Tag: përmbytje

  • Përmbytje në Teksas, 24 viktima! Lumi del nga shtrati dhe përfshin disa kampe verore, 25 vajza të zhdukura

    Përmbytje në Teksas, 24 viktima! Lumi del nga shtrati dhe përfshin disa kampe verore, 25 vajza të zhdukura

    Të paktën 24 persona humbën jetën në Teksas nga përmbytjet e papritura, ndërsa shumë vajza rezultojnë të zhdukura nga një kamp veror i krishterë, raporton BBC.

    Lumi Guadalupe u rrit 7.9 metra në më pak se një orë dhe përmbytjet që pasuan rrënuan shtëpi të lëvizshme, automjete dhe kabina pushimesh ku njerëzit po kalonin 4 korrikun.
    Dyshohet se ekipet e shpëtimit po kërkojnë të paktën 25 fëmijë, të cilët ishin midis 750 vajzave që ndiqnin kampin Mystic, 104 km në veriperëndim të San Antonios.

    Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në disa qarqe ku disa rrugë janë përmbytur dhe linjat telefonike janë ndërprerë.
    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e quajti tragjedinë “tronditëse” dhe “të tmerrshme”, ndërsa Shtëpia e Bardhë premtoi ndihmë shtesë.
    Zyrtarët thanë se operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë derisa të gjenden të gjithë të zhdukurit.
    Zyrtari më i lartë i Qarkut Kerr, gjykatësi Rob Kelly, u pyet gjatë një konference për shtyp pse kampet përgjatë lumit Guadalupe nuk u evakuuan paraprakisht.
    “Nuk e dinim që kjo përmbytje po vinte. Jini të sigurt, askush nuk e dinte që ky lloj përmbytjeje po vinte”, tha Kelly./vizionplus.tv

  • Përmbytje vdekjeprurëse në Teksas: Fëmijë të zhdukur dhe gjashtë viktima të konfirmuara nga stuhitë

    Përmbytje vdekjeprurëse në Teksas: Fëmijë të zhdukur dhe gjashtë viktima të konfirmuara nga stuhitë

    Stuhitë dhe shirat e rrëmbyeshëm goditën rëndë Teksasin jug-qendror të premten, duke shkaktuar përmbytje katastrofike përgjatë lumit Guadalupe dhe duke lënë pas një bilanc tragjik jetësh të humbura e të zhdukurish.

    Autoritetet lokale konfirmuan se disa persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, përfshirë një numër të panjohur fëmijësh të bllokuar në kampingje të përfshira nga uji.

    “Të gjithë po bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për t’i nxjerrë këta fëmijë jashtë,” deklaroi në një konferencë për shtyp gjykatësi i Qarkut Kerr, Rob Kelly, ndërsa mediat lokale raportuan se të paktën gjashtë persona kanë vdekur. Zyra e Sherifit të Qarkut Kerr foli për “përmbytje katastrofike” dhe konfirmoi se operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vijim.

    Përmbytjet, që ndodhën në mënyrë të befasishme dhe brenda një periudhe më pak se dy orësh, kanë goditur më rëndë lagje të shpërndara banimi, parqe për automjete rekreative dhe kampingje.

    “Kjo ndodhi shumë shpejt, gjatë një periudhe shumë të shkurtër që nuk mund të parashikohej, madje as me radar,” u shpreh Dalton Rice, menaxheri i qytetit për Kerville, duke theksuar mungesën e paralajmërimit për evakuim.

    Shërbimi Kombëtar i Motit shpalli një emergjencë për përmbytje të menjëhershme në Qarkun Kerr, pas reshjeve ekstreme që arritën deri në 30 centimetra shi.

    Ndërkohë, zëvendësguvernatori i Teksasit, Dan Patrick, deklaroi se po punohet ngushtë me ekipet e emergjencës dhe paralajmëroi për rrezik të vazhdueshëm për përmbytje të reja në orët dhe ditët në vijim, veçanërisht në zonat nga San Antonio në Waco.

    Roja Bregdetare e SHBA-së dhe Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) janë aktivizuar për të ndihmuar në përballimin e kësaj katastrofe natyrore, ndërsa autoritetet lokale kërkojnë ndihmë dhe bashkëpunim për të shpëtuar sa më shumë jetë.

