Xhevahir Spahiu
Nga Xhevahir Spahiu
Parathënie e librit poetik: “Ç’ma trazoi jetën një grua”
1.Poezia e Gaqo Apostolit i ngjan një ditari lirik, shfletuar nga gishtërinjtë e një ere të padukshme që s’dihet se nga fryn: gjendjet shpirtërore, në rrjedhën e viteve, rreken të kthehen në gjetje artistike që kapërcejnë çastin e, më tej, vetveten.Janë rrathë të një fati njerëzor që priten me rrathë fatesh të tjerë. Pikërisht këtu nis bashkëbisedimi i ndjerë, i hapur, begator.Dëshira ngulmonjëse për t’u rrëfyer është çlirim nga zjarrmia, nga ankthet, nga synimi për t’u dëshmuar. Ky dëshmim i vetvetes jashtë vetvetes, si me thënë, gjetiu e n’asgjëkund, në një botë të të gjithëve e të askujt, krijon një hapësirë lirie më tepër,pasuron lirinë fillestare. Në dukje, thjesht një përmasë iluzore, gjakim shpirtëror, i ngjashëm me vëllezërit siamezë, me dëshirën instiktive për t’u riprodhuar, për të lënë pas trashëgimtarë.Edhe kënga, si fëmijët, përcjell kumbimin e gjakut tënd:Damarët mavi kur t’i pres,ikjen e saj nëpër muzg do të ndjejnë currilat e gjakut që rrjedh…
Poeti nuk hesht; ai e di mirë se heshtja është e njëjtë në të gjitha gjuhët e botës; ai zgjedh fjalën, e pangjarë me heshtjen rrafshonjese, simotër e Gjumit. Çdo ditë, shkruan Apostoli, dhëmbët e ujqërisë, pamëshirë shqyejnë ndershmërinë.Gjumi është vuv; këtë të vërtetë pelini mund ta thotë vetëm Fjala.Në këtë mes, çiltërsia e ndjenjës dhe mendimit, është parakusht për të transfiguruar vetveten, shkurt: vete e pastisur, art. Ndërsa ve në spikame këtë cilësi, këtë mundësi parake për art, më vjen ndër mend një shkrim i botuar në kapërcyell të viteve ‘70- ’80, ku një profesor me emër, pak a shumë, shkruante: letërsia revizioniste le në hije partishmërinë dhe luftën e klasave si motor lëvizës dhe nxjerr si kryevlerë sinqeritetin(!)Tmerr!- ulërinë rropullitë brenda meje. Tmerr. Ç’pate? – tha shoku aty pranë.Si ç’pata? Po, a mund të ketë art pa çiltërsi, pa sinqeritet, pa rrëfim me zemër në dorë të gazavajeve? Ne kemi rrjedhur. Ne flasim përçart, miku im.As më shumë, as më pak: ky farë arti ishte një pjellë dështake, një lojë në sipërfaqe, pa rrënjë, pa thellësi të vërtetash dramatike, ku dallga nis e projekton cunamin. Fillesa vetjake është dorëzanës i fillesës artistike universale.
2.Poeti jeton. Mbi krye ka një qiell plot kujtime.Bota poetike e Apostolit përshkohet nga një spektër i gjerë jetësor në hapësirën e motiveve poetike, – me ngjyra të ndezura e të trishta, me vetveten, bëma e mëkate, me marrëdhënie, – nënë, at e atdhe, – me çuditë e një bote në lëvizje, pranim-mospranim të saj, – kryefjalë është Dashuria. Poeti, lehtësisht i dashuruar, pikërisht aty e ndjen veten të barabartë me perënditë, rilind dhe shumëfishohet, – urrejtja struket, qenia motivohet: aty i verbër, aty me dy bebëza në çdo sy, lartësohet –greminohet, greminohet- lartësohet. Në titull të librit ai flet për Trazim. Sepse: zemra qarkullon gjak dhe dashuri, edhe në ëndrra i kumbojnë takat e këpucëve; trupi i femrës lëkundet nën vështrime, një makinë ngjyrëkaltër laget e vetmuar në shi… Ngul sytë tek më e bukura mes tëbukurave, pa harruar… tregun e dashurisë!
