Tag: plazh

  • Infeksionet e lëkurës në plazh, ja si t’i parandaloni gjatë pushimeve verore

    Infeksionet e lëkurës në plazh, ja si t’i parandaloni gjatë pushimeve verore

    Plazhi është sinonim i relaksit, diellit dhe ditëve të gjata larg stresit të përditshëm. Por, përveç argëtimit, rëra, uji i detit, dushet publike dhe shtrati i plazhit mund të fshehin edhe rreziqe për shëndetin e lëkurës.

    Gjatë verës shtohet rreziku për infeksione si mikozat, dermatitet, folikulitet apo impetigoni, veçanërisht nëse nuk respektohen disa masa të thjeshta higjienike.

    Sipas dermatologes italiane, Laura Colonna, kontakti i zgjatur me rërën dhe sipërfaqet e ndotura mund të favorizojë shfaqjen e problemeve të ndryshme të lëkurës. Fëmijët janë veçanërisht të rrezikuar nga impetigoni, një infeksion bakterial që shfaqet përmes flluskave të mbushura me qelb, por edhe të rriturit nuk mbeten jashtë rrezikut, sidomos pas trajtimeve estetike të pasigurta ose ekspozimeve të tepërta në diell.

    Mikozat janë ndër infeksionet më të zakonshme në plazh. Këto kërpudha pëlqejnë mjediset e lagështa dhe të ngrohta, duke shkaktuar skuqje, kruarje dhe zbokth në këmbë, ijë apo shpinë. Ecja zbathur mund të duket e padëmshme, por nëse keni çarje apo lëkurë të irrituar, mikrobet si Staphylococcus aureus mund të depërtojnë dhe të shkaktojnë infeksione serioze.

    Piodermiti, nga ana tjetër, është më i zakonshëm te fëmijët nën 10 vjeç dhe lidhet me kontaktin me rërën e kontaminuar. Fatmirësisht, kjo sëmundje trajtohet lehtë me antiseptikë dhe antibiotikë lokalë.

    Si të parandaloni infeksionet në plazh?

    Parandalimi është i thjeshtë: përdorni gjithmonë shapka në dushe dhe banjo publike; mbuloni shtratin e plazhit me një peshqir personal të pastër; ndërroni menjëherë rrobat e lagura; dhe lani ose dezinfektoni duart shpesh, veçanërisht para se të hani ose të prekni fytyrën. Pas larjes në det, është e rëndësishme të fshiheni mirë, sidomos në zonat e palosura të trupit.

    Nëse keni plagë apo gërvishtje, mbulojini me fasho ose shmangni larjen deri në shërimin e plotë. Së fundmi, mos neglizhoni asnjë shenjë që ju jep lëkura: kruarje të vazhdueshme, skuqje, djegie apo plagë që nuk përmirësohen duhet të shqyrtohen menjëherë nga një dermatolog.

    Pushimet janë për t’u shijuar, por kujdesi për lëkurën nuk duhet lënë pas dore.

  • Plazhi 100 vjeçar në Pogradec, vendasit nuk e braktisin zonën e “Uçkave”, po tërheq edhe vizitorë të tjerë

    Plazhi 100 vjeçar në Pogradec, vendasit nuk e braktisin zonën e “Uçkave”, po tërheq edhe vizitorë të tjerë

    Plazhi i Uçkave është mbi 100 vjeçar dhe vit pas viti atij i bashkohen turistë vendas dhe të huaj.

    I pozicionuar në hyrje të qytetit, Bashkia e Pogradecit jo vetëm që e ka rikthyer këtë plazh si vite më parë, por e ka pajisur atë me elementët që i nevojiten një plazhi publik.
    Banorët vendas, kryesisht pogradecarë, janë ata më besnikët e këtij plazhi. Në këtë zonë dikur gratë lanin rrobat, ndërsa fëmijët zinin peshk me vazo  një traditë që jeton ende në kujtimet e pogradecarëve.