  • Përmbytje në Teksas, raportohet për disa persona të vdekur dhe të zhdukur, mes tyre edhe fëmijë

    Përmbytje në Teksas, raportohet për disa persona të vdekur dhe të zhdukur, mes tyre edhe fëmijë

    Disa persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë raportohen të zhdukur pas përmbytjeve në Teksas.

    Mediat në SHBA raportojnë për një rritje të prapritur të nivelit të lumit Guadalupe, çka soli vdekjene disa perosnave dhe shumë të tjetë rë zhdukur, mes tyre edhe fëmëijë.
    “Numri i të vdekurve nga rritja e papritur e niveleve të ujit mbetet i pasigurt. Po përpiqemi të identifikojmë njerëzit që vdiqën, shumë shkatërruese dhe vdekjeprurëse që shkatërruan zonën për shkak të shirave të rrëmbyeshëm. Lidhur me fëmijët që ndjekin një kamp veror në qark, ne e dimë se ka disa të zhdukur. Por sa… nuk jemi të sigurt”, shpjegoi Rob Kelly, kreu i autoriteteve lokale në qarkun Kerr, i vendosur në Teksasin qendror, në një konferencë për shtyp.

    Ai tha se në këtë rajon ka përmbytje gjatë gjithë kohës, por askush nuk e besonte që do të kishte një përmbytje të ëktyre përmasave.
    “Kemi përmbytje gjatë gjithë kohës. Kjo është lugina më e rrezikshme e lumit në Shtetet e Bashkuara, por nuk kishim arsye të besonim se do të ndodhte diçka e ngjashme me atë që ndodhi këtu”, shtoi ai.
    Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), niveli i lumit Guadalupe u rrit gjatë natës, nga dy metra në më shumë se nëntë metra, pas reshjeve të shiut.
    Shërbimi meteorologjik lëshoi ​​një paralajmërim për përmbytje duke i nxitur banorët të shmangin udhëtimet dhe ata që jetojnë pranë lumit Guadalupe të zhvendosen “në vende më të larta”.
    Në mesin e qershorit, të paktën 10 persona vdiqën në përmbytje në San Antonio, pas shirave të rrëmbyeshëm.
     

  • Kina nën ujë: Autoritetet paralajmërojnë për përmbytje të rënda në 10 provinca

    Kina nën ujë: Autoritetet paralajmërojnë për përmbytje të rënda në 10 provinca

    Autoritetet kineze kanë lëshuar paralajmërime urgjente për përmbytje në të paktën 10 provinca dhe rajone të vendit, pasi reshjet intensive kanë rritur ndjeshëm nivelet e lumenjve, duke i çuar disa prej tyre përtej kufijve historikë.

    Situata është përshkallëzuar sidomos mes mëngjesit të së mërkurës dhe të enjtes, kur gjashtë lumenj, përfshirë lumin Qiaozhuang në qytetin Guangyuan të provincës Sichuan, kanë kapërcyer kufirin e sigurisë. Ky i fundit po përjeton përmbytjet më të rënda që nga viti 1981.

    Edhe degët e lumit Jialing që përshkojnë provincat Sichuan dhe Gansu, si dhe lumi Hulan në Heilongjiang, kanë kaluar nivelet e mëparshme rekord, duke rritur shqetësimet për pasoja të rënda në zonat përreth. Si pasojë, autoritetet kanë shpërndarë alarme specifike në rajonet Hebei, Xizang (Tibeti), dhe Ningxia, duke paralajmëruar për rrezik të lartë për përmbytje të menjëhershme, rrëshqitje dheu dhe probleme në rezervuarë.

    Në qytetin Tianshui të Gansusë, rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar rrugët kryesore, me rreth 3,600 metra kub mbeturina që kanë izoluar qytetin Hongbu. Ekipet e emergjencës janë vendosur në gatishmëri të plotë, ndërsa autoritetet këshillojnë popullatën që të shmangë lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekë udhëzimet zyrtare.

  • VIDEO/ Situatë e rëndë nga moti i keq në veri të Italisë, lumenjtë vërshojnë nëpër rrugë

    VIDEO/ Situatë e rëndë nga moti i keq në veri të Italisë, lumenjtë vërshojnë nëpër rrugë

    Qyteti Bardonecchia, në Torino, është përfshirë nga përmbytje të mëdha pasi lumi Frejus ka dalë nga shtrati për shkak të reshjeve të dendura.

