Zbardhen detaje nga sherri masiv ndodhur mbrëmjen e kaluar në zonën e Bathorës në Kamëz, ku për pasojë mbetën të lënduar 5 persona, të moshave kryesisht të mitura. Mësohet se të rinjtë që u përfshinë në sherr, që dyshohet të kenë qenë mbi 15 persona, janë të moshës nga 15 deri në 19 vjeç, dy prej të cilëve këtë të hënë iu është komunikuar arresti dhe pritet të dalin para gjykatës. Njëri prej tyre mëson Syri Tv është shtetasi Ermal Laci ndërsa tjetri i moshës 16 vjeç. Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. A., 21 vjeç, A. A., 25 vjeç, dhe për 4 shtetas të mitur.
Gjithçka nisi pas një konfrontimi mes dy të miturve, që vunë në dijeni edhe shokët e të afërmit e tyre, mbi motive banale “Pse më sheh, e di ç’bëj unë”. Në orët e mbrëmjes së kaluar, lihet takim në Bathore, bulevardin kryesor Institut-Kamëz. Të dyja grupet takohen me njëri-tjetrin, madje kamerat dhe dëshmitë provojnë se edhe i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit. Kjo për shkak se ishte komunikuar mes tyre për të sqaruar se çfarë ka ndodhur, por diçka ka shkuar keq, dhe ka agravuar në debat, përplasje fizike e deri në përdorim të mjeteve prerëse dhe sendeve të forta, duke shkaktuar plagosjen e 5 personave. Pas ngjarjes, drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, u nisën për të marrë ndihmë mjekësore shtetasit: R .B. dhe J.H. me plagë në shpinë; K. A. plagë në krahë; S.P plagë në bark dhe E.P. plagë në kokë.
Gjendja e tyre është jashtë rrezikut, ndërsa gjatë të hënës, disa prej tyre kanë lënë ambientet e spitalit pas ndihmës mjekësore, pasi kanë patur plagë sipërfaqësore. Një situatë e ngjashme ndodhi disa ditë më parë po në Kamëz, pranë Shkollës “Ibrahim Rugova”. Dy të mitur u plagosën me thika pas një sherri mes disa bashkëmoshatarësh pranë një parkingu dhe dyshohet se konflikti kishte nisur një ditë para ngjarjes për motivet “pse më sheh”./Fatjon Gjinaj