    Sot, teksa fëmijët luajnë në rërë dhe të moshuarit bëjnë banjë në liqen, Uçkave vijon të mbajë gjallë një histori që, ndonëse e thjeshtë, mbetet autentike.
    “Këtu kemi larë gjithë jetën. Edhe rrobat i lanim këtu. Fëmijët tanë kanë mësuar të notojnë në këtë ujë”, tha një plazhiste.
    “Vijmë çdo vit në këtë plazh tradicional sepse është një vend i qetë, uji është i pastër dhe nuk ka zhurmë. Ndaj dhe ndjehemi sikur jemi në shtëpinë tonë.”u shpreh një tjetër.
    Këtë sezon, ndryshe nga vitet e mëparshme, rreth 70% e vijës liqenore është shpallur plazh publik. Bashkia ka vendosur çadra për pushuesit, duke garantuar një turizëm të barabartë për të gjithë.
    /vizionplus.tv

  • ‘Plas lufta’ në Ksamil, dy biznesmenë në konflikt për çadrat në plazh! Skena dhune në bregdet,shokohen pushuesit

    ‘Plas lufta’ në Ksamil, dy biznesmenë në konflikt për çadrat në plazh! Skena dhune në bregdet,shokohen pushuesit

    Konflikti për shfrytëzimin e një hapësirë plazhi ka degraduar në përplasje fizike mes dy biznesmenëve që aktivitetin e tyre e ushtrojnë në bregdetin e Ksamilit, duke dhuruar skena të patolerueshme për pushuesit në mes të sezonit turistik.

     Dy  biznesmenë, njëri pronar i një lokali dhe tjetri pronar i një hoteli  janë përfshirë në një sherr për shfrytëzimin e hapësirës së plazhit.

    Sherri që duket që nuk ka lindur sot  por është i mbartur është mesAlbert Pashaj pronar i “Euro Hotel” në Ksamil dhe Agim Taraj pronar i “Sunset Beach bar”po në Ksamil.

    Syri TV ka siguruar një video të ngjarjes që mendohet se ka ndodhur sot në mesditë kur pranë plazhit shihet një person i mbuluar me gjak në fytyrë dhe një tjetër që largohet.

    Personi i gjakosur është Albert Pashaj, i cili në një moment merr në dorë dhe një tullë. Personi që largohet është Agim Taraj

    Ndërkohë në video dëgjohet zëri i një gruaje të tronditur që duket se mund të jetë dhe ajo që filmon që i drejtohet personin që largohet me: Plehër.

    E gjithë skena e potolerueshme e dhunës ka ndodhur paraditen e së shtunës (19 korrik 2025) në sy të dhjetëra pushuesve të cilët janë shokuar dhe frikësuar nga skena.

    Zona e lakmuar nga dy pronarët për të vendosur çadra, ndodhet në hyrje të vijës bregdetare të Ksamilit, dhe është caktuar nga bashkia si hapësirë për plazh publik.

    Pashaj pretendon se është hera e dytë që dhunohet, pasi është goditur nga Taraj edhe në 6 qershor në afërsi të të njëjtit vend.

    Nga ana tjetër familjarët e Agim Tarajt akuzojnë pronarin e “Euro Hotel Ksamil”, Albert Pashai se ka nisur konfliktin pasi së bashku me familjarë të tij, është paraqitur në ambientet e ‘Sunset Restorant Ksamil’ në pronësi të Agim Tarajt dhe ka hedhur pije në tokë e fyer kamarierin. Pas këtij veprimi, kamarieri ka reaguar duke e goditur fizikisht.

    Në pamje shihen karrige përtokë dhe xhama të thyer. Familjarët thonë se Agim Tafaj nuk ka qenë pjesë e konfliktit, ndryshe nga si është raportuar, por është shoqëruar në polici vetëm si person në dijeni.

     Policia ende nuk ka dhënë detaje për këtë konflikt, dhe aktualisht hapësira e plazhit që ka shkaktuar konfliktin është plazh publik. 

  • Plas sherri në Ksamil! Pronari i një hoteli dhunon konkurrentin, përplasje për kontrollin e territorit në plazh

    Plas sherri në Ksamil! Pronari i një hoteli dhunon konkurrentin, përplasje për kontrollin e territorit në plazh

    Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të shtunë në Ksamil, ku një konflikt i ashpër mes dy biznesmenëve lokalë ka përfunduar me dhunë fizike.

    Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se i lënduari është Albert Pashaj, pronar i “Euro Hotel Ksamil”, i cili është sulmuar me sende të forta brenda ambienteve të hotelit të tij. Si autor i dyshuar i dhunës identifikohet Agim Taraj, pronar i “Sunset Restorant Ksamil”.
    Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka ardhur si pasojë e një konflikti për menaxhimin dhe vendosjen e çadrave në hapësirën përballë hotelit, pjesë e vijës bregdetare që shpeshherë është bërë burim mosmarrëveshjesh mes subjekteve private në zonat turistike të jugut.
    Dyshohet se shkaku kryesor i përplasjes lidhet me pretendimet mbi pronësinë dhe kontrollin e territorit në plazh, një problem që ka marrë përmasa shqetësuese sidomos gjatë sezonit turistik veror, ku fluksi i lartë i pushuesve sjell edhe tension mes operatorëve lokalë.
    Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit, ndërkohë që Pashaj është dërguar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Agim Taraj pritet të merret në pyetje nga autoritetet.

    Top Channel

  • E shtuna për plazh/ Parashikimi i motit për sot, ja sa do të jenë temperaturat maksimale në vend

    E shtuna për plazh/ Parashikimi i motit për sot, ja sa do të jenë temperaturat maksimale në vend

    Ditën e shtunë moti parashikohet i qëndrueshëm dhe i kthjellët, me kohëzgjatje të orëve me diell në të gjithë territorin, gjatë gjithë ditës.
    Era do të fryjë e lehtë me drejtim veriperëndim-jugperëndim me shpejtësi mesatare 5m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë 5-9m/s
    Valëzimi në det do të jetë i ulët i forcës 1 deri në 2 ballë.

  • ”Forbes”: Pse duhet ta planifikoni Shqipërinë për pushimet tuaja?

    ”Forbes”: Pse duhet ta planifikoni Shqipërinë për pushimet tuaja?

    Për dekada të tëra, Mesdheu ka qenë duke ju propozuar të njëjtat destinacione të arta, por tashmë të vjetruara si Kapri, San Trope’, Mikonos apo Ibiza,  vendet ku jahtet janë më të mëdha se flota lokale e peshkimit dhe fatura për një drekë buzë detit mund të financojë edhe një vresht modest ballkanik.

    Por, njohësit e udhëtimeve, ata që pëshpëritin emra në darka dhe fshehurazi, dëshirojnë që ju të mos i ndiqni këshillat e tyre, pasi ata kanë rrethuar një emër të ri dhe ai emër është Shqipëria, shkruan Jordi Lippe-McGraw për prestigjiozen ”Forbes”.

    ”Po, Shqipëria”, shkruan ai.

    E vendosur midis Greqisë dhe Malit të Zi, me një vijë bregdetare të përshkuar nga deti Jon, Shqipëria ka qenë për vite me radhë ”kushërira” e harruar e Klubit të Adriatikut. E lënë në hije nga Kroacia, e keqkuptuar nga Evropa Perëndimore dhe e mbyllur prej kohësh nga një regjim i zymtë komunist, ajo mbeti një vend i bardhë në hartën e Mesdheut.

    Pra, ja çfarë ndodh me Shqipërinë – është pjesa e Mesdheut që vështirë se i ka kushtuar vëmendje dikush, dhe pikërisht kjo është arsyeja pse është interesante tani. Në bregdetin jugor, keni Rivierën Shqiptare. Ai shtrihet përgjatë Jonit, me shkëmbinj dhe plazhe me guralecë që, sinqerisht, nuk do të dukeshin të çuditshme në Greqi apo Itali. Por, atmosfera është krejtësisht e ndryshme. Nuk ka ende resorte masive apo klube plazhi me shkëlqim  dhe çmimet janë shumë më të ulëta.

    Në plazhin e Palasës, për shembull, tani keni ”Green Coast Hotel”, një hotel i ri me pesë yje që është pjesë e koleksionit ”MGallery”. Pamja është e thjeshtë – tone të buta, dysheme guri, një spa e vogël dhe seanca joge pranë detit. Madje ka edhe parashutizëm mbi shkëmbinj, gjë që është ajo që të tregon se sa shpejt ky bregdet po shndërrohet nga sekreti i udhëtarëve me çanta shpine në një destinacion të shndritshëm. Një ditë pini një kafe të ftohtë të bërë në shtëpi në një tavolinë plastike në plazh; ditën tjetër, pini një koktej në një bar hoteli duke parë diellin të perëndojë pas shkëmbinjve.

