Tag: poezia

  • Poezi që kërkon durim për t’u lexuar dhe kulturë leximi për t’u kuptuar dhe përjetuar

    Poezi që kërkon durim për t’u lexuar dhe kulturë leximi për t’u kuptuar dhe përjetuar

    Majlindë Sinani-Lulaj …i njëjti gur, “Littera”, Prishtinë, 2025

    Nga Merxhan Avdyli

    E dëshmuar si poete e talentuar, që me librin e saj të parë poetik “Muranë fjalësh”(2021) Majlinda Sinani-Lulaj vjen tash e ridëshmuar si poete me librin e saj të dytë poetik “…i njëjti gur”, i cili ka një ndërlidhje të fortë, qoftë në kuptimin konceptual, qoftë në kuptimin metaforik e simbolik. Duke qenë lexues i vëmendshëm i poezisë së Majlindës mund të them pa hezitim se idetë e saj poetike kanë një koherencë dhe një kohezion të qëndrueshëm dhe si të tilla për asnjë çast nuk mbeten të parealizuara, si në aspektin letrar e artistik, ashtu edhe në aspektin figurativ dhe estetik.

    Prandaj, se Majlinda Sinani Lulaj është poete tashmë e dëshmuar, nuk ka dilemë. Unë e kam vetëm një dilemë: a është Majlinda poete “arkaike” apo poete “moderne”. Përndryshe as njëra e as tjetra nuk e bëjnë më pak ose më shumë poete. Këtë nuk e them për shkak të gjuhës së poezisë së asaj, jo, madje në asnjë mënyrë për shkak të gjuhës në kuptimin stilistik dhe figurativ, sepse gjuha e saj poetike është e përsosur, por për shkak të gjuhës së saj të shkrimit praktik, përkatësisht “gegnizimit” të tekstit poetik. Dhe, në këtë plan ajo është edhe “arkaike” edhe “moderne”.

    Por, të kthehemi te libri poetik i Majlindës “…i njëjti gur”, i cili në njëfarë mënyre duket të jetë një udhëtim i brendshëm, një rrëfim i një shpirti që kërkon të kuptojë kohën, veten dhe botën që e rrethon (poezia “N’korridore kohe”). Nëpërmjet vargut poetik të Majlindës duket sikur ecim labirinteve të kujtesës, të shfaqjes së mendime dhe të ndjesive, e më përtej duke na bërë dëshmitarë të një procesi të thellë introspektimi, ku fjala poetike duket sikur shndërrohet në vendqëndrim ku ndjehesh i pushuar, i qetësuar dhe i dritësuar.

    Libri i Majlindës, ndonëse me vlera të tejdukshme e të pastra letrare, artistike dhe estetike vjen, pos të tjerash, edhe për të sipërfaqësuar të vërteta, jo vetëm poetike, që shpesh rrinë të heshtura brenda nesh. Që në vargjet e para, lexuesit i del përballë një poezi, me vargje të cilat dalin nga shpirti, nga zemra dhe nuk ka frikë të prekë plagët dhe fatthënat e jetës (poezia “Jetë si përrallë”). Autorja, ndonëse e shpërfaq ajo nuk e zbukuron dhimbjen, as nuk e fsheh mallin, por i jep formë dhe fjalë, sikurse në rastin kur shprehet:

    endeme s’di a jam trupa ndoshta veç erëqë rrëmoj me e gjetënji unë prej mejet’humbun kaherë

    Janë këto vargje, të cilat mund të kuptohen si shprehje të fatumit të njeriut modern, të lodhur nga kohët dhe të etur për t’u rikthyer tek vetvetja.

    Temat që shpalosen në librin poetik “… i njëjti gur” janë të thella dhe universale. Ato përfshijnë kohën që rrjedh pa na pyetur fare, kujtesën që mundohet të ruajë atë që nuk duhet harruar, mallin që peshon mbi shpirt dhe kërkimin e vazhdueshëm të identitetit të rrezikuar nga humbja. Koha te kjo poezi nuk është vetëm matje e ditëve; ajo është edhe peshë, edhe barrë, edhe plagë dhe në të njëjtën kohë është një mundësi “poetike” për t’u rilindur. Në një pjesë të madhe të vargjeve autorja e rikthen kohën në një hapësirë të dukshme, të identifikueshme, të gjallë, ku njeriu endet, humb dhe e rigjen veten, si te poezia “Portret” apo te poezia “N’korridore kohe”.

    Në këtë dimension shpirtëror, poezia e Majlinda Sinani-Lulajt është mjaft e guximshme: ajo merret me çështje të mëdha ekzistenciale, duke u marrë edhe me dramën e brendshme, jo vetëm individuale (poezia “Kur përfundon flaka e kësaj nate” apo poezia “I njëjti gur”). Prandaj, më shumë se një rrëfim i thjeshtë poetik personal, ky libër shndërrohet në një zë përfaqësues për të gjithë njerëzit, sidomos për ata që e kanë ndier humbjen, vetminë, mallin dhe nevojën për të mos u dorëzuar kurrë.

    Të kthehemi pak te gjuha e poezisë, e cila është një nga dimensionet e fuqishme të librit. Autorja, pavarësisht pajtimit apo mospajtimit tonë, ka zgjedhur dialektin gegë, ndoshta jo për shkak të nostalgjinë, si dialekt i origjinës, i fëmijërisë, por si mjet të natyrshëm për të thënë të vërtetat më intime. Prandaj, nganjëherë të duket se gegërishtja këtu nuk është thjesht vetëm dialekt, por është një gjuhë poetike e ngrohtë, e gjallë, me fjalë që autorja konsideron se tingëllojnë bukur, duke i dhënë vargut një muzikalitet të ndjeshëm dhe një thjeshtësi origjinale. Dhe, për më shumë, bukuria e këtij libri është edhe vetë titulli tepër goditës “… njëjti gur”, një titull ky “jogegë”.

    Ndërkaq, në aspektin e ndërtimit figurativ të vargut, mund të themi se sidomos metaforat e shtrira përgjatë vargjeve të librit janë shumë të pasura dhe tepër të ndjeshme: “malli si zhubra këmishe që i shton brazdat në ballë”, “korridore kohe ku endet shpirti”, “vogëlsia e qenësisë që ngujon në terr”. Po kështu duhet theksuar se vargu i Majlindës nuk përbëhet nga ndonjë skemë klasike e rimës, e cila aty del rrjedhshëm; por vargu i saj, duke qenë i lirë, është i rrjedhshëm, ritmik dhe i ndjeshëm.

    Sidoqoftë vëllimi poetik “…I njëjtë gur”, nuk është një libër që duhet të lexohet thjesht dhe shpejt. Ai kërkon durim për t’u lexuar, kulturë leximi për t’u kuptuar, lexim kritik për t’u përjetuar dhe aftësi për të hyrë në një botë ku idetë, mendimet dhe fjalët janë të mbushura me jetë dhe ndjeshmëri ndaj përjetimeve. Është një libër poetik që ta plotëson dhe ta përmbush shijen letrare dhe estetike. Lexuesit të thjeshtë dhe të vëmendshëm i krijohet përshtypja se ai vetë është brenda frymës së këtyre vargjeve. Kemi këtu një lidhje kauzale të lexuesit me poezinë.

    Edhe sa i përket gjuhës, përkatësisht fjalës shqipe libri poetik i Majlindës “.. i njëjti gur”, në njëfarë mënyre është edhe një gur i rëndësishëm dhe i çmuar i vendosur në themelet e krijimtarisë së saj poetike dhe një kontribut i çmuar në panteonin e poezisë bashkëkohore shqipe.

