Tragjedia e Otrantos, e ndodhur 28 vite më parë, mbetet një plagë e hapur në kujtesën e kombit, duke marrë jetët e 81 shqiptarëve dhe duke lënë 24 të zhdukur. Deputeti i PS, Vullnet Sinaj ka përkujtuar dje këtë ngjarje tragjike, duke theksuar dhimbjen e familjarëve dhe mungesën e drejtësisë për viktimat. Ai ka bërë thirrje për reflektim dhe për një politikë që ndërton të ardhmen, në vend që të përsërisë gabimet e së shkuarës. Sot, më shumë se kurrë, kjo tragjedi duhet të shërbejë si një apel për përgjegjësi dhe drejtësi.
“Në 28-vjetorin e Tragjedisë së Otrantos, përkujtojmë me dhimbje jetët e humbura në përpjekjet dëshpëruese për të gjetur një të ardhme më të mirë larg Shqipërisë. 24 të zhdukur dhe 81 viktima të regjistruara, do të mbeten një plagë e pambyllur në kujtesën e Vlorës dhe të gjithë kombit tonë. Jam i bindur se të afërmit e viktimave të kësaj tragjedie kanë në shpirt mallin dhe revoltën për mungesën e familjarëve si dhe boshllëkun e krijuar nga drejtësia e munguar. Politika e mbrapshtë e asaj kohe i shtyu ata njerëz, drejt një rruge pa kthim. Sakrifica e tyre le të shërbejë si një apel historik, sidomos për politikën: Të punojmë të gjithë bashkë për të mirën publike, të aplikojmë politikën e ndërtimit dhe zhvillimit dhe jo politikën e baltës, shpifjeve dhe shkatërrimit. I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të Tragjedisë së Otrantos”, shkroi dje ligjvënësi i PS, njëherësh kandidat për deputet i PS për Qarkun e Vlorës, Vullnet Sinaj.
Tag: plagë
-

28 vite nga tragjedia e Otrantos, reagon deputeti i PS Vullnet Sinaj: Plagë që ende dhemb