M’i ngatërroi padashur mendimetnjë vështirim i çuditshëm, i shpejtë.Nëpër gjysmëndërr e zura fluturim,si dikur fluturat me rrjetë.
Fjala, kumbimi i saj, është zgjatim i rrahjeve të zemrës, ritëm gjaku e mendimi që japin e marrin heshtas e shkrihen në një. Pas palosjes së fletës së fundit tënjë libri, ajo që mbetet e të shoqëron për një kohë të gjatë është FRYMA në çastin e përjetimit, – ajo që besueshmërisht quhet Frymëzim. Humanizmi është Fryma bashkëkohore që përcjell poezia e Gaqo Apostolit. Si me qenë apostull i ri, përhap e bekon njeridashje, dritë, mirësi; në emër të tyre, kur duhet, zemërim. Sfidon me dashuri. Urrejtjen e kursen, si municionin në luftë.Ndoshta që e sotmja të të çojë në mitologji dhe mitologjia në ditët e sotme Heredokur, zënien e diellit e të hënës, njerëzit e maleve tona (pandehnin se) e dëbonin duke shkrehur pushkë. Poetët, për të përzënë eklipsin, shkrehin fjalë.
3.Apostoli këndon lirshëm, pa ngërçe; ndjesitë derdhen siç vijnë, pa iu nënshtruar me domosdo një harmonie të përkryer a një rrëfimi të përkorë; nga poezitë strofike në ato me vargje të lira kalimi bëhet thuajse pa u vënë re, shpehja metaforike jep ngarkesën ideoemocionale, zjarriminë dhe tehun e duhur të gjendjes poetike: toka falënderon qiellin e madh… kur pesha e fjalës gjen ritmin dhe gjetja origjinale befason me freskinë e saj, dalin poezi të goditura, të cilat përbëjnë bërthamën e librit dhe vizatojnë portretin artistik. Ato mbartin aromën e një moshe dhe rininë e një ndjeshmërie pasionante, shqetësimin njerëzor nëpër kohë.Prej “Ç’ma trazoi jetën një grua”, le të përmendim: Përshpërima e dashurisë, Sa herë kalon një grua, Kënga e kovaçit, Largohu vogëlushe, Shqipëria, Dëbora në Tiranë, Lukunitë, Kur vera dhe vjeshta, Pleqtë nën qiellin e dashurisë, Martesa e argjentë, Stjuardesat e Singapore Airlines.Poeti është nxënës dhe mësues në të njëjtën kohë. Nxë, mëson nga të tjerët, po më bindshëm mëson nga vetja.
4.Prej vitesh, me vjen së largu një mendim i shkruar diku në nje copë letre thënë nga s’di se kush, ndoshta A.Panagulis: Politika është detyrë, Poezia nevojë.Politika dhe Poezia! Të dyja fillojnë me “po”. Por… në përfytyrimin tim herë-herë shfaqen si një qenie me dy kokë, që përfyten e duan t’i hanë kokën njëra-tjetrës. Apostoli ka vite që vozit në dy dete. Midis të dyve, me sa duket, vetvetiu zgjedh të dytin. Poezinë. Pikërisht atë e ka bir për shpirt. Vetiu e ndjen se e dyta, poezia, njerëzon të parën, politikën. E shpëton nga damkosja. Është pikërisht ajo që ngre gishtin dhe akuzon:Nën shkrepje blicesh,Premtime afaristësh,Ministria sezonalëShesin Shqipërinë.Poeti ish aty. Pa dhe dëgjoi. Të heshtte do të thosh të ishte pjesëmarrës në krim. Po ai ndjehet qytetar i një bote të lirë, për të vetflijon Fjalën e Lirë.Ja dhe “Shqipëria” e tij:Armiqtë e shqyen në hapësirat pa anë,Në brigje të dy deteve, të përgjysmuar e lanë.Ashtu të plagosur, të djegur nga etja,Gjysmën që mbetej e hante vetvetja.Askujt s’i ka dhembur ky Dhé sa poetëve. Askush sa ata s’i ka ndjerë aq thellë tragjeditë dhe gazavajet e tij.
Tiranë, Mars 2009
Ç’ma trazoi jetën një grua, Gaqo Apostoli
ObserverKult
Lexo edhe:
GAQO APOSTOLI: NË HOTELIN E QYTETIT TË LARGËT