    Libri “…I njëjtë gur”, pos të tjerash paraqet edhe një udhëtim poetik në brendinë njerëzore, një rrëfim për kohën, hapësirën dhe kujtesën, për dhimbjen dhe shpresën.

    Me këtë libër, Majlindë Sinani-Lulaj dëshmon se poezia vazhdon të mbeten dhoma ku mundet vetmia dhe ku njeriu arrin të gjej forcën për t’u përballur me sfidat e jetës, se poezia është një hapësirë ku ideja, përmes fjalës figurative, shndërrohet jo vetëm në gur për t’u mbështetur, por edhe në dritë për të mos humbur rrugën.

    Dhe në fund, ta urojmë autoren që libri i saj  “…i njëjti gur” i vendosur në panteonin e poezisë sonë të bëhet pjesë e një udhe të gjatë krijuese për të, me lexues të kultivuar dhe me vlerësim të merituar.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    NGA MURANA TE GURI I NJËJTË

  • Shpërthimi i feminitetit diellor në poezinë e Donika Dabishevcit

    Shpërthimi i feminitetit diellor në poezinë e Donika Dabishevcit

    EROS DHE DRITË: SHPËRTHIMI I FEMINITETIT DIELLOR NË POEZINË “BUZËN“

    Nga Sarë GJERGJI

    Poezia “Buzën” e Donika Dabishevcit është një shpërthim emocional e estetik i ndërthurjes midis pasionit, feminitetit dhe përkohshmërisë. Ajo i përket frymës së lirë dhe të guximshme të poezisë moderne shqipe, ku subjekti lirik femër artikulon dëshirën, revoltën, prekshmërinë dhe fuqinë krijuese në të njëjtën frymë.

    1. Struktura dhe toni poetik

    Poezia hapet me një pyetje retorike dhe përballje:

    “Pse m’rri hutueshëm / i rand’ plumb prej heshtjes?”

    Ky fillim përçon tensionin midis heshtjes dhe shpërthimit, midis pasivitetit dhe energjisë jetësore. Heshtja e tjetrit është “plumb” – pra, e dëmshme, e rëndë, e dhunshme në mënyrë simbolike. Subjekti femëror nuk pranon të jetë i nëpërkëmbur apo i frenuar nga mungesa e përgjigjes: ajo kërkon reagim, gjallëri, shpërthim.

    Vargu i tretë:

    “Diellore jam unë / s’jam nemë e zezë”

    vendos një kontrast të fuqishëm semantik dhe simbolik – diell / errësirë, bekim / mallkim. Këtu, poetesha afirmon vetveten si forcë jetësore, dritë dhe krijim, duke refuzuar arketipin patriarkal të “gruas-faj” apo “gruas-tundim”. Ajo e rimerr energjinë e vet në mënyrë pozitive, diellore, afirmuese.

    2. Dimensioni filozofik: përkohshmëria dhe materia

    Pjesa e mesme e poezisë zhvillon një reflektim ekzistencial mbi përkohshmërinë:

    “Nji ditë as ti e as unë,s’kemi me kenë makemi me humbë,kemi me u zhba.”

    Ky fragment përmban një ndjeshmëri ontologjike, ku poetja përballet me fundin e ekzistencës, me shuarjen, por jo me ankth – më shumë me pranimin e natyrës ciklike të jetës. Kjo “zhbërje” shndërrohet në metamorfozë:

    “Ti ke me u kthye n’moçal,unë n’llavë vullkani,ti n’ndoj prrue n’vërshim,e unë kam me shndritë si ylber…”

    Në këtë kundërvënie, njeriu mashkull (adresuar si “ti”) përfaqëson materien e ngrirë, të butë, të baltës, ndërsa “unë” femërore përfaqëson forcën e zjarrtë, krijuese, shpërthyese – një figurë që lidhet me simbolikën mitologjike të vulkanit, lavës, ylberit. Kjo është një metaforë e rilindjes, ku gruaja del si forca e dritës dhe ringjalljes në kontrast me pasivitetin mashkullor.

    3. Simbolika erotike dhe mistike

    Poezia kulmon në një ton të hapur erotik, por të përshkuar nga një shpirtësi e lartë:

    “Mos u tkurr,Shpërthe si vrushkull gjaku!Shndritma zemrën,përflakma trupin.Dhe po: Buzën!”

    Erotizmi këtu nuk është thjesht sensualitet; ai është akt komunikimi i shpirtit me trupin, ritual i rilindjes përmes dashurisë. Figura e “vrushkullit të gjakut” bart dyfishin e vdekjes dhe jetës, të dhembjes dhe ekstazës, që bashkë krijojnë unitetin e plotë të përjetimit njerëzor.

    Në fund, thirrja:

    “Qenie e dobët që do lutje:Buzën!”

    është një akt i fuqisë femërore që ndërton një hierarki të re: ajo që flet është subjekti dominues, ajo që kërkon dashurinë është në kontroll, ajo që përcakton ritmin e ndjenjës është gruaja – si në kuptimin biologjik, ashtu dhe në atë shpirtëror. Fjala “lutje” këtu ironizon rolin tradicional të femrës “lutëse”, duke e përmbysur në një pozicion kërkues, por i barabartë në dëshirë.

    4. Stilistika dhe gjuha poetike

    Donika Dabishevci ndërton poezinë me një gjuhë të lirë, të shqiptuar në frymë vernakulare, por me densitet simbolik të lartë. Përdorimi i dialektizmit gegë (“hutueshëm”, “n’llavë”, “shndritë”, “tkurr”) i jep një autenticitet emocional dhe një ngarkesë identitare që e dallon nga standardizimi i zakonshëm letrar. Poezia merr kështu një zë të gjallë, të trupëzuar, që i përket një gruaje që flet nga përbrenda vetes, jo përmes filtrave të përvetësuar mashkullorë apo akademikë.

    Metaforat janë organike: moçali, llavë vullkani, prrue, ylber – të gjitha lidhen me elementet natyrore si mënyra të shprehjes së gjendjeve të brendshme.

    5. Lexim intertekstual dhe mitopoetik

    Në një plan të thellë, poezia përkon me konceptin jungian të bashkimit të të kundërtave (coniunctio oppositorum) – zjarri dhe uji, drita dhe errësira, mashkulli dhe femra – që sintetizohen në fund përmes figurës së ylberit, simbol universal i bashkimit pas stuhisë.

    Ky motiv mund të lexohet edhe në dritën e mitit të krijimit: “llavë” (zjarr që lind botën) dhe “moçal” (uji që ruan farën e jetës) janë dy energji primordiale të cilat, përmes aktit të dashurisë, kthehen në unitet.

    6. Përfundim: afirmim i feminitetit krijues

    “Buzën” është një himn i vetëdijes femërore, një poezi ku dashuria nuk është dorëzim, por akt njohjeje dhe transformimi. Ajo ngre zërin e gruas që e njeh trupin e vet si burim drite, jo turpi; si burim energjie, jo kufizimi.

    Në një kuptim më të gjerë, poezia përfaqëson kalimin e gruas shqiptare nga objekti i ndjenjës në subjektin e saj poetik – një emancipim i ndjeshmërisë që përzien revoltën, shpirtin dhe dritën në të njëjtin gjest poetik.

    ObserverKult

  • Poezia hap Javën e Gjuhës Italiane në Prishtinë: Denata Ndrecaj dhe Donika Dabishevci në dialog poetik

    Poezia hap Javën e Gjuhës Italiane në Prishtinë: Denata Ndrecaj dhe Donika Dabishevci në dialog poetik

    Java e Gjuhës Italiane në Botë, organizuar nga Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane i Universitetit të Prishtinës.me temë bosht “Italofonia në botë”, hapet këtë vit me ngjarjen poetike “Dy zëra, një poezi”.

