Tag: picula

  • Picula i tërheq vëmendjen Serbisë për Kosovën: Ka rëndësi nëse doni të integroheni në BE!

    Picula i tërheq vëmendjen Serbisë për Kosovën: Ka rëndësi nëse doni të integroheni në BE!

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, gjatë prezantimit të progres-raportit të vendeve kandidate për në BE, deklaroi se Beogradi duhet të tregojë vullnet të sinqertë politik për të avancuar në procesin e integrimit evropian. 
    “Unë e kam analizuar progres-raportin i cili konfirmon atë që ne kemi thënë prej kohësh sa i përket vullnetit që duhet të shfaqë lidershipi politik në Serbi. Reformat nuk duhen premtuar, pro duhen zbatuar në praktikë. Sidomos në lirinë e medias.”, tha Picula. 
    Ai shtoi: “Shikojmë që keqinformimi ka zënë vend në Serbi”. Raportuesi theksoi rëndësinë e luftës kundër keqinformimit, i cili sipas tij ka zënë vend në Serbi dhe ka ndikuar në humbjen e besueshmërisë në Bashkimin Evropian. 
    “Përputhshmëria me BE në politikën e jashtme mbetet një kërkesë e vazhdueshme; autoritetet serbe duhet të jenë në përputhje me kërkesat e BE-së,” shtoi ai. 
    Picula i tërhoqi gjithashtu vëmendjen Serbisë në lidhje me dialogun me Kosovën, duke e konsideruar si një komponent kyç për përparimin në procesin e integrimit. 
    “Edhe dialogu me Kosovën ka rëndësi në këtë drejtim. Në përfundim, mesazhi im për autoritetet serbe është që të dëshmojnë progres real në këtë drejtim, të heqin dorë nga intimidimi i kundërshtarëve politikë dhe të krijojnë mundësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke hapur kështu shoqërinë serbe,” përfundoi Picula. 

  • Picula: Qëndrimi i KE-së ndaj autoriteteve në Serbi ka qenë padrejtësisht i butë

    Picula: Qëndrimi i KE-së ndaj autoriteteve në Serbi ka qenë padrejtësisht i butë

    Raportuesi në Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi se qëndrimi i Komisionit Evropian ndaj pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ka qenë “padrejtësisht i butë”, duke shtuar se pret që organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian “të heqë dorezat, ose të paktën njërën prej tyre – kur flet për Serbinë”.
    Picula tha për televizionin N1 se shtyrja e zgjidhjes politike për “gjendjen e pashpallur të jashtëzakonshme në Serbi” mund të rrisë rrezikun e përplasjeve më serioze.
    “Për një kohë të gjatë, qëndrimi i Bashkimit Evropian – në fakt, para së gjithash i Komisionit Evropian – ndaj Beogradit të Vuçiqit ka qenë padrejtësisht i butë. Brukseli për vite me radhë ka injoruar shenjat gjithnjë e më të qarta të forcimit të autokracisë në Serbi dhe dukuritë që lidhen me të, si korrupsioni, dobësimi i institucioneve të shtetit të së drejtës dhe braktisja e vlerave themelore mbi të cilat mbështetet rendi evropian”, tha Picula.

