Max Verstappen siguroi “pole position” sot në pistën e Abu Dhabi, ku të dielën do të zhvillohet gara e fundit sezonale në Formula 1, ajo që do të përcaktojë titullin kampion për pilotë.
Piloti holandez i Red Bull dha kohën 1’22”207, duke qenë më i shpejti në pistë. Pas tij u renditën dy makinat McLaren, me britanikun Lando Norris që në xhiron e fundit arriti të lërë pas shokun e tij të skuadrës Oscar Piastri (i treti).
Pra, tri pretendentët për titull janë në tri vendet e para, cka pritet ta bëjë mjaft interesante garën. Në vendin e katërt u klasifikua George Russell me Mercedes, dukë lënë pas Charles Leclerc me Ferrari (i pesti).
Sfida e sotme për “pole“ ishte e fortë, por në sesionin e tretë Verstappen ishte mjaft i shpejtë. Ai shpreson ende për titull, duke qenë 12 pikë në renditje pas Norris, ndërsa Piastri është i treti.
Në “top-10” të parët u renditën edhe Fernando Alonso, Gabriel Bartoleto, Esteban Ocon, Isack Hadjar dhe Yuki Tsunoda. Në këto prova zyrtare zhgënjyen Kimi Antonelli me Mercedes (vendi i 14-të) dhe Leëws Hamilton me Ferrari (vendi i 16-të).
Tag: piastri
-

Verstappen siguron “pole position” në Abu Dhabi, Norris dhe Piastri e ndjekin pas
-

