Në një pyetje të mbylljes, që shkon përtej kontureve të zakonshme të intervistës, Egla Xhemalaj solli përballë publikut një reflektim mbi marrëdhënien mes politikës dhe letërsisë, mes fjalës që ka peshë dhe asaj që përdoret si mjet pushteti. Kandidatura e Prof. Dr. Lili Sulës për deputete në Kuvendin e Shqipërisë, e vendosur në këtë sfond, u kthye në një mundësi për të artikuluar një vizion ndryshe për politikën shqiptare.
Pjesë nga biseda:
Egla Xhemalaj: Ju kandidoni për deputete nga Partia Demokratike, por vini nga një botë ku fjalët kanë peshë dhe kuptimet kërkojnë thellësi. Cila është ajo ndjeshmëri që doni t’i sillni politikës shqiptare nga përvoja juaj si pedagoge dhe kritike letrare? A mund të ketë politika një kod estetik, një përgjegjësi etike të ngjashme me letërsinë?
Lili Sula: Unë vij nga Universiteti në politikë, por në të vërtetë jam pjesë e Partisë Demokratike prej shumë kohësh – që nga protestat e para të studentëve në Qytetin Studenti. Ka qenë një angazhim që më ka shoqëruar ndër vite dhe që është konkretizuar me drejtimin e Departamentit të Arsimit në PD. Duket si një kapërcim i madh, nga auditorët dhe tekstet e thella në foltoren parlamentare, por unë mendoj se nuk është aq i largët sa duket. Të dyja fushat janë brenda së njëjtës hapësirë: arsimi.
Nëse do të jem në parlament, do të jem një zë i fortë për arsimtarët, për studentët, për universitetet dhe kërkimin shkencor. Kam qenë e angazhuar në terren, në takime me mësues dhe ekspertë, dhe e kam bërë këtë edhe në vite opozite, me tryeza, me deklarata publike, me alternativa konkrete që sot janë pjesë e programit të PD-së për vitet 2025–2029.
Por më tej se kaq, nuk besoj se politika mund të më shkëpusë nga pasioni im për letërsinë. Përkundrazi – ajo që unë dua t’i sjell politikës është pikërisht ajo që më ka formuar si njeri dhe si pedagoge: thellësia, përgjegjësia për fjalën, etika dhe estetika në komunikim. Mendoj se politika shqiptare ka nevojë të çlirohet nga gjuha e vrazhdë, nga etika maskiliste, nga banaliteti i përditshëm. Dhe për ta bërë këtë, duhet të veshim politikën me të bukurën – jo thjesht me fjalë të hijshme, por me substancën që i jep kuptim vërtetë përfaqësimit publik.
Unë besoj fort se ky është dimensioni i munguar në politikën tonë. Dhe besoj se më 11 maj, përmes votës, mund të hapim një derë të re për këtë lloj përfaqësimi.