    Ai shtoi se Vuçiq për një kohë të gjatë ka pasur mbështetjen e politikanëve të njohur evropianë, para së gjithash ish-kancelares gjermane Angela Merkel, por edhe të disa politikanëve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se “ky qëndrim po ndryshon gradualisht”.
    “Unë pres që nesër, të martën, gjatë publikimit të raportit të përbashkët të Komisionit Evropian për gjendjen në vendet kandidate, këtë herë ai të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur të flasë për Serbinë, gjë që nuk ka ndodhur vitet e kaluara”, tha Picula.
    Komisioni Evropian në raportin e tij për përparimin e Serbisë ka theksuar se vendi vazhdon të mbetet prapa sa i përket përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, pasi nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
    Po ashtu, është vënë në pah polarizimi gjithnjë e më i madh në Serbi, si pasojë e valës së protestave masive që po zgjasin që një vit.
    Parlamenti Evropian në tetor miratoi një rezolutë mbi polarizimin dhe represionin në Serbi, me të cilën mbështetet e drejta e studentëve dhe qytetarëve për protesta paqësore dhe dënohet ashpër vala e dhunës nën patronazhin e shtetit, aktet e frikësimit dhe arrestimet arbitrare.
    Në rezolutën “Për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, vlerësohet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.
    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, tha për televizionin N1 se “reagimi po bëhet gjithnjë e më shumë përmes represionit, dhunës ndaj të gjithëve që shprehin mendimin e tyre në rrugë, por jo vetëm në rrugë.”
    “Mua më duket se kjo është një nga fazat e këtij revolte qytetare, dhe çdo vonesë në gjetjen e një zgjidhjeje politike për këtë krizë – për këtë gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur në Serbi – mund ta çojë gjithë vendin në rrezik më të madh nga ndonjë përplasje serioze, që thjesht mund të përfundojë me ndonjë tragjedi”, tha Picula.
    “Para disa muajsh kam thënë se më shumë se gjithçka i frikësohem viktimës së 17-të, pra, përveç 16 personave që humbën jetën nga shembja e strehës prej betoni, nëse ndodh ndonjë rast tragjik edhe gjatë vetë protestave, atëherë situata do të bëhet vërtet jashtëzakonisht serioze”, shtoi ai.
    Në lidhje me kërkesat e studentëve që po mbajnë bllokadën, që pushteti të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Picula tha se nuk ka arsye të besohet se zgjedhjet e mbajtura në këto rrethana do të ishin të lira dhe të ndershme, pasi autoritetet në Serbi nuk kanë përmbushur “thuajse asnjë” nga 25 rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
    “Sepse në Serbi, në këtë moment, ekziston ende një dominim i plotë i partisë në pushtet, përkatësisht i një njeriu, të cilit me siguri nuk i intereson të përmbushë atë që pritet prej tij, para së gjithash nga qytetarët e Serbisë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit Serbia deklarohet se dëshiron të jetë”, u shpreh Picula.
    Një ditë më parë, Vuçiq deklaroi se zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen para afatit, por nuk specifikoi se kur./REL

  • Europa “e prerë” me Serbinë: Harrojeni anëtarësimin në BE pa njohur Kosovën

    Europa “e prerë” me Serbinë: Harrojeni anëtarësimin në BE pa njohur Kosovën

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se Serbia nuk do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën si shtet dhe pa hequr dorë nga “bota serbe”. Ai theksoi se Beogradi duhet të bashkëpunojë në arrestimin e terroristit Milan Radoiçiç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023, në Banjska të Zveçanit.
    “Pa normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë integrim në BE. Integrimi i të dy vendeve në familjen e madhe evropiane është i lidhur ngushtë me dialogun, i cili duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Edhe pse dialogu u rinovua në vitin 2023, në vend që të fitonte vrull, ai erdhi në një seri të vërtetë krizash, më serioze prej të cilave ishte sulmi nga forcat paraushtarake serbe në veri të Kosovës”, tha ai në një intervistë për Jutarnji List, raporton The Geopost. Picula shtoi më tej se sulmi nga grupi terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiç në Banjskë përfaqëson një shkelje të rëndë të paqes në Kosovë.
    Më tej ai akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç, se ai është personi i cili po pengon arrestimin e autorëve të sulmit të Banjskës. “Ne kemi kërkuar që raportet e Beogradit mbi sulmuesit në Banjska të jenë një nga kriteret për një vlerësim të plotë të situatës në Serbi dhe aftësisë së Beogradit për të ecur në rrugën evropiane. Zyra e BE-së në Kosovë gjithashtu, mendoj, kohët e fundit u ka thënë autoriteteve në Beograd se pret që arrestimi dhe ndjekja penale e atyre që kryen sulmin në Banjska, të cilët ndodhen në Serbi, të ndodhë së shpejti. Fatkeqësisht, Beogradi vazhdon të injorojë kërkesat për të adresuar këtë çështje”, shtoi ai.