FORMULA 1 – Provat e Lira 2 në Abu Dabi: Përplasje Norris-Verstappen (“Rrezikojmë aksident”) dhe ritëm superior gare
Dielli perëndoi në ditën e parë të garave në Abu Dabi me një sesion të dytë provash të lira që nxori në pah fuqinë e McLaren-it të Lando Norris. Piloti britanik ishte më i shpejti në pistë si në simulimin e kualifikueseve, ashtu edhe në ritmin e garës. Pas tij u rendit Max Verstappen me Red Bull, i dyti me më shumë se tre të dhjetat e sekondës distancë. Shumë më në vështirësi u shfaq McLaren-i tjetër, ai i Oscar Piastrit, i cili nuk arriti të shkonte më lart se vendi i njëmbëdhjetë.
Pas një sesioni të parë të dominuar nga prania e debutuesve, i cili ishte thelbësor për të përmbushur programin e FIA-s që u kërkon skuadrave të aktivizojnë pilotët e rinj për katër sesione provash gjatë vitit, të gjithë pilotët zyrtarë u rikthyen në timon. Për Piastrin, ky ishte praktikisht sesioni i parë, pasi ai nuk mori pjesë në FP1. Kjo shpjegon pjesërisht vonesën e tij krahasuar me shokun e skuadrës, duke u ndjerë më pak rehat me makinën. Tani australiani duhet të bëjë një ndryshim të rëndësishëm ritmi ditën e shtunë, ku në kualifikuese do të luajë shansin për të rikuperuar pozicione.Gjithsesi, McLaren e mbyll ditën me një buzëqeshje falë performancës së shkëlqyer të Norris. Britaniku kompletoi një simulim gare (long run) impresionues, ndërsa Red Bull do të duhet të punojë shumë mes të premtes dhe të shtunës për të rregulluar një makinë që ende nuk është perfekte. Vetë Max Verstappen u ankua përmes radios: “Makina kërcen shumë”, duke sinjalizuar një problem me “bouncing” (lëkundje vertikale) që mund të jetë vendimtar këtë fundjavë dhe që shqetësoi shumë pilotë gjatë sesionit. Gjatë provave pati edhe një moment tensioni mes Norris dhe Verstappen, me britanikun që u ankua se “rrezikojmë aksident”.
Sesion i vështirë për pilotët e Ferrarit, me një makinë SF-25 që u shfaq shumë nervoze që në fazat e para. Charles Leclerc e mbylli i teti, gati gjashtë të dhjetat larg kreut, një rezultat zhgënjyes krahasuar me vendin e tretë premtues në FP1. Akoma më në vështirësi ishte shtatë herë kampioni i botës, Lewis Hamilton, i cili u rendit i katërmbëdhjeti, më shumë se tetë të dhjetat larg Norris. Britaniku shpreson ta mbyllë sezonin e tij të parë me ngjyrat e kuqe me një rezultat pozitiv, por shenjat e para të fundjavës nuk duken inkurajuese.
Në vendin e tretë në FP2 u rendit një George Russell i shkëlqyer me Mercedes, ndërsa shoku i tij i skuadrës për këtë sesion, Kimi Antonelli, u pozicionua i dhjeti. Një paraqitje fantastike bëri edhe Oliver Bearman me Haas, i katërti, i cili ishte autor i mesazhit më të bukur në radio: “Makina është e pabesueshme, por si ka mundësi të jetë kaq e shpejtë!”. Performancë të mirë pati edhe Sauber, me Nico Hulkenberg në vendin e pestë dhe Gabriel Bortoleto në të gjashtin, si dhe Isack Hadjar me Racing Bulls në vendin e shtatë.
Sesioni i parë i provave të lira nisi fundjavën finale të sezonit, ku do të vendoset fituesi i Kampionatit Botëror për Pilotë 2025. Protagonistët kryesorë të luftës për titull, Lando Norris dhe Max Verstappen, ishin menjëherë në krye. Norris shënoi kohën më të shpejtë, vetëm tetë të mijëtat e sekondës përpara Verstappen. Për holandezin pati një moment të shkurtër shqetësimi kur raportoi përmes radios: “Mendoj se diçka është thyer në makinë”, por vazhdoi pa probleme dhe pa pasur nevojë të kthehej në bokse.
Sesioni i parë shërbeu kryesisht për të përmbushur detyrimin e FIA-s për pilotët debutues. Për këtë arsye, një nga tre pretendentët për titull, Oscar Piastri, nuk zbriti në pistë, duke ia lënë makinën meksikanit Pato O’Ward. Edhe Lewis Hamilton ia la vendin Arthur Leclerc, i cili garoi përkrah vëllait të tij Charles. Ky i fundit, me një helmetë festive për 150 gara me Ferrarin, u rendit i treti, por në fund u ankua për mungesë “grip”-i (kapjeje). Vëmendje tërhoqi edhe performanca e të riut Arvid Lindblad (i lindur në 2007), i cili drejtoi makinën Red Bull të Yuki Tsunoda dhe që vitin e ardhshëm do të jetë pilot zyrtar i Racing Bulls.
Fundjava në Abu Dabi do të kurorëzojë kampionin e botës mes Norris, Verstappen dhe Piastri. Kombinimet për titull janë të shumta dhe komplekse.– **Norris shpallet kampion nëse:** përfundon në podium; përfundon i 4-ti ose i 5-ti dhe Verstappen nuk fiton; përfundon i 6-ti ose i 7-ti dhe as Verstappen e as Piastri nuk fitojnë; përfundon i 8-ti, Verstappen renditet i 3-ti ose më poshtë dhe Piastri nuk fiton; përfundon i 9-ti, Verstappen jashtë podiumit dhe Piastri nuk fiton; përfundon i 10-ti, Verstappen jashtë podiumit dhe Piastri i 3-ti ose më poshtë; përfundon jashtë zonës së pikëve, Verstappen i 4-ti ose më poshtë dhe Piastri i 3-ti ose më poshtë.– **Verstappen shpallet kampion nëse:** fiton dhe Norris përfundon i 4-ti ose më poshtë; përfundon i 2-ti, Norris i 8-ti ose më poshtë dhe Piastri nuk fiton; përfundon i 3-ti, Norris i 9-ti ose më poshtë dhe Piastri nuk fiton.– **Piastri shpallet kampion nëse:** fiton dhe Norris përfundon i 6-ti ose më poshtë; përfundon i 2-ti, Norris i 10-ti ose më poshtë dhe Verstappen i 4-ti ose më poshtë.
Forcat e vërteta në pistë do të shfaqen plotësisht të shtunën me Provat e Lira 3 në orën 11:30 dhe Kualifikueset vendimtare në orën 15:00 (me orën italiane). Gara finale e Çmimit të Madh të Abu Dabit do të zhvillohet të dielën në orën 14:00. -