    Por, vetëm pak kilometra në jug, gjërat duken shumë të njëjta me ato që kanë qenë prej vitesh.

    Dhërmiu është një ndalesë popullore, e njohur për plazhin e tij me guralecë dhe baret që mbushen në verë me muzikë dhe kokteje. Ka edhe hotele të vogla këtu — vende familjare ku merrni një dhomë pa spa ose pishinë, por me një plazh disa hapa larg dhe ndoshta një lokal poshtë që shërben peshk të pjekur në skarë dhe birrë të ftohtë. Është lloji i vendit ku do të shihni familje shqiptare, disa udhëtarë evropianë me çanta shpine dhe, gjithnjë e më shumë, valën e parë të udhëtarëve kureshtarë nga më larg.

    Jala është një tjetër plazh që tërheq turmën e të rinjve, veçanërisht kur zhvillohen festivalet e muzikës verore. Por, nëse kërkoni diçka më të qetë, vazhdoni. Gjipeja është e fshehur midis shkëmbinjve, një gji që mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë. Nuk ka hotel, as rrugë, as shezlongë me qira të rreshtuara në rërë. Ndoshta ndonjë shilarëse të varur mes pemëve, ndoshta një bar i vogël plazhi që punon me gjenerator, ndoshta asgjë fare.

    Ajo që e bën Shqipërinë të ndihet ndryshe — të paktën për momentin — është ajo që mungon. Asnjë hotel gjigant. Asnjë shezlong që kushton 80 euro. Asnjë turmë që të shtyn pranë rrënojave. Është ende pak e papërpunuar: rrugët nuk janë të mira, autobusët vonohen, ndonjëherë duhet të tërhiqesh kur planet nuk funksionojnë.

    Por, është gjithashtu bujare – pjata të mëdha me mish ose peshk të pjekur në skarë, verë vendase dhe njerëz që këmbëngulin që të provosh rakinë e tyre të bërë në shtëpi, pavarësisht nëse mendon se mund ta përballosh apo jo. Mund të ecësh në një plazh që duket si diçka e nxjerrë nga një revistë udhëtimesh dhe të gjesh veten pothuajse vetëm, përveç disa vendasve që notojnë.

    Megjithatë, ndryshimi po vjen me shpejtësi.

    Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të hapet së shpejti, gjë që do të sjellë më shumë udhëtarë ndërkombëtarë. Klubet e plazhit tashmë po shfaqen në Riviera dhe markat më të mëdha të hoteleve po fillojnë të shikojnë vijën bregdetare. Pra, nëse jeni kuriozë për një pjesë të Mesdheut që ende ndihet si një zbulim – me përzierjen e saj të qyteteve osmane, maleve të egra dhe vijës bregdetare që nuk është gëlltitur nga zhvillimi – Shqipëria ia vlen të shkosh tani.

    Sa gjatë do të qëndrojë kështu kjo është ende nuk dihet

  • Çlirohen plazhet në Lungomare të Vlorës, policia heq 35 çadra dhe 70 shezlongë të vendosura pa leje

    Çlirohen plazhet në Lungomare të Vlorës, policia heq 35 çadra dhe 70 shezlongë të vendosura pa leje

    Policia e rendit dhe ajo bashkiake kanë nisur kontrollet në plazhet private në Vlorë, për të verifikuar nëse janë të rregullt me dokumentacionin dhe nëse e shfrytëzojnë hapësirën në respekt të ligjit.

    Gjatë kontrollit në një plazh përgjatë Lungomares janë vërejtur parregullsi në menaxhimin e një hapësire nga një subjekt privat dhe gjatë paradites së kësaj të shtune, forcat e policisë ndërhynë duke hequr çadrat dhe shezlongët.
    Gjatë aksionit u hoqën 35 çadra dhe 70 shezlongë, ndërsa pronari nuk ka pasur kundërshtime. Hapësira e plazhit, rreth 500m2, do të kthehet në plazh publik.

