikat, por do e bënte më interesante, pra më me interes, këtë eksperiencë. Në një monument mund të gjejmë të shtresëzuara disa periudha dhe një udhërrëfyes përmbledhës (tabelë paraqitje) nuk mund të jetë kurrë shterues nëse do kërkoja informacione më të detajuara. Që të merremi seriozisht, figura e një guide kulturore duhet të jetë ajo e një figure profesionale dhe të mirëpërgatitur profesionalisht.
Aspekti tjetër, ku tashmë është kthyer në një rutinë sidomos në rrjetet sociale, shpërndahen informacione lidhur “pastrimit dhe mirëmbajtjes”, operacione këto që kryhet sidomos prej muajit maj e deri në muajin shtator. Pyetja ime është: po muajt e tjerë të vitit, a kryhen këto operacione? Jo se dua të jem provokues duke menduar se kemi të bëjmë me një aspekt propaganistik, pasi jam më se i bindur që sitet dhe monumentet në Shqipëri ndiqen prej figurash profesionistësh të përkushtuar, por mirëmbajtja është e rëndësishme gjatë gjithë vitit dhe në gjithë vitet në vijim.
-Në një aktivitet më parë ministri i Kulturës u shpreh ndër të tjera se kalatë dhe parqet arkeologjike do të përfshihen në një skemë të re menaxhimi, që synon sipas tij jo vetëm restaurimin, por dhe konservimin, përmirësimin e infrastrukturës turistike. Çfarë mund të na thoni, si e shikoni këtë?
Dalje të tilla prej institucioneve, kanë vite që i dëgjojmë ku përdoret e ardhmja e afërt apo e largët. Pra, me këtë dalje ministri i Kulturës, në një mënyrë apo tjetrën, pranon që në gjithë këto vite menaxhimi i siteve dhe kalave, në përgjithësi ka lënë dhe lë për të dëshiruar. Duke nisur që nga investimet, të cilat janë në një masë teje modeste e deri tek përgatitja profesionale e asaj që njihet si piramidë organigrame. Por gjithsesi shpresojmë që diçka e tillë të marri drejtimin e duhur.
– Me riorganizimin që u bë ASA-s nga janari 2024 Instituti i Arkeologjisë bëhet sërish si pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Si e shikoni këtë institut, çfarë ka sjellë ndryshe ky administrim?
Lidhur kësaj pike, sikurse jam shprehur edhe kur u krye kjo reformë, ngelem ende kritik dhe skpetik. Kjo pasi shkenca nuk kryhet me direktiva apo centralizim dhe figura e një profesionisti, qoftë ky në fushën e arkeologjisë apo të kërkuesit shkencor në fushat e tjera, duhet të ketë liritë, që i garantohen një studiuesi. Shkenca nuk centralizohet kurrë dhe si ishte organizuar qoftë Instituti i Arkeologjisë apo edhe institutet e tjera, pikërisht përpara kësaj reforme, ndoshta nuk ishte ndër më të përkryerat, por kishin njëfarë autonomie ku sot kam përshtypjen mungon.
Nëse kjo reformë synonte të kontrollonte apo të menaxhonte aspektin financiar, pra në investime, kjo është çështje më vete, por që ka rëndësinë e vet dhe nuk kam njohuritë në këtë aspekt të mund të shprehem. Investimet, sikurse u shpreha edhe më lart, janë të një niveli modest dhe ekspeditat arkeologjike vazhdojnë ende që në pjesën më të madhe të financohen prej të huajve, pra nuk shoh ndonjë ndryshim kualitativ apo hapa të rëndësishëm që solli kjo reformë.
Në arkeologji kemi gjetje të rëndësishme në vitet e fundit si dhe publikime të tyre në aspektin shkencor, por gjithë këto publikime duhet të bëhen të njohura jo vetëm në nivel lokal, por mbi të gjitha atë ndërkombëtar dhe në këtë pikë të fundit duhet të synojmë të jemi sa më të pavarur dhe të lirë, që të mund të merremi seriozisht.
-Flitet për ekspedita arkeologjike, por dhe për probleme me fondet. Në fushën e arkeologjisë si ka ndikuar kjo?
Pa kërkuar të jem ripërsëritës, problemi me fondet është një problem i tipit politik, pasi politika është ajo që vendos përparësitë gjatë një mandati legjislativ. Pra nuk është se ka zanafillën sot, por është një problem, i cili ka dekada që trashëgohet. Shikoni, një ekspeditë arkeologjike nuk kap kurrë shifra, të cilat janë të një niveli marramendës, apo që do i sillnin probleme ekonomisë. Këto shifra, shumë herë modeste, janë përherë jo vetëm të kontrollueshme dhe të verifikueshme, pasi organizatorët e një ekspedite kurrsesi nuk do mund të abuzonin me to, pikërisht sepse profesionisti është më tepër i dedikuar misionit të vet, por nëse ky aspekt do merrej seriozisht prej institucionit përkatës, nuk do kishim gjithë këto probleme që hasim sot.
