Edhe pse gjatë dy-tre viteve të fundit cilësia e plazheve vendase është përmirësuar, duke u lënë më shumë hapësira publike pushuesve dhe duke kufizuar disi sektorin privat, ndotja e ujërave dhe e ambienteve përreth mbetet ende një shqetësim për vizitorët.
Fation Plaku, udhërrëfyes dhe eksplorues, shprehet për gazetarin Drini Zeqo, në Klan News, se përpjekjet e Ministrisë së Turizmit nuk janë ende të mjaftueshme dhe se plehrat në brigjet shqiptare vazhdojnë të jenë të pranishme.
“Ministria ka bërë një punë të mirë për pastrimin e plazheve, por plehrat janë ende aty. Përveç shtetit, edhe sektori privat duhet të ndërmarrë nisma për pastrimin. Personat që ndosin ambientin duhet të gjobiten“, thekson Plaku.
Megjithatë, Shqipëria vazhdon të mbetet një destinacion turistik shumë i dashur. Përveç aktiviteteve në plazh, vendi ynë ofron edhe sporte të ndryshme ujore, ecje malore (hiking), rafting, si dhe promovon kulinarinë vendase në zona si Përmeti apo Dhërmiu.
Lumi Vjosa dhe kanionet e Osumit mbeten dy destinacione të preferuara për rafting.
“Në Vjosë mund të bësh rafting gjatë gjithë vitit, ndërsa Osumi është i aksesueshëm deri në fund të majit”, shprehet eksploruesi.
Për turistët, Shqipëria është ende një destinacion i pëlqyer. Shumica prej tyre e njohin përmes rrjeteve sociale dhe, përveç guidave të organizuara, shumë preferojnë ta eksplorojnë vendin edhe në mënyrë të pavarur./tvklan.al
Tag: plazheve
-

Cilësia e plazheve në Shqipëri, Fation Plaku: Ndotja mbetet ende shqetësuese
-

Rama poston një video nga plazhi publik në Vlorë
Vlora tërheq çdo vit mijëra turistë vendas e të huaj, pasi është një ndër qytetet me plazhet më të bukura në vendin tonë.
Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të Pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve, përfshi edhe Vlorën.Kryeministri Edi Rama ka postuar një video nga plazhi publik në Vlorë, i cili po frekuentohet nga qytetarë të shumtë në këto ditë vere.
Në stacionet e plazheve publike të ngritura në Vlorë, këtë vit të ketë edhe çadra të dedikuara për turistët dhe banorët e qytetit, të ofruara falas nga bashkia. Stacione plazhi publike me çadra falas ka edhe në Radhimë, Orikum, edhe në plazhin e Zvërnecit. -

‘Sfidë mbetet pastrimi i bregdetit’, Kumbaro: Tolerancë zero ndaj zaptimit të plazheve publike
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka vijuar inspektimet në plazhet e Kavajës, duke theksuar se sezoni turistik do të shoqërohet me masa të ashpra ndaj zaptimit të plazheve publike. Ajo theksoi se sfidë kryesore mbetet pastrimi i vijës bregdetare dhe garantimi i aksesit të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Sfidë mbetet pastrimi i plazheve dhe tolerancë zero ndaj zaptimit të hapësirave publike. Policia do të jetë në krahun tonë për të përballuar këtë sfidë. Plazhet e Kavajës, bashkë me ato të Durrësit, janë ndër më të frekuentuarat, qoftë nga pushues vendas, mysafirë nga Kosova dhe gjithnjë e më shumë edhe turistë të huaj”, u shpreh Kumbaro.
Ajo sqaroi se, sipas rregullores së re, subjektet me struktura akomoduese mund të menaxhojnë parcela plazhi si vlerë e shtuar për bizneset e tyre, por duhet të sigurohet ndërprerje e vijës së plazheve me hapësira publike. Edhe në plazhet e menaxhuara, duhet të respektohet distanca minimale 7-8 metra nga deti për qytetarët që duan të shijojnë bregdetin lirshëm.
Ministrja kërkoi nga bashkia pajisjen e 73 plazheve publike të Kavajës me sinjalistikë të plotë dhe theksoi rëndësinë e respektimit të kufijve nga subjektet private, duke paralajmëruar masa për ata që tentojnë të zgjerojnë parcelat përtej kontratës. Ajo gjithashtu nënvizoi nevojën për pastrimin e hapësirave të gjelbërta dhe pyjeve përreth, të cilat shpesh shndërrohen në pika grumbullimi mbetjesh.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, bëri të ditur se ka hyrë në fuqi urdhri për pezullimin e ndërtimeve dhe punimeve në zonën e plazhit, me synim garantimin e një sezoni turistik të qetë dhe të pastër.