  • Picula: Komisioni Evropian nuk duhet ta lavdërojë pa të drejtë Vuçiçin

    Picula: Komisioni Evropian nuk duhet ta lavdërojë pa të drejtë Vuçiçin

    Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Tonino Picula, tha të enjten se zyrtarët e Bashkimit Europian duhet të përmbahen nga lëvdatat e pajustifikuara për reformat në Serbi, e cila është përfshirë nga muaj të tërë protestash antiqeveritare të shkaktuara nga një aksident në stacionin e trenit të Novi Sadit një vit më parë. Me këtë, ai aludoi në lëvdatat e shpeshta të Komisionit Evropian, si ai i vitit të kaluar kur Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen iu drejtua Presidentit serb Aleksandar Vuçiç me “i dashur Aleksandër, ti ke treguar se veprimet ndjekin fjalët e tua”
    Gjatë një vizite në Beograd të mërkurën, rrëfimi ndryshoi disi dhe Von der Leyen iu drejtua Vuçiçit si “Z. President”. “Ne i bëjmë thirrje Komisionit që në vend të kësaj të artikulojë qartë nevojën për reforma të vërteta dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë rivendosjen e institucioneve demokratike, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Picula.
    Nënkryetarja e grupit parlamentar të S&D, eurodeputetja belge Kathleen Van Bremp, e cila është përgjegjëse për zgjerimin e BE-së në grupin e saj, theksoi se çdo lëvdatë e pajustifikuar nga Komisioni për autoritetet në Serbi bën që studentët dhe qytetarët që protestojnë në rrugë të ndihen të tradhtuar. Javën e ardhshme në Strasburg, Parlamenti Evropian do të diskutojë një rezolutë mbi represionin në rritje në Serbi, një vit pas rënies së tendës në stacionin në Novi Sad, në të cilën vdiqën 16 persona. Kjo tragjedi shkaktoi disa muaj protesta, të cilat Vuçiç i quan një ‘revolucion me ngjyra’. Duke folur me gazetarët në Bruksel, Picula tha se nga shkurti deri në shtator të këtij viti, pati më shumë se 10,700 protesta në të gjithë Serbinë.

  • Picula: Po planifikohet për anëtarësimin e përbashkët të Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE

    Picula: Po planifikohet për anëtarësimin e përbashkët të Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE

    Përfaqësuesi në Parlamentin Evropian dhe ish-raportuesi për Malin e Zi, Tonino Picula, ka deklaruar se rruga e këtij vendi drejt Bashkimit Evropian nuk po ecën me ritmin e pritur, megjithëse ka pasur përparim.
    “Më duket se afrimi i Malit të Zi me Bashkimin Evropian po ecën mirë, por jo me ritmin që ishte paralajmëruar dhe inkurajuar”, tha Picula për median Nova M.
    Ai kujtoi se deri para pak kohësh, Mali i Zi konsiderohej lider i procesit të integrimit evropian në rajon.

    “Deri vonë, flitej vetëm për Malin e Zi si lider të politikës së zgjerimit. Por tani, po diskutohet për mundësinë e anëtarësimit të përbashkët të Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE”, u shpreh eurodeputeti kroat.

    Kujtojmë se Tonino Picula është raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë që prej vitit të kaluar.

    Shqipëria më parë është veçuar si një nga historitë më të suksesshme në rrugën drejt Bashkimit Evropian nga Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.