    Për këtë rast reagoi edhe kryeministri Edi Rama, duke përgëzuar policinë për ndërhyrjen dhe për rikthimin e kësaj parcele në plazh publik për pushuesit.
    Pak ditë më parë e gjithë zona e Lungomares i është nënshtruar aksionit të inspektoriatit të mbrojtjes së territorit, duke heqhur tavolonat, karriget dhe strukturat metalike të vendosura në trotuarë./vizionplus.tv

  • Vijon aksioni “Plazh i lirë”/ Lirohen hapësirat publike në Vlorë dhe Fier, procedohet pronarët e subjekteve

    Vijon aksioni “Plazh i lirë”/ Lirohen hapësirat publike në Vlorë dhe Fier, procedohet pronarët e subjekteve

    Pamje nga policia

    VLORË- Policia e rendit ka intensifikuar kontrollet në terren për verifikimin e dokumentacionit të plazheve private në qytetin e Vlorës. Blutë kanë konstatuar parregullsi në një plazh në zonën e Lungomares, ku gjatë mëngjesit të sotëm kanë hequr 40 çadra dhe 80 shezlongë. Tashmë, hapësira prej rreth 500 metra katrorë do të kthehet tashmë në plazh publik, ndërsa mësohet se aksioni nuk është kundërshtuar nga pronari i subjektit.
    Po ashtu, edhe në Fieri ka vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare të Semanit. Policia bën me dije se 3 persona do të hetohen në gjendje të lirë pasi kishin vendosur çadra dhe shezlongë, pa lejen e autoriteteve përkatëse. 
    Njoftimi i policisë:
    Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe atyre të Seksionit të Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, në tre stacione plazhi në Seman, konstatuan se pronarët e këtyre subjektve, shtetasit E. F., 38 vjeç, R. Sh., 69 vjeç dhe Z. S., 56 vjeç, kishin zënë në mënyrë të paligjshme tre sipërfaqe toke publike, në të cilat kishin vendosur rreth 150 komplete me çadra dhe shezlongë, pa qenë të pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.
    Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve E. F., R. Sh. dhe Z. S., për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregëtar i pa pajisur me kasë fiskale”.
    Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror./ZËRI/ 

  • Zaptuan hapësirat publike në plazh/ 3 persona procedohen në Golem

    Zaptuan hapësirat publike në plazh/ 3 persona procedohen në Golem

    Përveç lirimit të zonave në plazh të zëna me shezllonge dhe çadra pa lejen përkatëse, Policia e Durrësit, në kuadër të operacionit “Plazhi i Lirë”, ka vijuar edhe këtë të premte me lirimin e hapësirave publike, si trotuare dhe rrugë të zëna nga tregtarë ose subjekte private në plazhin e Golemit.
    Më konkretisht, Policia e Durrësit njofton se nga kontrollet e ushtruara këtë të premte u konstatua se shtetasit P. Gj., Q. S. dhe R. A. kishin zënë secili nga një hapësirë publike dhe i kishin përshtatur për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme ekonomike, pa leje nga organet kompetente.
    Këta tre shtetas, banues në Golem dhe Kavajë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa u referuan materialet procedurale në Prokurori, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

  • Bashkia Lezhë apel pushuesve në plazh: Priten dallgë të mëdha, shmangni zonat e pasigurta

    Bashkia Lezhë apel pushuesve në plazh: Priten dallgë të mëdha, shmangni zonat e pasigurta

    Strukturat e Bashkisë Lezhë dhe shërbimet e sigurisë në plazh kanë dhënë sot një paralajmërim për kushte detare të pafavorshme, që pritet të zgjasin gjatë gjithë ditës dhe në ditët në vijim.
    Sipas njoftimit zyrtar, deti do të jetë me dallgë të fuqishme dhe rryma të rrezikshme, çka e bën të domosdoshme shmangien e larjes në zona të pasigurta apo në momente kur sinjalizohet rrezik.

    Për këtë arsye, vrojtuesit e plazhit janë në gatishmëri të plotë, ndërsa nga qytetarët kërkohet të respektojnë udhëzimet dhe sinjalistikën përkatëse, sidomos kur është ngritur flamuri i kuq.
    Po ashtu, operatorët turistikë dhe bizneset e bregdetit janë këshilluar të marrin masa për të shmangur dëmtimin e pajisjeve, pasi priten erëra të forta nga drejtimi i perëndimit, të cilat mund të shkaktojnë zhvendosje të çadrave, shezlongëve apo rrezik për pushuesit.
    Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga të gjithë, në mënyrë që të sigurohet një sezon turistik i qetë dhe i sigurt për banorët dhe vizitorët.