-Më parë ishte dhe Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, por përveç disa aktiviteteve, nga institucionet nuk pati ndonjë prezantim mbi gjendjen e monumenteve të kulturës, problematikat, ndërhyrjet, etj, gjë e cila ka ndodhur edhe më parë. Ju si arkeolog si e shihni këtë?
Në vendin tonë nuk i është dhënë kurrë përparësi aspektit kulturor apo të jenë ndjekur politika menaxhimi serioze, që kanë të bëjnë me sitet arkeologjike, kalatë apo monumentet e kulturës në përgjithësi. Evente të tilla, apo aktivitete të tilla, ku paraqitja është disi jo e kompletuar, pra nuk bëhet ndonjë prezantim substancial për gjendjen e tyre, e pra ky aspekt nxjerr vetvetiu në dritë gjithë këto shqetësime. Nuk dua të përdor fjalën fasadë lidhur organizatorëve, por shoh një mungesë të theksuar dëshire në aspektin politik. Nuk di arsyet e vërteta, por kam përshtypjen se përparësitë në ato që njihen si politika investimi fokusohen gjetkë dhe në rastin konkret nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Sigurisht që shteti funksionon mbi shifra dhe llogjikon me shifra, por sikurse thashë, do mjaftonte dëshira e mirë politike si dhe investime serioze, ku këto të fundit kurrsesi nuk do shkonin të dëmtonin në mënyrë të rëndësishme buxhetin e shtetit, pasi flasim përherë për shifra jo marramendëse.
-Ju jeni shprehur dhe më parë si arkeolog mbi politikat që kanë ndjekur institucionet në vend për trashëgiminë kulturore. Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në politikat e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit ( MTKS), që merret me trashëgiminë kulturore?
Dua të hap një parantezë lidhur kësaj pyetje. Nëse do shkonim të vizitonim një kantier gërmimi, pra kur kryhen gërmime arkeologjike, në një ekspeditë të përbashkët shqiptare dhe e huaj, operatorët të cilët kryejnë këtë aktivitet nga pala jonë, gati në përqindjen më të madhe janë të moshës së mesme apo edhe më të vjetër. Pra nuk kemi një prezencë të konsiderueshme të të rinjve në këto gërmime. Shumë herë drejtuesit e një ekspedite arkeologjike të palës shqiptare, janë të detyruar që në ekipin e tyre të marrin për shembull banorë të zonës. E kundërta ndodh me palën e huaj, ku gati tërësisht ekipi gërmues përbëhet prej studentëve. Pa kërkuar të ndalem gjatë në teknicizma në këtë pikë, por studenti jo vetëm mëson dhe vë në praktikë anën teorike të një gërmimi, por me eksperiencën që përfiton është në gjendje të dallojë shtresat apo atratigrafine, të mbledhë të dhënat e duhura në mënyrë profesionale lidhur gjetjeve, etj.
Pra ky është një ndër problemet kryesore dhe në këndvështrimin tim ka lidhje me motivimin e të rinjve shqiptar kur zgjedhin degët universitare, pasi shumë pak zgjedhin arkeologjinë. Mos të harrojmë në këtë pikë edhe një problem të madh që po has shoqëria jonë, pra atë demografik dhe ikjen e të rinjve, problem ky që duhet marrë seriozisht. Nëse do krijoheshin fonde të posaçme për mirëmbajtjen dhe restaurimin e çdo objekti, siti, kalaje apo monumenti në përgjithësi do ishte një hap tjetër serioz në rolin që do kishte politika. Sikurse krijimi i një task force për menaxhimin e këtyre fondeve në mënyrë transparente. Nuk duhet të presim përherë prej të huajve apo fondesh, të cilat shumë herë ngjallin debate. Nëse një sit arkeologjik, nëpërmjet vizitueshmërisë krijon të ardhura të kënaqshme, e pra ai sit ka kapacitetin financiar jo vetëm të burimeve njerëzore që e mirëmbajnë dhe kujdesen, por edhe të financojë gërmime periodike dhe të vazhdueshme. Pra në një farë mënyre mirëmban dhe ripërtërin vetveten.
Sikurse theksova shteti është përherë pragmatik, por shteti nuk duhet të shohi trashëgiminë kulturore si një sportel bankomati apo të investojë nëse ka një përfitim financiar. Politikat afatgjatë janë përherë ato më të zgjuara dhe më efektive dhe politikat serioze në një investim po aq serioz si në burime njerëzore dhe ato financiare, bëjnë përherë të mundur që atë që kemi sot të mund t’ua lëmë edhe brezave në vijim.
Intervistoi: Julia Vrapi