Gilmando Dani
TIRANË-Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me atentatin mafioz mesditën e 11 nëntor ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos miku i tij, agjent i AMP, Muçi Shaljani. Ekspertiza paraprake nga morgu i Tiranës, ka nxjerrë se Gilmando Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja. Në Spitalin e Traumës, vijon të jetë i intubuar Muçi Shaljani, i cili mori 10 plumba në trup, 2 prej të cilëve në kokë.
Ndërkohë nga verifikimet e kryera nga Policia, rezulon se makina tip ‘Toyota Yaris”, e përdorur nga autorët në krim, është vjedhur në Greqi më 22 tetor 2023, ndërsa targat po ashtu të grabitura në 2024-ën ishin të mbivendosura. Nga ana tjetër në mjetin tip ‘Benz’ ku udhëtonte shënjestra me punonjësin e AMP, i cili u hap një ditë pas atentatit nuk është gjetur asgjë e paligjshme.
Hetimet janë fokusuar në disa pista hetimore, siç është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale, konfliktet e fajdet financiare e deri tek bashkëpronësia tek disa sipërfaqe toke prapa zonës së “Casa Italia” dhe trafiku i kokainës. Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’, teksa i plagosur rëndë ka mbetur edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ndaj automjetit të tyre ‘Benz’ u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Dani dhe Shaljani, sapo ishin kthyer nga Spanja, ku besohet nga policia se kishin shkuar për koordinim të punëve në trafikun e drogës./ZËRI