    Në këtë ngjarje të veçantë, dy poetet e mirënjohura, Denata Ndreca, që vjen nga Firenze dhe Donika Dabishevci nga Kosova do të sjellin një udhëtim poetik në dy gjuhë, shqip dhe italisht. Poezia do të bashkojë dy kultura, dy ritme të ndjeshmërisë dhe dy mënyra të të menduarit poetik.Poetet do të diskutojnë edhe për:

    – si manipulojnë me gjuhën për të krijuar figura të forta me të cilat shprehin mendimet, emocionet dhe mesazhet e tyre– çfarë dimensioni merr gjuha për një poete që jeton mes shqipes dhe italishtes?– çfarë humbet e çfarë fiton poezia kur kalon nga një gjuhë te tjetra? – pse mbetet akoma kaq i vështirë kapërcimi i kufijve gjuhësorë për letërsinë shqipe?

    Me këtë rast, Denata Ndrecaj do të prezantojë librin e saj të ri “In quale lingua devo morire” (Në cilën gjuhë duhet të vdes), një reflektim poetik mbi identitetin dygjuhësh dhe ekzistencën mes dy kulturave.Ndërkaq, poezitë e Donika Dabishevcit, të përkthyera në shumë gjuhë, përfshirë edhe italishten nga poeti i njohur Gëzim Hajdari do të shpalosin universin e saj poetik të thellë trupor dhe emocional, ku fjala bëhet kujtesë dhe ndjesi.

    Secila prej poeteve sjell një individualitet të fuqishëm letrar, duke e pasuruar letërsinë shqipe dhe evropiane me zëra që ndërthuren përtej gjuhëve.

    Veç kësaj Studentët e Fakultetit të Filologjisë do të jenë pjesë aktive e ngjarjes, duke lexuar poezi të dy autoreve në gjuhën italiane.

    Ngjarja do të mbahet më 13 tetor, në orën 12:00, në Amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe do të moderohet nga shkrimtarja dhe profesoresha e gjuhës italiane Majlinda Bregasi.

    Takimi është i hapur për publikun, me ftesë të veçantë për poetët e rinj dhe studentët, që mund të frymëzohen nga ky dialog poetik ndërkulturor.

    ObserverKult

  • Poezia hap Javën e Gjuhës Italiane në Prishtinë: Denata Ndreca dhe Donika Dabishevci në dialog poetik

    Poezia hap Javën e Gjuhës Italiane në Prishtinë: Denata Ndreca dhe Donika Dabishevci në dialog poetik

    Java e Gjuhës Italiane në Botë, organizuar nga Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane i Universitetit të Prishtinës.me temë bosht “Italofonia në botë”, hapet këtë vit me ngjarjen poetike “Dy zëra, një poezi”.

    Në këtë ngjarje të veçantë, dy poetet e mirënjohura, Denata Ndreca, që vjen nga Firenze dhe Donika Dabishevci nga Kosova do të sjellin një udhëtim poetik në dy gjuhë, shqip dhe italisht. Poezia do të bashkojë dy kultura, dy ritme të ndjeshmërisë dhe dy mënyra të të menduarit poetik.Poetet do të diskutojnë edhe për:

    – si manipulojnë me gjuhën për të krijuar figura të forta me të cilat shprehin mendimet, emocionet dhe mesazhet e tyre– çfarë dimensioni merr gjuha për një poete që jeton mes shqipes dhe italishtes?– çfarë humbet e çfarë fiton poezia kur kalon nga një gjuhë te tjetra? – pse mbetet akoma kaq i vështirë kapërcimi i kufijve gjuhësorë për letërsinë shqipe?

    Me këtë rast, Denata Ndreca do të prezantojë librin e saj të ri “In quale lingua devo morire” (Në cilën gjuhë duhet të vdes), një reflektim poetik mbi identitetin dygjuhësh dhe ekzistencën mes dy kulturave.Ndërkaq, poezitë e Donika Dabishevcit, të përkthyera në shumë gjuhë, përfshirë edhe italishten nga poeti i njohur Gëzim Hajdari do të shpalosin universin e saj poetik të thellë trupor dhe emocional, ku fjala bëhet kujtesë dhe ndjesi.

    Secila prej poeteve sjell një individualitet të fuqishëm letrar, duke e pasuruar letërsinë shqipe dhe evropiane me zëra që ndërthuren përtej gjuhëve.

    Veç kësaj Studentët e Fakultetit të Filologjisë do të jenë pjesë aktive e ngjarjes, duke lexuar poezi të dy autoreve në gjuhën italiane.

    Ngjarja do të mbahet më 13 tetor, në orën 12:00, në Amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe do të moderohet nga shkrimtarja dhe profesoresha e gjuhës italiane Majlinda Bregasi.

    Takimi është i hapur për publikun, me ftesë të veçantë për poetët e rinj dhe studentët, që mund të frymëzohen nga ky dialog poetik ndërkulturor.

    ObserverKult

  • Testamenti i një poeti

    Testamenti i një poeti

    Frederik Rreshpja, portret nga Aleksandër Vreko

    Analizë semiotike e poezisë “Testament” i Frederik Rreshpjes

    Nga Riza Braholli MborjaNë poezinë: Testament,

    Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindurI mallkuar me art.Gjërat i shihja ndryshe:Nëpër shirat e vdekurPeshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet.Në vend të borës binin zogj në çdo dru.Era si ketër brente degët.Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime!Mos e pastë njeri këtë fat!

    Kam dashur një Afërditë në Olimpine trëndafilave.Pastaj erdhe ti tërë ikje.Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.Kështu iku dhe rinia, filigrami i djalërisë,i mallkuar me art.Mos e pastë njeri këtë fat!

    Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka,Dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjesTë më ndjekë mallkimi i artit.Mos e pastë njeri këtë fat!

    Po kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe,Se unë kam patur miqësi me çdo dru.

    Në stinën kur bien gjethetDo të bien edhe sytë e mi.

    Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.Mos e pastë njeri këtë fat!Poeti zbraz dëshiroren e tij: mos e pastë njeri këtë fat! Fati atë e ka mallkuar me art dhe ashtu si edhe te poezia tjetër “Epitaf”, ai është i mallkuar me pavdekësi, pra, i mallkuar me art. Pra, që në krye na shfaqet kjo simbiozë e pandreqshme fat-krijim artistik dhe del edhe koncepti i tij për talentin, por megjithëse kjo tezë do një vështrim më vete; këtu ne na intereson eksplorimi i vetëdijes dhe pavetëdijes së tij edhe për një nga kategoritë më të larta të veprimit njerëzor siç është krijimi.

    Koncepti i Rreshpjes për talentin në thelb është ai, gati i pranuar nga shumica e njerëzve, se talenti është dhuratë; ajo që e dallon konceptin e tij është në vlerësimin e dhuratës si mallkim. Vargjet Që fëmijë e kisha kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art, përveç thelbit të letraritetit, të të parit të gjërave ndryshe, nëpërmjet tjetërsimit dhe figurativitetit të gjuhës, poezia është më tepër se kaq; ajo është edhe mallkim, sepse është gëzim dhe dhimbje njëherësh; këtë e thotë nënteksti i vargut: qante mbi mua nëna, shënmëria ime… Pse qante kjo nënë? Padyshim një nënë qan prej dhimbjes, për pjellën e saj; vetëm ajo di të lexojë birin e vet edhe pa folur nëpërmjet valencave ritmike të gjakut.