    Gjatë fjalës së saj në Samitin për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Shkup, Kos theksoi progresin e Shqipërisë dhe vuri në dukje rolin aktiv të saj në procesin e reformave dhe hapjes së kapitujve të negociatave.
    “Shqipëria, i dashur kryeministër Edi Rama, ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit”, u shpreh Kos, duke e cilësuar Shqipërinë si një shembull për vendet e tjera të rajonit.
    Komisionerja Kos theksoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, ndryshe nga e kaluara, por paralajmëroi se “dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë”, duke u bërë thirrje vendeve të rajonit të përshpejtojnë zbatimin e reformave të domosdoshme.
    “Po shohim përparim të rëndësishëm”, shtoi Kos, duke përmendur edhe Malin e Zi që ka mbyllur një kapitull të negociatave, si dhe Serbinë që ka nisur të përfitojë fondet e para nga BE-ja. Megjithatë, Shqipëria u përmend e para dhe me tonet më të qarta pozitive.

  • Picula: Merkel bëri një gabim katastrofik me Rusinë, ajo e përsëriti të njëjtën gjë me Serbinë

    Picula: Merkel bëri një gabim katastrofik me Rusinë, ajo e përsëriti të njëjtën gjë me Serbinë

    Në takimin e mbajtur këtë javë në Rijekë dhe Opatija nga grupimi i Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (S&D), një nga temat që ngjalli diskutime të forta ishte mënyra se si Bashkimi Evropian ka trajtuar marrëdhënien me regjimin e Aleksandër Vuçiçit në Serbi, dhe veçanërisht roli i ish-kancelares gjermane Angela Merkel në këtë kontekst. Deputetja serbe Marinika Tepiç, një nga zërat më të fortë opozitarë në Serbi, tha se Merkel luajti një rol vendimtar në formësimin e një qëndrimi të butë të BE-së ndaj Vuçiçit. Sipas saj, kancelarja gjermane “e zbuti Brukselin përballë të gjitha alarmeve që vinin nga Beogradi”, duke krijuar një klimë tolerimi dhe normalizimi të praktikave autoritare dhe antidemokratike që po konsolidoheshin në Serbi.
    Tepiç theksoi se kjo qasje ka pasur pasoja të drejtpërdrejta në rënien e besimit të qytetarëve serbë tek Bashkimi Evropian. Kritikat ndaj Merkelit nuk erdhën vetëm nga përfaqësuesit serbë. Eurodeputeti kroat Tonino Picula, një nga figurat kryesore në S&D për çështjet e zgjerimit të BE-së, ishte gjithashtu shumë kritik ndaj ish-kancelares gjermane. Ai e përshkroi politikën e saj ndaj regjimit të Vuçiçit si një “politikë ambivalente” që ka kontribuar në situatën aktuale të destabilitetit dhe regresit demokratik në rajon. Picula bëri një krahasim domethënës mes gabimeve të Merkelit ndaj Rusisë dhe ndaj Serbisë: “Ish-kancelarja besonte se rritja e tregtisë me Rusinë e Putinit do ta ndryshonte Rusinë, gjë që rezultoi të ishte një gabim katastrofik. Dhe ajo përsëriti të njëjtin gabim me Serbinë, duke menduar se afrimi ekonomik dhe diplomatik do ta demokratizonte regjimin e Vuçiçit. Por ndodhi e kundërta.”

  • Më mirë një “fuçi baruti” jashtë, sesa brenda BE-së, ja pse europianët janë treguar të butë me Vuçiçin

    Më mirë një “fuçi baruti” jashtë, sesa brenda BE-së, ja pse europianët janë treguar të butë me Vuçiçin

