I rehatuar në plazhet e jugut ku pret e percjell miqtë e tij në vilat shtetërore, Edi Rama ka bërë një “live” në Facebook, mëngjesin e kësaj të diele kur është përpjekur të justifikojë banditizmin e aksionit për lirimin e hapsirave publike.
Ku me përqeshje ndaj komentuesve e ku me mashtrime Rama se aksioni ishte i domosdoshëm dhe duke hequr përgjegjësinë e qeverisë së tij për lënien e zaptimit të këtyrë hapsirave, ai nuk ka mundur dot të japë një shpjegim se pse pushteti i tij është i paaftë të prekë ata që bëjnë pallate pa leje mbi kulla, dhe është mjaftuar më retorikë, “ato kate pa leje do i marrë shtetit”.
Por ajo që është më interesante gjatë zdërhalljes së sabahut të Ramës është se ai për herë të parë ka pranuar indirekt se turizmi në Shqipëri është në rënie të lirë, por jo nga fadromat që shpërndau në zonat turistike në kulmin e sezonit, por për arsye të tjera.
Propaganda turistike i është shkërmoqur, mosardhja e turistëve të huaj për shkak të shkatërrimit të bregdetit me investitorët strategjike, pamundësi e shqiptarëve për të frekuentuar plazhet prej varfërisë ku i ka zhytyr qeverisja e tij, mungesa totale e infrastrukturës bazike për turistët si uji, dritat, pastërtia, për Ramën janë gjëra që, “do llafosemi në shtator”.
Në pamundësi për të mbrojtur propagandën e deritanishme më turizmin, ka premtuar një çmenduri tjetër që nuk dihet se sa do u kushtojë shqiptarëve përsëri, një “Rilindje urbane 2.0”, kur dihet fare mirë që u hodhën miliarda euro për rilindjen e parë urbane dhe të gjitha qytetet e Shqipërisë u dizenjuan me pllaka shesheve sipas shijeve të tij, por që ndikimi në jetën e banorëve të atyrë zonave ishte zero.
Deklarata e Ramës për dështimin e turizmit:
“Rilindja urbane 2.0 është një projekt që do vijë për 4 vjet. Nuk e linim dot për në dimër. Çështja e turistëve lidhet me gjërat e tjera për të cilat do të llafosemi shumë afër dhe shumë qartë në shtator. Një pjesë e industrisë po mendon për kap ça të kapësh sot. Do të marrim masa radikale për plazhet vitin e ardhshëm, shkundja e bashkive sot është për një të ardhme më të mirë nesër”, tha Rama.