    Poezia, arti, në vetvete, është edhe mallkim, por për një njeri që i vuan dhimbjet e artit e të fjalës, jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht, kjo është më tepër se një dramë tragjike, është mallkim, ndaj ai shfren: Mos e pastë njeri këtë fat! Duke e ndërlidhur fatin me krijimin, nuk mund të linte jashtë kësaj simbioze edhe konceptin mbi artin, poezinë, pra, ajo është dhimbje, vuajtje, në kërkim të së vërtetës. Shohim këtu një lodhje e dërmim shpirtëror të poetit.

    Nuk duhet të harrojmë se Rreshpja këtë mallkim e vuajti dyfish dhe ne, megjithë respektin dhe logjikën teorike të “vdekjes së autorit” të Roland Bartit, nuk mund ta ndajmë unin e tij nga uni poetik. Këtu do të thërrasim në ndihmë arsyetimin logjik të H. Bloom-it: (…) … në fakt, kemi një rast të mirë për të paralajmëruar lexuesin të ketë kujdes nga dogma e padobishme letrare sipas të cilave, “unë” veta e parë njëjës në poezi është gjithmonë një maskë, ose një tjetër person, por jo një njeri.

    “Unë” – te sonetet shekspiriane është aktori dhe dramaturgu Uilliam Shekspir, krijuesi i Falstafit, Hamletit, Rosalindës, Jagos dhe Kleopatrës. … Shekspiri e mjegullon dhe e përthyen vetveten në nuanca, por sido që të jetë, ai s’mund të krijojë një vetvete krejt tjetër. Por arti nuk është një fat i ndarë metafizik, ai është eterik, po aq sa fizik, sepse vjen i sendërtuar me ëndrra, bukuri, dashuri, rini, dhimbje, ikje, ardhje, pritje, plagë, jetë, vdekje; dhe mallkimi e shoqëron gjithë jetën.

    Ka një parandjenjë të hidhur në strofën e tretë, por që më shumë se parandjenjë, është një e vërtetë universale, sepse përveç që ai është i vetëdijshëm, që ky mallkim do ta ndjekë tërë jetën, kjo do t’i ndodhë edhe pas vdekjes dhe në këtë rast edhe në qofsh studiuesi më gjakftohtë nuk ka si mund të mos të dridhet pena, kur ndjen se bëhesh pjesë e këtij mallkimi të poetit, dhe aq më tepër tanimë që ai ka vdekur.

    Ai është i ndërgjegjshëm për marrëdhënien me kritikën dhe hyn te ata poetë që kanë bërë art, jo se donte të bënte art, por se e kishte prej mallkimit, por edhe të nevojshme dhe vetë jeta e tij është provë e gjallë e gjithë kësaj; një njeri që e nxirrte poezinë prej vetes dhe pastaj e linte udhëve. Ja një dokumentim i këtij pohimi nga shkrimtari Shpëtim Kelmendi, i cili është dëshmitar i gjallë i kohëve të fundit të jetës së tij: (…) Kur e pyes nëse ka shkruar ndonjë gjë të re, më përgjigjet se ka shkruar vazhdimisht, por meqë është përherë në lëvizje, mjaft prej poezive i humbasin. Këtë e thotë pa dhimbje. Për të e rëndësishme është që i ka shkruar, pra ia ka shlyer borxhin vetes, të tjerat nuk kanë rëndësi. Por, thotë ai, kur të vdes ëndërroj të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes/të më ndjekë mallkimi i artit.

    Siç e shohim, ai s’e ndan poezinë nga konturet e autorit; ajo kthehet në një qenie poetike në sajë të marrëdhënieve dhe bashkëveprimit, të objektivimit të subjektives. Ka një identifikim të poetit me natyrën; poezia për të është pjesë e natyrës, si dhe e kundërta, ajo është në simbiozë me jetën. Sipas N. Frait (…) Në nivelin e pikërishëm kryetipor, ku poezia është një mjeshtëri e civilizimit njerëzor, natyra është përmbajtëse e njeriut. Në nivelin analogjik, njeriu është përmbajtës i natyrës dhe qytetet dhe kopshtet e tij nuk janë më boshllëqe në sipërfaqen e tokës, por forma të gjithësisë njerëzore.

    Ideja, sipas nesh, është që poezia do të jetojë te ata që duan jetën, poezinë, natyrën; dhe nëpërmjet këtyre shndërrimeve apo subjektivimeve të ndërsjellta ai shfaqet si një biofil i pastër, me një lloj panteizmi; E theksojmë se ai vë një shenjë barazimi midis poezisë, artit dhe unit poetik, që shndërrohet në një qenie poetike dhe kjo qenie poetike nuk vdes; ajo jeton në lëvizjen e jetës, të natyrës, sepse ky është fati i tij, dhuratë prej zotash. Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi./Mos e pastë njeri këtë fat! Po në këtë hulli procedimi e konkludimi poetik arrin edhe në poezinë Sidoqoftë.

    Ka një aludim në të për fatin e shkruar, jo vetëm të tijin, por për fatin e qenies njerëzore në përgjithësi. Vargu, me të cilin nis poezia: Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë në duar, është interesant, në mënyrën se si mendimi poetik ngrihet mbi ndajfoljen Sidoqoftë. Koncepti është ndërtuar mbi një alogjikë arsyetimi: njerëzit do të shpikin një mëngjes, është nën një këndvështrim filozofik idealist të qenies, ndërsa në vargun tjetër, këndvështrimi i përmbysur është metafizik dhe i drejtohet transhedentales.

    Kështu, së fundi, besojmë se ne, sa po i cekim shtresat e pasura, vlerat artistike të kësaj vepre poetike që udhëtoi së bashku me fatin e tij të “keq”, “të mallkuar me art”, por me fatin tonë të madh që kemi pasur një poet të tillë në letrat shqipe. Jemi të bindur, se të tjerë do të vijnë e do të bëjnë shumë e më shumë në këtë hulli që ne mendojmë se po hapim me këtë punim …

    ObserverKult

    Riza Braholli Mborja

    Lexo edhe:

    NË 84 VJETORIN E LINDJES JU SJELLIM NJË BUQETË POEZISH NGA FREDERIK RRESHPJA: KISHA LINDUR I MALLKUAR ME ART!

  • Xhevahir Spahiu: Poezia e Gaqo Apostolit i ngjan një ditari lirik…

    Xhevahir Spahiu: Poezia e Gaqo Apostolit i ngjan një ditari lirik…

    Xhevahir Spahiu

    Nga Xhevahir Spahiu

    Parathënie e librit poetik: “Ç’ma trazoi jetën një grua”

    1.Poezia e Gaqo Apostolit i ngjan një ditari lirik, shfletuar nga gishtërinjtë e një ere të padukshme që s’dihet se nga fryn: gjendjet shpirtërore, në rrjedhën e viteve, rreken të kthehen në gjetje artistike që kapërcejnë çastin e, më tej, vetveten.Janë rrathë të një fati njerëzor që priten me rrathë fatesh të tjerë. Pikërisht këtu nis bashkëbisedimi i ndjerë, i hapur, begator.Dëshira ngulmonjëse për t’u rrëfyer është çlirim nga zjarrmia, nga ankthet, nga synimi për t’u dëshmuar. Ky dëshmim i vetvetes jashtë vetvetes, si me thënë, gjetiu e n’asgjëkund, në një botë të të gjithëve e të askujt, krijon një hapësirë lirie më tepër,pasuron lirinë fillestare. Në dukje, thjesht një përmasë iluzore, gjakim shpirtëror, i ngjashëm me vëllezërit siamezë, me dëshirën instiktive për t’u riprodhuar, për të lënë pas trashëgimtarë.Edhe kënga, si fëmijët, përcjell kumbimin e gjakut tënd:Damarët mavi kur t’i pres,ikjen e saj nëpër muzg do të ndjejnë currilat e gjakut që rrjedh…