    Marsela SHYTIA
    Për një kohë të gjatë, Bashkimi Evropian ka zgjedhur një qasje të kujdesshme dhe shpeshherë të heshtur ndaj zhvillimeve politike në Serbi dhe mënyrës së qeverisjes së Aleksandër Vuçiçit. Ndonëse shkeljet e demokracisë dhe dhuna institucionale janë raportuar vazhdimisht nga mediat ndërkombëtare dhe organizatat për të drejtat e njeriut, Brukseli ka preferuar të ruajë një qëndrim pragmatik, duke mos e sfiduar hapur Vuçiçin. Por tani duket se durimi po i soset. Zyrtarët evropianë kanë nisur të flasin më qartë dhe të kujtojnë se sjellja autoritare e regjimit serb mund të rrezikojë seriozisht perspektivën e anëtarësimit në BE. Kjo shënon një kthesë të rëndësishme në qëndrimin evropian, i cili deri më tani ka toleruar një regjim gjithnjë e më autokratik në zemër të Ballkanit, në emër të stabilitetit rajonal. Por çmimi i kësaj tolerance, siç po dëshmohet, mund të jetë shumë i lartë.
    Komentet e Picula-s
    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi dje se asnjë nga faktorët politikë relevantë në Bashkimin Evropian nuk ka iluzione se kush është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe me çfarë lloj qeverie kanë të bëjnë, dhe vlerësoi se Serbia në këtë shtet nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. “Pyetja është se si të përcaktohet marrëdhënia ndaj alternativës, atyre që mund të vijnë nesër, dhe në këtë moment është një dramë politike e pasigurt. Më duket se qeveria e Vuçiçit ka ligjshmëri, por ata që protestojnë fitojnë legjitimitet”, tha Picula për të përditshmen Nova TV, raporton Index. Ai tha se 16 persona u vranë në rënien e tendës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad dhe se kishte frikë se viktima e 17-të “mund të ndodhte në konfrontimet gjithnjë e më mizore në rrugët e qyteteve serbe”. “Është një paralajmërim jashtëzakonisht serioz për ata që mund të vendosin të gjejnë një lloj kompromisi për Serbinë. Ata duhet të gjejnë një rrugëdalje në zgjedhje”, tha Picula.
    Qëndrimi i BE
    Komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiç, i tha “Nova”-s se është e rëndësishme që mediat botërore të raportojnë për ngjarjet në Serbi, sepse Evropa i përmbahet qëndrimit “prit dhe shiko”. “Evropa ka qenë e përkushtuar ndaj qëndrimit “prit dhe shiko” për një kohë shumë të gjatë, dhe reagimet dhe njoftimet e tyre në lidhje me shqetësimet për përshkallëzimin e dhunës janë absolutisht të pamjaftueshme si presion mbi Aleksandër Vuçiçin për të hequr dorë nga represioni politik. Ky rol merret përsipër nga media, sepse ato do ta informojnë publikun evropian për atë që po ndodh”, tha ai.
    Synimi i europianëve
    Jakshiç shton gjithashtu se zyrtarët evropianë duhet të mendojnë për veprimet e tyre dhe se si do t’i shpjegojnë publikut se Vuçiç dhe regjimi i tij janë të pranueshëm.  “Ursula von der Leyen, e cila padyshim është shumë e prirur ndaj Vuçiçit, duhet të mendojë për bazën e saj votuese. Zyrtarë të tjerë evropianë, nëse publiku evropian është i animuar dhe media e ndihmon këtë, do të duhet të mendojnë nëse mund ta tolerojnë ende Vuçiçin dhe si do t’i shpjegojnë publikut të tyre se Vuçiç është plotësisht mirë, ndërsa ai pranon gërmimet dhe paguan rregullisht këstet e kredisë për shpërthimet”, deklaron Jakshiç dhe shton: “Është pragmatizmi i ftohtë i evropianëve që në fund të fundit mund t’u kthehet atyre si një bumerang. Ata veprojnë sipas parimit ‘më mirë një fuçi baruti në Ballkan jashtë Bashkimit Evropian, sesa një fuçi baruti brenda Bashkimit Evropian’, gjë që ka një arsye të caktuar. Ajo që mungon në mënyrë të habitshme është arsyeja pse evropianët nuk janë më të përkushtuar për të siguruar që Ballkani Perëndimor të mos bëhet një fuçi baruti dhe që Serbia të mos bëhet një ndalim për autokracinë që Vuçiç i ka bërë vendit. Heshtja e BE-së mund të provojë nesër se është bashkëfajësi në gjithçka që po ndodh dhe qytetarët e Serbisë do të ishin viktimat më të mëdha të asaj politike cinike”.
     

