sali berisha ne kuvend
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka kundërshtuar projektligjin për barazinë gjinore, që pritet të kalojë sot në Kuvend. Sipas Berishës, projektligji është kundër familjes, ndërsa nuk kurseu as ambasadorin e BE, Silvio Gonzato.
“Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoj të nderuarit të nxjerë se cila direktivë e BE-së e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë u thotë shqiptarëve këtë gjë? Ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE-së, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në 2016-ën, de-facto u mohon prindërve të drejtën e edukimit të tyre, me dhuntinë që u ka dhënë Zoti, vajzë dhe djalë! Ky ligj gjobit udhëheqësit fetarë e shpirtërorë.
De-facto në shoqërinë post-marksiste të shtetit post-marksist godet familjen të bazuar në binaritetin biologjik!”, u shpreh nga foltorja kreu i PD-së.
“Kanë vendosur ta miratojnë në orën 12 të natës”, theksoi ai.
“S’ka ndodhur ndonjëherë që komunitetet fetare të vijnë të na protestojnë, po ktheni kulturën ateiste të Enver Hoxhës”, tha me tonë të larta Berisha.
DEKLARATA E PLOTË E BERISHËS NË KUVEND
Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo seancë është një seancë krejt tjetër nga çdo seancë që keni ndjekur gjer sot.
Këtu kanë sjellë një ligj të quajtur në thonjëza për barazinë gjinore, por një ligj kryekëput ideologjik, i cili bazohet absolutisht në përmbysjen e rendit gjinor binar shekullor dhe mijëvjeçar.
Në përmbysjen e familjes dhe vlerave të saj.
Në përmbysjen e librave të shenjtë dhe moralit të tyre.
Në përmbysjen e të drejtës prindërore për edukimin e fëmijës së tij.
Në përmbysjen e çdo standardi të njohur gjer sot.
Theksoj dhe ritheksoj një mijë herë se do mbetem i paepur në bindjet e mia dhe në programet e partisë për barazinë midis burrit dhe gruas, për barazinë midis nënës dhe babait, midis motrës dhe vëllait.
Por, pikërisht kjo barazi sot zhduket.
Sot merr goditjen më fatale sepse kjo barazi e bazuar në binaritetin grua dhe burrë, femër dhe mashkull, nënë dhe baba, tashmë transformohet në përkatësi të shumëfishta gjinore.
Tashmë transformohet në gjini me diversitet të gjerë duke përmbysur Kushtetutën e Shqipërisë, nenet themelore të saj të lirive dhe të drejtave të njeriut, të lirisë së besimit, të të drejtave të prindërve mbi fëmijët e vet.
Përmbyset kodi i familjes dhe kodet e tjera.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky ligj i doktrinës post-marksiste, ekstremit të majtë më të rrezikshëm të kohërave, sepse Marksi nuk shkoi më përçudnimin dhe transfigurimin e familjes.
Marksi përcaktoi shkatërrimin e pronës private për ndërtimin e njeriut të ri.
Kushti i Marksit për njeriun e ri, ishte njeriu pa pranë.
Kushti i post-marksistëve për njeriun është njeriu pa familje.
Qytetarë dhe qytetare, sillet në emër të direktivave të BE. Ekspertë të shquar kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE, në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore.
Në asnjërën prej tyre nuk flitet për gjini me diversitet të gjerë.
Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit.
I kërkoj të nderuarit ambasador të nxjerrë cila direktivë e BE e kërkon një gjë të tillë.
T’u thotë shqiptarëve, se direktivat janë aty.
Sepse ky ligj, është hedhur poshtë në 21 vende anëtare të BE.
Sepse ky ligj, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016.
Sepse ky ligj, de facto, u mohon prindërve të drejtën e edukimit të fëmijëve të tyre bazuar në dhuntinë që u ka dhënë Zoti, vajzë apo djalë. Apo natyra për ata që nuk besojnë Zotin.
Sepse ky ligj, gjobit udhëheqësit fetarë, shpirtërore, në qoftë se ata besimtarëve do u parashtrojnë mësimet e Kuranit, Biblës, Talmudit.
Sepse ky ligj, de facto, në shoqërinë post-marksiste godet familjen, godet identitetin familjar të bazuar në bizaritetin biologjik.