    Poeti nuk hesht; ai e di mirë se heshtja është e njëjtë në të gjitha gjuhët e botës; ai zgjedh fjalën, e pangjarë me heshtjen rrafshonjese, simotër e Gjumit. Çdo ditë, shkruan Apostoli, dhëmbët e ujqërisë, pamëshirë shqyejnë ndershmërinë.Gjumi është vuv; këtë të vërtetë pelini mund ta thotë vetëm Fjala.Në këtë mes, çiltërsia e ndjenjës dhe mendimit, është parakusht për të transfiguruar vetveten, shkurt: vete e pastisur, art. Ndërsa ve në spikame këtë cilësi, këtë mundësi parake për art, më vjen ndër mend një shkrim i botuar në kapërcyell të viteve ‘70- ’80, ku një profesor me emër, pak a shumë, shkruante: letërsia revizioniste le në hije partishmërinë dhe luftën e klasave si motor lëvizës dhe nxjerr si kryevlerë sinqeritetin(!)Tmerr!- ulërinë rropullitë brenda meje. Tmerr. Ç’pate? – tha shoku aty pranë.Si ç’pata? Po, a mund të ketë art pa çiltërsi, pa sinqeritet, pa rrëfim me zemër në dorë të gazavajeve? Ne kemi rrjedhur. Ne flasim përçart, miku im.As më shumë, as më pak: ky farë arti ishte një pjellë dështake, një lojë në sipërfaqe, pa rrënjë, pa thellësi të vërtetash dramatike, ku dallga nis e projekton cunamin. Fillesa vetjake është dorëzanës i fillesës artistike universale.

    2.Poeti jeton. Mbi krye ka një qiell plot kujtime.Bota poetike e Apostolit përshkohet nga një spektër i gjerë jetësor në hapësirën e motiveve poetike, – me ngjyra të ndezura e të trishta, me vetveten, bëma e mëkate, me marrëdhënie, – nënë, at e atdhe, – me çuditë e një bote në lëvizje, pranim-mospranim të saj, – kryefjalë është Dashuria. Poeti, lehtësisht i dashuruar, pikërisht aty e ndjen veten të barabartë me perënditë, rilind dhe shumëfishohet, – urrejtja struket, qenia motivohet: aty i verbër, aty me dy bebëza në çdo sy, lartësohet –greminohet, greminohet- lartësohet. Në titull të librit ai flet për Trazim. Sepse: zemra qarkullon gjak dhe dashuri, edhe në ëndrra i kumbojnë takat e këpucëve; trupi i femrës lëkundet nën vështrime, një makinë ngjyrëkaltër laget e vetmuar në shi… Ngul sytë tek më e bukura mes tëbukurave, pa harruar… tregun e dashurisë!

    M’i ngatërroi padashur mendimetnjë vështirim i çuditshëm, i shpejtë.Nëpër gjysmëndërr e zura fluturim,si dikur fluturat me rrjetë.

    Fjala, kumbimi i saj, është zgjatim i rrahjeve të zemrës, ritëm gjaku e mendimi që japin e marrin heshtas e shkrihen në një. Pas palosjes së fletës së fundit tënjë libri, ajo që mbetet e të shoqëron për një kohë të gjatë është FRYMA në çastin e përjetimit, – ajo që besueshmërisht quhet Frymëzim. Humanizmi është Fryma bashkëkohore që përcjell poezia e Gaqo Apostolit. Si me qenë apostull i ri, përhap e bekon njeridashje, dritë, mirësi; në emër të tyre, kur duhet, zemërim. Sfidon me dashuri. Urrejtjen e kursen, si municionin në luftë.Ndoshta që e sotmja të të çojë në mitologji dhe mitologjia në ditët e sotme Heredokur, zënien e diellit e të hënës, njerëzit e maleve tona (pandehnin se) e dëbonin duke shkrehur pushkë. Poetët, për të përzënë eklipsin, shkrehin fjalë.

    3.Apostoli këndon lirshëm, pa ngërçe; ndjesitë derdhen siç vijnë, pa iu nënshtruar me domosdo një harmonie të përkryer a një rrëfimi të përkorë; nga poezitë strofike në ato me vargje të lira kalimi bëhet thuajse pa u vënë re, shpehja metaforike jep ngarkesën ideoemocionale, zjarriminë dhe tehun e duhur të gjendjes poetike: toka falënderon qiellin e madh… kur pesha e fjalës gjen ritmin dhe gjetja origjinale befason me freskinë e saj, dalin poezi të goditura, të cilat përbëjnë bërthamën e librit dhe vizatojnë portretin artistik. Ato mbartin aromën e një moshe dhe rininë e një ndjeshmërie pasionante, shqetësimin njerëzor nëpër kohë.Prej “Ç’ma trazoi jetën një grua”, le të përmendim: Përshpërima e dashurisë, Sa herë kalon një grua, Kënga e kovaçit, Largohu vogëlushe, Shqipëria, Dëbora në Tiranë, Lukunitë, Kur vera dhe vjeshta, Pleqtë nën qiellin e dashurisë, Martesa e argjentë, Stjuardesat e Singapore Airlines.Poeti është nxënës dhe mësues në të njëjtën kohë. Nxë, mëson nga të tjerët, po më bindshëm mëson nga vetja.

    4.Prej vitesh, me vjen së largu një mendim i shkruar diku në nje copë letre thënë nga s’di se kush, ndoshta A.Panagulis: Politika është detyrë, Poezia nevojë.Politika dhe Poezia! Të dyja fillojnë me “po”. Por… në përfytyrimin tim herë-herë shfaqen si një qenie me dy kokë, që përfyten e duan t’i hanë kokën njëra-tjetrës. Apostoli ka vite që vozit në dy dete. Midis të dyve, me sa duket, vetvetiu zgjedh të dytin. Poezinë. Pikërisht atë e ka bir për shpirt. Vetiu e ndjen se e dyta, poezia, njerëzon të parën, politikën. E shpëton nga damkosja. Është pikërisht ajo që ngre gishtin dhe akuzon:Nën shkrepje blicesh,Premtime afaristësh,Ministria sezonalëShesin Shqipërinë.Poeti ish aty. Pa dhe dëgjoi. Të heshtte do të thosh të ishte pjesëmarrës në krim. Po ai ndjehet qytetar i një bote të lirë, për të vetflijon Fjalën e Lirë.Ja dhe “Shqipëria” e tij:Armiqtë e shqyen në hapësirat pa anë,Në brigje të dy deteve, të përgjysmuar e lanë.Ashtu të plagosur, të djegur nga etja,Gjysmën që mbetej e hante vetvetja.Askujt s’i ka dhembur ky Dhé sa poetëve. Askush sa ata s’i ka ndjerë aq thellë tragjeditë dhe gazavajet e tij.

    Tiranë, Mars 2009

    Ç’ma trazoi jetën një grua, Gaqo Apostoli

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    GAQO APOSTOLI: NË HOTELIN E QYTETIT TË LARGËT

  • Një monument për poetin në qytetin me buste heronjsh

    Një monument për poetin në qytetin me buste heronjsh

    Nga Mero Baze

    Dje në mbrëmje, ndërsa po vija me Ilirjan Zhupën për këtu, dhe po kalonim poshtë Turanit, ai më kërkoi t’i bija borisë. “Duhet ta ruajmë zakonin të përshëndesim Petritin,” – më tha – “se ai tani këtyre anëve rri fshehur.”