  • Eurodeputeti flet për përkeqësim të krizës nën regjimin Vuçiç: Serbia po jeton në gjendje të jashtëzakonshme, bllokim institucional i thellë

    Eurodeputeti flet për përkeqësim të krizës nën regjimin Vuçiç: Serbia po jeton në gjendje të jashtëzakonshme, bllokim institucional i thellë

    Eurodeputeti Tonino Picula, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, paralajmëroi të mërkurën se Serbia ndodhet prej kohësh në një gjendje të jashtëzakonshme, pavarësisht se nuk është shpallur zyrtarisht. Ai e përshkroi situatën si një “bllokim institucional”, ku mekanizmat standardë demokratikë për zgjidhjen e konflikteve të brendshme nuk funksionojnë.

    Sipas Picula, situata ka degraduar që pas tubimit masiv më 18 qershor, kur regjimi i Aleksandar Vuçiç filloi të përdorte forcën në mënyrë të shtuar, duke rritur seriozisht rrezikun e dhunës. Ai shprehu frikën se kjo përshkallëzim mund të çojë në viktima të tjera, duke rikujtuar 16 personat që humbën jetën më 1 nëntor të vitit të kaluar nga shembja e një tende.

    Eurodeputeti kritikoi mungesën e unitetit në Bashkimin Evropian për të ushtruar presion mbi Vuçiç, duke e krahasuar situatën me Ukrainën, ku ekziston një koordinim më i fortë evropian. Ai theksoi se zgjedhjet në Serbi shpesh janë përdorur nga presidenti si mjet për të fituar legjitimitet shtesë, dhe se procesi zgjedhor nuk ka qenë kurrë krejtësisht i rregullt.

    Picula nënvizoi gjithashtu se çdo forcë opozitare që sfidon Vuçiçin nuk ka domosdoshmërisht mbështetje nga Evropa, duke treguar një situatë të ndërlikuar dhe pa një front të bashkuar për presion të vërtetë. Ai theksoi se, pavarësisht përpjekjeve të Parlamentit Evropian, mungon koherenca dhe presioni efektiv për të ndikuar në regjimin e Vuçiç.

    “Serbia është në një krizë të gjatë dhe të thellë, ku demokracia është në rrezik dhe dhuna mund të përshkallëzohet më tej”, përfundoi Picula.

  • Picula: Askush në BE s’ka iluzione kush është Vuçiqi – kjo Serbi s’mund të anëtarësohet në Union

    Picula: Askush në BE s’ka iluzione kush është Vuçiqi – kjo Serbi s’mund të anëtarësohet në Union

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se askush nga faktorët politikë relevantë në Bashkimin Evropian nuk ka më iluzione rreth asaj se kush është presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe çfarë lloj pushteti ai ushtron.

    Sipas tij, Serbia në gjendjen aktuale nuk ka mundësi të anëtarësohet në BE.

    “Çështja është si të përcaktohet raporti ndaj alternativës, pra ndaj atyre që potencialisht mund të vijnë nesër në pushtet, gjë që sot mbetet një dramë politike e pasigurt. Mua më duket se pushteti i Vuçiqit ka legalitet, por ata që protestojnë po fitojnë legjitimitet”, tha Picula për televizionin kroat “Nova TV”, duke u cituar nga “Index.hr”.

    Ai kujtoi edhe tragjedinë e rënies së çatisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, duke paralajmëruar se “viktima e 17-të mund të shfaqet në përplasjet gjithnjë e më të ashpra nëpër rrugët e qyteteve serbe”.

    “Ky është një paralajmërim jashtëzakonisht serioz për ata që mund të vendosin për kompromiset lidhur me Serbinë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes zgjedhjeve”, u shpreh ai.

    Picula shtoi se Kroacia duhet të jetë politikisht më e ashpër ndaj, siç tha, manipulimeve të pushtetit të Vuçiqit, i cili shpesh ndalon qytetarë kroatë dhe i dëbon nga Serbia.