    Uji i lumit ka vërshuar në rrugët e qytetit, duke bllokuar qarkullimin dhe duke detyruar autoritetet të shpallin alarm maksimal, pothuajse dy vite pas përmbytjes së madhe të gushtit 2023.

    Kryetarja e Bashkisë, Chiara Rossetti, i ka bërë thirrje qytetarëve të mos afrohen pranë urave dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme: ‘Mos dilni nga shtëpia, mos përdorni makinën dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale,’ tha ajo.

    Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë rrugë të mbuluara nga uji dhe dëme materiale. Përmbytje kanë ndodhur edhe në autostradën A32 Torino-Bardonecchia, ku është mbyllur dalja për në zonën turistike në të dy drejtimet.

    Ndërkohë, edhe lumi Dora ka dalë nga shtrati në pjesën e poshtme të qytetit, duke përmbytur dhe rrugën.

  • Pakistan/ Përmbytje të mëdha në rajonin veri-perëndimor, 11 të vdekur dhe 6 të plagosur

    Pakistan/ Përmbytje të mëdha në rajonin veri-perëndimor, 11 të vdekur dhe 6 të plagosur

    Të paktën 11 persona, përfshirë tre fëmijë dhe tre gra, kanë humbur jetën nga përmbytjet e menjëhershme në rajonin malor veriperëndimor të Pakistanit.

    Sipas një deklarate të Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive në provincën Khyber Pakhtunkhëa, përmbytjet kanë lënë të plagosur edhe gjashtë persona të tjerë. Po ashtu, janë dëmtuar 56 banesa, ndërsa gjashtë prej tyre janë shkatërruar plotësisht.

    Dhjetë nga viktimat janë regjistruar në Luginën Swat, ku një rritje e papritur e nivelit të ujit në një lumë ka përfshirë familjet që ndodheshin në brigjet e tij, raportojnë mediat lokale.

    Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Pakistanit ka paralajmëruar se rreziku për reshje të dendura dhe përmbytje të mëtejshme mbetet i lartë të paktën deri ditën e martë të javës që vjen.

    Pakistani është një nga vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike në botë, me një popullsi prej rreth 240 milionë banorësh, po përballet gjithnjë e më shpesh me ngjarje ekstreme të motit.

    Në maj, rreth 24 persona humbën jetën në stuhi të forta në Pakistan. Në gusht të vitit 2022, një e treta e vendit u përmbyt për shkak të reshjeve të papara të musoneve, duke prekur më shumë se 33 milionë njerëz./DW

  • “Përvëlim” dhe përmbytje/ Mot ekstrem në Europë, temperaturat arrijnë 40 gradë në hije, Parisi regjistron viktima nga përmbytjet

    “Përvëlim” dhe përmbytje/ Mot ekstrem në Europë, temperaturat arrijnë 40 gradë në hije, Parisi regjistron viktima nga përmbytjet

    Temperaturat e larta kanë prekur një pjesë të Evropës Jugore këtë javë, ndërsa agjencia shtetërore meteorologjike e Spanjës ka parashikuar zgjatjen e valës së të nxehtit edhe në ditët në vijim me temperatura që shkojnë mbi 40 gradë Celsius.

    Vala e të nxehtit ka përfshirë gjithashtu Portugalinë, vendet e Ballkanit ndërsa Franca pas disa ditëve të nxehta po përjeton përmbytje.
    Një stuhi e dhunshme goditi vendin të mërkurën, shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta shkaktuan kaos në rrugë.
    Pamjet filmike treguan vija rrufesh që i jepnin qiellit mbi Paris një nuancë të verdhë të çuditshme, në total raportohet të jenë shkrepur 39 mijë rrufe në të gjithë vendin. Stacionet e metrosë dhe disa rrugë në kryeqytet mbetën nën ujë për shkak të shiut të rrëmbyeshme.
    Autoritetet raportuan për 2 viktima dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Një fëmijë 12-vjeçar u vra nga një pemë që ra në Francën jugperëndimore, ndërsa një burrë në veriperëndim vdiq pasi motori i tij me katër rrota u përplas me një pemë të rrëzuar.
    Sipas agjencisë franceze të mbrojtjes civile 110,000 shtëpi mbetën pa energji elektrike. Reshjet e dendura shkaktuan rrjedhje edhe në çatinë e ndërtesës së Asamblesë Kombëtare.
    Ndryshimet klimatike, me periudha të nxehtësisë ekstreme, por edhe përkeqësimet e menjëhershme të motit, paralajmërojnë shkencëtaret rrezikojnë të bëhen më të gjata, më të shpeshta dhe më intensive.