    Pesë vite më parë, në udhëtimin e tij të fundit drejt Tepelenës, në pranverë të vitit 2020, ndërsa kalonim në Qesarat, Petriti më vuri dorën mbi timon dhe më tha: “Shtyp tre herë borinë; ta dëgjoj Qazim Shemja që po kaloj. E bëj gjithmonë.”

    Ngjan pak si një trill poetik lidhja e fortë mes tre poetëve tepelenas – Petrit Rukës, Ilirjan Zhupës dhe Qazim Shemes – të pandashëm as në letërsi dhe as në shoqëri, por në fakt ajo që i lidh është fakti se ata hynë së bashku dhe hynë në emër të Tepelenës në letërsinë shqiptare.

    Në vitet ’80 letërsia shqiptare, posaçërisht poezia shqipe, u freskua nga tre vatra të reja poetike në vend: ajo e Tepelenës, e Lezhës dhe e Tropojës.

    Në këtë përtëritje gjaku të poezisë shqiptare, Petrit Ruka ka një vend të veçantë, pasi u bë një poet emblemë që arriti të çojë në mënyrën më moderne Muzën poetike labe në poezinë shqiptare, duke i dhënë poezisë shqipe një finesë të rrallë, një realizëm të pashoq dhe një patriotizëm të vërtetë.

    Eposi poetik i Labërisë është nga më të veçantat në Ballkan, pasi është niveli më i lartë i një poezie popullore e mbushur me metafora dhe elegancë poetike. Është aq i fortë sa edhe sikur të mos kishim arritur të kishim një poezi të kultivuar shqipe, poezia labe do të mjaftonte për të na shpëtuar nderin.

    Por Petrit Ruka nuk është një transportues fizik i eposit labe në letërsinë shqiptare. Ai nuk është një mbledhës këngësh labe apo një krijues këngësh labe. Ai është një poet modern shqiptar që faktin që është rritur mes perlave të folklorit labe e ka kthyer në privilegj të jetës së tij. Ai i ngjan pak a shumë bletës që nuk çon në koshere as lulet që gjen rrugës, as petalet e tyre, por merr nektarin e tyre dhe në koshere prodhon mjaltin që rron dy mijë vjet. Pak a shumë kjo është ajo që ka bërë Petriti me folklorin e Labërisë.

    Para tij e ka bërë këtë sprovë edhe Agim Shehu, por për shkak të periudhës kur shkruajti, ai mori dhe përdori nga Labëria patetizmin e saj. Petriti përdori gjithçka: lirikën e poezisë labe, ashpërsinë e saj, patriotizmin e saj, vajet dhe pse jo edhe ironinë e saj.

    E di që krahasimet çalojnë dhe janë problem i madh mes shqiptarëve, por nëse Fishta mbeti një gjigand i madh i letrave shqipe, një përpunues i madh i eposit të Veriut, i historive të kreshnikëve tanë të cilët i mori nga letërsia gojore dhe i hodhi në Lahutën e Malësisë, Petrit Ruka e bëri këtë në një mënyrë më moderne me eposin e Labërisë, duke risjellë në një stil modern baladat e Labërisë.

    Nëse Lasgush Poradeci mbahet sot si një nga poetët tanë më të mëdhenj lirikë, për shkak të vetmisë në të cilën vezulloi në vitet ’30 e më pas, Petrit Ruka për mua mbetet një nga poetët më të mëdhenj të dashurisë në poezinë shqiptare, me një lirikë më moderne dhe më të prekshme, në horizontin mes qiellit dhe tokës, ku të çon melankolia dhe dhimbja e dashurisë.

    Nëse Dritëro Agolli mbeti në letërsinë shqiptare si një poet dhe shkrimtar i realizmit të thellë të botës shqiptare, mbështetur mbi karaktere njerëzish të prekshëm në rrugë, Petrit Ruka guxoi dhe futi në poezinë shqiptare angazhimin qytetar dhe vërejtjet e hidhura për realitetin e sotëm. Poezitë e tij emblemë – Baba, ne ikëm, Nëna ime nuk ka fotografi, apo poezia për pensionistët e lagjes që kërkojnë kafenë më të lirë, poezia Atdheu u shit, etj. – janë elegji që të mbledhin lotët në fyt për atë çfarë po i bëjmë atdheut.

    Në amanetin e tij të fundit poetik, një libër që zhvarros baladat e eposit të Jugut duke i risjellë në një formë më moderne, ai ka bërë gjithçka që mund të bëjë një poet për atdheun e tij, për historinë e tij, për traditën kulturore të tij.

    Në një nga baladat e librit, ajo e Hankos që shetit nëpër varre, ka një garë artistike me Ismail Kadarenë, rreth fuqisë së fjalës poetike labe.

    Kur Ismail Kadareja ka shkruar Autobiografinë e Popullit në vargje, ai e ka marrë rrugëtimin e Hankos së bukur nëpër varre, si një metaforë ku bukuria e saj ngjallte të vdekurit dhe vriste të gjallët.

    Petrit Ruka e ka ulur në tokë këtë histori, duke sjellë historinë tragjike të Hankos nga Kamenica, nuse në Zhulat, që rikthehet në fshatin e masakruar nga osmanët për të kërkuar varret e prindërve dhe vëllezërve të saj, duke vajtuar si Ajkuna dhe duke i dhënë përsëri kuptim vargut “të vdekurit i ngjalle.”

    Dy artistë të mëdhenj që tek i njëjti varg, njëri shikon fuqinë e dashurisë mbi të vdekurit dhe tjetri fuqinë e vajtimit lab mbi vdekjen.

    Dhe ndërsa përgatitnim këtë botim, nën peshën e pashpirt të kohës së pamjaftueshme që Petriti kishte për ta botuar në një ditë të caktuar, ai sillej sikur koha kishte ndalur dhe grindej me redaktorin e tij për tri ë që akoma jam i paqartë nëse duheshin apo nuk duheshin në gjithë atë libër, por që askush nuk i hapte rrugë njëri-tjetrit. Pastaj erdhi puna e kopertinës, që ishte e pazgjidhshme sikur të mos ishte një piktor i shquar shqiptar, Agim Sulaj, që ta zgjidhte këtë hall brenda tre ditëve. Dhe në fund ishte edhe ankthi i botuesit, që zakonisht është i shqetësuar vetëm për festat e promovimit.

    Edi Rama, i cili erdhi në ceremoni t’i dorëzonte Petritit titullin Honoris Causa të Universitetit Europian të Tiranës, pa “vesin” e të gricurit me artistët dhe, me një seriozitet që na la pa fjalë, bëri një vlerësim thelbësor të veprës së Petritit, duke e cilësuar atë si një poet i ulur mirë në gurin e vet në letërsinë shqiptare.

    Ai gur sot është aty para Kalasë, dhe ka rrotull buste pashallarësh me shpatë dhe luftëtarësh me armë, duke e bërë këtë qytet unik që të ulet mes tyre edhe një pasha i fjalës dhe luftëtar i madh i saj.