Botërori gati për aktin e fundit, ja kombinimet e 3 pilotëve për t’u shpallur kampion
“Do të luftojmë deri në fund!” Është kjo motoja që tri pilotët kandidatë për titullin kampion bote për pilotë në Formula 1 kanë para garës së fundit (këtë fundjavë në Abu Dhabi), që do të përcaktojë gjithçka.
Lando Norris është ende favoriti kryesor, me 12 pikë avantazh ndaj Max Verstappen dhe 16 pikë epërsi ndaj Oscar Piastri. Gjithçka ende e hapur dhe titulli do të vuloset në një duel të fortë deri në xhiron e fundit.
Norris është kampion nëse…
1-Ai përfundon të paktën i treti
2-Ai përfundon i katërti ose i pesti dhe Verstappen nuk fiton
3-Ai përfundon i gjashti dhe as Verstappen as Piastri nuk fitojnë
4-Ai përfundon i shtati ose i teti dhe Verstappen nuk del më mirë se i treti dhe Piastri nuk del më mirë se i dyti
5-Ai përfundon i nënti ose i dhjeti dhe Verstappen nuk del më mirë se i katërti dhe Piastri nuk del më mirë se i treti
6-Nëse ai nuk shënon pikë, Verstappen nuk duhet të dalë më mirë se i pesti dhe Piastri nuk duhet të dalë më mirë se i treti
Verstappen është kampion nëse…
1-Ai fiton dhe Norris nuk del më mirë se i katërti
2-Ai përfundon i dyti, Piastri nuk fiton dhe Norris nuk del më mirë se i shtati
3-Ai përfundon i treti, Piastri nuk fiton dhe Norris nuk del më mirë se i nënti
4-Ai përfundon i katërti, Norris nuk shënon pikë, Piastri nuk del më mirë se i treti.
Piastri është kampion nëse…
1-Ai fiton dhe Norris nuk përfundon më mirë se i gjashti.
2-Ai përfundon i dyti, Verstappen nuk përfundon më mirë se i shtati dhe Norris nuk përfundon më mirë se i nënti. -

Formula 1/ Verstappen “mbretëron” në Katar, rikthehet në garë për titull
Maks Vershtapen fiton Çmimin e Madh të Katarit sot dhe është kthyer fuqimisht në garën për titullin kampion, kur mbetet edhe një pistë për të vizituar, ajo e Abu Dabi. Meritë e një gare perfekte të tij, por edhe një gafe të jashtëzakonshme të skuadrës MekLaren.
Kjo e fundit dukej në kontroll të plotë të garës, me Piastri dhe Norris në dy vendet e para dhe në kontroll pas pak xhirosh. Por në xhiron e 8, kur u shfaq makina e sigurisë, të gjithë u futën në bokse, përveç dy makinave MekLaren. Kjo i dha mundësinë Vershtapen të bënte ndërrimin e gomave siç dëshironte ai me një strategji ndryshe.Dhe falë planifikimit të saktë edhe në ndalesën e dytë, ai mori kreun e garës, duke u shkëputur nga Piastri i cili e ndiqte në vendin e dytë, por edhe Norris, i cili rrëshqiti deri në vendin e pestë, në një garë ku makinat MekLaren ishin dukshëm më të shpejta se rivalët. Norris ia doli në xhiron e fundit të përfitonte nga një dalje e Antonelit para tij për të marrë të paktën vendin e katërt, por jo të kalonte Sainz i cili u ngjit në shkallën e tretë të podiumit.
Kësisoj, me vetëm një garë të mbetur deri në mbyllje të sezonit, Norris kryeson kampionatin me 408 pikë, i ndjekur nga Vershtapen me 396 pikë dhe Piastri me 392 pikë. Gjithçka do të vendoset pas një jave në Abu Dabi, me kombinime nga më të ndryshmet që mund të nxjerrin secilin prej këtyre pilotëve kampon bote. -

Verstappen triumfon në Katar dhe shpreson për titullin, Piastri i dyti, Norris jashtë podiumit
Max Verstappen me Red Bull fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Katarit në Formula 1, zhvilluar në pistën e Losail. Edhe pse e nisi garën nga vendi i tretë, pas dy makinave McLaren, arriti të shrytëzojë në maksimum mundësitë që iu dhanë, duke ngushtuar diferencën me kreun e renditjes.
Në vendin e dytë u rendit australiani i McLaren, Oscar Piastri. Në podium u ngjit edhe Carlos Sainz me Williams, i treti, surpriza e kësaj gare. Në vendin e katërt u rendit britaniku Lando Norris me makinën McLaren, që ruan vendin e parë në renditjen e përgjithshme, me një garë nga fundi.
Rezultati i kësaj gare la gjithcka të hapur për sa i përket titullit kampion për pilotë. Norris ka 12 pikë avantazh ndaj Verstappen dhe 16 pikë karshi Piastri. Gara e sotme u vendos nga hyrja e makinës së sigurisë në xhiron e shtatë. Holandezi i Red Bull hyri dhe ndërroi gomat, ndërsa dy pilotët e McLaren nuk përfituan.
Kjo garë kishte rregullin e dy ndalesave dhe një set gomash duhej të zgjaste maksimumi 25 xhiro (57 xhiro gjithsej). Hyrja e makinës së sigurisë në xhiron e shtatë, kur mbetën edhe 50 për t’u zhvilluar, ishte mundësia e artë për Verstappen, që e shfrytëzoi dhe më pas menaxhoi pa probleme avantazhin.
Në zonën e pikëve, respektivisht nga vendi i pestë në të dhjetin, u renditën edhe Kimi Antonelli, George Russell, Fernando Alonso, Charles Leclerc, Liam Lawson dhe Yuki Tsunoda. Tjetër garë anonime për Ferrari, ndërkohë që Lewis Hamilton u rendit në vendin e 12-të me “kokekuqen”, jashtë zonës së pikëve. -