    Top Channel

  • VIDEO/ Përmbytje në pikun e të nxehtit, stuhi e fortë dhe breshër në Belsh

    VIDEO/ Përmbytje në pikun e të nxehtit, stuhi e fortë dhe breshër në Belsh

    Një çudi po ndodh në vend. Nëse zonat e plazhit janë plot me pushues dhe diell, në Belsh ka breshër, dhe një stuhi të fortë. Moti ekstrem ka sjellë pasoja serioze në infrastrukturë dhe ka paralizuar qarkullimin në disa rrugë të qytetit.
    Uji i tepërt ka tejkaluar kapacitetin e kolektorëve, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme dhe duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet. Ndërkohë era e fortë ka vështirësuar edhe ndërhyrjet e shërbimeve të emergjencës.

    Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesë dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme deri në stabilizimin e motit. Deri tani nuk raportohen dëme në njerëz apo prona, por situata mbetet dinamike.

  • Meksika përgatitet për stuhinë tropikale ‘Barbara’, priten përmbytje dhe rrëshqitje të tokës

    Meksika përgatitet për stuhinë tropikale ‘Barbara’, priten përmbytje dhe rrëshqitje të tokës

    Stuhia tropikale ‘Barbara’ u formua në brigjet jugperëndimore të Meksikës, tha Qendra Kombëtare e Uraganeve në Miami herët sot. Deri më tani nuk janë lëshuar paralajmërime për rrezik bregdetar.
    Shpejtësia e erës së regjistruar ishte rreth 75 kilometra në orë me goditje të forta herë pas here. Stuhia pritet të shndërrohet në uragan të hënën.
    Reshje të dendura shiu prej 5 deri në 10 centimetra, dhe në disa vende deri në 15 centimetra, janë të mundshme në disa pjesë të shteteve meksikane të Guerrero, Michoacán, Colima dhe Jalisco. Autoritetet kanë paralajmëruar se reshjet e shiut mund të çojnë në përmbytje dhe rrëshqitje toke.
    Valët që do të godasin pjesë të bregdetit jugperëndimor të Meksikës në ditët në vijim mund të jenë kërcënuese për jetën, tha qendra e uraganeve.

  • Rrëshqitje dheu dhe përmbytje në Indinë verilindore dhe Bangladesh, 38 viktima dhe qindra të evakuuar

    Rrëshqitje dheu dhe përmbytje në Indinë verilindore dhe Bangladesh, 38 viktima dhe qindra të evakuuar

    Të paktën 34 persona kanë humbur jetën në Indinë verilindore si pasojë e rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga përmbytje të mëdha gjatë katër ditëve të fundit, njoftuan të hënën autoritetet dhe mediat vendase.

    Shërbimi meteorologjik ka paralajmëruar për më shumë reshje intensive në vijim.
    Në shtetin himalajan të Sikkim, mbi 1,000 turistë të bllokuar për shkak të kushteve të motit u evakuuan të hënën. Në shtetin Meghalaya, ushtria ka angazhuar ekipe shpëtimi për të ndihmuar mbi 500 persona të izoluar në zonat e përmbytura.

    Ndërkohë, në Bangladeshin fqinj, të paktën katër anëtarë të një familjeje humbën jetën nga një rrëshqitje dheu në rajonin verilindor të Sylhet. Qindra strehimore emergjente janë hapur në zonat malore të Rangamati, Bandarban dhe Khagrachari për të strehuar banorët e prekur.
    Autoritetet në të dy vendet kanë paralajmëruar për rrezik të mëtejshëm nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet, duke u bërë thirrje qytetarëve në zonat e rrezikuara që të qëndrojnë vigjilentë dhe të evakuohen nëse është e nevojshme.
    Rajonet verilindore të Indisë dhe Bangladeshi përballen shpesh me reshje të dendura gjatë sezonit të shirave, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha dhe humbje në njerëz çdo vit.