Tag: piktorit

  • “Ditët e Mios” në edicionin e 15, pjesëmarrës piktorë nga Shqipëria e shtete të tjera që sjellin Korçën në punët e tyre

    “Ditët e Mios” në edicionin e 15, pjesëmarrës piktorë nga Shqipëria e shtete të tjera që sjellin Korçën në punët e tyre

    Nga Julia Vrapi
    “Ditët e Mios” një ngjarje e artit figurativ, që mbledh çdo vit artistë nga vende të ndryshme të botës për të krijuar vepra të frymëzuara nga rrugicat dhe peizazhet e fshatrave të Korçës. Qyteti i Korçës mirëpret edicionin e 15-të të kolonisë ndërkombëtare “Ditët e Mios”, nga data 28 deri më 31 tetor dhe këtë vit rreth 40 piktorë nga Shqipëria dhe shtete të tjera janë pjesë e këtij aktiviteti të artit figurativ. Aktiviteti që zhvillohet prej disa vitesh në këtë qytet nderon edhe trashëgiminë e mjeshtrit të madh Vangjush Mio, duke e kthyer Korçën në një atelie të hapur arti. Piktorët pjesëmarrës këtë vit janë nga Kosova, Shqipëria, Italia, Greqia, Finlanda, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, etj. Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo shprehet për edicionin e 15-të të “Ditëve të Mios” si një festë e vërtetë e ngjyrave, dritës dhe shpirtit krijues. “Rreth 40 piktorë nga vende të ndryshme të botës do të bashkohen në qytetin tonë për të zbuluar magjinë e rrugicave korçare, peizazhet e fshatrave tona piktoreske dhe frymën e veçantë që vetëm Korça di të dhurojë. Për katër ditë me radhë, qyteti do të kthehet në një atelie të hapur arti, ku çdo penelatë do të pasqyrojë emocionin, frymëzimin dhe dashurinë për vendin tonë. Ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij udhëtimi artistik që nderon trashëgiminë e mjeshtrit të madh Vangjush Mio dhe e kthen Korçën në skenën e bukurisë dhe krijimtarisë”, shprehet kryetari i Bashkisë së Korës Sotiraq Filo në rrjete sociale. Kolonia e piktorëve “Ditët e Mios” në qytetin e Korçës sot është në ditën e fundit, ndërsa veprat e krijuara nga piktorët do të ekspozohen në përmbyllje të aktivitetit, si një homazh për mjeshtrin Vangjush Mio.
    Aktiviteti u çel në shtëpinë muze të piktorit  
    Edicioni i 15-të i kolonisë ndërkombëtare “Ditët e Mios” u çel në Shtëpinë Muze të piktorit Vangjush Mio dhe prej vitesh është edhe një nga aktivitetet më të rëndësishme të arteve figurative në këtë qytet. Në Korçë që prej vitit 2007 çdo fund tetori zhvillohet kjo mbledhje artistësh nga vende të ndryshme, në nder të “Piktorit të Popullit” Vangjush Mio, ku në ditën e fundit të kolonisë së artistëve zhvillohet edhe ekspozita me punimet e të gjithë pjesëmarrësve. Banesa muze e “Piktorit të Popullit” Vangjush Mio, është një nga më të vizituarat në qytetin e Korçës. Vangjush Mio (3 mars 1891- 30 dhjetor 1957) ishte një piktor impresionist shqiptar. Ai njihet më së shumti për peizazhet dhe sipas kritikës konsiderohet si peizazhisti më i përkryer shqiptar i shekullit XX. Temat e tij të parapëlqyera i merrte nga Korça, Pogradeci dhe rrethinat, por ai përjetësoi në punimet e tij edhe qytete të tjera si Tirana, Elbasani, Himara, Berati dhe Gjirokastra. Përveç peizazheve, Vangjush Mio ishte brilant edhe në pikturimin e portreteve. Rreth 60 punime të tij janë pjesë e fondit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Piktori ka marrë pjesë në shumë ekspozita të arteve figurative të organizuara si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.