Gara për titull e hapur: Piastri siguron “pole position” në Katar, ndjekin Norris e Verstappen
Pas triumfit pak orë më parë në garën sprint, piloti australian Oscar Piastri siguroi mbrëmjen e së shtunës edhe “pole position” në pistën e Losail, i vlefshëm për garën e Cmimit të Madh të Katarit. Ai ndali kronometrin në kohën 1’19”387, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Lando Norris.
Pra, një vijë e parë e nisjes tërësisht e makinës McLaren, me dy pilotët që janë ende në garë për titullin kampion për pilotë në Formula 1. Në vendin e tretë u klasifikua Max Verstappen me Red Bull, dy të dhjetat më i avashtë se Piastri, duke mbajtur ende gjallë shpresat për titull.
Vetëm i katërti George Russell me Mercedes, që la pas pilotit tjertër të kësaj skuadre, italianin Kimi Antonelli (i pesti). Më pas u klasifikuan Isack Hadjar, Carlos Sainz, Fernando Alonso, Pierre Gasly e Charles Leclerc. Pra, vetëm vendi i dhjetë për pilotin monegask të Ferrari, që u paraqit dobët.
Akoma më dobët britaniku Lewis Hamilton me Ferrari, që u eliminua që në sesionin e parë dher nesër do ta nisë garën nga vendi i 18-të. Gara e së dielës ka një detaj të rëndësishëm, ku pilotët janë të detyruar të bëjnë të paktën dy ndalesa dhe cdo set gomash do të zgjasë maksimumi 25 xhiro. -

Provat zyrtare në F1/ Piastri niset i pari, Norris e Verstapen pas tij në Katar
Oskar Piastri me McLaren, merr Pole Position në provat zyrtare në pisten e Losail (Katar). Pas tij, shoku i skuadrës, lideri i Botërorit 2025 në Formula 1 Lando Norris ndërsa i treti, kampioni në fuqi Maks Verstapen.
Pas garës Sprint të fituar nga Piastri (e treta për australianin), diferenca me kreun që mbahet nga Norris shkon në 22 pikë. Botërori luhet në dy garat e fundit.
Pole Position për Oskar Piastri, 1 minutë e 19.387 sekonda përpara shokut të skuadrës Lando Norris, 108 të mijëtat prapa. Maks Verstapen (Red Bull) zë rreshtin e dytë, 264 të mijëtat prapa, ndërsa brtitaniku Xhorxh Rasëll (Mercedes) 275 të mijëtat prapa.
Andrea Kimi Antoneli dhe Isak Haxhar formojnë një rresht të tretë ndërsa Sharles Leklerk (Ferrari) duhet të kënaqet me pjesën e jashtme të rreshtit të pestë, të zënë në pjesën e brendshme nga Pierre Gasli surprizues në Alpine.
Gara për Çmimin e Madh të Katarit do të zhvillohet nesër ora 17:00. Me dy gara për t’u mbyllur ky sezon, kryeson Lando Norris me 396 pikë. Ndjekin Piastri me 374 dhe Verstapen me 371 pikë. Gara e fundit me 7 dhjetor në Abu Dabi./Sportiim.al/
Vazhdo leximin
-

Piastri fiton garën sprint në Katar dhe shpreson te titulli, Norris lë pas Verstappen, Ferrari del pa pikë
29 Nëntor 2025
15:33
Telesport
Piloti australian Oscar Piastri fitoi sot garën sprint të zhvilluar në pistën e Losail, e vlefshme për Cmimin e Madh të Katarit në Formula 1. Një garë me 19 xhiro, të dominuara nga piloti i McLaren, që e nisi atë nga “pole” dhe e ruajti kryesimin deri në fund.
Në vendin e dytë u rendit britaniku George Russell me Mercedes, ndërkohë që në vendin e tretë u klasifikua britaniku tjetër Lando Norris me makinën tjetër McLaren. Vetëm i katërti holandezi Max Verstappen me Red Bull.
Praktikisht, treshja e podiumit e mbylli garën në po ato vende që e nisi. Gjithsesi, kjo renditje “shkartis disi kartat“ e pilotëve të kreut për sa i përket renditjes së përgjithshme. Norris qëndron në krye, por tani ka vetëm 22 pikë më shumë se Piastri.
Ndërsa Verstappen qëndron i treti, me 25 pikë pas britanikut të McLaren. Një garë sprint zhgënjyese për Ferrari, që nuk mori asnjë pikë me të dy pilotët e saj. Leclerc u rendit në vendin e 13-të, ndërsa Hamilton në vendin e 17-të. -

