Vrapuesit, çiklistët dhe njerëz të tjerë që bëjnë ushtrime në natyrë mund të humbasin përfitime shëndetësore, rrezik më të ulët për kancer dhe jetëgjatësi të shtuar, nëse ushtrohen në ajër të ndotur të qytetit, sugjeron një studim i ri.
Duke përdorur të dhëna shëndetësore që mbulojnë 1.5 milion njerëz në disa vende, një ekip shkencëtarësh, përfshirë ata nga University College London (UCL) dhe City University of Hong Kong, ka zbuluar se efektet e ushtrimeve të rregullta duket se janë të reduktuara tek njerëzit që jetojnë në zona me ndotje të lartë.
Studiuesit thanë se “efekti mbrojtës” i zakonshëm që ofron vrapimi nga rreziku i vdekjes nga kanceri dhe sëmundjet e zemrës, zvogëlohet kur niveli i grimcave të imëta në ajër tejkalon 25 mikrogramë për metër kub.
Implikimet e gjetjeve do të jenë tronditëse për miliona vrapues në të gjithë botën, pasi pothuajse gjysma e popullsisë së botës jeton në vende ku nivelet e grimcave të imëta janë kaq të larta ose më të larta.
“Studimi ynë tregon se ajri toksik mund të bllokojë në një farë mase përfitimet e ushtrimeve, megjithëse jo t’i eliminojë ato”, tha Andrew Steptoe i UCL, i cili paralajmëroi se gjetjet ofrojnë “dëshmi të mëtejshme të dëmit që ndotja nga grimcat e imëta mund t’i shkaktojë shëndetit tonë”.
Në punimin e tyre mbi këtë temë, të botuar në revistën BMC Medicine në nëntor, ekipi paralajmëroi se shumë njerëz jetojnë në qytete ku niveli i ndotjes tejkalon 35 mikrogramë, ose madje arrin 50 ose më shumë.
Kur ajri është kaq i mbushur me grimca të vogla, përfitimet shëndetësore të ushtrimeve në natyrë janë “më pak të dukshme”, paralajmëruan ata.
Megjithatë, hulumtimi tregon se vrapimi në park “mbetet i dobishëm, edhe në mjedise të ndotura”, sipas Po-Wen Ku të Universitetit Kombëtar Chung Hsing në Tajvan. Në të njëjtën kohë, përfitimet e sjella nga ushtrime të tilla, mund të rriten duke përmirësuar cilësinë e ajrit urban.
Rreth 4 milionë njerëz vdesin para kohe çdo vit si pasojë e ekspozimit të zgjatur ndaj ndotjes së ajrit të jashtëm, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë./ DPA News.