    27 shtator 2025

    *Fjala e mbajtur në përurimin e shtatores së poetit Petrit Ruka në Tepelenë

    ObserverKult

    Mero Baze

    Lexo edhe:

    PETRIT RUKA: DASHURIA KA SHIJEN E FORTË TË VDEKJES

  •  “Poeti laureat” 2025 – 2027, QKLL shpall hapjen e edicionit të ri 

     “Poeti laureat” 2025 – 2027, QKLL shpall hapjen e edicionit të ri 

    Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli hapjen e edicionit të ri të titullit  “Poeti laureat”, një titull i krijuar për të vlerësuar poezinë shqipe bashkëkohore dhe për të nderuar poetët e gjallë të letrave shqipe. Ky titull, tashmë i konsoliduar si një prej nismave më domethënëse të QKLL-së, përfaqëson një investim kulturor të vyer në promovimin e gjuhës dhe krijimtarisë poetike. Drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli shprehet se poezia gjuha e shpirtit dhe e kujtesës kolektive është zhanri që vlerësohet për dhënien e këtij titulli. “Në letërsinë shqipe, poezia ka qenë gjithmonë një zhanër themelor. Ajo është arti që i ka dhënë gjuhës shqipe fuqinë për të ruajtur identitetin, për të mbartur kujtesën dhe për të shprehur ndjeshmërinë e kohërave. Poezia është forma më e përqendruar e gjuhës aty ku fjala rritet në intensitet, ku tingulli dhe ritmi kthehen në kuptim dhe ku përvoja njerëzore gjen një shprehje të përhershme në formë arti”, thotë Alda Bardhyli.
    Sipas saj në një kohë kur fjala e shkruar përballet me sfidat e shpejtësisë dhe sipërfaqësisë, poezia mbetet një ftesë për reflektim dhe thellim ndjesor. Ndërsa juria e shpallur nga QKLL me kryetar poetin Primo Shllaku dhe të tjerë anëtarë në përbërje do të përzgjedhë dhe “Poetin Laureat” për vitet 2025-2027. Dy fituesit e parë të këtij titulli- Rudolf  Marku dhe Luljeta Lleshanaku, u vlerësuan me këtë titull nga juria më parë, e cila punoi përzgjedhjen. Në dy edicionet e deri tanishme, titulli  “Poeti laureat”  i vlerësoi dy zërat e fuqishëm të poezisë shqipe për disa cilësi të thella: Rudolf  Marku, një poet i formuar brenda dhe jashtë vendit, i njohur për poezinë e tij të qartë, meditative dhe të ngarkuar me reflektime mbi lirinë, ekzilin dhe jetën moderne. Vepra e tij mishëron lidhjen midis traditës dhe sfidave të kohës sonë, duke e bërë atë një nga poetët më të rëndësishëm të brezit të tij. Luljeta Lleshanaku, një nga poetet më të përkthyera dhe të njohura ndërkombëtarisht nga letrat shqipe, me poezi që spikat për imazhet e fuqishme, tonin intim dhe universin poetik unik. Ajo sjell një poezi të ndërtuar mbi përjetime të thella personale e kolektive, duke krijuar një gjuhë që i flet si lexuesit shqiptar, ashtu edhe atij botëror.

  • Xhevahir Spahiu dhe poezia e kritikuar nga Enver Hoxha më 1973/ Akuzat për “ekzistencializëm”

    Xhevahir Spahiu dhe poezia e kritikuar nga Enver Hoxha më 1973/ Akuzat për “ekzistencializëm”

    Xhevahir Spahiu është autor i shumë veprave që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqiptare. Poeti që bëri epokë me estetikën dhe artin ka dhuruar për poezinë shqiptare disa vepra që ende dhe sot ‘godasin’.

    Spahiu njihet si poet që përdor me mjeshtëri kontrastin si dhe cilësohet si “poet i ngjyrave të forta”. Xhevahir Spahiu ka lindur në 1 mars 1945 në Malind të Skraparit. Shkollën fillore dhe atë 7- vjeçare e përfundoi në vendlindje në Vlorë, ndërsa shkollën e mesme Pedagogjike në Berat. Spahiu ka studiuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Filologjisë dhe Historisë, Dega: Letërsi-Gjuhë. Që nga viti 1968 ai ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor i revistave “Nëntori” dhe libretist dhe mësues në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

    Ka marrë çmimin “Migjeni” dhe ka qenë fitues i çmimit të parë në konkursin për 45-vjetorin e çlirimit të atdheut. Në vitin 1973, poeti u shfaq në një revistë, e cila i solli në atë kohë zemërimin e regjimit komunist, Enver Hoxhës. Kjo i dha atij një ndalim botimi për dy vite. Koleksioni “Zgjimi i thellësive” doli ndërkohë në vitin 1979, më pas u tërhoq nga shitja sepse më vonë u cilësua si “i pashëndetshëm”. Në vitin 1993, pas rënies së komunizmit, ai u bë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe u bë president në vitin 1998, shkruan panorama.

    Në vitin 1973, poezia e tij “Jetë” u kritikua nga Enver Hoxha, i cili e akuzoi për “ekzistencializëm” dhe për referenca të ngjashme me Jean-Paul Sartre — një autor i ndaluar nga regjimi. Kjo solli një ndalim dyvjeçar për botimin e tij. Edhe poezia Zgjimi i thellësive u tërhoq nga qarkullimi pas botimit. “Më thanë që isha ndikuar nga Sartri, por nuk ishte e vërtetë. Unë nuk dija frëngjisht dhe nuk e kisha lexuar. U thashë të gjithëve që, në poezi kam thënë mendimin tim, idetë e mia dhe origjinalitetin tim. Këmbëngulën se isha ndikuar nga ai.

    Më 9 janar 1973 u bë kritika për mua. M’u tha që ka ndikime të ideve ekzistencialiste nga Sartri. U bë kritikë në gazetën ‘Zëri i Popullit’, pastaj më lart. U thashë që s’e kam njohur dhe s’e kam lexuar dhe se nuk dija frëngjisht. E pranova se diçka dija për Zhan Pol Satrin, se kush ishte, por nuk e njihja aq thellë sa të ndikohesha. Më bënë vërejtje, u bënë mbledhje”, – ka rrëfyer para ca kohësh poeti ngjarjen që i kushtoi shumë në jetën e tij artistike. Por çfarë masash u morën ndaj tij për shkak të poezisë dhe si e përmirësoi “biografinë”? “Më 1973-shin unë qëndrova 8 muaj brenda mbyllur në ‘Zërin e Popullit’, pa shkruar asgjë, pa nxjerrë asnjë artikull. Më vonë, bëra një poezi për dëshmorët dhe e botova në gazetën ‘Drita’. Më thanë shumë mirë. U kënaqën me të”, – është shprehur poeti.

    Enver Hoxha në Presidiumin e Kuvendit Popullor kishte thënë: “Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra sesi i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore…”. Udhëheqësi mendonte se Spahiu, në atë vjershë kishte rënë nën ndikimin e filozofit e shkrimtarit francez. Poezia “Jetë”, ende sot mund të cilësohet si një prej poezive më të bukura të tij. “Le të vijnë druvarët, trungun le ta presin,/ Nën tokë/ për rilindje rrënjët le të mbesin,/ me drurin tim le të bëjnë gjithçka, por jo arkivole;/ mbi krye të kem qiellin me mall,/ nën këmbë as hije/ mbi tryezat e sajuara prej eshtrave të mia/ mbështesni bërrylat,/ bini në mendime./ Jam ai që s’kam qenë,/ Do të jem ai që nuk jam” – janë disa prej vargjeve të saj.