Surpriza!!! Skualifikohen dy makinat McLaren nga gara e Las Vegas, rihapet botërori, Antonelli në podium
Ajo që konsiderohej një garë e mirë për dy makinat McLaren në Las Vegas dhe vecanërisht për Lando Norris, është kthyer një makth për të dy pilotët.
Lando Norris dhe Oscar Piastri u skualifikuan nga Çmimi i Madh i Las Vegasit për shkak të konsumimit të tepërt të shasisë së makinave të tyre. Bëhet fjalë për një zonë të quajtur si “dërrasa e dyshemesë“, ose rrëshqitësja, e cila është një dërrasë druri e pozicionuar në dyshemenë e sheshtë të makinës.
Roli kryesor i së cilës është të mbajë një distancë minimale nga toka për arsye sigurie. Kjo sipërfaqe është 10 milimetra e trashë dhe, sipas rregullores, nuk mund të konsumohet më shumë se një milimetër (pra nuk mund të jetë më pak se 9 mm). Ky rregull është thyer nga të dy pilotët e McLaren.
Për shkak të skualifikimit, Norris dhe Piastri (të dytët dhe të katërt në fund të garës) humbën përkatësisht 18 dhe 12 pikë, garë që u fitua nga Max Verstappen. Falë këtij skualifikimi, holandezi i Red Bull tani është 24 pikë pas Norris dhe me pikë të barabarta me Piastri në renditjen provizore, dy gara nga fundi.
Pas skualifikimit, në vendin e dytë ngjitet britaniku i Mercedes, George Russell, që e mbylli garën në vendin e tretë dhe në këtë mënyrë fiton një pozicion. Në podium ngjitet edhe italiani Kimi Antonelli me makinën tjetër Mercedes (që në garë u rendit i pesti). Në vendin e katërt ngjitet Charles Leclerc me Ferrari, ndërsa Lewis Hamilton klasifikohet i teti. -

Verstappen triumfon në Las Vegas dhe shpreson ende, Norris i dyti dhe i afrohet titullit, zhgënjen Piastri
Max Verstappen me Red Bull fitoi mëngjesin e së dielës garën Cmimit të Madh të Las Vegas në Formula 1, zhvilluar në pistën qytetase amerikane. Një garë e dominuar nga 4 herë kampioni i botës, që mori kryesimin që pas kthesës së parë dhe e ruajti atë deri në fund (suksesi nr.69 në karrierë).
Piloti holandez përfitoi nga një start jo i mirë i Lando Norris me McLaren, që e mbylli garën në vendin e dytë. Gjithsesi, britaniku i McLaren vazhdon të komandojë renditjen provizore të pilotëve (30 pikë më shumë se Piastri). Në podium u ngjit edhe britaniku George Russell me Mercedes (i treti), në një garë të mirë.
Në vendin e katërt u rendit australiani Oscar Piastri me makinën tjetër McLaren dhe pas tij italiani Kimi Antonelli me Mercedes (i pesti), që u penalizua me 5 sekonda (e nisi garën nga vendi i 17-të). Ky rezultat nuk i bën shumë punë Piastri, që vazhdon të humbasë terren në renditje ndaj Norris.
Në vendin e gjashtë u rendit Charles Leclerc me Ferrari. Ai që shpreson te titulli është edhe Max Verstappen, që ngushton diferencën me kreun e renditjes (42 pikë pas kreut), por kanë mbetur vetëm dy gara. Gara e sotme ishte në dritë-hije për Ferrari, që në pjesën e parë u paraqit mirë me të dy pilotët, por pa kapur dot podiumin.
Piloti britanik i Ferrari, Lewis Hamilton, që u nis nga vendi i fundit, megjithë përpjekjet nuk shkoi dot më shumë se vendi i dhjetë dhe mori vetëm një pikë. Në zonën e pikëve u renditën edhe Carlos Sainz (vendi 7), Isack Hadjar (vendi 8) dhe Niko Hulkenberg (vendi 9).