    Poezia

    do të vdes i mbytur në borxhe, s’është asgjë mbytja në lum a në dhomat e gazit. I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin, i kam borxhe lisit qe s’ia hodha pjergullën, i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën, i kam borxhe krimit që s’i vura emër. do të vdes i mbytur në borxhe. I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët, i kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagëti kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragudo të vdes i mbytur në borxhe.Pemë po të isha e të mbija ndanë lumitDo të gjelbëronin shpresat, do të binin prej mejeMbi degët e përkulura do të thithej bora e do tëTë vinin tek unë të ngrinin fole,Të uleshin, të cicëronin një çast mbas shtegtimit,Mbi mua pastaj papritur të vërshenin ujëratE trungun dallgët të ma rrihnin,Gjethet t’i këpusnin për herbariumet e tyre,Mbas turnit, punëtorët të pinë cigareMe pëllëmbët e trasha si dy copë trungje,Mbi gjoksin tim ku mbështetet Arusha, Mbështesni shpatullat e vajzave të bukura. Trungun tim druvarët le të vinë e të presin Në tokë, në kohë e në zemra,Për t’u rilindur sërish le të mbesin.Me drurin tim le të bëjnë gjithçka, Mbi krye le të kem vetëm qiellin e madh,Mbi tavolinat e bëra nga trupi im,Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send,të shohësh thellë në ata sy,e të mos duash të jesh përherë me ty?Të ecësh me krahun mbi supet e tuae të harrosh oshtimën e kaltër,peshkarexhat si zjarre të natës?e mos kuptosh se si përpiqet detitë dalë jashtë guaskës së vetvetes?Në stacionin pranë pishave, këtë natë me shi,në heshtje po çlodhen njëzet e shtatë taksi. Nesër përsëri mbi qytet do të shkasin,si shiu mbi pardesynë time bojëkafe.Po ç’rrugë, vallë, i presin? Dhe ç’ëndrra shikojnëtaksitë që flenë zbuluar nën neone?Mes gjumit të hekurt u fërfërijnë refleksetë jetëve që nesër si rrugë do të pleksen.Në ca do të hipin dashuritë e ndershme,do të qajnë në të tjerat viktimat e mblesëve.Po ta dija në cilat taksi hipin lotët,trupin tim barrikadë do ta vija nën rrotat.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    ÇFARË DO TË THOTË TË JESH NJERI ME KULTURË?

  • Wislawa Szymborska: Poezia lind nga dashuria

    Wislawa Szymborska: Poezia lind nga dashuria

    Poete, kritike letrare, eseiste, kronikane dhe përkthyese, ajo ka shkruar më shumë se 250 poezi. Laureuar me çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1996, ajo është autore e rreth njëzet përmbledhjeve, përfshirë “Vdekje pa e ekzagjeruar” (1996) dhe “Nuk e di se çfarë njeriu” (1997) etj. 

    Vargu i saj i qashtër dhe i rafinuar, i stërpikur me ironi, ruan në vetvete frymëzimin filozofik. Botimi i përmbledhjes “Wszelki wypadek” (“Ku”), botim i vitit 1972, shënoi fillimin e një shenjtërimi të gjatë në Poloni. Gjithashtu, shumë e njohur edhe në Gjermani, ku u nderua veçanërisht me çmimin “Goethe” në 1991. Hera-herës, teksa flitet për vdekjen, edhe pse pa patos, në të vërtetë është jeta, e cila, në pasqyrim, reflekton imazhin me një këndvështrim tërë habi filozofike. Poetesha përdor gjuhën e thjeshtësisë së përditshme, duke shprehur me butësi një ndjeshmëri të zakonshme që shpërqendron syrin. Poezitë karakterizohen nga humori i shkëputur dhe vëmendja ndaj provave absurde të jetës, si dhe ndryshimeve më të thella në shoqëri – ato për të cilat mediat mediatike nuk flasin kurrë. “Ne jetojmë më gjatë, / por me më pak ndershmëri, / dhe me fjali shumë më të shkurtra”.

    Wislawa Szymborska është poetesha më e rëndësishme polake që ka jetuar ndonjëherë. Ndër më të pëlqyerat dhe të vlerësuarat nga publiku i gjerë, përmbledhjet e saj kanë arritur një numër të jashtëzakonshëm shitjesh, të barabartë me autorët më të rëndësishëm të prozës, pavarësisht se Szymborska ka ironizuar në mënyrë të përsëritur, se poezia mund t’u pëlqej një ose dy personave në njëmijë lexues.

    Lindur në vitin 1923, në një qytet të vogël në Poloninë perëndimore me emrin Kornik, ajo u rrit në Krakov, ku studioi për letërsi dhe sociologji.

    Shumë aktive në jetën kulturore të qytetit, bashkëpunoi në periudhën e pasluftës me revistën “Walka”, braktisi studimet për shkak të problemeve ekonomike dhe filloi të punonte si sekretare për një revistë didaktike dhe ilustruese libri.

    Pas botimit të koleksioneve të saj të para, ajo punoi redaktore në disa revista polake.

    Përmbledhja e tretë “Appello allo Yeti” e shenjtëron atë për publikun e gjerë dhe kritikën dhe, pas vlerësimeve dhe çmimeve të shumta, ajo merr çmimin “Nobel” për letërsi në 1996.

    Gruaja e lotit

    Thonë nga kureshtjaKtheva kryet pas, vërtet.Por nuk mendojnë se tjetër shkak kam pasur:Keqardhja për një kupë të argjendtë,Që lashë në shtëpi, në Sodoma.Dëshira për të mos parë më të ndershmin burrin timQë ecte para meje.Dëshira të shihja a do të ndalte llahtara,Kur të vdisja unë (nuk ndali).Mosbindja e të përunjurve.Shpresa se mbase Zoti pat kthyer mëndjeDhe s’do t’i vriste ata mijëra të pafajshëm.Vetmia dhe turpi që ikëm ashtu fshehurazi.Ndoshta qe një shkulm ere,Që më zgjidhi flokëtDhe bëri që ashtu kot, të ktheja kokën.Më duket se thjesht u rrëzova, pastaj shtyllë kripe u bëraMe fytyrën nga qyteti kthyer.

    Fjalitë e poetes, shpesh u referohen aspekteve të përditshme ose që duhet të jenë të përditshme, që shpesh harrohen.

    Autorja polake ishte e pajisur me një ndjeshmëri befasuese, çka e lejoi të shihte dhe përshkruante botën e përditshme në një mënyrë shumë të veçantë.

    Dy gjëra karakterizojnë fjalitë e Wislawa Szymborska: thjeshtësia dhe vërtetësia. Delli i saj poetik është ankoruar brenda saj dhe shihet se ajo vazhdimisht lidhet me lexuesin.

    Krijimtaria e saj nuk është hermetike ose studimore, krejt e kundërta: është e arritshme për këdo që dëshiron ta lexojë.

    Poezia është sinonim i dashurisë

    Wislawa Szymborska e bëri poezinë një formë jete, madje nuk ishte një poete e rezervuar, përkundrazi gjithmonë ka komunikuar me lexuesit e saj dhe ka qenë e ndjeshme ndaj shqetësimeve dhe arsyetimeve të tyre.

    Për të, të qenit poete nënkuptonte më shumë sesa të shkruaje vargje. Kjo ide pasqyrohet edhe në thënien: 

    “Të gjitha poezitë lindin nga dashuria; edhe ato që transmetojnë negativitet, pasqyrojnë një formë dashurie ndaj botës”. Me fjalë të tjera, poezia është sinonim i dashurisë.

    Nobelistja Wislawa Szymborska, ka qenë një nga shkrimtaret më të lexuara në të gjithë botën.

    Shumë u pikëlluan për vdekjen e saj, më 1 shkurt 2012, sepse universi humbi një yll… nga ata më të shndritshmit.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    ARTAN GJ. HASANI: NJË POEMË BASHKËSHORTËSISHT JOKORREKTE….